23.10.2014

Flamuri serb në Tiranë

Kryeministri serb akuzoi përsëri Shqipërinë se nuk paska qenë në gjendje të parandalojë një flamur gjoja të Shqipërisë së Madhe. Nuk qenka detyrë e organizatorit të merret me mirëvjatjen e lojës, por paska qenë detyrë e qeverisë shqiptare të kontrollojë diku mbi shtatë milion shqiptarë, se mos dikujt i bie në mend të vizatojë diçka. Në anën tjetër, kurrë në Europë nuk është ndaluar flamuri i një skuadre kundërshtare.

Në qoftë se është ashtu, atëherë pse Serbia nuk qe në gjendje të parandalojë Irinejin, kryepopin e kishës ortodokse serbe, që shpalosi flamurin e Serbisë në shkallët e katedrales “Ngjallja e Krishtit.” Zakonisht gjatë tubimeve fetare, nuk përdoren flamuj nacional, por popi serb, e bëri për të provokuar, për mburrje. Dhe, shumë serb e lavdëruan. Ne nuk rrahëm asnjë. Nuk vrapuam me karrige kundër asnjë serbi. Ngjarja nuk na pëlqeu. Arsyeja? Sepse nuk e bëri një serb i pashkolluar, por kryepopi i Serbisë. Ishte provokim i qartë, megjithatë nuk bëmë aq potere sa të çuditen bota. Ndërkaq, flamurin në Beograd, e solli një tifoz shqiptar, ndoshta edhe i pezmatuar shumë nga ndalimi i flamurit shqiptar, nga ndalimi i simboleve shqiptare dhe nga ndalimi i publikut shqiptar. Serbia po luante me Shqipërinë duke përjashtuar tifozët shqiptar, por duke toleruar një hordhi të radikalëve brenda. Madje edhe ish të burgosur. Me këto ndalesa, Qeveria serbe tregoi se ajo dëshiron të integrohet në BE me fashizmin dhe racizmin e vet. Jo vetëm ashtu si ishte në kohën e Millosheviçit, por edhe me njerëzit dhe ideologjinë e Millosheviçit.

Deklaratat që kanë bërë qeveritarët dhe autoritetet serbe këtyre ditëve, tregonin katërçipërisht se Serbia, nuk kishte ndryshuar. Ajo vazhdon të akuzojë botën, vazhdon të urrejë fqinjët dhe në fjalimet e tyre, lexohen dëshirat hegjemoniste dhe përpiqen vazhdimisht të imponohen si forcë garantuese e paqes, edhe pse askush nuk dëshiron këtë. Edhe pse askush nuk e kërkon këtë. Serbia akoma nuk ka kuptuar se nuk ka peshën e Jugosllavisë dhe është më e vogël se sa disa shtete në Ballkan. Ballkani nuk ka nevojë për fuqi regjionale, për parada ushtarake, parada ushtarake të një ushtrie që ka humbur katër luftëra. Asnjë vend perëndimor nuk bën ekzibicionizëm të tillë ushtarak, gazetat serbe madje mburreshin me çantën atomike të Putinit se për një ditë, Serbia u bë forcë nukleare.

Gjatë leximit të gazetave serbe dhe komenteve për të kuptuar se si i punon rradakja popullit, mbeta i tmerruar. Në ato gazeta që konsiderohen si të moderuara, nga 100 komente, mezi gjendej një që gjykonte gjendjen në mënyrë objektive. Aty shihej se Serbia po qelbej në filozofinë politike të Millosesheviçit dhe Sheshelit dhe nuk kishte kuptuar se në çfarë derexhe ndodhet. Serbia përkundte dhe mëshironte veten në viktimizëm. Për herë të parë, pas më shumë se një dekade, deklaratat e qeveritarëve serb, më bënë të ndjehem krenar me politikanët e këqinj kosovarë: ata janë hajna, të korruptuar, makivelistë të përkryer, por politikanët tanë janë më të mençur, më finok, më dinak dhe jo ashtu budallenj plakativ, budallenj pa shesë për shërim dhe jo racist dhe jo fashist. Dhe, kjo jep shpresë, sepse hajnat largohen me një dëm material, por fashistët me dëme të mëdha njerëzore.

Sidoqoftë u konstatua një e vërtetë nga Kryeministri Rama. Luftën psikologjike e fituan. Me gënjeshtra, me teza dhe antiteza u morën me distribuimin e rrenave dhe arritën para bote të shfaqen si viktimë. Edhe pse ata i këndonin vdekjes gjatë lojës, porosisnin kufoma dhe ishin në shtëpinë e tyre me 3.500 xhandarë.

Po cili ishte faji jonë? Nuk duhej udhëtuar për Beograd kur ajo përjashtoi simbolet kombëtare, sepse në lojëra sportive, ndërmjet shteteve flamuri gjithmonë është i pranishëm. E dyta, lojtarët shqiptarë nxituan ta marrin sepse ai flamur, edhe pse jo i joni në tërësi, na simbolizonte neve dhe ai nuk duhej të përfundonte në duar e kundërshtarëve. Ata që rekomandojnë heshtjen dhe mosreagimin, po të kishte ndodhur siç dëshirojnë ata, do të kishin kritikuar tutën dhe mungesën e ndjenjave nacionale se nuk kanë mbrojtur si duhet flamurin kombëtar.

Në një shtet normal, me një Qeveri normale, me një publik normal, atë flamur do ta kishte konsideruar lodër, çfarë edhe ishte, por kurrë jo provokim. Në komunizëm dhe fashizëm flamujtë e armiqëve të ideologjisë janë konsideruar provokim. Në atë shtet, që konsideron veten shtet të përfunduar dhe me krenari nacionale shtetërore, 3.500 xhandarë serb, nuk arritën të ndalojnë dhjetëra huligan të futen në stadium edhe me karrige të marrin pjesë në rrahjen masive të lojtarëve kundërshtarë, që kishin shkuar të luajnë futboll, por që u bë viktimë e një koncerti fashist me një himn, që përsëritej për vrasjen e tyre. Edhe këtu është dashur të ndalet loja. Ai publik dhe ajo heshtje stoike e policisë serbe, ishte e denjë për një rend fashist, por këtë asnjë qeveritarë serb nuk e kundërshtoi, por iu bashkëngjitën vandalëve dhe huliganëve në stadium. Asnjë qeveritarë serb nuk akuzoi policinë dhe shtetin serb për rrahjen e lojtarëve nëpër korridore. Sipas tyre, e kishin merituar.

Nuk përfundoi tek rrugaçët serb. Kryetari i Serbisë, krye-rrugaçi, tha se Shqipëria nuk bëhet shtet. Shteti shqiptar nuk qe i pranishëm aty, as policia shqiptare, as administrata. Nuk kishte pse të vlerësohej apo gjykohej shteti shqiptar. Atje ishte i pranishëm populli serb, publiku serb, shteti serb, policia serbe dhe një shqiptarë me një fluturake dhe një telekomandë. Vetëm një ballist ishte në Serbi. Sikur të mos kishte qenë krye-rrugaç ordinder Nikoliçi, atëherë do të kishte kërkuar ndjesë, sepse shteti shqiptar nuk mund të ishte i pranishëm në Beograd , nuk mund të akuzohej dhe fundi i fundit, shteti shqiptar nuk ka asnjë kriminel në Hagë.

Politika serbe tregoi se nuk ka kapërdirë rolin e Ramës në Berlin dhe qëllimi ishte që ai ndërkombëtarisht të denigrohet duke akuzuar vëllanë e tij. Pas atyre akuzave, ata ishin të bindur se Perëndimi do të pajtohej me ta dhe Rama akuzohej si nxitësit i vëllait. Ja pse shahej shteti shqiptar. Perëndimi mirëpo e detyroi Kryeministrin serb. Për Edi Ramën nuk do të jetë lehtë të flasë me pinjollët e Millosheviçit dhe Sheshelit. Në fakt vizita do të krijojë një datë të re, por me politikan që në formimin e tyre kanë rrënjët në radikalizëm, nuk është lehtë. Serbia ka treguar tash e një shekull se ndryshon bindjet vetëm kur detyrohet. Ajo jeton dhe manipulon popullin se Kosova është akoma e saj; se pritet një ditë të ndryshojë gjendja, se e kanë humbur për disa shekuj dhe rifituar dhe se do ta rifitojnë, jo vetëm me serbet trima në Serbi, por me ndihmën e shumë trimave edhe në Kosovë, që me përkushtim të madh punojnë kundër Perëndimit.

Irrituese këtyre ditëve ishte edhe qëndrimi i disa publicistëve shqiptarë, që me forcë dhe inat kanë bindur veten se kombi nuk ekziston dhe se kombi nuk duhet apo mund të ndryshohet me teori staliniste dhe se ekziston vetëm qytetari. Kur luan Gjermania, mbushen ballkonet me flamuj gjerman, por këtij populli, nuk i pengon as flamuri italian, serb, apo shqiptar në ballkoni e fqinjit, e as i Polonisë së Madhe apo Francës së Madhe. Do t' interesonte Qeverisë gjermane nëse Qeveria franceze valon një flamur të tillë, por jo kur e bënë atë një kloshar fancez.

Kur i dëgjon këta patriot të internacionales, që bërtasin këngën komuniste “proletarë të të gjitha vendeve bashkohuni” dhe se nuk ekziston kombi, njeriu që jeton jashtë habitet pse francezi ndjehet krenar me përkatësinë e vet kombëtare, anglezi, polaku, zvicerani, amerikani, meqenëse jemi tek amerikanët, Got bless America,... etj. Kur lexon se si shkruajnë apo gjykojnë internacionalistët tanë, atëherë të duket se kanë ikur në ardhmëri me ndonjë raketë teorike staliniste dhe po na mbajnë leksione nga shekulli XV për materializmin dialektik dhe për shuarjen e kombeve europiane. Meqenëse të parët në botë i ndaluam zotit ekzistencën, të parët mund ta ndalojmë edhe përkatësinë kombëtare.

Të gjykohet dhe përgojohet sjellja e lojtarëve shqiptarë nga divani, por shpërfillësh mjedisin ku ndodheshin lojtarët, domethënë të pezullohet natyra njerëzore dhe trajtohet si një qenie bosh dhe pa emocione dhe pa vullnet të vetin. Nuk është meteorolog i mirë ai që thotë dje ka rënë shi, por ai që tregon se kur do të bjerë shi. Shkurt e shqip, nuk është dijetarë ai që gjykon në kokërr të shpinës ngjarjet e përfunduara, jep rekomandime, këshillon e shkëshillon, por ai që zotëron gjendjen dhe veten në çastin e duhur. Për fat të keq, me këtë cilësi, pak ballkanas mund të krenohen. Kjo nuk bën pjesë në edukatën e ballkanasve. Gjendja e popullit serb është për keqardhje, si edhe e jona në Kosovë. Një popull dhe shpirti tij kuptohet, kur të shihet se çfarë njerëz ka votuar.
Një popull që urren, është i sëmurë. Tek individët thonë psikologët ndikon në lindjen e kancerit, tek popujt sigurisht krijon aberracione dhe trauma kolektive...

Keine Kommentare: