Hebreu:-”Zonjë, a keni një gjellë pa mish derri, ma ndalon religjioni?”, zonja pohoi dhe i tregoi me gishtin tregues dy gjellët tjera me perime.
-"Edhe për mua pa mish derri", tha përkthyesi nga Iraku.
Unë buzëqesha. Që të dy më shikuan.
-“Ju do ta hanit njëri-tjetrin në tigan, pa pritur të vihet në pjatë, e ja që të dy nuk hani mish derri!”, i pëshpërita arabit para meje. Ai më shkeli në këmbë. Hebreu tundi kokën në shenjë pohimi. Madje edhe që të dy bëhen synet, thash me vete; kanë aq shumë ngjashmëri sa edhe urrejtjen e kanë identike, të barabartë, të pakufishme dhe reciproke.
- "Për mua pa mish lope!", tha përkthyesi nga India, "ma ndalon religjioni". Zonja e shërbeu edhe atë.
-“E ju, çka nuk guxoni të hani, çka ju ndalon religjioni juve?”, m'u drejtua mua, si në tallje, duke menduar se befasitë, religjionet dhe rregullat përfunduan.
“ Unë mund të ha mishin e lopës dhe të derrit, zonjë, por nga karotat, që shërbeni si kontorno, hiqni bizelet ju lutem. Ma ndalon feja ime.” Të gjithë m´i zgurdulluan sytë dhe më shikuan me habi.
-"Hah", përshpëriti ajo duke tundur kokën.“ Këtë nuk e kam dëgjuar kurrë!”, shtoi zonja pas banakut, herë duke më shikuar mua, herë duke mbushur pjatën.
-“Zonjë, Enver Hoxha, diktatori ynë, na kishte ndaluar religjionet, ose besoje diktatorin ose përfundoje në burg. Dhe ne, disa të rinj, për ta sfiduar atë, zbuluam një fe të re, sepse nuk mund të ndalohej, ajo që nuk ekzistonte publikisht. Dhe kështu, krijuam bizelizmin. Ne, dmth. bizelistët besonim se krejt universi para miliarda vitesh ishte një bizele apo i madh sa një bizele dhe rastësisht shpërtheu dhe kështu u krijua ajo që kemi sot. Nga çdo atom i bizeles u bënë planetë dhe ky proces vazhdon akoma dhe, meteoritet që notojnë sot, nuk janë gjë tjetër, pos mbetje të bizeleve të dikurshme. Pra nëse unë ha bizelen, ha universin, me gjithë njerëzit dhe këtë mëkat nuk dua ta bëj. Këtu derri dhe lopa dalin qesharake! Lopa dhe derri janë dogmë, jo bizelizmi!"
Ajo zgjodhi tri karota dhe më lëshoi pjatën në dorë duke më shikuar e habitur.
-"Interesante", shtoi ajo. "Njeriu nuk pushon së mësuari..."
-"Jo zonjë, nuk keni mësuar ju sot gjë të re, por keni kuptuar peshën e materies, derrit dhe lopës! Urrejtjen e njërit dhe dashurinë ndaj tjetrit. Apo përplasjen konstante në mes tyre, nga mungesa e dijes së plotë!"
- "A është kjo lloj agnosticizmi?", pyeti kolegu me origjinë hebraike.
-"Jo", i thash shkurt e gjermanisht.
- "Atëherë kush është krijuesi, ne apo zoti?", pyeti kolegu gjerman.
- "Kryezoti urdhëroi krijimin e programeve gjenetike. Zotërat e shkruan. Sapo u rritëm pak, në shenjë falënderimi, krijuam zotin. Pra deri diku, ai neve, ne atë. Mirëpo këtë nuk e kuptojmë, sepse na mungon një shqisë për të kuptuar trascendetalen. Shqisa e tetë! E dini pse?
Te gjithë së bashku: "Jo."
-" Sepse në fillim nuk ishte fjala, por kryefjala, jo zoti, por kryezoti dhe neve na mungon kallëzuesi i plotë, sepse nuk e shkruan në programin tonë gjenetik!", thashë unë me plot seriozitet!
- "Po religjionet?", më pyeti kolegu arab.
- "Ato patën qëllime humane dhe u zbuluan për njeriun primitiv, për homo sapiensin minus. Sot i shpallin libra shkencor, të shkruara për shkencëtarë. Shqyrtimit shkencor nuk i rezistojnë, rrëzohen si kështjella prej rëre, të gjitha! Janë legjenda. Aq sa më shumë u rrit njeriu, aq më shumë i shndërroi në ideologji luftarake. Janë kujtime për curriculumin e njeriut, por të pa përdorshme për kohën tonë. Dogma nuk mund të rezistojë, por bizelja në lëvizje, po!, i thashë unë.
Kolegët e mi duartrokitën.
Nuk mbarova, thashë. Toka nuk është shkollë, ku notohen njerëzit! Zoti nuk ka dobi dhe nuk përfitoni nga nënshtrimi i njeriut. Njeriu fiton! Kleri! E si? Mbijeton me këtë profesion pa punë të njëmendtë! Besimtarin iluzionet e qetësojnë, thashë unë krenar se po u mbaja leksione prodhuesve të vetëmashtrimit!
-"E ç´ka thotë zoti juaj për qametin - apokalipsin", m´u drejtua përsëri kolegu nga Iraku duke lëshuar pjatat në tavolinë.
-“ Kur nuk rriten më bizelet, përfundon jeta në Tokë, ajo dëshmon për ekuilibrin dhe vitalitetin e evolucionit, por jeta vazhdon jashtë...!”, i thashë unë.
-"Sidoqoftë më duket se bizelizmi qenka feja më e vjetër në botë", tha kolegu gjerman. Hebreu dhe arabi kundërshtuan. Ne u shikuam në mes vete dhe vazhduam me drekën duke qeshur me të madhe.
U bashkuan një herë thash me vete, së paku një herë, në fakt dy herë, edhe në rastin e Kosovës!
Shekulli
Fjala e Lire
Zemra shqiptare
Art-Cafe, bota sot
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen