Politika e Rugovës në thelb ishte politikë e frymëzuar nga Krishti. Ai nuk i dha kësaj politike kurrë emrin, ndoshta pse shumica e popullsisë ishte myslimane, ndoshta kishte frikë se po ofendonte ndjenjat e tjerëve, ndoshta për arsye tjera, mirëpo në fakt me gandizmin nuk ishte gati asgjë të përbashkët.
Të gjithë që njohin lëvizjen gandiste, e dinë se Rugova dhe gandizmi janë dy lëvizje gati të kundërta. Perëndimi po e quan herë Gandi i Ballkanit, herë Gandi i Prishtinës, madje u quajt edhe Mandela i Kosovës. Emra të mëdhenj dhe nuk është keq kur njeriu krahasohet me ta. Mirëpo Perëndimi e njeh Gandin mirë dhe e njeh mirë edhe dashurinë krishtere, pse këta po gabojnë qëllimisht?
Gandi bënte një politikë aktive dhe sakrifikuese; sfidonte përditë pushtuesin. Rugova i ikte konfrontimit direkt me shtetin serb: ai ishte idealist i madh dhe besonte se liria mund të arrihet edhe me humanizëm. ( Ai do të respektojë thënien e Krishtit: jepi Cezarit atë që i takon dhe Zotit atë që i takon Zotit). Ai nuk do ta prekë Serbinë në ekonomi, siç bënte Gandi në Indi me Anglinë. Rugova parapëlqente institucionin dhe jo rrugën dhe presionin nga rruga.
Ai ishte idealist dhe ndoqi një politike pasive, jo provokuese, jo ngacmuese, e ngadalshme, por fund e krye ndërtuese dhe peshërëndë! Politikë shpjeguese, eksplicite, me ide të filtruara dhe të menduara mirë. Ai nuk linte gjë në duar të pasigurta dhe stihisë! Ai e dinte se kishte punë me serbet dhe se presioni i rrugës pos humbjeve në njerëz, nuk do të sillte gjë. Atij ia kishin vrarë babain serbët, po ata që i kishin helmuar edhe babain e Nënë Terezës.
Ne, me zakonet pesëqind vjeçare, kanunin, me hakmarrjen si bazë, do ta kemi vështirë ta kuptojmë, prandaj atë do ta braktisin bashkëthemeluesit e partisë njëri pas tjetrit, sepse edhe ata nuk po kuptonin misionin e tij. Nuk do ta kuptojmë sepse na mungonte kultura krishtere, dhe qëndrimi i tij po na dukej i huaj!
Ka shumë paralele që mund të tërhiqen, të shohim më poshtë.
Ai pati deri diku fatin e Krishtit: Krishti lindet në dhjetor, edhe Rugova.
Krishti nuk pati ndërmend të bëjë një fe të re, por ta plotësojë Biblën. Edhe Rugova nuk e pati ndërmend të bëjë një shtet të ri në fillim, por republikën në kuadër të federatës apo konfederatës jugosllave, pra ta plotësojë atë që po ekzistonte. Durimi i Krishtit bëri që Roma të pushtohet shpirtërisht nga Krishti. Durimi i Rugovës, ndikoi që Serbia të çlirohet nga Millosheviçi ( satana)!
Politikën nuk do ta këtë vokacion, por valët e jetës do ta hedhin në ballë të saj. Ai do të nisë ta drejtojë titanikun Kosovar që kishte humbur orientimin në detin e tërbuar ballkanik. Ai nuk do të veprojë si Mojsiu biblik ta tërheqë popullin nga pushtuesi, por do të ndikojë që pushtuesi të tërhiqet na populli i tij.
Rugova do t´i mbetet besnik humanizmit, në fakt ai kurrë nuk do të bëhet politikan, por gjithmonë do të mbetet një humanist i përulur dhe respektplot dhe kështu në botën politike kishte dalë një njeri i veçantë.
Ai në cirkun politik do të jetë krejt origjinal, i pashembullt: do të shikohet herë me admirim dhe herë me huti, herë me urrejtje. Në fakt ai ishte me profesion humanist dhe shkencëtar, jo politikan.
Rugova ashtu modest si u fut në politikë, ashtu modest eci nëpër korridorin politik dhe ashtu modest dhe krejt i veçantë braktisi jetën.
Kur mori timonin e Kosovës në dorë, Kosova nuk kishte asnjë mik në botë. Sot, vdekja e tij është informatë e karakterit planetar. Krishti do të dërgohet të Pilati, Rugova te Millosheviçi. Krishti do te vdesë pa mbaruar misionin e tij, Rugova pa mbaruar detyrën e tij.
Krishti do t´ i lejë pas vete dishepujt dhe Shën Pjetri do ta marrë përsipër ta përfundojë misioni e Mësuesit të madh. Me Mësimin e madh që kishte lënë, Shën Pjetri rrumbullakësoi planet e Mësuesit te tij. Rugova ka trasuar një rrugë të pashembullt në historinë shqiptare të Kosovës. Pasardhësit tij e kanë lehtë nëse mbeten konsekuent dhe ndërtues dhe nëse ndjekin rrugën e tij.
Rugova ishte i tillë dhe ne u habitëm me një politikë të re shqiptare e cila nuk bazohej në hakmarrje tradicionale, por në zgjidhje me kompromis, në rrugë paqësore.
Krishti kurrë nuk do të flasë me urrejtje ndaj romakëve. Rugova kurrë nuk do të flasë me urrejtje ndaj kombit serb. A nuk thoshte Krishti përafërsisht kështu : “ Çka jeni ju, nëse i doni vetëm miqtë e jo edhe armiqtë...!) Kështu spikatej epërsia biblike e popullit!
Rugova do të ofronte faqen tjetër, siç mësonte Krishti por nuk do të frymëzonte ushtrimin e dhunës.
Ai vazhdimisht do të kërkojë pavarësi, por vazhdimisht do të jete i painfektuar nga urrejtja. Në Ballkan do të bëjnë gara se kush do te jetë më i çmendur; kush do të kërcënojë më shumë dhe, kush do të vrasë më shumë. Rugova do tua kthejë shpinën atyre, dhe do të vazhdojë rrugën më të sigurt që dinte. Ne nuk ishim si ata, ata nuk ishin si ne dhe ky nuk do të pranojë që ne të bëhemi lodër e tyre! Ai i njihte këto mësime historike dhe dinte se shqiptarët patën luftuar edhe në Bosnje dhe Vojvodinë, por pas lufte mbetën edhe pa shkolla!
Ai do të shmangë konfliktin nga Kosova dhe ky konflikt do të bartet ne veri, i cili planifikohej që nga 81 kundër nesh: ky konflikt do të përplaset pikësëpari në Slloveni, për të djegur nëpër Kroaci, për ta shkretuar Bosnjën dhe dënimin do ta marrë në Kosovë, aty ku nuk e priste fare!
Qetësia e Rugovës, modestia, urtia, mosprovokimi, mosofendimi i tjerëve kishin një rrezatim profetik. Rugova do të kritikohet ashpër, por kurrë nuk do të kundërsulmojë. Ai këtu do të respektoj thënien e Krishtit: “ Ai që mendon se është i pa mëkate, le ta hedh gurin i pari!”
Ai ishte shumë i sinqertë. Ai nuk u bë kurrë politikan i kallëpit që njeh shkolla politike. Ai kudo do të flasë në fillim për Dardaninë, për Ulpianën, Laurin dhe Lorin, martirët e parë të Krishterimit në Dardani: ai do ta shpjegojë kudo domethënien e fjalës Dardani, edhe në Sorbonë.
Ata nuk por vërenin se kishin pranë vete një misionar te vërtetë, i cili ishte këtu për të ngritur nga gërmadhat e vjetra të Dardanisë një ndërtesë të madhe, të re.
Ai kishte mirësinë e Nënë Terezës, përulësinë e Papës Benedikti, durimin e Dalai Lamës dhe shpresën te Krishti. Atëherë pse nuk quhet politika e tij frymëzim krishter, pyeta një mik pasi i numërova këto paralele?
-Do ta kundërshtonin pikësëpari tanët, pastaj edhe serbet do të alarmoheshin, më tha ai! Pastaj Rugova do t´ishte i pari që vuri në praktikë mësimet krishtere dhe me to bëri politikë, dhe kjo mund të mos u pëlqejë shumë njerëzve që mendojnë se krishterimi është i tyre! Mirëpo Vatikani e di këtë!
Rugovizmi kishte bazën në Krishterim! Në Rugovën shihte Papa Krishtin e përulur dhe të gozhduar dhe kjo ishte hera e dytë në historinë shqiptare që Vatikani po ndihmonte kombin shqiptar. U ndihmua Gjergj Kastrioti dhe pesëqind vite më vonë erdhi në konsideratë: Ibrahim Rugova. Rugova ndërroi jetë në muajin kur zakonisht vdesin kolosët shqiptarë: Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, Ali Pashë Tepelena, Isa Boletini, Jusuf Gërvalla, Bardhosh Gërvalla, Kadri Zeka, e Mark Sopi...
Janarit iu shtua edhe një emër i madh. Lavdi! 23.01.06
3 Kommentare:
Kjo qe thua ti NUK QENDRON ASPAK SHOK. Rugova PRO FORMA ishte "pasiv", por PERMBAJTJEN E VEPRIMIT TE VET POLITIK E KISHTE SHUME AKTIVE: RUGOVA nen okupim NDERTOI REPUBLIKEN E KOSOVES, Republike nen hije. Krijoi struktura shteterore shume me FUNKSIONALE, nga keto qe Hashimi me shoke gjoja se po i ndertojne ne liri. Ua shoh per te madhe kur flisni me kaq PSEUDO-KOMPETENCE, per gjerat qe nuk i njohni apo s´keni intelekt te mjaftueshem per t´i pare te atilla cfare jane.
Pershendetje, une nuk kam shkruar biografi te Rugoves,, por nej artikull me rastin e vdekjes se tij. Rezistenca e tij ka qene pasive. Kosova nuk ka pasur administrate, por ka jetuar nga ndihma nga jashte, sot jerton edhe nga puna e vet. Nuk eshte administrate funksionale, kur shkollat mbaheshin ne bodrume, kur policia serbe shetitej rrugeve te Kosoves e papenguar...Meqenese ju konsideroni veten te afte per ta bere shkrimin me kopetence dhe intelekt, atehere shkruani ju lutem. Une kam folur per nje njeri te madh me rastin e vdekejs dhe nuk kam permend disa "rreshqitje " te tija, pikerisht sepse ishte si nje shkrim mortor...
Shumë të vërteta këtu, që brekgrisurit nuk mund ti kuptojnë.
Ta mundësh serbin, është një duel i pabartë sikur mes miut dhe elefantit.
Pa Rugovën bota do të bënte sehir, sikur bëri në bosnjë.... e bënë sot e kësaj dite gjithandej, së fundmi në Siri.
Kommentar veröffentlichen