27.02.2012

Ç’ është dashuria?/Kuptimi i jetës 9


Dashuria është si tullumbace e fryrë shumë. Ajo rritet dhe mbushet si një aerostat në të cilën mbyllen dhe fluturojnë dy veta. Aty ka: shumë dëshira, shumë ëndrra, plot plane, shumë iluzione, plot kënaqësi dhe madje edhe shumë zhgënjime.

Një maje gjilpëre mund ta shfryjë dhe ta përplas për tokë. Shpresat do të mbeten brenda, të mbledhura kruspull tok me tullumbacen e pavlerë, por, kujtimi, kujtimi se qe fryrë një tullumbace së bashku, nuk do të zhduket kurrë!
Ky kujtim e rikujtim i herë pas hershëm, është i ligjshëm: Për qenien njerëzore.

Çdo dashuri rikujtohet. Është pjesë e jetës së njeriut dhe askush nuk ka të drejtë ta akuzojë, qortojë, sulmojë apo gjykojë jetën e tjetrit/tjetrës, kur tjetri/tjetra nuk ishte pjesë e asaj jete, e asaj shprese, e asaj tullumbace.

Dashuria është perceptim i plotë i partnerit dhe shtresim i përjetimeve të përbashkëta, por edhe rëniet emocionale ndikojnë në ndërtimin e qëndrimeve njerëzore dhe të drejta. Nëse humbet dashuria, atëherë ajo shërben si udhëzuese në ato që pasojnë.

Asnjë dashuri nuk është e gabueshme. Pa marrë parasysh a zgjatë një javë apo me vite. Çdo dashuri është kronikë vetjake dhe ka arsyet e veta të mëdha për hyrje dhe dalje nga tullumbacja.

Xhelozia e tepruar është armiku më i madh i dashurisë, sepse mëton mbikëqyrjen permanente të tjetrit: depersonalizimin e tjetrit/tjetrës. Zakonisht nga xhelozia e madhe pushtohen dhe kontrollohen, ata që nuk kanë besim në vetveten, që dominohen nga komplekset, neurozat dhe edukata e gabuar. Vetëm njeriu i lirë din dhe mund të dashurojë. Aty ku ka xhelozi të madhe, nuk ka dashuri, por përvetësim dhe prangosje e të dashurit/dashurës. Kjo dëmton sedrën, dinjitetin e tjetri/tjetrës, vetëbesimin, vetvlerën. Në dashuri nuk ka sundim dhe imponim, por vetëm bashkëveprim dhe liri individuale, sepse arresti nuk është dashuri. Vetëm njeriu i lirë mund të njihet përnjëmend, i burgosuri luan një rol, shndërrohet në aktor/e, edhe atë, të detyruar.

Dashuria është kompromis në mes dy vetave, që dashurojnë njëri tjetrit. Ndryshe shndërrohet në skllav/e dhe pronar/e. Pronësia është atentat ndaj një personaliteti. Njeriu nuk mund të posedohet. Lidhja në mes dy vetave nuk guxon si synim të ketë posedimin fizik, por shpirtëror, edhe atë, me lirinë reciproke të daljes, nëse njëri dominon tjetrin apo në mënyra tjera, prish lumturinë e tjetrit/ tjetrës. Detyrë e partnerit/partneres është për ta bërë të lumtur njeriun me të cilin bashkëjetohet. Njeriu jeton një herë dhe ka të drejtë ta kërkojë lumturinë e vet. Askush nuk ka të drejtë të nënshtrojë të dashurin apo të dashurën. Dashuria nuk guxon të përdoret si shpatë për ta shkokëzuar atë që dorëzohet nga dashuria.

Për të jetuar dhe notuar në një ekstazë dyshe, për tullumbacen duhet kujdesur dy veta dhe ta fryjnë sa herë të shfaqen rrudhat e para, nga shfryrja eventuale. Dashuria lindet në mes dy vetave dhe kujdesi duhet të jetë mundësisht i barasvlershëm dhe i përbashkët. Aty ku mbizotron dashuria, ajo përthyhet edhe në edukatën e fëmijëve dhe ekuilibrin e tyre të drejtë. Aty ku dominon njëri, dëmton drejtpeshimin dhe fëmija bëhet aleat me të keqtrajtuarin/keqtrajtuarën, në të shumtën e rasteve.

Aty ku ka dashuri, respekt, mirënjohje dhe liri, nuk ka tradhti. Askush nuk tradhton nga lumturia dhe dashuria e madhe, në mungesë të tyre, ndonjë herë, po.

Dashuria mund të mësohet dhe kultivohet, ashtu si mësohet: xhelozia, krenaria, inati, smira dhe shtypja. Këto veti dëmtojnë poseduesin e tyre dhe njeriun me të cilin bashkëjetojnë...Me dashuri edhe jeta e rëndë duket e lehtë, pa dashuri jeta është një obligim i tmerrshëm...

25.02.2012

Ç’është jeta? Erich Fried

Erich Fried
1921 – 1988


Ç’është jeta?

Jetë
është ngrohtësia
e ujit në banjën time


Jetë
është goja ime
në prehrin tënd të hapur

Jetë
është zemërimi
kundër padrejtësive në vendet tona

Ngrohtësia e ujit
nuk mjafton
unë duhet edhe të pllaquritem brenda

Goja ime në prehrin tënd
nuk mjafton
unë duhet edhe ta puthi atë

Zemërimi kundër padrejtësisë
nuk mjafton
Ne duhet edhe ta ftillojmë atë

dhe
të bëjmë diçka kundër saj
Kjo është jeta


Mbi lirinë e brendshme

U përkula
për t’i puthur çizmet
e shndritshme
të zeza
Zotit tonë
aty tha ai:
Më poshtë!

Kur u përkula dhe më thellë
ndjeva në vete
madhërishëm
kundërshtimin
e kurrizit
që nuk donte të kërrusej

I gëzuar u zvarrita tutje
falënderues ndaj Zotit tonë
për këtë përjetim
dinjitetit
dhe forcës
time të brendshme


Në kryeqytet

»Kush sundon këtu?«
pyeta unë
Ata thanë:
»Populli, natyrisht»

Unë thash:
»Natyrisht populli
mirëpo kush
sundon përnjëmend?«


Nga gjermanishtja
Lis Bukuroca


13.02.2012

Një pyetje nga Ilir Dardani, Zemra Shqiptare

"Gjergj Kastrioti, i vlerësuar si ''një ndër më të mëdhenjtë e të mëdhenjëve'', është Heroi Kombëtar i Shqiptarëve. Asnjë shqiptar tjetër nuk arriti t’i afrohet veprës madhore Kastriotane, megjithatë nuk është heroi i të gjithë shqiptarëve. Kleri mysliman dhe besimtarët seriozë - viktima të ideologjisë antishqiptare - kanë probleme të pafundme me KryeHeroin Tonë. Kthimi i Gjergjit në vendlindje dhe refuzimi i islamit si fe dhe si pushtim ka ngritur male pakënaqësie tek hoxhallarët dhe besimtarët e sotëm saqë arrijnë ta krahasojnë edhe me kryearmiqtë tanë.

Ndërkohë, një ndër shqiptarët që ka sakrifkuar më shumë në shekujt e fundit është Adem Jashari, i cili nderohet dhe do të nderohet nga të gjithë shqiptarët pa përjashtim, sepse fjalë të parë dhe të fundit kishte Atdheun dhe Lirinë e tij, si Gjergj Kastrioti. A mund të urrehet një njeri që Lufton Pushtimin dhe Mbron Lirinë?

Në lidhje me këtë temë kam marrë mendimin e disa intelektualëve dhe bashkëpunëtorëve të Zemra Shqiptare, të cilët i falenderoj nga Zemra Shqiptare.A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve? I. Dardani, kryeredaktor i Zemrës Shqiptare

A është Gjergj Kastrioti Hero i të gjithë Shqiptarëve?

Lis Bukuroca, Analist dhe Poet. I kërkoj falje Lisit por dua të përmend një fakt: Lis Bukuroca jo për fajin e tij quhej Naser Aliu. Vërtetë që është njeriu dhe vepra e tij para emrit, por Lisi Vigan i Bukurocës së Pranverës Arbërore nuk mund të dorëzohej përballë të kaluarës së dhimbshme, njëkohësisht edhe të turpshme. Shqiptari ynë për Gjergjin tonë shton:

Çka të shkruhet për Skënderbeun? Ai nuk ishte si Leka i Madh, që marshonte në tre kontinent për të zaptuar toka të reja, e as nuk ishte si Julius Gaius Caesar, që po shtrinte dhe zmadhonte Perandorinë Romake.

Gjergj Kastrioti është shëmbëlltyra par exellence e popujve të vegjël. Jeta dhe vepra e tij dëshmon se popujt e vegjël, sado të vegjël të jenë, të bashkuar mund t’ i arrijnë qëllimet e tyre, rrjedhimisht t’ i bëjnë ballë edhe superfuqive, edhe atë me sukses. Ai nuk ishte pushtues, por liberator dhe bënte luftë të drejtë. Ai nuk u fali krenari vetëm atyre që jetonin në kohën e tij, por edhe neve sot dhe të tjerëve nesër.

Skënderbeun nuk e bëri të madh vetëm malli për liri dhe lufta kundër tjetërsimit, por e bëri të madh gjenialiteti tij në udhëheqjen ushtarake. Edhe atë, në një pjesë të Europës, ku popujt binin njëri pas tjetrit. Ai është tribun. Ai mbronte lirinë e popullit të vet: gjuhën, kulturën dhe zakonet e vendit. Ai është personalitet, që rrallë herë përsëriten në historinë e njerëzimit. Ai mundet pa ne, por ne nuk mundemi pa Gjergj Kastriotin.

Ai është shtylla e kombit shqiptar, boshti kurrizor i tij, krenaria dhe forca motivuese para çdo rreziku. Sot shqiptarët nuk njohin emrat e ministrave në Qeveritë e tyre, por edhe fëmijët, në çdo familje, dinë diçka për veprën e madhe të Skënderbeut. Prania e tij në shpirtin shqiptar nuk mund të shlyhet, ashtu si nuk mund të shlyhet qielli mbi kokat tona. 

Lekës së Madh dhe Qesarit nuk u ndërtohen përmendore nëpër botë, Skënderbeut, po: ata ishin pushtues, Skënderbeu ishte Çlirimtar dhe mbronte popullin e vet dhe kulturën europiane, ku sot dëshirojmë me aq mall e dashuri të integrohemi.

Skënderbeu do të mbetet gjithmonë si njësi matëse dhe krahasuese për patriotizmin e drejt, për rezistencën burrërore: për integritetin e vendit, për dinjitetin e kombit dhe për sovranitetin e shtetit. Ai inkorporon vlerat sublime dhe absolute të dashurisë ndaj kombit dhe atdheut.
Zemra Shqiptare


02.02.2012

Aforizma (4)

»Rrallë herë kupton njeriu se ç‘ është lumturia, mirëpo shumë herë kupton, çka ishte lumturia!« Françoise Sagan

»Kurrë nuk përsëritet historia, ajo gjithmonë është e re dhe e freskët , mirëpo pa pra rilindet legjenda.« Jacob Grimm

"Çdo burrë ka qëllime serioze, nëse përpiqemi t‘ ia mësojmë ato.« Jane Fonda

»Kur diku lidhet një marrëveshje në mes dy fuqive, që duket e padëmshme, atëherë njeriu menjëherë duhet pyetur veten: Kush do të vritet këtu?« Otto von Bismarck

» Gruaja të falë gjitha gabimet – mirëpo gjithmonë na rikujtojnë se na ka falur!« Karlheinz Böhm

»Premtimet që bëhen në gjendje të dehur dhe hiperbolat në gjendje dashurie, nuk duhet marrë gjithmonë seriozisht. As shkarjet e para, as lajthitjet e dyta, në gjyq nuk trajtohen si prova, por vetëm si pohime të shprehura në gjendje dalldie: Dehja mund të ndikojë në zvogëlimin e dënimit, shkurorëzimi, në zhdehjen e hiperbolave.« Lis Bukuroca

»Dashuria e parë nuk harrohet kurrë!« As e dyta, as e treta...Dashuritë e mëdha janë shpërblime dhe përshtypje hyjnore!« Lis Bukuroca