"Baba i mirë është ai, që nderon dhe dashuron nënën e fëmijëve të vet. Nëse nuk e bën, atë mungesë dashurie dhe respekti, ia kthejnë fëmijët nesër me shpërfillje e largim. E njëjta vlen edhe për dashurinë e nënës ndaj atit të fëmijëve. Jeto si të pëlqen jeta Ty, jo si iu pëlqen të tjerëve jeta jote! Ata kanë të veten, ti ke tënden! Guxo!" LB

22.09.2012

Me dy italianët


Kur arrita aty, gjyqtari kishte përfunduar pyetjet formale si identifikimi, verifikimin e  dokumenteve të udhëtimit dhe vendbanimin me italishten që fliste vet. Shqyrtimi vazhdoi pastaj me pyetje për lulet. Ishin ato të prera si trëndafila, ishin në rrashte dhe me dhé, apo të prera dhe në kova me ujë.  
Italiani i parë tha se degët me gjethe quheshin “Ruscus” dhe nuk janë në rrashte, por në kova me ujë, siç është e lejuar me ligjet europiane. Kamionët me rrashte me dhé e paskan të ndaluar qarkullimin të dielën. Disa minuta më vonë, e përsëriti edhe italiani tjetër deklaratën e njëjtë. Policja, që ishte si dëshmitare dhe kishte ngritur akuzën, ngulte këmbë në versionin  saj. Ajo paska qenë tek kamioni dhe kishte parë rrashte të mbështjellura me celofan dhe se ata sigurisht ishin me dhé. Kjo “sigurisht” krijoi dyshime tek gjyqtari...

Italianët kishin përsëritur disa herë “acqua”, por policët nuk kishin marrë veshë këtë.

Policja u kishte thënë disa herë në anglisht “Water”,  por italianët nuk e kishin kuptuar dhe meqenëse nuk kishin pranuar ta paguanin gjobën se po bartnin saksi me lule, të dielën, kur ishte e ndaluar, tani gjendeshin në gjykatë.  Tërë bisedën e kishin bërë pranë kamionit, por policët nuk kishin hipur për të parë brenda dhe i kishin marrë ata në stacionin e policisë duke qenë të bindur se ata i kanë mbështjellur kovat, për t’ i fshehur saksitë me dhé...

Në mes të tjerash shoferët u deshën të dëshmojnë respektimin e rregullores së punës; treguan edhe “tahogramin” nga mund të konstatoheshin pushimet, pastaj edhe një leje të posaçme se mund ta ngisnin kamionin dhe të dielën. Gjyqtari urdhëroi dy policë të shkonin edhe një herë tek kamionin dhe të hapnin celofanin dhe të shikonin se çka kishte në rrashte. Pas një çerek ore, ata u kthyen dhe treguan se ato ishin me ujë.

Gjyqtari mbylli çështjen, policët kërkuan ndjesë për mosmarrëveshjen. Shpenzimet i merr arka e shtetit, tha gjyqtari dhe braktisi sallën me nxitim duke i përshëndetur të pranishmit.  

-Nga jeni, i pyeta italianët gjersa po zbrisnim shkallëve.

-Nga San Remo, tha njëri.

-Ah, thash, prandaj keni lule, mirëpo keni edhe këngë të bukura një herë në vit...

-Po, ka edhe këngë të bukura, por ne nuk jemi italian, tha ai duke ndezur një cigare.

-E çka jeni?, nxitova me pyetjen.

-Ne jemi shqiptarë, tha ai. Unë jam nga Shqipëria, ky kolegu im është nga Maqedonia. Ofshana thellë dhe tunda kokën. Sapo shqiptuan fjalët e para, u kuptua se njëri ishte nga Tetova,  tjetri nga rrethi i Shkodrës. Njëri kishte katër vite që punonte në Itali, tjetri shtatë. Italishtja e tyre ishte e pastër në  aspektin fonetik dhe gramatikisht shumë korrekte. Nuk pati ndonjë gabim as tek zanoret, as tek konsonantet e dyfishta, as te përdorimi i lidhores, ku shpesh të huajt gabimisht përdorin dëftoren. Ata flisnin një italishten shumë të bukur dhe ishin shoferë të kamionit. Më vajti mendja tek mësuesit, arsimtarët tanë, profesorët, që kurrë nuk e mësuan gjuhën e vet si duhet. Edhe atë me 14 apo 16 vite arsimim.  Ata mund edhe të vdesin për atdhe, të çirren se janë shqiptarë, por ata nuk e mësojnë gjuhën e vet si duhet, nuk e respektojnë dhe nuk kanë dashuri ndaj saj. Pse shqiptari mëson me aq shumë dashuri për një kohë aq të shkurtër gjuhët e huaja, por tërë jetën nuk e mëson të veten? Madje as  profesorët, madje as ata të Katedrës së Gjuhës Shqipe!  Merreni me mend një katedër të italishtes ku flitet dialekti sicilian, apo venet? Tek ne  mund të merret me mend! Profesori i gjuhës shqipe flet një dialekt! Me këtë shfaqje aberrative, duhet të merren sociologët, psikologët dhe shtetet shqiptare, të cilët kanë lejuar që shqipja të zhgradohet, të shndërrohet në lëndë fakultative dhe të pavlerë. Në Gjermani kur nxënësi bën gabime në të folur dërgohet në ushtrime fonetike. Ofiqari në Kosovë shkruan Kaqanik e Hoqa e Vogël. Xhakovë e shkruan gjyqtari, kurse prokurori: Xhilan.  Në Gjermani nuk mund të punësohet dikush nëse nuk e zotëron gjuhën gjermane dhe drejtshkrimin; është kusht për çdo vend të punës që ofrohet nga shteti. Se si hartohen vendimet gjyqësore, e akuzat nga prokuroria, as të mos flasim... Tragjike është kur dëgjon arsimtarët e gjuhës shqipe duke folur, duke u krenuar se kanë qenë 16 vite në shkollë, por gjurmë të gjuhës standarde nuk mund të vërehen.  Madje, ata krenohen me kokëfortësinë, me rezistencën e suksesshme që i bëjnë gjuhës dhe me ruajtjen e gjuhës që ua ka mësuar NONA. Edhe pse me libra kanë kaluar më shumë kohë se me "nonën!" Në Gjermani kur intelektuali flet dialektin, si një bujk, është gaz i botës. Tek ne është krenari! Tek ne çobani flet si profesor, profesori flet si çoban! Pikërisht kjo mburrje duhet hulumtuar: pse çobani nuk ka ambicje të shfaqet si intelektual dhe pse intelektuali ka dëshirë të duket si çoban? Pse ky poshtërim, ky degradim dhe kjo rënie vertikale përjetohen si krenari?




Keine Kommentare: