Është një verbëri
e pafalshme, për të cilën duhet të ndihemi fajtorë të gjithë.
Në fund të fundit është një projekt i hershëm serb, famëkeqi
drafti i Cubriloviçit, i cili ka parashtruar rrugën për të
tërhequr në kurth shqiptarët. Thelbi i kurthit ka qenë armiqësimi
shqiptarë - Evropë. Në këtë draft, një vend i veçantë i
kushtohej rolit që do të luanin imamët dhe hoxhallarët e Kosovës
për shpërnguljen e një pjese të kombit shqiptar jashtë Evropës,
dhe sidomos për turqizimin e tij. Serbia ka problem me shqiptarët e
evropianizuar
E vetmja shpresë,
edhe ajo gjysmë haluçinante, ka qenë shfytyrimi i botës
shqiptare. E mbushur me xhami dhe tek-tuk ndonjë shkollë e vetmuar
(shkollat janë për sllavët, për ju mjaftojnë xhamitë), hapësira
shqiptare përherë e më tepër do t’i ngjante Anadollit.
Është tepër e
habitshme, për të mos thënë makabre, që disa vjet pas shpëtimit
të Kosovës prej ndërhyrjes atlantike, bëhen përpjekje që
mirënjohja t’i kalojë Turqisë! Kjo histori është e vjetër.
Tani për tani
kundërshtarët e Evropës nuk dalin haptas, e maskojnë fjalën
«evropianizëm» pas «sllavizmit», por nesër, kur të ndihen më
të fortë, do ta hedhin maskën dhe haptas do të kthehen kundër
Evropës dhe SHBA-së.
Kam lexuar në
shtypin tuaj se këto grupime radikale drejtohen nga shërbimet e
fshehta serbe dhe pse jo, ruse. E besoj këtë. Është e logjikshme.
Ka mbi gjysmë shekulli që Rusia nuk po i ndahet Ballkanit. Pas
ngjarjeve të Ukrainës, pesha gjeostrategjike e gadishullit është
duke u rritur. E gadishulli pa faktorin shqiptar s’mund të
kuptohet.
Kur Millosheviqi
nisi aventurën e tij antishqiptare gjithë strategjinë e bazonte
mbi shpresën se Evropa me SHBA-në, në çastin e fundit do të
bëheshin me të kundër shqiptarëve. Pas thyerjes së kësaj
shprese, nisi një fazë e dytë: shpresa se Evropa dhe SHBA do të
pendoheshin.
Vrasja e dy
aviatorëve amerikanë prej një shqiptari të Kosovës në
Frankfurt, ashtu siç u bë e njohur, shpaloste një simbolikë të
keqe. E para, sepse sipas një tradite emocionale, aviatorët
përftohen si pjesa më e zgjedhur dhe heroike e një ushtrie, e
dyta, sepse kishin qenë pikërisht aviatorët amerikanë që kishin
rënë në sy në bombardimin e Beogradit.
Rrjedhimisht vrasja
e dy të tillëve mund të merrej si një hakmarrje dyfish
poshtëruese për shqiptarin: burracake, si çdo vrasje pas shpine,
poshtëruese në kulm, ngaqë kryhej për hir të Serbisë kundër
Kosovës.
Ishte, me sa dukej,
kjo arsye që opinioni amerikan u trondit aq shumë. Opinioni
shqiptar duhej të trandej edhe më fort. Në vend që të nxirreshin
mësime ndaj akteve të tilla kundërevropiane, që ishin në të
vërtetë kundër shqiptarëve, vazhduan lëshimet. E bashkë me to
provokimet meskine kundër Perëndimit, për të përfunduar te
xhihadistët shqiptarë në Siri, që i vunë kapakun gjithçkaje.
Skënderbeu, siç
ndodh me personazhet e mëdhenj, mbështjell rreth vetes gjithçka
thelbësore që ka të bëjë me kombin shqiptar.
Sot, pas 600
vjetësh, ai mbetet personazhi numër një, më aktual se kurrë, i
lidhur drejtpërdrejt me problemin themelor të kohës: rikthimin e
Shqipërisë në Evropë. Ai është programuesi i parë i këtij
projekti. Ka 600 vjet që himnizohet për këtë projekt dhe po aq
vite që sulmohet pikërisht për të. Në këtë pikë ai është i
pamposhtur dhe do të dilte i pamposhtur, qoftë edhe kundër vetë
Shqipërisë, në rast se ajo do ta humbte përkohësisht orientimin,
siç i ndodhi gjatë komunizmit.
Duke e pranuar
Skënderbeun si një personazh të madh të saj, Evropa ka pranuar në
të vërtetë thelbin shqiptar, atë që rastis të jetë më i fortë
se Shqipëria fizike.
Nuk ishte as pjellë
e ndonjë miti, e as e ndonjë besimi fetar. U gjend në qendër të
historisë dhe kjo s’është aspak një metaforë. Ideja e
mbrojtjes së Evropës nga mësymja osmane ishte ideja e parë e
kohës. Shumë popuj u rreshtuan për mbrojtjen e saj: ballkanasit,
hungarezët, polonezët, austriakët, por Kastriotit i qëlloi të
gjendej pikërisht në rrugën e mësymjes së parë, asaj më të
tmerrshmes.
Arbëreshët e
cilësojnë si «të pafat», ngaqë nuk arriti dot të tërhiqte
plotësisht Evropën, për të luftuar në Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë ai bëri të pabesueshmen: bashkoi aq sa mundi ushtrinë
dhe kështjellat e tij me evropianët, sidomos me afrimin e fundit të
jetës. Do të mjaftonte vetëm ky akt, në të vërtetë kjo ide,
për ta bërë të pavdekshëm.
Marrë me shkurtime nga Zëri,
intervista e plotë realizuar nga Arbana Xharra: Kurthi serb: Turqizimi i shqiptarëve - armiqësimi me Evropë
LIBRA NGA LIS BUKUROCA TEK AMAZON
- Kuptimi i jetës
- Letër burrave I
- Letër burrave II
- Hijedritat e jetës, poezi 2010 - 2017
- Ngjyrat e dashurisë, roman, për lexues të moshës madhore
- Shtatë parimet e dashurisë, poezi
- Die Asylbewerber
LIBRA TE LULU
- Kuptimi i jetës
- Shtatë parimet e dashurisë, poezi
- Ngjyrat e dashurisë, roman, për lexues të moshës madhore
- Letër burrave (I)
- Letër burrave (II)
- Hijedritat e jetës, poezi 2010 - 2017
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen