13.08.2014

Inaptokracia, ZËRI

Një popull duhet të ketë një vullnet. Një popull duhet të ketë një ëndërr. Një popull duhet të ketë një dëshirë për ta realizuar atë ëndërr. Për ta realizuar ëndrrën, duhet edhe një projekt i madh me vullnet dhe përkushtim. Vullnet dhe dije për punë. Populli i Kosovës mirëpo nuk ka vullnet, nuk ka një ëndërr, nuk ka asnjë dëshirë për të realizuar diçka dhe drejtohet si kope nga inaptokrat dhe mashtrohet e manipulohet si kope nga klerikë, që nga predikues të urrejtjes, katapultojnë veten në predikues të paqes.

Populli i Kosovës dremit dhe sheh ëdërra në pikë të ditës, me sy hapur dhe pret që dikush tjetër, jo vetëm t' ia tregojë rrugën, por edhe t' ia asfaltojë, t' ia blejë këpucët dhe ta mësojë se si ecet, si mbrohet shteti dhe si mbrohet interesi nacional. Populli i Kosovës është llastuar (halitur) dhe pret, ashtu si edhe liria, t' i zbresë nga qielli edhe mirëqenia dhe siguria kombëtare.

Populli i Kosovës nuk kupton çfarë është liria, pse është e domosdoshme ajo dhe si mbrohet. Populli i Kosovës, nuk është mësuar të punojë vet, por një njeri sakrifikohet, për t' i ngopur disa veta të shtrirë në kokërr të shpinës. Populli i Kosovës ndjehet krenar me sakrifica në luftë e në burgje, por nuk mburrret kurrë me punë. Populli i Kosovës ka krijuar shumë shenjtorë të rrejshëm. Disa i janë imponuar me thyerje tabush, disa i ka krijuar vet: si në politikë, ashtu edhe në kulturë. I duron mirëpo të gjithë dhe i ushqen.

Popull i Kosovës nuk pret shumë nga hajnat e vet, që e vjedhin mu si pushtetarët serb apo më shumë se ata. Populli i Kosovës nuk pret nga pushtetarët e vet, më shumë se sa kishte marrë nga Serbia: pezullimin e vizave. Popullit të Kosovës nga politikanët i imponohet religjioni, në kohën kur në Perëndim njerëzit e braktisin. Popullit nga politikanët i imponohet religjione për ta vjedhur dhe mashtruar së bashku me klerikët. Për ta dominuar dhe manipuluar jo vetëm nëpër media, por dhe aty ku nuk duhet, nëpër faltore.

Populli i Kosovës ka mbetur pa udhëheqës të vërtetë dhe pa shpresa. Një popull pa shpresa, mund të mashtrohet, mund të manipulohet, sugjestionohet dhe të gënjehet pa pushim. Populli i Kosovës nuk din çfarë është e majta, çfarë e djathta, por del në votime dhe votojnë kopeisht, e tërë familja një politikan. Populli i Kosovës nuk duron vetëm kleptokrat, inaptokrat, por edhe racistë nëpër universitete, mafioz në pushtet dhe analfabetë në administratë. Në Kosovë mafiozi dhe inaptokrati nderohen, u përkulen dhe respektohen si princër.

Këtij populli në këtë gjendje psiqike e arsimore, mund t' i krijosh flamur që nuk e ka parë kurrë në ëndërr. Mund t' i komponosh himn, që kurrë nuk e ka imagjinuar dhe duke i veshur petkun fetar, mund t' ia ndryshosh edhe ndjesinë kombëtare dhe ta shndërrosh në kosovar: një etnonim me origjinë nga gjuha serbe. Këtij populli, në këtë gjendje mendore dhe perceptuese, mund t' i bësh çdo gjë, mjafton t' i premtosh dhe çdo gjë t' ia paketosh mirë dhe me fjongo.

Një popull, në këtë gjendje nuk mund të ecën para, por prapa. Dhe kjo është arsyeja pse shteti i Kosovës është karikatura më e keqe e shtetit që ekziston në Europë. Shtet imagjinar, që nuk respekton ligjet e veta. Shtet që shpërfill ligjet, që ka votuar vet. Shtet ku shkelja e ligjit konsiderohet aq normale, sa edhe pështyrja në rrugë. Shtet ku as prokuroria, as gjykata nuk njeh ligjet e veta. Shtet ku hetimet bëhen në mënyrë selektive dhe ku rrënuesit e tij, kanë imunitet.
Shtet ku gjykata merret me pallavra, por jo me zbatimin e ligjit. Nga ky shtet, populli nuk pret asgjë tjetër, pos mundësisë për ta braktisur sa më shpejt dhe me më pak telashe. Ky është shteti i Kosovës në vitin 2014, dhe, për t' u pranaur në OKB, nuk i caktoi si kusht të bisedimeve Serbisë, por këtë u desh ta bëjë kancelarja gjermane...

Çështë inaptokracia?
Sipas akademikut të shquar francez Jean Ormesson "INAPTOCRAKRCIA” është rend qeverisës, ku më pak të aftët për të qeverisur, janë zgjedhur nga më pak të aftit për të prodhuar dhe ku anëtarët tjerë të shoqërisë ata me më pak aftësi për ta mbajtur veten apo për të pasur sukses, janë shpërblyer me mallrat dhe shërbimet, që janë paguar nga konfiskimi i pasurisë dhe punës të një numri të prodhuesve në rënie të vazhdueshme.  

ZËRI

Libra nga Lis Bukuroca

Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de  ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.  

Gjenden edhe te libraria më e madhe në SHBA  Barnes and nobles dhe mund të porositet, përveç online, në 630 libraritë e tyre.  Shikoni ju lutem se ku ju konvenon çmimi më tepër.

Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.


Keine Kommentare: