24.10.2014

UEFA, ata nuk ishin boksierë, por futbollistë, Gazeta DITA

Për këtë vendim të UEFAs, Kosova dhe Shipëria kanë punuar bashkë një kohë të gjatë. Aty mund të lexohet njëanshmëria. Po ndryshojnë pikëpamjet dhe botëkuptimi në Europë. Ky vendim i njëanshëm, arbitrar, ishte vetëm një rezultat që tregon për gjendjen e krijuar. Ky vendim mirëpo ishte edhe politikë. Po t' ishte vendosur për palën shqiptare, Serbia do t' ishte shtyrë akoma më shumë drejt Rusisë. Kjo duhej penguar.

Ky vendim nuk është asgjë. Jini të sigurt se sikur sot të votohej nga shtetet europiane për pavarësinë e Kosovës apo mbetjen e saj në Serbi, nuk do të fitonte më shumë se pesë për qind për shkëputje. Në dhjetët vitet e fundit, Kosovës nuk i kuptohej as rruga, as stacioni. Në anën tjetër, Shqipëria e Sali Berishës kishte pasë mbjellë më shumë kanabis sativa, se sa speca e domate. Dhe, kurrë nuk u shfaq një fotografi në internet për ato ara, derisa nuk nisi korrjen e tyre Qeveria e Ramës.

Në Kosovë pati kërkesa nga pjesëtarë të Qeverisë të bojkotohej koka kola. Tani le t' i bojkotojnë edhe produket e Europës. Këto nuk ishin arsyet, por natyrisht se lajme të tilla ndikojnë në ndryshimin e botëkuptimeve në Perëndim.

Kosova do të jetë e atyre që e duan më shumë. Serbia po punon me përkushtim të madh dhe po shpreson të ndryshojë gjendjen. Trimat serb dhe trimat shqiptarë punojnë për Serbinë dhe po ndikojnë në ndryshimin e pikëpmajeve. Ndryshimi i njerëzve në politikë dhe ideologji, ndryshon edhe kufij dhe rrënon shtete...Sot edhe Peter Handke (adhuruesi i Millosheviçit) fitoi një Çmim për dramaturgji nga teatri i Kaizerlautern të Gjermanisë.

Vendimi për ne nuk ishte i drejtë, sepse nga i rrahuri, nuk mund të kërkohet  vazhdimi i lojës. Kjo së paku nuk duhej kërkuar. Ata nuk ishin boksierë, por futbollist. Këtë e dinte UEFA. Racizmi serb u shpërfill. Paaftësia e policisë serbe për të penguar hyrjen e publikut agresiv, u shpërfill. U shpërfill edhe rrahja e lojtarëve nga policët, nga ata që duhej t' i mbronin. Publiku serb do të vazhdojë kështu edhe ndaj skuadrave tjera dhe herën tjetër, do të përmendet ky racizëm i pandëshkuar.

Megjithatë, edhe kryetari Federatës Shqiptare, pat deklaruar se miqësia me Serbinë është më e rëndësishme, se sa kush fiton lojën. Mesazh më të mirë për UEFA-në nuk ka pasur. Ai nuk ishte mesazh sportiv, por politik. Serbia do të vazhdojë të përkëdhelet nga Europa dhe çdo ditë është duke marrë miqtë që i kishim ne, jo pse ajo e meriton, jo pse është demokratizuar vërtetë, por pse ne po tregojmë sa mosmirënjohës jemi.

Pas ngjarjeve të marsit 2004 në Kosovë, pak njerëz në Perëndim kanë vazhduar të mbajnë qëndrimin në favor tonin. Gjithnjë e më shumë kuptohet Serbia. Ajo edhe në BE do të pranohet pa u shoshitur aq shumë shkoqur si Shqipëria dhe Kosova.
Nuk dihet a do të ketë mundësi Edi Rama për ta bërë Shqipërinë shtet që respektohet brenda dhe shtet që respektohet jashtë, por Kosova nuk ka këtë mundësi sepse nuk ka asnjë kandidat, që do ta konsideronte Perëndimi me dinjitet. Aty ka hajna ose të korruptuar. Do t' ishte më mirë të bëhej një grua kryeministre dhe Kosova të aprovonte një ligj për miqësinë me SHBAt siç propozoi Neritan Ceka më duket, për Shqipërinë dhe SHBA-të...

Kosova muk perceptohet si shtet as nga politikanët e vet, as nga populli. Aty vjedh kush mundet dhe vajtojnë të gjithë. Një palë pse ka vjedhur pak, tjetra se nuk mbeti gjësend për të vjedhur. Kosovën e ka ngulfatur meritokracia, sepse atje nuk kanë zënë vendet ata që dinë të ndërtojnë shtet, por ata që e kanë merituar në vitet e 90, prandaj kemi një shtet fisnor, jo urban, ku shteti mund të shembet, por pa pozitë, nuk largohet burri i dheut.

Kosovës i mungon një parti politike me orientim të qartë perëndimor, siç ishte LDK e Rugovës. Kjo që ka mbetur, kjo mbetje, kjo mbeturinë makiaveliste, është në fazën e shpërbërjes dhe rrënimit. Ky subjekt politik, nuk e meriton të quhet parti, sepse anëtarët e saj, nuk njohin programin e vet.

Mund të thuhet edhe kjo: nuk ka qenë vetëm flamuri i fluturar në stadium që ka çartur serbet, por ata Shqipërinë e madhe e kanë përjetuar fillimisht në skuadrën e Shqipërisë dhe kanë konstatuar pafuqinë e tyre për ta penguar. Kjo duket se ka ndikuar në çoroditjen e publikut dhe qeverisë serbe. Në deklaratat e politikanëve serb lexohej dëshira e tyre e flakët për ta shpëtuar njerëzimin tok me huliganët nga kjo ngrehinë kobzezë, Shqipëria e Madhe, që ata po e përjetonin në stadium, që rrezikon planetin tonë më shumë se ndryshimi i klimës apo bombat atomike.

Ky vendim u ka dhënë mundësi disa njerëzve në UEFA të tregojnë simpatinë e tyre ndaj Serbisë, jo ndaj futbollit. Në atë vendim shihet mosdurimi, mospajtimi dhe paragjykimet ndaj nesh dhe ajo ngjarje, u dha një mundësi për të shfryrë mllefin e grumbulluar. Sikur t' ishin marrë faktet seriozisht në konsiderim, atëherë kurrë nuk do t' ishte marrë një vendim politik kaq i balancuar.
Të pranojmë humbjen në mënyrë sportive dhe ecim para duke u falur të gjithëve, por duke mos harruar kurrë. Nuk luhet top aty ku të ndalohet publiku i pafajshëm, nuk luhet top aty ku të ndalohet flamuri. Nuk luhet futbolli aty ku të ndalohen edhe shenjat që simbolizojnë përkatësinë etnike. Ta pranojmë këtë humbje edhe në favor të stabilizimit të Serbisë në Europë duke mënjanuar mundësinë që ajo të na sjellë Rusinë në kufi. Ia vlen të bëhet kjo sakrificë.

Sidoqoftë, presidenti i Federatës Shqiptare duhet të jap dorëheqeje. Ai u kthye në shtëpi me lojtarë të rrahur, poshtëruar dhe nuk diti të mbrojë skuadrën shqiptare as në Beograd, as pranë UEFA-së.

Gazeta DITA

Keine Kommentare: