27.02.2012

Ç’ është dashuria?/Kuptimi i jetës 9


Dashuria është si tullumbace e fryrë shumë. Ajo rritet dhe mbushet si një aerostat në të cilën mbyllen dhe fluturojnë dy veta. Aty ka: shumë dëshira, shumë ëndrra, plot plane, shumë iluzione, plot kënaqësi dhe madje edhe shumë zhgënjime.

Një maje gjilpëre mund ta shfryjë dhe ta përplas për tokë. Shpresat do të mbeten brenda, të mbledhura kruspull tok me tullumbacen e pavlerë, por, kujtimi, kujtimi se qe fryrë një tullumbace së bashku, nuk do të zhduket kurrë!
Ky kujtim e rikujtim i herë pas hershëm, është i ligjshëm: Për qenien njerëzore.

Çdo dashuri rikujtohet. Është pjesë e jetës së njeriut dhe askush nuk ka të drejtë ta akuzojë, qortojë, sulmojë apo gjykojë jetën e tjetrit/tjetrës, kur tjetri/tjetra nuk ishte pjesë e asaj jete, e asaj shprese, e asaj tullumbace.

Dashuria është perceptim i plotë i partnerit dhe shtresim i përjetimeve të përbashkëta, por edhe rëniet emocionale ndikojnë në ndërtimin e qëndrimeve njerëzore dhe të drejta. Nëse humbet dashuria, atëherë ajo shërben si udhëzuese në ato që pasojnë.

Asnjë dashuri nuk është e gabueshme. Pa marrë parasysh a zgjatë një javë apo me vite. Çdo dashuri është kronikë vetjake dhe ka arsyet e veta të mëdha për hyrje dhe dalje nga tullumbacja.

Xhelozia e tepruar është armiku më i madh i dashurisë, sepse mëton mbikëqyrjen permanente të tjetrit: depersonalizimin e tjetrit/tjetrës. Zakonisht nga xhelozia e madhe pushtohen dhe kontrollohen, ata që nuk kanë besim në vetveten, që dominohen nga komplekset, neurozat dhe edukata e gabuar. Vetëm njeriu i lirë din dhe mund të dashurojë. Aty ku ka xhelozi të madhe, nuk ka dashuri, por përvetësim dhe prangosje e të dashurit/dashurës. Kjo dëmton sedrën, dinjitetin e tjetri/tjetrës, vetëbesimin, vetvlerën. Në dashuri nuk ka sundim dhe imponim, por vetëm bashkëveprim dhe liri individuale, sepse arresti nuk është dashuri. Vetëm njeriu i lirë mund të njihet përnjëmend, i burgosuri luan një rol, shndërrohet në aktor/e, edhe atë, të detyruar.

Dashuria është kompromis në mes dy vetave, që dashurojnë njëri tjetrit. Ndryshe shndërrohet në skllav/e dhe pronar/e. Pronësia është atentat ndaj një personaliteti. Njeriu nuk mund të posedohet. Lidhja në mes dy vetave nuk guxon si synim të ketë posedimin fizik, por shpirtëror, edhe atë, me lirinë reciproke të daljes, nëse njëri dominon tjetrin apo në mënyra tjera, prish lumturinë e tjetrit/ tjetrës. Detyrë e partnerit/partneres është për ta bërë të lumtur njeriun me të cilin bashkëjetohet. Njeriu jeton një herë dhe ka të drejtë ta kërkojë lumturinë e vet. Askush nuk ka të drejtë të nënshtrojë të dashurin apo të dashurën. Dashuria nuk guxon të përdoret si shpatë për ta shkokëzuar atë që dorëzohet nga dashuria.

Për të jetuar dhe notuar në një ekstazë dyshe, për tullumbacen duhet kujdesur dy veta dhe ta fryjnë sa herë të shfaqen rrudhat e para, nga shfryrja eventuale. Dashuria lindet në mes dy vetave dhe kujdesi duhet të jetë mundësisht i barasvlershëm dhe i përbashkët. Aty ku mbizotron dashuria, ajo përthyhet edhe në edukatën e fëmijëve dhe ekuilibrin e tyre të drejtë. Aty ku dominon njëri, dëmton drejtpeshimin dhe fëmija bëhet aleat me të keqtrajtuarin/keqtrajtuarën, në të shumtën e rasteve.

Aty ku ka dashuri, respekt, mirënjohje dhe liri, nuk ka tradhti. Askush nuk tradhton nga lumturia dhe dashuria e madhe, në mungesë të tyre, ndonjë herë, po.

Dashuria mund të mësohet dhe kultivohet, ashtu si mësohet: xhelozia, krenaria, inati, smira dhe shtypja. Këto veti dëmtojnë poseduesin e tyre dhe njeriun me të cilin bashkëjetojnë...Me dashuri edhe jeta e rëndë duket e lehtë, pa dashuri jeta është një obligim i tmerrshëm...

Keine Kommentare: