"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

30.08.2012

A do të ketë trazira në Shqipëri pas zgjedhjeve të vitit 2013? GazetaDita


Unë pothuajse jam i bindur se vitin e ardhshëm, pas zgjedhjeve vendore, në Shqipëri, do të ketë luftë qytetare apo një turbullirë, që do t’ i ngjasonte asaj lufte. Këtë e pata përmendur shkarazi edhe “Tek pashai në vatan”, (Gazeta Shekulli) por nuk pata kohë të ndalem në këtë parashikim tragjik. Po e hedh jashtë jo si një shfaqe të  mundshme për të ngjallur apo ndjellë tmerr, por mundësisht për të ndërgjegjësuar në parandalimin e saj.

Pse mund të supozohet se në vitin e ardhshëm në Shqipëri do të vriten shqiptarë? Kjo mund të pohohet duke u bazuar në zgjedhjet e kaluara. Në zgjedhjet e parafundit u dogjën votat dhe fitues mbeti Berisha. Në zgjedhjet komunale për të fituar Luli, u desh të numërohen edhe votat e pavlefshme. Që nga rrënimi i komunizmit Sali Berisha është gozhda dhe çekani i politikës shqiptare. Është boshti rreth të cilit sillen sukseset dhe dështimet e demokracisë shqiptare. Të tjerët kanë shërbyer si sufler teatri. Pra viteve të fundit, u vodhën apo u manipuluan zgjedhjet dhe pati tronditje në vend. Në fakt mund të thuhet se në Shqipëri që nga shembja e komunizmit, nuk ka pasur zgjedhje vërtetë të drejta dhe vërtetë të lira, por ka patur një lloj simulimi, një lloj shtirje për zgjedhje demokratike.

Opozita nuk diti dhe nuk pati ide t’i përgjigjet një makiavelizmi të tillë. As vendosmëri, jo.  Arsyeja ndoshta ishte se po bëhej një luftë brenda llojit: i majti i djeshëm, kundër së majtës së sotshme. Nga jashtë dukej se po luftonte qytetërimi dhe barbaria. Arsyeja tjetër mund të jetë edhe kjo: Partia Socialiste nuk kishte mbështetje nga vendet e Perëndimit, sepse Berisha ishte kujdesur për ta satanaizuar atë në mënyrë sa më të përkryer...

As fitimi i statusit të kandidati në BE, nuk do ta pengojë një zhvillim të papërmbajtur dhe të pakontrolluar, ndoshta siç kemi parë më herët apo ashtu, siç pamë gjatë 21 janarit tragjik, ku qytetarët shqiptarë po protestonin, e atij që i mveshej puçi, ishte në një restorant duke pirë kafe.

Zgjedhjet e ardhshme nuk do të jenë vetëm konkurrencë në mes dy partive popullore, por pikë së pari do të jetën përplasjeve në mes dy protagonistëve: Berishës dhe Ramës. Se si do të përfundojnë zgjedhjet, dihet qysh tani, nuk dihet përqindja, por dihet se do të fitojë Berisha, sepse ky nuk guxon të humb. Nuk guxon të humb ndoshta sepse i ka “duart e pista”, nëse jo kjo, atëherë i imponohet popullit edhe me dhunë për t’ i kërkuar ndjesë për aktivitetin e tij në Partinë e Punës. Për t’ i larë mëkatet e Partisë së Punës apo për të thënë: “E shihni, Partia e Punës kishte njerëz të shkëlqyer dhe madhor brenda gjirit të vet dhe ja ku ua solli demokracinë, NATO-n dhe BEE-n...”

Berisha nuk do të tërhiqet pa firmosur anëtarësimin në BEE. Berisha padyshim do të jetë kameleoni më i madh i Europës, i cili nga sekretari i Partisë së Punës, anëtarësohet në NATO dhe në cilësinë e kryeministrit si ishkomunist, tani ështëdemokrat,  futet në BEE. Për shqiptarët nuk është shumë me rëndësi se kush përmbaron hyrjen në BEE, i majti apo i djathti, por apo krijohet traditë manipulimi i zgjedhjeve apo dëmtohet rendi demokratik me batakçinj nëpër vende kryesore dhe sa do t’ i nënshtrohen partitë despotizmit partiak dhe pastaj atij shtetëror. Tradita jodemokratike, që po krijohet sot, dëmton vendin dekadave të ardhshme.

Në anën tjetër, Edi Rama nuk mund të pranojë humbjen, sepse kjo do ta përfundonte karrierën e tij politike. Duhet ta përfundonte nëse humb, natyrisht nëse nuk është edhe ky ithtar i despotizmit. Pra zgjedhjet e ardhshme do të jenë më shumë luftë në mes dy individëve se sa në mes dy partive. Në mes dy brezave. Në mes dy karaktereve. Në mes një të majti modern dhe një stalinistit të demokratizuar. Në mes një artisti surrealist, hedonist dhe  një despoti fanatik, shkurt e shqip tartufit më të suksesshëm në skenën politike europiane. Mëria, fanatizmi, smira do ta çojë njërin drejt vjedhjes dhe tjetrin drejt mospranimit të vjedhjes. Në pampers demokracitë, vjedhja e votave është e mundshme, si dhe kryengritjet kundër tyre. 
Këtij shkrimi mund t' i vihej edhe ky titull: " Të evitohen premisat që çojnë drejt luftës qytetare!"


Keine Kommentare: