Se kush
duhet votuar, është vendim i mëvetësishëm, individual, por është
me rëndësi të jashtëzakonshme të nënvizohet, kush nuk guxon të
rizgjidhet. Nëpërmjet votës njeriu tregon botëkuptimin e vet dhe
inteligjencën, dhe aftësitë e tija mendore dhe gjykuese. Edhe
bindjet qytetare, edhe kulturën. Ai që voton një parti fashiste
për shembull, mund të merret me mend pse bënë këtë. Edhe
parapëlqimet tjera politike dëftojnë karakterin e një njeriu dhe
orientimin.
Mosvotimi
është moskokëçarje dhe mund t'u falet popujve që kanë pak
probleme; pak papunësi dhe ku krimi, tradhtia dhe makiavelizmi, nuk
kanë mundësi të depërtojnë apo mbijetojnë në politikë.
Shkurt, ai komoditet i mosvotimit, ajo protestë pasive, depresive,
që nuk sjellë asnjë të mirë, mund t' i falet një populli me një
shtet ligjor, me një shtet social, që ka fuqi edhe ekonomike, për
ta mbrojtur dinjitetin e njeriut. Qytetari me votën e vet, shpërblen
ose ndëshkon politikanin. Me mosvotim shpërblehet pala e
inkriminuar, ajo që ka zaptuar pushtetin. Politikanit nuk i
intereson sa veta votuan, por sa për qind fitoi. Një shoqëri ka
një demokraci të ankoruar mirë, kur politikani me votë dënohet,
jo kur i falen edhe krimet. Nëse shkarja e parë e rëndë
shpërfillet, pasojnë edhe krimet. Këto zgjedhje, janë shansi i
fundit për ta shpëtuar demokracinë në Shqipëri, dhe, kjo
demokraci, mund të shpëtohet, vetëm me votë plebishitare.
Një qytetar
që adhuron shtetin ligjor, nuk mund të votojë kurrë një njeri,
që është marrë me kontrabandë. Me kontrabandën e naftës për
shembull. Al Capone qe marrë me alkool dhe përfundoi në burg. “Mas
Carpone” jonë, nga presidenca, kaloi në kryeministri. U
shpërblye. Nëse ne votojmë atë, domethënë se pajtohemi me
veprën penale, me shkeljen e ligjit. Nëse pajtohemi, atëherë jemi
pak kriminel edhe vet, ose mbështesim kriminalitetin e tjerëve nga
oportunizmi. Në demokracinë perëndimore, një qytetar që merret
me kontrabandë, përfundon karrierën politike. Procedime të
ngjashme ndodhin në vendet me të ashtuquajtura vlera europiane dhe
shtete ligjore, domethënë me botëkuptime, gjykime dhe bindje
europiane. Qytetari europian nuk toleron që zyra e kryeministrit apo
kryetarit, të zezohet aq shumë, sa të ulet brenda edhe njerëz të
sojit të Toto Riinas. Kjo është arsyeja pse sot në Europë nuk ka
asnjë kryeministër, që është marrë me kontrabandë, por nuk
mund të përjashtohet mundësia të jetë ndonjë qytetarë në
arrati. Me votë njeriu mund të dëshmojë një distancim cilësor
nga kriminaliteti, ose të shkrihet në të duke e votuar.
“GFI”
Global Financial Integrity në dhjetor të vitit të kaluar, pat bërë
të ditur se nga Shqipëria, janë transferuar ilegalisht 1.3 miliard
dollarë në pesë vitet e fundit. A i ka bërë këto Saliu? Nuk
dihet, por ai paguhet për ta pamundësuar atë transferim. Nëse
rivotohet, në katër vitet e ardhshme, avullohen edhe një miliard
dollarë.
Një qytetar
nuk duhet të votojë një njeri që me ligj ka duruar dhe stimuluar
ngritjen e piramidave financiare, që kanë çuar tek rrënimi i
shtetit. Nuk duhet ta bëjë këtë një votues sepse me këtë akt,
ai dëshmon apati ndaj vendit, jo si më lart vetëm ndaj kombit
jashtë kufirit, por edhe ndaj vet shtetit shqiptar si garantues i
paqes dhe mirëqenies së popullit.
Përveç
kësaj, nëse qytetari voton një njeri të atij kallëpi, atëherë,
ai i falë rrënimin e shtetit dhe pajtohet edhe me krijimin e
mundësisë për t' u vrarë mbi 2000 shqiptarë. Në Europë nuk
mund të gjendet askund një politikan, që ka rrënuar shtetin e vet
dhe tani të jetë aq i pafytyrë, sa të kandidohet përsëri.
Shteti ligjor është i detyruar të hetojë dhe zbulojë dhe dënojë
njerëzit që çuan me qëllim apo nga neglizhenca, deri tek ajo
tragjedi. Në Europë, një njeri i tillë, nuk mund të kandidohet,
sepse për vrasjen e 2000 vetave dhe rrënimin e shtetit, burgoset
dhe nuk i lejohet të bëjë fushatë nga qelia. Votuesi dëshmohet
si njeri i ndriçuar dhe emancipuar, nëse nuk voton atë që është
marrë me kontrabandë e naftës dhe atë që nga pozita e kryetarit,
nuk ka penguar shembjen e shtetit.
Një
shqiptar nuk duhet ta votojë një njeri që UÇK-n e pat quajtur
marksiste-leniniste dhe terroriste. Terroriste për t' i pëlqyer
Serbisë, marksiste-leniniste për ta trishtuar Perëndimin. Dhe, ai
shqiptar që voton apo admiron atë njeri, ai shqiptar gjykon dhe
mbështet vlerësimin serb mbi UÇK-në. Tek një komb me vetëdije
të lartë kombëtare dhe shtetndërtuese, karriera e një specie
ekuivalente, do të kishte përfunduar pas kësaj deklarate. Ata që
falin një stigmatizim të tillë, ata njerëz pajtohen në mënyrë
eksplicite dhe në heshtje me atë vlerësim. Me votë mirëpo,
dënohet gjykimi i barasvlershëm me atë serb, natyrisht nëse
qytetari ka këtë mundësi kognitive, diferencuese. Nëse ndjehet “
qengj që hanë barë, me një zile në qafë varë!”,
atëherë edhe e adhuron.
Nëse një
votuesi nuk i mjaftojnë ato fatkeqësi - në Europë qytetarit do t'
i kishte mjaftuar vetëm një argument i përmendur, për ta kuptuar
arrivistin dhe batakçiun- atëherë, ai nuk duhet të votojë një
njeri që mundësoi një tragjedi të madhe në Gërdec, në të
cilat përfitime ishte përfshirë edhe i biri. Njeriu nuk duhet ta
votojë sepse njerëzit mendojnë se votuesi pajtohet me vrasjen e 26
vetave dhe plagosjen e dhjetave. Në një demokraci të vërtetët,
pas atij shpërthimi, do ta kishin përfunduar karrierën politike
kryeministri, ministri i mbrojtjes dhe dikush tjetër, sepse Europa
është e bindur se brenda popullit, ka shumë njerëz tjerë, që
dinë të punojnë më mirë se oportunistët, e jo të shpërblehen
me pozita të reja. Mirëpo, nëse qytetari është i padijshëm, ose
urren vendin e vet, atëherë ai voton pikërisht atë dhe mburret me
zgjedhjen. Kjo bëhet ndoshta nga frika, ndoshta nga dobia, ndoshta
nga konformizmi.
Një qytetar
që voton një njeri i cili është zënë duke shitur një pjesë të
detit, duke dëmtuar integritetin territorial, atëherë, me votën e
tij sot, i jep mundësi në legjislacionin e ardhshëm, ta përmbarojë
marrëveshjen. Saliu nuk është penduar kurrë për nënshkrimin e
tij. Kjo është arsyeja pse Greqia tani heshtë. Në Europë, nuk
mund të mbijetojë një politikan as 24 orë pasi të jetë kuptuar
se ka cenuar sovranitetin me firmë. Nuk është e mundur të mbetet
më në politikë, sepse qytetari europian këtë e konsideron
tradhti të madhe ndaj vendit dhe një person i tillë, do të
përfundonte në burg dhe natyrisht, siç iu tha edhe më lartë, nga
qelia, nuk i lejohet të bëjë fushatë, edhe nëse populli është
duduk nga perceptimi dhe gjykimi. Nëse nuk votohet një njeri i
tillë, atëherë tregohet epërsi mendore, se votuesi nuk pajtohet
me tradhtinë në politikën shqiptare. Votuesi eventual, duhet të
dëshmojë se edhe vet nuk është tradhtar.
Nëse ato
vepra nuk mjaftojnë për ta dënuar me votë një njeri, atëherë
kundër votimit flet vrasja e katër protestuesve. Asnjë
kryeministër europian nuk ka vrarë qytetarë të vet, por sikur ta
kishte bërë, nuk do të kishte pasur mundësi të kandidohet nga
burgu, sepse në Europë, njerëzve të gjykuar, u ndalohet
kandidimi. Dhe, nëse votohet një njeri, që ka vrarë shqiptarë të
partisë opozitare, atëherë votuesi pajohet me ato vrasje dhe
është krenar dhe mbështet krimin. Nëse i falet, ai do të halitet
dhe është në pyetje koha se kur do të vrasë edhe të vetët. Në
Europë nuk durohet një kryeministër i tillë. Pra, një qytetar me
vetëdije nacionale dhe politike, nuk i falë vrasjen politikanit. Në
demokraci ato nuk falen, në diktaturë diktatori ka imunitet dhe
mund të vrasë qytetarë, por, procedohet pas rrënimit të saj,
nëse fiton shteti ligjor. Shqiptari tregon pjekuri politike dhe i
bashkëngjitet mendësisë europiane, kur del në protestë kundër
vrasjes së njeriut dhe kërkon drejtësi. Dhe kur pengon
shkarangjitjen e mizantropëve në pushtet.
Nëse voton
një njeri që shanë nënën, motrën, gruan dhe që i quan mjeran,
dështak kundërshtarët, se u a prishë fytyrën, atëherë votuesi
pajtohet që vendi të qeveriset nga një rrugaç. Nga një
kryerrugaç. Nëse një kryeministër shanë si një rrugaç, atëherë
të gjithë rrugaçët na duken intelektual. Madje nuk mund të
kuptojmë cili është kryeministri, cili rrugaçi. Kjo dukuri na
dëmton perceptimin e drejtë. Gjykimin. Përligjjen. Përzihen
vlerat. Pastaj, duke sharë gratë e kundërshtarëve politik, ndikoi
në rritjen e keqtrajtimit të grave dhe vrasjen e tyre, madje edhe
në vrasjen e embrioneve femërore.
Në Perëndim
një njeri që shan ashtu, nuk ka shanse në politikë, sepse
kryeministri është pasqyra e vendit dhe shëmbëlltyra e kombit.
Çfarë
mendoni se mendon bota për ne, kur takon kryeministrin tonë, që ka
marrë aq shumë jetëra në qafë dhe që posedon surrat të
kandidohet përsëri? Çfarë mendoni se ata mendojnë për ne, kur
shohin njerëzit të veshur hollë, si vishet njeriu në pikë të
verës, por kryeministri, i veshur si vishte njeriu në pikë të
dimrit? Pse ky njeri ka frikë nga populli i vet? Pse paska bërë aq
mirë? Pse ndërtoi rrugë e shkolla? Pse ato rrugë dhe ato shkolla
mbarojnë punën pikërisht tani? Çfarë mendoni se mendon bota për
popullin shqiptar, kur votojmë kontrabandistë, vrasës, sharës,
shitës të detit, transferues të dollarëve jashtë, dhe ata që
shpallim tradhtarët heronj? Pse sillen muxhahedinët pikërisht
tani? Për ta blerë heshtjen amerikane? Çfarë mendoni se mendon
bota për ne, kur lexojnë se mund të hetohet për shpërdorim
detyre Ina Rama, por nuk hetohen njerëzit për vrasje? Shantazhi
ndaj saj bëhen nga mizoginia, për t’ i larguar gratë nga
politika. Gratë, ato që po na zbardhin fytyrën neve ditën, që e
kanë nxirë burrat natën. Çfarë mendoni se mendon bota për
shqiptarët, kur ata, për të shprehur dashurinë ndaj demokracisë,
votojnë stalinistin?
Nuk mund të
thuhet se i keq ishte vetëm Millosheviçi, por të trashë dhe për
të ardhur keq, ishin njerëzit rreth tij dhe pastaj, populli i
trishtuar, që duronte të trajtohej si bagëti. Populli i një vendi
europian, nuk do të kishte duruar kurrë një kryeministër të
bartë një foltore në rimorkio dhe të ndalet në mes të rrugëve,
ku t' i teket, kur t' i teket, për të mbajtur fjalime, duke penguar
edhe komunikacionin, për të bërtitur se rrugët janë të miat, se
kam shtruar aq shumë, sa të shkohet deri në Tokio. Se, nëse më
votoni, do ta ndërtojë autostradën deri në SHBA. Në Europë, në
demokracitë e shëndosha, kryeministri nuk përuron kurrë rrugët,
urat e shkollat, por këtë e bëjnë politikanët lokal. Nuk mund ta
bëjnë sepse ato investime, nuk i bën kryeministri apo kryetari,
por taksapaguesi. Inaugurime të tilla në Gjermani, nuk bën kurrë
kancelari. Në Republikën Demokratike të Gjermanisë Honekeri i
bënte, sot i bën Kim Jong-un në Koren Veriore dhe Raul Castro Ruz,
në Kubë. Në Gjermani nuk shihet kurrë një kandidat nëpër
shkolla duke u fotografuar me pionierë, por kjo shihet në Kubë,
Koren Veriore dhe kryesisht në Shqipëri. Në shtetet europiane
ndalohet abuzimi me fëmijë. Xhaxhi Sali ishte 21 vite anëtar i PP,
demokracinë nuk e njeh, e ndërton në bazë të asaj që ka
dëgjuar. Partinë e tij ka ndërtuar si Al Capone organizatën, të
bazuar në frikë dhe dominim.
Nuk
duhet votuar një njeri i cili tek gazeta e vet “Rilindja
Demokratike” shkruan këtë titull: “Bajern
fitoi, Berisha i sjell fat.” Kjo nuk
flet vetëm për shkruesin, vetëm rekomanduesin e fjalisë, por kjo
flet shumë edhe për popullin që po ia shërben pa kokërr turpi.
Pa kokërr droje. Ai popull, nuk ofendohet vetëm pse është shkruar
ky mendim, por pse është paragjykuar, se ai mund ta besojë. Mund
të kuptohet një analfabetë që voton një njeri të tillë, mund
t' i falet një njeriu me katër vite shkollë, por nuk mund t' i
falet kurrë një njeriu që ka më shumë se pesë vite. Edhe sikur
të mos kishte bërë asnjë vepër penale, vetëm ajo fjali për
Bajernin, do të kishte mjaftuar për ta ndëshkuar politikisht.
Dakord, ka bërë edhe disa vepra të mira, por sikur të kishte
pasur shtet ligjor në Shqipëri, nuk do të kishte pasur mundësi të
mësojë nga gabimet tragjike. Në llogari të popullit.
Fundi i
fundit, një mësues në moshën e Saliut pensionohet, sepse nuk
është në gjendje të udhëheqë si duhet një klasë apo edhe
shtëpinë e vet, por t' i dorëzohet në duar gati gjysma e kombit
gjyshit, që trishtohet nga populli i vet, është mungesë
përgjegjësie. Atëherë, nuk do t' i ketë fajet vetëm Saliu, por
populli i pandriçuar, i molisur, i hutuar, që duron njerëz të
tillë në politikë.
Në
demokracinë perëndimore një politikan nuk votohet nëse gënjen. I
joni rren sapo ta hapë gojën. Me qëndrim europian nuk mund ta
konsiderojë veten asnjë njeri, që voton Sali Berishën. Europiani
nuk i falë asnjë vepër kundërligjore politikanit. Për popullin
shqiptar është me rëndësi të ndëshkohet kryeministri i sotshëm.
Instalimi i demokracisë së vërtetë në Shqipëri, do të
mundësonte korrigjimin e politikës fisnore në Kosovë e Maqedoni.
Demokracia shqiptare mund të shpëtohet me 23 qershor, nëse jo,
atëherë, dekadat e ardhshme, do të jetë e rëndë çrrënjosja e
salizmit nga mendësia dhe administrata shqiptare. Dhe, do të
kushtojë shumë.
Gazeta Dita
1 Kommentar:
Komente tek dita
Astriti
4 Qershor, 2013 at 1:04 pm
Pergezime Naser!
Shkrimi i mire dhe real. Te mos votosh do te thot ti heqesh vetes atributet e te qenit qytetar. Te mos votos do te thot ta privosh veten nga liria me themelore. Nuk e di por, aq me teper ne shqiperi vota eshte jetike. Duhet te vendosi populli per zallamahit qe po ndodhin ne vend.
Gramoz
4 Qershor, 2013 at 5:54 pm
zoti naser ju lumte dora llogjika juaj e mbrehte eshte per tu admiruar .c fare nuk permban artikulli intelegjencen e rafinuar dashurine per kombin per njerzit ,falemindeit…z naser .qe te besh koment shkrimit tuaj eshte njesoj ,sikur bakllavase me 100 pete ti hedhesh kripe mbi te edhe nje here naser faleminderit kjo duhet te jete pena nje buri te mencur suksese naser
Kommentar veröffentlichen