17.12.2010

Thaçi dhe akuzat - gazeta Sot, Tiranë, gazeta express, Prishtinë

Lajmi bombastik dhe shokues u rishfaq në kohë i papritur, pikërisht para bisedimeve, para formimit të Qeverisë dhe pakkush e ka pritur.
Nuk mund te besohet se dita e zgjedhur ishte spontane dhe e rastësishme. Tani akuzat nuk ngrihen nga prokuroria serbe, po merren provat e prokurorisë serbe, që ishin shpallur si të pamjaftueshme dhe hidhen në publik nga një autoritet më i lart. Dje në Gjermani nga Deutschlandfunk dhe sigurisht edhe radiostacionet tjera si dhe tv përsëritej në çdo edicion të lajmeve. Si zakonisht, çdo gjysmë ore. Në mbrëmje iu shtua edhe një deklaratë: “Qeveria e Kosovës shqyrton hapa ligjor kundër atij raporti.” Sot merren me analiza.

Hashim Thaçi nuk akuzohet për një fushëveprim kriminel, por për tri. Kjo është tipike për akuzat serbe: të sajohen sa më shumë dhe njëra së paku besohet. Dihet se mafiozët, aty ku kanë traditë, te nuk e kishte këtë, merren ose me drogë ose me organe, kjo e fundit shumë sporadike në botë në krahasim me të parën.
Serbia për të sjellë një lajm shumë sensacional dhe për të vazhduar luftën kundër shqiptarëve i mveshë Hashim Thaçit tri fusha veprimi dhe e prezanton gati si një firmë biznesi me tre specializime të posaçme. Edhe Thaçi nuk është zgjedhur rastësisht sepse është në pyetje denigrimi i një Lëvizje Çlirimitare, jo edhe aq i Thaçit vet. Nuk sulmohet vetëm Thaçi, por dëshiron të preket ndërgjegjja e Perëndimit.
Për Serbinë nuk është me rëndësi a do të besohet ky lajm a jo, me rëndësi është të botohet, të bëhet publike dhe gjithmonë do të gjenden njerëz që do ta besojnë: dikush do ta besojë se këto akuza janë përfolur edhe më parë. Tjetri nuk do t’ i besojë fare, tjetri do të mendojë se vjen nga kuzhina tradicionale serbe. Dhe ka të drejtë! Ajo ka dëshmuar aftësi të tilla duke poshtëruar të gjitha kombet për rreth dhe duke formuar një shtet me territore të huaja në çdo kufi me fqinjin. Sa për freskim: vetëm nga Vojvodina patën dëbuar 200.000 – 400.000 gjerman, ku sot do të kishin qenë së paku dy milion...Se sa shqiptarë kanë dëbuar, mund të kuptohet nga disa milion në Turqi...

b92 citon zëvendësprokurorin serb për Krime të Luftës. Ai i ekzaltuar deklaron këtë: “ Raporti i Dick Marty-t është fitore e madhe për shtetin tonë në luftë për të vërtetën dhe për drejtësi”. Bruno Vekariç vazhdon tutje: “ Duke falënderuar ndihmës dhe autoritetit të kryetarit të Serbisë Boris Tadiç, përkushtimit dhe angazhimit të organeve të drejtësisë, kemi arritur te kjo fitore dhe i kemi kthyer shpresën familjeve të viktimave, të kindapuarëve dhe të të zhdukurve”. Në këtë “Lajm shumë pozitiv” thotë Vekariç, janë shfrytëzuar shumë prova, që posedonte prokuroria serbe dhe kështu Dick Marty na rezulton si një prokuror serb i cili tani në një forum tjetër riaktualizon thashethëna, por jo fakte për një ndjekje eventuale penale.

UÇK-në e kemi financuar nga Perëndimi në fondin “Vendlidja Thërret” dhe UCK nuk ka pasur nevoje të merret me drogë e me organe për ta çliruar vendin nga fashizmi serb. Zakonisht lëvizjet kombëtare nuk merren me kriminalitet, ashtu si mafiozët nuk lodhen shumë për çlirimin kombëtar. Nëse ky lajm është i vërtetë, atëherë Thaçi do t’ ishte mafiozi i parë europian patriot. Për patriotizëm nevojitet vetëdije kombëtare. Për karrierë në jetën mafioze nevojitet injorancë ekstreme, nivel i ultë arsimor dhe mungesë e ndenjës kombëtare. Për mafiozët ndjenjë kombëtare është paraja, jo kombi dhe ai nuk rrezikon jetën dhe lirinë për komb, por për para...
Derisa në Jugosllavi luftohej, në Gjermani burgoseshin grupe ballkanike mafioze, që merreshin me drogë dhe në këto grupe kishte shqiptarë, serb, kroat e boshnjak. Atje luftohej, jashtë bashkëpunimi mafioz vazhdonte, kurse droga kalonte nëpër Serbi me lejen e shtetit serbe...
Natyrisht se pushtuesi do të përpiqet ta etiketojë dhe paragjykoj një lëvizje çlirimtare. Kjo është në natyrën e pushtuesve të papërmirësueshëm. UÇK nuk pat shkuar në Beograd ta luftojë Serbinë, e ta terrorizojë popullin serb, por mbronte shtëpitë dhe vendin e vet. Nëpër malet e Kosovës, jo të Serbisë!

Në politikën serbe nuk ka ndryshuar gjë ndaj shqiptareve. Tadic akoma nuk dorëzon arkivin e vjedhur nga Serbia. Perëndimi i ka lënë hapësirë dhe ai ka ndryshuar mënyrën e luftës, por me qëllimin e njëjtë. Tadiçi e kuptoi se me luftë të hapur nuk ka mundësi ta rikthejë Kosovën, por me luftë tjetër vazhdon shkatërrimin e shtetit, pengimin e njohjeve apo ndarjen eventuale. Ata ditë e natë luftojnë jashtë dhe prezantojnë Serbinë si viktimë, si viktimë të amerikanëve. Ne po dalldisemi me një pavarësi vasale dhe i kemi lënë shumë mundësi veprimi duke mos akuzuar ata për krime dhe shkatërrime, duke mos kërkuar dëmshpërblim... Krejt kjo luftë tani bëhet për ta fituar simpatinë e europianëve antiamerikanë dhe antishqiptarë. Ata nga ky lajm shpresojnë së paku legalizimin e shkëputjes së veriut të Kosovës. Për këtë, nuk i ka fajet vetëm politika vasale e Kosovës, por edhe vasali tjetër në Tiranë, që i përkulet Tadiçit derisa ai financon administratë paralele në Kosovë. Ky për t’ u treguar si vasal i përkryer serbëve të Kosovë u dhuroi 400.000 euro...dhe ftoi edhe Tadiçin në Tiranë...Për këtë i kanë fajet edhe perëndimorët sepse i hapën dyert Serbisë duke shpresuar se ndryshon dhe dje, Tadiç, në mënyrë cinike deklaron se do të takohet edhe me Thaçin, nëse bëhet Kryeministër. Kurse ministri i jashtëm serb në dalldi dhe ekstazë deklaron se ardhmëria politike e Thaçit është djegur...
Ne vitet e 90 na akuzonin për fundamentalizëm islamik, tani kur vendet islame mbrojnë interesat serbe janë larguar nga kjo akuzë dhe sajojnë të reja!
Dobrica Çosiç thoshte se rrena serbe është art, këtë herë po përpiqen gënjeshtrën ta shndërrojnë në provë.

Në zgjedhjet e fundit nuk do ta kisha votuar kurrë Thaçin, por nga akuza të tilla duhet mbrojtur ai, sepse synohet demonizimi i krejt Lëvizjes Çlirimtare dhe pasoja nuk mund të parashikohen, madje mund të vështirësohet edhe ecja drejt Europës, të përforcohet paragjykimet kundër nesh dhe të humbet legjitimiteti i politikës sonë dhe shtetit. Edhe Hitleri po të kishte pasur mundësi të shkruante raporte për hebrenjtë, edhe ai do të kishte deklaruar diçka të ngjashme për ta. Me këtë do të përligjte masakrat. Raporti i Dick Martyt është qëndrim fashist kundër një Lëvizje Çlirimtare.


05.12.2010

Pse Albin Kurtin?

Tani për tani vetëm ai është në gjendje ta kthejë dinjitetin e shqiptarëve dhe ndalojë krijimin e kombit të ri respektivisht copëtimin dhe fragmentarizmin e shqiptarëve. Ai mund të kthejë sovranitetin dhe të shfuqizojë strukturat paralele serbe nëpër Kosovë. 

Ai mund ta heqë koren e rreshkët dhe të trashë të korrupsionit dhe kriminalitetit, që e nxjerrin Kosovën vazhdimisht në faqet e para të gazetave. Ai mund t’ i pastrojë universitetet shqiptare, ku ka profesorë, që dinë më pak se një fillorist në Perëndim. Ai mund t’ i largojë nga puna doktorët me doktoratura të rrejshme, me plagjiate. Ai nuk ka frikë ta ripërtërijë Kosovën. 

Ai mund të hetojë shitjen e diplomave nëpër universitete...Me një fjalë: ai mund të krijojë shtet ligjor, të mundësojë shanse të reja, të ftojë investitorë madje edhe të nisë kthimin e diasporës. Elita e sotshme ka dy projekte: pasurimin e vet dhe anulimin e vizave për të lehtësuar emigrimin, kthimin ajo nuk e ka në fjalorin e vet!

Rizgjedhja e elitës së njëjtë krijon struktura dhe rrejt, që me dekada nuk do të ndërrohen. Në Europë pas LDB nuk janë votuar me dekada ata që luftuan fashizmin, por ata që dinin ta rindërtojnë vendin dhe zhvillojnë ekonominë.

Pjekuri politike tregon një popull kur dënon dhe nuk voton personalitetet e njëjta, kryesisht jo ata, që nuk ndryshojnë jetën e qytetarëve. Qeveria e sotshme ka përmbushur detyrat e veta historike. Ajo nuk dinë më shumë. Ata nuk duhet të ngarkohen me punë, që nuk dinë t’ i bëjnë si duhet. Ata po e mësojnë politikën duke qeverisur! Ata po bëjnë praktikum në politikë duke u përkulur! Atyre duhet t’ u jepen dekorata dhe pensione të mira. Kështu mund ta ndihmojnë më shumë Kosovën se sa duke ecur zvarrë.

Botës nuk i duhen dy shtete shqiptare. Kombi shqiptarë nuk i duhen ambasada dyfishe sepse kjo dëmton ekonominë kombëtare. Kosova duhet ta marrë Lekun në përdorim, jo Euron. Kjo do të ndikonte edhe në çmime dhe do ta ndihmonte ekonominë dhe rriste investimet.

Kosova nuk ka flamur të vetin. Nuk ka himn të vetin. Nuk ka monedhë të veten. Kosova nuk administron tërë territorin. Kosova sot është një shtet vasal, madje edhe shtet i copëtuar. Kosovës nuk i nevojiten njohje të reja, por bashkimi me Shqipërinë dhe ky bashkim do të evitonte edhe shumë probleme tjera si dhe synimet konstante të Serbisë për ta destabilizuar atë.
Bashkimi do të krijonte një ekuilibër në Ballkan dhe do të ndihmonte edhe Serbinë, edhe Greqinë, sepse ato një herë e përgjithmonë do t’ i ktheheshin vetes, e jo planeve të vjetra dhe shantazheve kundër shqiptarëve.

Miqtë e Kosovës nuk janë më ata që përpiqen për njohje të reja, por ata që luftojnë për bashkimin e dy shteteve. Kombi shqiptar nuk ka bërë gjenocid kurrë ndaj fqinjëve dhe nuk ka pushtuar troje të huaja. Kombi shqiptar nuk mund të dënohet përjetësisht. Dinjiteti i shqiptarëve mund të kthehet vetëm kur realizohet ky bashkim. Ne nuk mund të sillemi si fajtor, edhe kur nuk kemi faj.
Bashkimi i Kosovës me Shqipërinë do t’ u siguronte shqiptarëve tjerë jashtë kufirit barazi dhe trajtim njerëzor, jo siç është sot ku shtetësia, punësimi apo mjekimi varen nga përkatësia kombëtare. Bota nuk ka pse të trishtohet nga bashkimi i 5 milion shqiptarëve, siç nuk u tmerrua t’ i bashkojë 80 milion gjerman. Nesër nuk do të ketë frikë ta bashkojë as Korenë. Nuk ka asnjë arsye të mbajmë gjallë një kukull shtet me një elitë e cila pos të lutet, nuk dinë të bëjë diçka tjetër. Ato kukulla nuk i nevojiten as Perëndimit, e aq më pak Kosovës!

Kërkesa e parë për ndihmë duhet t’ i drejtohet Izraelit. Në çaste më të vështira i ndihmuam ata, që kërkuan shpëtim në shtëpinë tonë dhe jemi i vetmi komb, ku kishte më shumë hebrenj pas lufte, se sa para lufte. Për këtë jemi krenar. Në atë kohë Nediçi i Serbisë krenohej me eliminimin e tyre.

Izraeli nuk ka njohur deri tani Kosovën, por kjo nuk është bërë për shkaqe taktike, për të mos penguar njohjen nga vendet myslimane. Pra ndihma për projekt duhet kërkuar pikë së pari nga Izraeli, për zbatim nga SHBA, lobimi duhet kërkuar nga Gjermania dhe Italia, madje edhe nga Greqia. Izraelin dhe SHBA i detyron miqësia jonë e sinqertë dhe respekti që kemi ndaj tyre. 

Tre vendet e fundit duhet t’ i detyrojë ndërgjegjja e tyre: ne sot jemi të shpërndarë nëpër shtetet e tyre, për të mbijetuar, ata dikur erdhën nëpër shtëpitë tona pa viza: pa leje, jo si miq, por të armatosur deri në dhëmbë. Erdhën dhe na vranë nëpër shtëpitë tona, oborret tanë dhe na shkaktuan mjerim. Erdhën me pushkë, tanke, avion dhe topa, sa herë deshën. Prej nesh sot kërkojnë viza...Atyre vendeve do t’ u bashkëngjiten Anglia dhe Franca dhe vendet tjera proamerikane...Bashkimi i dy shteteve shqiptare duhet të bëhet para anëtarësimit në BEE.

Kosova nuk po ndërtohet sipas dëshirës së 95%, por sipas dëshirës së 5 %. Ideatorë e këtij denigrimin nuk kanë pasur parasysh se populli nuk do të bartë gjithmonë një përbuzje të tillë. Çdo ligj në Kosovë matet me reagimin e një pakice prej 5 për qind. Kjo nuk është demokratike. Kjo nuk është demokraci. Këtë e din edhe suflerët tanë! Nëse një pakicë e tillë, pesë për qind mund të rrëzojë shtete, atëherë asnjë shtet nuk do të mbetet në këmbë! Faktorizimi i një minoriteti kaq të vogël, nesër mund t’ i shkaktojë Europës probleme.

Elita e sotshme është e zotuar të ndërtojë komb të ri. Këtë e dëshmon flamuri. Këtë e tregon himni. Këtë e dëshmon politika e përditshme.

Lëvizja “Vetëvendosja” me kandidatët e rinj, intelektual të shquar, me pasionin politik, ka qëllime fisnike para vete dhe këto mund t’ i realizojë vetëm ajo. Të tjerët nuk kanë ide, por përtypin idetë e huaja. Kosova duhet ta braktisë mendësinë tribale dhe të mos votojë njerëz për merita në të kaluarën. Populli nuk jeton dje, por sot. Meritat e djeshme janë vepra historike, për libra, por nuk mund njeriu të shpërblehet sot, për meritat e djeshme. Njeriu paguhet për punën e sotshme. Nëse Kosova rivoton këtë elitë të pasuruar në kurriz të popullit të varfër, atëherë po rikrijojmë: Fadil Hoxhën, Ali Shukrinë, Sinan Hasanin e Rrahman Morinën!

Kosova nuk ka nevojë për riciklime sepse ka një alternativë e cila do t’ ia kthente dinjitetin e nëpërkëmbur. Kushtetuta e Ahtisarit në mënyrë demokratike, me shumicë, duhet të abrogohet, anulohet dhe Kuvendi i Kosovës, nëse është Kuvend i një vendi demokratik, duhet të shpallë bashkimin me Shqipërinë. Kosova nuk do të humbte më energji për njohje të reja e as për ambasada nëpër botë, sepse këto nuk mund t’ i financojë...

Albin Kurti e ka dëshmuar se ka ide për të ardhmen. Elita e sotshme e ka dëshmuar se është harxhuar mendërisht dhe nëse nuk i vijnë ide në pjatë, nga jashtë, ajo merret me pasurimin vetjak dhe të klaneve të veta...Elita e viteve të 90 po shfronëson veten. Albin Kurti është institucion, që nuk mund të manipulohet, nuk mund t' i bëhet presion, nuk mund të korruptohet! 

Të tjerët duket se kanë përfunduar misionin e tyre. Radhën e kanë ata që nuk lejojnë t' u imponohen ndjenja inferioriteti. Albin Kurti ka një vizion, elita e tashme ka histori, dikur punoi për vendin, tani punon për veten dhe sa herë zihen me presh në dorë, deliktin e përligjin me meritat e kaluara, thua se populli jeton dje, e jo sot! Thua se merita e djeshme arsyeton apriori të drejtën e kleptomanisë sot!

Libra nga Lis Bukuroca:


Shtatë parimet e dashurisë (dashuria në shumë versione, nga lindja deri në vdekje dhe parakushtet e lumturisë)

Ngjyrat e dashurisë (roman me Kanun erotik, vetëm për lexues të moshës madhore)

Letër burrave (I) (si shkatërrohet lumturia në familje dhe shkaqet)

Letër burrave (II) (si shkatërrohet lumturia në familje dhe shkaqet)

Hijedritat e jetës (poezi dashurie, erotike, politike…)

Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten (Komedi gjermanisht)


Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë


Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 202

Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )

Letër burrave (I)

Hijedritat e jetës 2010-2019

Letër burrave (II)