19.08.2016

Çelnikata e Kosovës, Bota sot, Zëri

Për ngritjen e kësaj elite rurale, të paarsimuar, vulgare dhe banale, faj të madh ka edhe Rexhep Qosja. Ai ndihmoi në zaptimin e pushtetit nga meritokracia. Qosja nuk kishte kuptuar diferencat mes ndërtimit të një sistemi diktatorial, vetëqeverisës, stalinist, në një anë, dhe në anën tjetër, ndërtimin e shtetit demokratik. Me shumë shkrime e paraqitje, ai do të kërkojë të merret pushteti nga komandantët e luftës. Prej aty, vlerë nuk konsiderohej më mundësia intelektuale aktuale, por kontributi i djeshëm, e kaluara.

Përjashtimi i çdo shqiptari tjetër të dijshëm, duke u arsyetuar në rreshtimin e gabueshëm politik, mundësoi krijimin e një shteti klan me çelnikë në krye. Kosova me aq shumë parti, nuk mund të mbulojë me njerëz profesional vendet e rëndësishme duke u bazuar vetëm në origjinë, biografi dhe parti.

Komunistëve për të ndërtuar shtet diktatorial, siç di edhe Rexhep Qosja, nuk u duhej dija, studimet dhe diplomat. Ato i blinin, ose i merrnin në shkolla të natës, ose fare, ishin partizanë, por ata nuk synuan ndërtimin e shtetit ligjor. Ata nuk dëshironin rend me themele demokratike, ku shteti ka për detyrë të mbrojë liritë dhe të drejta e njeriut dhe dinjitetin i individit. Ata nuk ndërtonin shtet të së drejtës. Ata ndërtuan shtet diktatorial, ku dija ishte sekondare, kurse kërbaçi ishte primar, prandaj nuk ishte aspak e rëndësishme përgatitja profesionale për të ushtruar një detyrë. Si pasojë, sot kemi një republikë, ku intelektualët e vërtetë janë të papunë pse kanë dinjitet dhe nuk përkulen, ndërsa blerësit e diplomave, kanë pozitat.

Një shembull eklatant është Avni Rudaku. Njëri ndër intelektualët më të ndritur që kemi, por meqenëse nuk zvarritet, meqenëse ruan pavarësinë intelektuale, meqenëse ruan dinjitetin e vet, dënohet me papunësi. Ai ka titullin bachelor i psikologjisë, bachelor i sociologjisë dhe master i sociologjisë (drejtimi akademik). Këto specializime trishtojnë çelnikët e Kosovës, si kontin e Transilvanisë, Drakulën, hudhra. Sikur Avi Rudaku të kishte ruajtur delet në Sharr, në Luboten apo Gjeravicë, do të kishte plotësuar kushtet për Akademinë e Kosovës, në se jo, atëherë do të kishte së paku qenë Ministër i Arsimit.

Marrja e pushtetit nga njerëzit e padijshëm në demokraci, krijon një tallava republikë, sepse ata nuk njohin metoda tjera, pos shantazhit komunist, të cilin tani e bëjnë hapur ose fshehtas, por duke pasur njerëzit e vet nëpër prokurori dhe gjykata, siç i kishte Tito, siç i kishte Enveri.

Rexhep Qosja nuk kishte kuptuar se ndërtimi i shtetit ligjor, ka nevojë për njerëz të dijshëm dhe idealistë, jo për trima të armatosur. Ata meritonin pensione të mira, por shteti nuk është kooperativë bujqësore dhe populli nuk është dele. Krijimi i dhunshëm dhe artificial i një elite politike, i kushtoi Kosovës miliarda, i solli izolimin, edhe pse Perëndimin brenda dhe akoma më keq, u humbën 16 vite kohë, që nuk kthehet kurrë më. 

Tash jemi këtu ku jemi dhe detyrat tona të shtëpisë mbarohen, kur kjo elitë punësohet aty ku e meriton, por në skenën politike, nuk ka çfarë të kërkojë! Aty nuk e ka pasur vendin kurrë. Kosova sot është bërë një sallamadi republikë, e cila nuk njeh interesa nacionale-shtetërore.

Meqenëse kërkojnë amerikanët nënshkrimit e demarkacionit dhe Vetëqeverisjes serbe, duhet firmosur, edhe pse nënshkrimin do ta konsideronte sukses të vetin, pikërisht kjo elitë e korruptuar deri në palcë.
Mirëpo, tek aprovimi në Kuvend i këtyre dy çështjeve, ka dhe diçka pozitive për Kosovën. Pas firmosjes, kjo elitë e sotshme, me shumë gjasa, do të transferohet në Hagë. Kjo ishte e para. E dyta, do të anulohen vizat dhe e treta, i ofrohet popullit mundësia për integrime europiane. NATO tani për tani nuk është me rëndësi sepse SHBA-t kemi brenda.

Transferimi i kësaj elite në Hagë pa përfundimin e këtyre çështjeve të hapura, do t'ishte rrezik. Kjo është arsyeja pse tani heshtet për Gjykatën e Posaçme ashtu kolektivisht nga aktorët politik. Gjendja mund të koklavitet më shumë dhe humbet stabiliteti, sepse Kosova, qysh nga vdekja e Rugovës, nuk ka më një lider të cilit populli do t'i bashkëngjitej. Sikur të pyetej ai me një referendum, me siguri do të pranonte që krejt Qeveria, Presidenca dhe liderët e partive, të burgoseshin.

Vendimi për bërjen publike të telefonatave të përgjuara, nuk është marrë pikërisht tani pa një arsye të madhe. E para mund të jetë, se ata kështu ushtrojnë trysni mbi politikanët e theksuar, e dyta, përgatitet populli për arrestimin e tyre. E treta, atyre u sinjalizohet se do të pasojnë edhe regjistrimet tjera. Sidoqoftë ata nuk skuqen dhe ushtrojnë detyrat e tyre thua se nuk ka ndodhur gjë.

Të mbetet një njeri në funksione politike pas publikimit të atyre telefonatave, është e paimagjinueshme, por në Kosovë e përjetueshme. Sikur perëndimorët të lexonin përkthimin e përgjimeve në një përkthim simetrik, atëherë do ta kuptonin se ata po komunikojnë me nivelin e njerëzve të Corleones, me mafioz.

Nuk mund të merret me mend se në ato nivele politike, ka njerëz që mund të përkthejnë gjuhën e tyre. Përkthyesi ka mbaruar studime dhe ai në gjuhën e huaj, përkthen në gjuhën letrare, çfarë ndikon në paraqitjen e politikanit kosovar me kulturë, të cilën ai nuk e posedon. Kultura gjuhësore flet për nivelin intelektual të një njeriu dhe është fenomeni i dytë, pas vështrimit, i cili na ndihmon për të kristalizuar një bindje për një njeri.

Nëse një përkthyes shqiptar përkthen atë diskurs në një gjuhë të huaj në mënyrë të barasvlershme:

Jo unë jo, na e lam… jo unë jo unë…atynev pishpirikav lypin me ja qi nanen po, po edhe ti po, se edhe ti…” Grabovci”,
atëherë politikani perëndimor do të kuptonte se bashkëbiseduesin i tij, është thjesht një rrugaç i paarsimuar. Atëherë ai do të krijonte bindje vetjake për të, çfarë përkthyesi kamuflon me përgatitjen e vet profesionale. Dhe, çelnikë të tillë, legjitimoi akademiku Qosja. Sot Serbia dhe Turqia, bëjnë çfarë të duan, sepse ai shtet ka gjithçka, por rrallë njerëz që kuptojnë, edhe pse e dinë të gjithë, se ai vend, ka një Kushtetutë dhe një Kod Penal, rrjedhimisht Prokurori dhe Gjykata. Se ka edhe një Ministër të Drejtësisë dhe një të Punëve të Brendshme, por jo si organe ekzekutive, por vetëm si shoqata mistike, që presin shteti ligjor dhe mirëqenia, të zbresin nga qielli, si zbriti edhe liria. 

Në foto: Parimi i meritokracisë:
Talent + Dëshirë e madhe (zell) = Sukses

Libra nga Lis Bukuroca

  •  Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 2020
  •  Ngjyrat e dashurisë (roman me Kanunin erotik, vetëm për lexues të moshës madhore )
  •  Letër burrave (II)
  •  Letër burrave (I)
  •  Hijedritat e jetës
  •  Die Asylbewerber: Eine Komödie in drei Akten

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

  •  Shtatë parimet e dashurisëbotimi i parë qershor 2020
  •  Ngjyrat e dashurisë (vetëm për lexues të moshës madhore )
  •  Letër burrave (I)
  •  Letër burrave (II)
  •  Hijedritat e jetës

Keine Kommentare: