30.12.2012

Shtetet fisnore, gazeta Dita, ResPublica

As dhjetë vjet nuk zgjati orientimi i drejt perëndimor dhe na falën një shtet. Mund të thuhet na e falën, sepse ne vet nuk kemi çliruar vendin. Këtë fakt e dimë të gjithë. UÇK u shfaq në kohën e duhur, Rugova pat mbjellë empatinë e nevojshme. Njëra lëvizje ndihmoi tjetrën. As e para, as e dyta nuk janë të shenjta e pa gabime. 

Mund të thuhet na e falën, sepse shtetet nuk meritohen, për këtë kemi si kundërshembull Palestinën. Edhe ata duhet të kenë shtet, por nuk kanë. Edhe kurdët. Këta dy popuj flijohen, edhe më shumë se ne, kryesisht palestinezët, por shteti i tyre është larg realizimit. Dhe, për ta përmbyllur procesin shtetëror, meritë ka edhe qëndrimi i drejtë i diasporës shqiptare, që merrej me sensibilizimin, kultivimin e simpatisë dhe bashkëndjesisë kundrejt popullit shqiptar. 

Sot, edhe kur shqiptarët e Kosovës kthehen nga pushimet, kthehen të zhgënjyer, të indinjuar. Nuk kanë imagjinuar një shtet të tillë. Nuk njohin shtetin e vet sepse është shpërfytyruar. Nuk po ndërtohet shtet ligjor: korrupsioni në rritje, nepotizmi dhe kriminalitet në rritje të pa penguar, janë fakte, që detyrojnë çdo shqiptarë të rezignojë dhe habitet me fuqinë dhe elanin vetshkatërrues, me harakirin shqiptar.

Shqiptarët jashtë shpresonin të kthehen në atdhe, që do të lulëzonte pas largimit të pushtuesit, por  shteti i tyre, nuk di të bëjë gjë tjetër, pos përpjekjes për t’ i anuluar vizat dhe dëbojë edhe nja gjysmë milioni jashtë, drejt Perëndimit. Tridhjetë e shtatë për qind kanë braktisur Shqipërinë. Një Qeveri me mendje të shëndoshë, ky numër do ta kishte alarmuar, do ta kishte lënë pa gjumë dhe do ta kishte trishtuar. Shumë të rinj shqiptarë sorollaten nëpër rrugët e Perëndimit për të gjetur punë, në vend se t’ i rrëzojnë Qeveritë, që nuk dinë të krijojnë vende pune. 

Maqedon nuk ka, por shqiptarë nga Maqedonia. Serb nuk ka, por shqiptarë nga Serbia. Bindja e gati çdo shqiptari, që kthehet nga Kosova është kjo: hajdutët serb u zëvendësuan me hajdutë shqiptarë. Burokratët serb, u zëvendësuan me burokrat shqiptarë, që edhe një certifikatë, edhe një vendim gjyqësor, nuk dinë ta shkruajnë pa gabime. Kështu edhe në Maqedoni, kështu edhe në Luginë. Pse ndodh kjo, kur dihet se në pushtet janë patriotët? Kjo ndodh për një arsye të thjeshtë: ata që rrezikuan jetën për mëmëdhe, e bënë nga atdhedashuria, por problemi qëndron diku tjetër. 

Problemi është se ata që janë të gatshëm të flijohen për atdheun, nuk janë gjithmonë të aftë ta qeverisin vendin dhe nuk janë të gatshëm të flijohen për shtetin. Po kërkohet shumë prej tyre. Gjenialitet dhe universalizëm. Kjo ishte e para. E dyta është një patologji ballkanike. Ballkanasit janë fanatikët më të mëdhenj kur është në pyetje atdheu, po me të njëjtin pasion fanatik dhe këmbëngulës, vjedhin shtetin e vet. Ballkanasit, posaçërisht ne, nuk luftojmë kurrë për shtet të drejtë, ashtu si krekosemi si gjel mbi pleh për atdhe.

Kush i ndërton rrugët? Shteti! Kush paguan policinë që siguron paqen publike? Shteti! Kush paguan arsimin, ku fëmijët arsimohen falas? Shteti! Kush paguan ushtrinë, që ruan atdheun fizik? Shteti! Kush paguan spitalet, që duhet të kujdesen për mirëqenien shëndetësore? Shteti! Domethënë shteti tatimet e mbledhura, ia kthen popullit për paqen e nevojshme. Po a paguajmë ndershmërisht tatime? Jo! E pse? Sepse edhe politikanët vjedhin. Edhe afaristët vjedhin, vjedh kush mundet. 

Edhe populli për të mbijetuar, kurse ata që gjenden pranë qypit, pakica, për t’ u pasuruar. Atdheu pa shtet të drejtë, është kështjellë rëre. Atdheun e përjetojmë si tonin, shtetin si të huajin. Apo atdheun si mëmë, shtetin si njerk. Për ta qeverisur vendin dhe për të krijuar një shtet me pushtetet të ndara sipas modelit perëndimor, i rekomanduar qysh nga Revolucioni Francez nga elita intelektuale kulturore, filozofike europiane dhe veri-amerikane- një vend ku respektohet dinjiteti i njeriut, paprekshmëria e trupit, sedrës, një shtet i arsyeshëm në shërbim të qytetarit, laik, që bazohet në interesa kombëtare - duhen njerëz që din të qeverisin, jo njerëz që dinë të luftojnë dhe sundojnë. Atyre si mirënjohje për sakrifica t’ u jepen edhe pensione të majme, por jo t’ u falet shteti. 

Deficiti më i madh në skenën politike shqiptare është mungesa e kulturës, edukatës, përgjegjësisë dhe parapërgatitjes profesional për skenën politike. Duhet kufizuar mandati i politikanëve dhe penguar shkatërrimi i veprimtarisë së tyre. Një nxënës i klasës së parë bëhet mësues dhe bashkë me nxënësit tjerë, mëson alfabetin. E tillë është ecuria jonë politike. Kështu kanë mësuar politikën edhe politikanët shqiptarë, prandaj çdo gabim e përligjin me procesin permanent didaktik. Ne mund të aprovojmë ligje europiane, ose ta bëjmë formalisht nga interesi, por kjo nuk ndryshon mendësinë dhe qëndrimin tonë. Përsëri mund të shfaqen njerëzit, që vihen mbi Kuvendin dhe ndalojnë me shantazh, atë që na garanton kushtetuta.

Në Perëndim hetohen politikanët për plagjiaturë, për ngacmime seksuale, tek ne nuk ndiqen as vrasësit. E mos të mos  flasim për shitjen e diplomave pas luftës në Universitetin e Prishtinës shqiptarëve të Maqedonisë. Ju kujtohet rasti i presidentit Clinton? Ju kujtohet rasti i shefit të bankës botërore Strauss-Kahn ? Tek ne abuzimet janë të mundura, sepse nuk ekziston ndarja e pushteteve, por nip pas nipi, dajë pas daje, kushëri pas kushëriri, mik pas miku, hallë pas halle, kanë zaptuar vendet drejtuese autodidaktë dhe kështu kemi kaluar nga shteti privat, në shtetin fisnor. 

Tek ne lirisht mund të pohohet e konstatohet, se prokuroria dhe gjykata janë kushërinj në mes vete, ose nip e dajë. Policia dhe gjykata dajë e nip. Qeveria dhe prokuroria dhe gjykata kushërinj të afërt e të largët. Pra, tek ne, nuk ka lidhje familjare vetëm në bazë të gjakut, por të njohshëm në mes vete janë me lidhje gjaku edhe institucionet, administrata në përgjithësi. Krejt vertikalja administrative nga pastruesi, deri në Qeveri, ka rrjetin e vet dhe problemet zgjidhen nëpërmjet telefonit, edhe punësimet.

Ju kujtohet si dëboi Berisha Ina Ramën? Ajo deshi ta ushtrojë detyrën sipas kushtetutës, e përjashtuan. Ju kujtohet si u flakë nga vendi i punës Bamir Topi? Nuk u përjashtua pse nuk ishte Kryetar i ndërgjegjshëm dhe me integritet, por pse nuk pranonte depersonalizimin  e vet dhe diktatin e Berishës. Ju kujtohet si u zgjodh kryetari i Shqipërisë? 

Ju kujtohet pse nuk ftoi Nishani bashkë me liderët e partive tjera edhe Bamir Topin? Tani kemi lidhjen fisnore të qëndrueshme në mes Kryeministrit, Kryetarit dhe Kryeprokurorit. Ky është shtet fisnor.
Në Perëndim politikani nuk mund kurrë të intervenojë tek gjykatësi, ai është i pavarur në punën e tij, as te prokuroria jo. Detyrat e tyre janë të përkufizuara me ligj.

Në Shqipëri në vitin 97 u vranë mbi 2000 veta, nuk u arrestua askush. A kishte Shqipëria prokurorë, që duhej të hetonin krimet? Po, kishte prokurorë, prokurorë zvarranikë, që nuk kanë bole për t’ i hetuar politikanët. Në Gërdec u vranë 28 veta, nuk u arrestua askush. A kishte Shqipëria prokurorë? 

Po, Shqipëria kishte prokurorë, por pa bole, që mbushin fjalëkryq të gazetave dhe nuk merren me punën e vet dhe paguhen për mospunë. Në janar u vranë katër veta, nuk u arrestua askush, madje Qeveria shqiptare, në vend se të ndihmojë në zbardhjen, asgjësoi provat. U arsyetua me kësmet, fatalizëm. Fati deshi, ishte shkruar dhe vdiqën nga plumbat e Qeverisë shqiptare. Edhe këtë herë Tirana kishte prokurorë, e kryeprokurorë, por  të tredhur nga Qeveria. Enver Hoxha nuk mund të akuzohej, nuk mund të akuzohet as Berisha. 

Tek ne nuk arrestohen as për korrupsion, as për krim, as për nepotizëm. Populli shqiptar i sfilitur nuk është sovran si në demokracitë perëndimore, por shteti është i meritokratëve, i zaptuesve. Shteti shqiptar është i Berishës, shteti kosovar është i Hashimit, që publicisti Enver Robelli e quajti “Shën Hashimi” duke i falur disa këshilla dhe rekomandime se si ta shpëtojë Hashimin e madh nga Hashimi. Si të ndalë erozionin e shkëlqesisë. 

Një artikull dramatik, trishtues, i ilustruar me sharlatanizmin dhe injorancën e politikës kosovare. Ai përpiqej zemërplasur ta prekë Thaçin në ndërgjegje dhe ta zbresë në fushën reale, me plot fakte dhe zhgënjim, por ai ka pëshpëritësit e vet dhe nuk i intereson zemërimi apo këshillat e Enver Robellit. Nejse, t’ i kthehemi shteteve tribale. Pse nuk është populli sovran tek ne dhe kush është në të vërtetë. 

Populli nuk është sovran sepse toleron të vidhen votat dhe kështu, nga populli, sovraniteti kalon tek ata që dinë të vjedhin. Tek hajdutët. Ata, për t’ ia mbyllur gojën kundërshtarëve pyesin: “ku ishte ti gjatë luftës?” Me këtë fjali kërkojnë licencë universale. Me sakrificën e djeshme, përligjin abuzimet dhe malverzimet e sotshme. Ata munden. Ata munden sepse janë bërë milionerë. Në Perëndim milionerë janë ata që kanë fabrika, firma të mëdha, industrialistët në disa breza, por politikani nuk mund të bëhet milionerë për katër vite. As mjeku, as kirurgu, as gjyqtari. Këta të fundit ndoshta as tërë jetën jo. Tek ne mjekët dhe kirurgët i thithin popullit gjakun deri në pikën e fundit. Shumë prej tyre nuk kanë shtëpi, por pallate apo nga dy shtëpi. Raste të tilla gjenden kudo në Ballkan.

Shpesh në Perëndim futet njeriu në politikë dhe i shtyrë nga një ndjenjë altruiste, për t’ i shërbyer vendit, për t’ i realizuar disa ide, që mendon se janë të mira. Politikanët shqiptarë nuk duhet të deklarojnë pasurinë ashtu thjesht, por duhet dhe të deklarojnë burimin e tyre. Në Kosovë dhe Shqipëri, nuk kemi fabrikantë të pasur, por politikan milionerë, që ndërrojnë aleatët, sa herë zihen pisk. 

Tani ndryshuan edhe historinë pa pyetur autorët e librit, duke cenuar të drejtën e tyre. “Le Monde” bën të ditur se François Hollande i kërkoi ndjesë Algjerisë për pushtimin. Erdoani nuk na kërkoi ndjesë, por tha fshini veprat e liga, që i kemi bërë kundër jush. Hashimi i fshiu. Nuk ka gjë të keqe të pengohet helmimi dhe indoktrinimi i rinisë kundër popujve të sotshëm, për masakrat e djeshme, por pikë së pari nevojitej kërkim i ndjesës. 

Edhe Jugosllavia ishte e jona në kohën e Sinan Hasanit, të Rrahman Morinës, por shqiptarët arrestoheshin me të njëjtin intensitet, si kur ishte ndonjë serb apo maqedon e malazez. Ndoshta edhe më keq. Kosova ka traditë në ndryshmin e historisë në këmbim të kacavarjes në pushtet. E pat bërë edhe Fadil Hoxha dhe nuk mësohej “Konferenca e Bujanës” në shkolla.

Gjithë ai angazhim, gjithë ata njerëz të vrarë, gjithë ato gra të dhunuara, gjithë ata të dëbuar dhe gjithë ata njerëz brenda e jashtë, që u rreshtuan në përkrahje të Kosovës, konstatojnë me keqardhje se peshku po qelbet nga koka. Edhe në Tiranë, edhe në Tetovë, edhe në Preshevë, edhe në Ulqin.
Serbisë në vitet e ’90 ditëm t’ i bëjmë rezistencë për mosndryshimin e historisë, para Turqisë u dorëzuam pa kundërshtime qytetare, që vlen të përmenden. Edhe pa kërkuar ndjesë si kryetari i Francës. Madje, as liderët e opozitës nuk e kundërshtuan, madje as katedrat e gjuhë shqipe, as ato të historisë. 

As Akademia. Intelektualët që tolerojnë shndërrimin historisë në përrallë të bukur për t’ ia përshtatur interesave të politikanëve, lirisht mund të dërgohet në kullosa në Bjeshkët e Nemuna. Intervenimi në histori nga politika do të përçajë akoma më shumë dhe hutojë akoma më shumë popullin; një pjesë këtë histori nuk do ta pranojë dhe do ta shpërfillë, ashtu si qe injoruar historia e shkruar sipas dëshirës së Beogradit. 

Kosova nuk ekziston pse dëshiron Turqia, por pse dëshiron Camp Bondsteel-i. Këtë duhet ta kenë të qartë të gjithë në Kosovë.

“Pronto afera” siç u quajt në shtypin kosovar, flet shumë për ata që udhëheqin Kosovën. Për t’ ia bërë të qartë një të huaji se në çfarë niveli bisedohej aty, atëherë duhet gjetur një përkthyes, që zotëron jo vetëm gjuhën italiane, por edhe gjuhën e rrugaçëve (dialetto stretto). Ato telefonata më së mirë mund të përkthehen në dialektin e Napolit, Siqelisë apo të Puljes, dialektin që flasin mafiozët e Napolit, të “Ndrangetës” dhe të “Cosa Nostra-s.” Çfarë tragjedie! 

Çfarë turpi për një shtet, që mendon se ka universitete, fakultete, akademi, shkrimtarë, romansierë, poet... Ai fjalor u shkon për shtati vendeve, ku në vend të mjekut, kanë shamanët, gurut dhe magjistarët dhe në vend të shkrimtarëve, kanë plakat që rrëfejnë përralla, kurse në vend të poetëve, kanë pleqtë me teneqe e tupanë, që këndojnë këngë kreshnike duke vallëzuar rreth një zjarri... 

Në Gjermani po të dëgjonte populli një bisedë të atij niveli, politikanët do t’ ishin detyruar të japin dorëheqje brenda ditës, tanët nuk kërkojnë as ndjesë. As Jakup Krasniqit. Në Gjermani u rrëzua nga gazetat kryetari Christian Wulff për zbritje kamate për dy për qind. U rrëzua Ministri i Mbrojtjes Karl-Theodor zu Guttenberg për plagjiaturë dhe është në rrëzim e sipër Anette Schawan, Ministre e Arsimit, edhe kjo për plagjiaturë. 

Megjithatë, Thaçi do të mbetet në histori, por problemi është se nesër nuk do të shfaqet një Sali Berishë, që do ta lajë nga devijimet eventuale, siç u dezinfektua skeleti dhe veprimtaria e Zogut. (Ndajshtim sqarues: Berisha nuk e do Zogun dhe familjen e tij, por mendësia e njënjëshme despotike dhe veprimtaria identike politike, ka hedhur atë në arkivolin e tij.)

Hashim Thaçi duhet t‘i shtrojë edhe këtë pyetje vetes: Kryeministër i çfarë shteti të pavarur është ai, kur mund të përgjohet? Rreziku tjetër: çfarë incizime posedon akoma “Eulex”, që mund ta shantazhojë atë, respektivisht shtetin e Kosovës?

Sikur politikanët tanë të lexonin më shpesh gazetaret e gazetarët, që merren me korrigjimin e politikave të tyre, atëherë do të kishim politikanë me dinjitet dhe vlera morale europiane. Ata nuk lexojnë kritikuesit e gabimeve të tyre, politikanët tanë lexojnë shkrimet e zvarranikëve të vet. Aterruam edhe një herë tek zvarranikët. Ky është problem i madh në Ballkan, por kryesisht në trojet shqiptare. 

Nga despotizmi nuk mund të çlirohemi vetëm pse despoti është i rrezikshëm, por edhe nga mobilizimi i zvarranikëve. Zvarranikët janë më të rrezikshëm se despoti vet. Shfronësimi i despotit, do të merrte me vete edhe mijëra zvarranikë. Në historinë gjermane si përkrahës i zvarranikëve njihet Bizmarku. 

Ai pat blerë gazetarët, redaksitë me ndihmën e fondit të quajtur “Reptilienfond”, (Fond i zvarranikëve) dhe kishte bindur popullin se duhet luftuar kundër popullit të Napoelonit, i cili gjithashtu kishte korruptuar shtypin e vet për të luftuar kundër Gjermanisë. Bizmarku pat përdorur emërtimin “zvarranikë” për spiunët, që vepronin kundër Gjermanisë, shtypi i pavarur e përdori për gazetarët e nënshtruar, që mbështesnin Bizmarkun. 

Me Bizmarkun mund të kuptojmë se në cilin vit jemi duke gjalluar ne. Në vitin 1870, por me kompjuter para vete! Tek ne redaksitë pro qeveritare i kanë punët mirë, gazetat korrigjuese janë në zgrip të ekzistencës. Si njihen zvarranikë dhe redaksitë e tilla? Ato nuk kritikojnë kurrë despotin, edhe kur vret, edhe kur zhduken miliona, edhe kur gabon despoti, edhe kur zihet me presh në dorë duke falur detin, edhe kur shanë, edhe kur i vjedh votat, edhe kur gënjen hapur. 

Ata nuk reagojnë deri sa nuk preket interesi i tyre apo deri sa nuk vritet një anëtarë i familjes së tyre. Ata çdo devijim të despotit e arsyetojnë para se të deklarohet shefi i tyre. Një zonjë zvarranike shkruante në alb-shkencë se Berisha i ka rekomanduar gjykatës ta rrëzojë paktin detar me Greqinë, paktin që kishte firmosur Berisha dhe kundërshtarin e vërtetë të paktit, profesorin Myslim Pasha, e pat sharë ma fjalë më të ndyta, që mund t’ imagjinojë një njeri.

Me elitën tonë politike nuk mund të krenohemi, për fat të keq. Morëm pakëz pushtet dhe liri dhe paqësuam popullin më mirë dhe më sigurt se serbet apo maqedonët. Shikoni gjendjen në Preshevë dhe diskriminim atje. Shikoni gjendjen në Maqedoni dhe si paqësuan popullin duke e diskriminuar dhe duke pasur më pak të drejta se pakica sorbe në Gjermani (Saksoni dhe Brandenburg) me diku 60.000 banorë, por kanë edhe himnin e vet dhe flamurin, edhe shkollat. Ndërkaq, Serbia përgatitet ta rrëzojë një monument në Preshevë. Shikoni serbet si luftojnë për shtetin e tyre në veri të Kosovës. Ata nuk blihen me pozita dhe rroga, nuk korruptohen siç u blenë shqiptarët në Maqedoni e Serbi. Serbet po luftojnë për shtet, ne po luftojmë për atdhe pa shtet.

Nga mungesa e politikanëve të drejtë, nga mungesa e lajmeve të mira nga atdheu, diasporës nuk i mbetet tjetër, pos të krenohet me romanet e Kadaresë, me romanet e Besa Myftiut (Zvicër), me romanet Fatmir Terziut (Angli), me romanet e Faruk Myrtaj (Kanada), me romanet e Beqë Cufajt (Gjermani, që u vlerësuan shumë pozitivisht nga gazetat më të dha gjermane ), me romanet dhe poezitë e Shpendi Sollaku Noé (Itali), me romanet e Anila Hanxharit (Itali) me poetin dhe publicistin Ndue Ukaj (Suedi),me Klara Budën (Francë), me Mirela Bogdanin (Angli), me analizat e Enver Robellit në Gjermani e Zvicër, me shkrimet e Xhemal Ahmetit (Zvicër) me Edlira Dedja, pianiste (Zvicër),me Vjollca Hajdarin (Gjermani, që para disa ditëve ishte në një takim tek kancelarja Merkel), me Fadil Berishën (SHBA), me Vasil Qesarin (Francë), me poeten Raimona Moisiu (SHBA) Kozeta Zylo (SHBA), me publicisten Brunilda Tërnova (Itali), me poetin Aqif Hysa (Itali), me botuesin e gazetës “Rrënjët” Hasan Aliaj (Itali), me profesorin Thanas Gjika (SHBA) me Mira Mezini (profesoreshë e informatikës Gjermani), me Astrit Lulushin (SHBA) me muzikën e Frederik Ndocit (SHBA, Japoni), sopranoja Ermonela Jaho (SHBA), Angjelin Prelocaj (Francë) me muzikën e Rita Orasë (Angli), me romanet e Robert Martikos (Greqi), me shkencëtarin Jahja Kokaj (Kuvajt), me Arta Ramadani (Gjermani), me Saimir Pirgun (Itali), me maestron e koncertit të Cyrihut Kalidi Sahatçiu, me maestron e koncerti të Barit (Itali) Paçalin Pavaci, me Shkëlzen Dolin, violinist ne orkestrën e Filarmonisë se Vjenës, me balerinët Enkel Zhuti dhe Ilir Kerni në teatrot e Europës, me balerinët Kleidi Kadiu dhe Ilir Shaqiri (Itali), me Luan Krasniqin, me disa futbollistë e ndonjë futbolliste, përndryshe lajme të mira nga atdheu nuk arrijnë, pos maskarallëqeve, kilogramët e hashashit, kokainës, vrasjet e grave, gjakmarrja dhe skandalet politike. Dhe natyrisht, në mënyrë serike përsëritet kontrabandimi i votave.

Të gjithë këta intelektual, ky ishte vetëm numër simbolik, nuk mund të përmenden të gjithë që e meritojnë, ka shumë, janë një akademi në vete, janë Republika e Diasporës Shqiptare, ose Kuvendi i Diasporës Shqiptare, që ka vështirësi ta shpjegojë atdheun e vet, politikën në atdhe dhe mynxyrën gjatë dhe pas zgjedhjeve. Atë që të huajt shohin në televizor dhe lexojnë në gazeta, nuk është ajo që u flisnim ne në vitet e 90, por këta intelektual, dërgojnë botës një mesazh të fisëm për imazhin e dëmtuar shqiptar nga ata që paguhen për ta mbrojtur: politikanët. 

Po a ka shqiptarë të mirë dhe të aftë në atdhe? Po, ka shumë, por mediokritetet dhe zvarranikët kanë zaptuar shtetin, ata janë hëpërhë jashtë valle. Nesër në letërsinë shqiptare do të futet doemos edhe rubrika: “Letërsia pas eksodit”, ose “Letërsia e Diasporës”, ose “Arti Shqiptar në diasporë.” Po a brengosen politikanët tanë se kanë humbur aq shumë intelektual? Jo! Përkundrazi! 

Ata gëzohen dhe gjenden në një ekstazë dalldie, sepse kështu kanë dobësuar konkurrencën. Politikanët shqiptarë duhet të kenë turp për shtetet fisnore që po ngrehin dhe duhet të kenë turp ta quajnë veten politikanë, kur ndërtojnë shtete jo të së drejtës, por shtete idiotësh, që do t’ i kishin ndërtuar pikërisht kështu edhe analfabetët. Kosova nuk duhet të harxhojë energji në njohje të reja, por në krijimin e vendeve të punës dhe ndërtimin e shtetit ligjor. Njohjet pasojnë vetvetiu. 

Deri sa të jetë “Bondsteel” aty dhe pas shpine “Oncel Sam”, Kosova do të mbetet shtet. Shqipëria duhet ta rrëzojë misionarin e fundit të Ramiz Alisë, që nuk hapi dosjet komuniste dhe mbrojti xhelatët e djeshëm nga ndjekja penale pa dhënë asnjë përgjegjësi për krimet e tyre. 

Të jetohet në një shtet fisnor është torturë, sepse ligji nuk ta ofron sigurinë, që ta ofron në shtetin ligjor. Të shpresojmë se një ditë do t’ i shohim meritokratët mbi kalë, që galopojnë drejt horizontit si John Wayn në fund të filmave të tij...

Publikuar tek gazeta Dita, ResPublica, fjalaelire, zemrashqiptare, tribunashqiptare

----------------------------------------

Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


4 Kommentare:

Lis Bukuroca hat gesagt…

Komente tek Respublica:

nga Genti | 31 dhjetor, 2012 - 13:06
Cdo dite dalin njerez qe i afrohen seriozisht te vertetes dhe meritojne te quhen bij te kombit. Dmth sfida jone eshte ne bashkim dhe organizim dhe ne mbeshtetje te zgjuar edhe pozites edhe opozites per te ruajtur cdo shtet shqiptar dhe per te hapur rrugen per ndryshime pozitive te vazhdueshme dhe te panderprera. Interesante!


nga ijs | 1 janar, 2013 - 20:33
Nje shkrim i rralle dhe ekselent i publicistikes shqiptare te atyre intelektualeve te vertete qe jetojne ne boten e civilizuar gjermane, ne vendin e mendimtareve dhe filozofeve, vendi i se drejtes dhe te vertetes,vendi i punes dhe i aftesise, larg zvarranikeve mesjetare shqiptare, ku mendja dhe shpirti arrijne te kapin thelbin e te keqes qe sundon dhe perjeton kombi yne mjeran !
Shpreh nderimin dhe respektin tim ,per kete analize te holle dhe te thelle ku intelektualet e vertete ndihen krenare dhe te cliruar nga merzitja dhe dhimbja e barkut qe ka na zene keto 22 vjet duke lexuar pacavuret e shtypit dhe mediave mesjetare shqiptare te shtetit fisnor!

Lis Bukuroca hat gesagt…

koment nga miku jonë tek fb:

Ullmar Qvick Z. Lis, ju nuk kurseni barutin. Do të dëshiroja që të jeni gënjeshtar, provokues, qaraman, duke pasur parasysh akuzat e rënda që shprehni në polemikën tuaj. E tmerrshëm është fakti se më duket se ju keni përshkruar gjendjen e mjerueshme sikur është. Sigurisht me tendenciozitet por prapë edhe me realizëm. Dhe kjo bën artikullin tuaj lexim të tmerrshëm! Problemi kyq me duket mungesa e kulturës politike ndër shqiptarët. Më duket se si mbi 50 përqind nga shqiparët, ndoshta mbi 80 përqind, nuk dinë se si funksionon një shtet demokratik. Ilaçi nuk mund të jetë revolucion, sepse luftëtari i cili fiton mbi shtypësin bëhet vetë shtypës, në mungesë të traditave demokratike brenda popullit. Suedia para 150 vitesh ishte shtet i prapambetur, i demoralizuar për arsye të humbjes së pozitës së një perandorie (kishte humbur Finlandën dhe territoret baltike dhe gjermane që kishte fituar me luftë). Gjendja e klasës punëtore ishte e mjerueshme, gjendja e punëtorëve me familjet e tyre ishte shumë e dobët nga ana shëndetësore dhe ekonomike. Alkoolizmi ishte plaga e parë shoqërore, punëtorët pagueshin me pije alkoolike. Atëherë filluan levizjet në bazë të shoqërisë: Kundër keqpërdorimit të alkoolit, kundër monopolit të kishës dhe më me rëndësi: Lëvizja punëtore. Kuzhinat e atyre punëtorëve të cilët donin të fitonin dinjitet dhe dituri u shndërruan në një universitet popullor, ku studiuan së bashku shokët e punës. Dalëngadalë u përmirësua gjendja e punëtorëve, sigurisht në luftë të ashpër ndaj qarqeve konservatore, pronarëve të fabrikave dhe kapitalistëve. Njërëzit me pronë kuptuan më në fund se punëtori i cili ka një rrogë që mjafton dhe një perspektivë për të ardhmen bëhet më i dobishëm se një rob, i cili ushqyhet me alkool! Demokracia fitoi në një proces të gjatë. U ndihmua edhe nga kushtet ekonomike - hekuri dhe druri na dhanë kushte për eksportimin e mallrave suedeze nepër botë. - Pse po shkruaj aq shumë për ngjarjet në Suedinë e vjetër, në kohën e Rilindjes shqiptare? Sepse ju keni nevojë për një Rilindje të dytë me atë përmbajtje që kishte revolucioni paqësor suedez. Lufta për ekzistencën fizike, epokat e osmanëve, fashistëve dhe komunistëve morën fund. Tani demokracia duhet të ndërtohet nga baza e shoqërisë. Duhet ndërtuar sipas parimeve që kemi në botën perëndimore. Ne kemi shumë të meta, edhe ne po bëjmë luftë kundër forcave negative që kemi në mesin tonë, por buzullin e kemi fituar. Të largohen shqiptarët nga qarku i sëmurë. Njerëzit më të mirë, me njohuri, inteligjencë, ndërgjegje të pastër duhet të dinë: Erdhi koha për ndërtim nga baza e shoqërisë! Revolucioni paqësor duhet të fillojë në botën shqiptare. Pa një zhvillim të tillë do të mbeteni në Zululandë, sipas satirës së Faik Konicës, por jo në Evropë! Ja vdekje, ja liri, janë fjalë dramatike, prapë të përshtatshme kur armiku vjen për të na mbytur! Mirëpo, nuk është më pak dramatike kur mjerimi moral dhe shoqëror bëhet më i padurueshëm se fakti se një ditë do të vdesim! Vetëm një jetë kemi. Dhe shqiptari duhet të mësojë metodat e punës paqësore këmbëngulëse për ndërtim demokratik! Shqiptari ka provuar se ai din të veprojë kur armiku e kërcënon me thikën mbi qafë - tani erdhi koha për guxim dhe trimëri të një karakteri tjetër!

Lis Bukuroca hat gesagt…

Përshëndetj shumë i nderuar z. Ullmar, uroj të jetë ky Vit i Ri për ju më i këndshëm dhe më i rehatshëm për Ty dhe të dashurit Tuaj. Zoti Ullmar, kur merret njeriu me shkrime ka tre mundësi: të mos merret fare me politikë dhe të mos rrezikojë humbjen e lexuesve, e dyta të merret me shkrime dhe të futet në një kallëp partie dhe të bëhet altoparalnt i tyre, ose të thuhet e vërteta dhe të ndjehesh herë herë i vetmuar në botën tënde. Unë kam zgjedhur në jetë këtë të tretën duke u nisur nga ky shembull: njeriut që ia dua të mirën, duhet t' ia them të keqen në sy, sepse dua ta shoh të përmirësuar. Abuzuimet shoqërore janë si sëmundjet, nëse nuk kurohen me kohë, shndërrohen në tumor. Kur e them këtë bazohem në Italinë e jugut, ku pas luftës së Dytë Botërore depërtoi mafia, maskarallëku dhe ja ku e kemi sot. Atje bashkëjeton mafia me pushtetin, ky rrezik po i kanoset shoqërive shqiptare, bashkejtesa me të ligën, me ektremizimin, me shantazhin e shumë anomali tjera...Më bëri përshtypje të madhe ky reagim dhe e hodha tek blogu. Mësova edhe gjëra që nuk dija nga historia suedeze dhe për këtë të falenderoj shumë. Përshtypje të madhe më bëri edhe ky mendim që nënvizon gjendjen tonë: "Ilaçi nuk mund të jetë revolucion, sepse luftëtari i cili fiton mbi shtypësin bëhet vetë shtypës, në mungesë të traditave demokratike brenda popullit". Kosova nuk është duke bërë poltikë autonome, por refletkohen stili i Serbisë dhe po vallëzon sipas muzikës së saj. Se shtypësi bëhet shtypës, kemi rastin në Shqipëri, ku demokracia mund të quhet me shumë KRACI, por jo demokraci e mirëfilltë, të cilën në një shkrim e pata quajtur Idiokraci, pastja pornokraci etj. Keni plotësisht të drejtë edhe me nevojën e një Rilindje të re, kjo është e domosdoshme dhe unë ka kohë që bluaj në këtë drejtim, por nuk shoh mundësi të mëdha sepse jemi përçarë më shumë se para lufte. Ka shumë veta që shkrujanë mirë dhe luftojnë pornokracinë tonë, madje më gëzon fakti se ndër ta, ka edhe disa gra që më kanë habitur me vështrimet e tyre dhe analizat...Problemi jonë është i madh dhe nga një herë habitem se si po ekzistojmë si shtet, nga një herë më duket se luajmë shtet, po improvizojmë. Populli është përçarë aq shumë, sa i prezentohet dhjetëra të vërteta në ditë dhe në fund bien në komë të gjithë...Ne nuk duhet vetëm të mësojmë si aprovohen ligjet europiane, por si t' i zbatojmë ato si në Europë dhe si të pranohen vlerat europiane. Këtu ka një vijë të trashë ndarëse, sepse ligjet janë në letër, e mendësia në vepër. Kjo është rrënuese dhe tragjike për demokracinë...Po shtoj këtu edhe një koment me dy miq në fb: Përshëndetje Erald dhe Teuta dhe ju falenderoj për leximin dhe komentet, këto shkrime mund t' i ngjajnë një aborti, kur një grua ndjen dhembje si trupore, ashtu edhe shpirtërore që po lind një vdekje dhe konstaton një të vërtetë të madhe plot pikëllim; ato janë dhembje që i ndjen vetëm një nënë dhe dhembje që nuk kompenzohen kurrë. Konstatimet e mia, i dini edhe ju këto maskarallëqe, i gjasojnë atij aborti, janë konstatime që të shkaktojnë dhembje dhe e din se i shkruan kot, nuk ndryshohet asgjë, sepse e keqja ka shtrirë rrënjët në krejt vendin e shqiptarëve...Zoti Ullmar, falemnderit për komentin dhe horizontin suedez që më ofruat dhe natyrisht mbetem me respektin më miqësor duke u munduar të mos të zhgënjemë në dashurinë Tuaj ndaj kombit shqiptar...

Lis Bukuroca hat gesagt…

Koment tek Respublica

nga Erjon | 3 janar, 2013 - 00:23
Shkrim i shkelqyer qe pershkruan mesemiri gjendjen e politikaneve shqiptare ne te dy shtet shqiptare !!
Persa i perket komentit te P.A.B dhe akuzes kundrejt Faruk Myrtaj,beri mire qe e solli,vetem se bere keq qe nuk i vajti deri ne fund te vertetes, nuk pati durimin te lexonte mesazhet e lexuesve,ku tek faqja e dyte thuhej se Faruk eshte shpallur nga gjykata e Torontos I PAFAJSHEM !
Sulmi personal,tipik i shqiptareve ziliqar e cmirezinj te deshtuar kundrejt atij qe me forcat e veta ia del mbane !! Nje motiv me shume per ti bashkangjitur atyre lart te sipermendura nga zoti Aliu !