12.03.2023

Me 15 minuta më pak në ditë, përmirësohet shëndeti

Nëse njerëzit zvogëlojnë kohën e kaluar në mediat sociale vetëm për 15 minuta në ditë, do të kenë një përmirësim të imunitetit dhe do të jenë më të mbrojtur nga gripi dhe ftohja. Përveç kësaj, cilësia e gjumit përmirësohet dhe simptomat e depresionit bien.

Një studim i ri nga ekspertët në Universitetin Swansea shqyrtoi sesi zvogëlimi i kohës që kalohet para ekranit të celularit, përmirëson shëndetin dhe mirëqenien. Rezultatet janë publikuar në "Journal of Technology in Behavioral Science" në gjuhën angleze.


Pesëdhjetë pjesëmarrësve iu kërkua të plotësonin pyetësorë të ndryshëm në lidhje me shëndetin e tyre, imunitetin, vetminë, gjumin, ankthin, depresionin dhe kohën e kaluar në mediat sociale.


Këta individë u ndanë në grupe të ndryshme. Njëri grup përdorte celularët si më parë, ndërsa pjesëmarrësve të grupit të dytë iu udhëzua të përdornin celularët 15 minuta më pak në ditë.


Në grupin e tretë, pjesëmarrësit duhej t’i kalonin 15 minuta më pak në ditë në mediat sociale dhe në vend të kësaj, të merreshin me aktivitete tjera, çfarë rekomandonin studiuesit, për shembull si leximi ose aktivitete sportive.


Pas tre muajve, pjesëmarrësit plotësuan përsëri pyetësorët e  lartpërmendur për të parë efektet e mundshme të përdorimit të kufizuar të celularëve në shëndetin fizik dhe mirëqenien psikologjike.


Ekspertët zbuluan se pakësimi i përdorimit të mediave sociale me 15 minuta përmirëson funksionimin e imunitetit për 15 për qind, që ndikonte në mbrojtje nga gripi, ftohjes dhe lythat.


Përveç kësaj, cilësia e gjumit u përmirësua 50 për qind dhe simptomat e depresionit u ulën për 30 për qind, shton ekipi, që u mor me këtë studim.


Pjesëmarrësit që u desh të përdornin celularët e tyre 15 minuta më pak në ditë, vullnetarisht e zvogëluan përdorimin për rreth 40 minuta në ditë. Në anën tjetër, grupi me përdorimin e zakonshëm të celularit, kishte kaluar dhjetë minuta më shumë në ditë në celular.


“Këto të dhëna tregojnë se jeta e njerëzve që kufizojnë përdorimin e tyre të mediave sociale mund të përmirësohet në shumë mënyra – duke përfshirë përfitimet për shëndetin e tyre fizik dhe mirëqenien psikologjike”, tha autori i studimit, profesor Phil Reed në një deklaratë për shtyp.


Pjesëmarrësve që iu udhëzua të kufizonin përdorimin e mediave sociale dhe të bënin diçka tjetër, kishin kaluar më shumë kohë në mediat sociale. Kjo domethënë se ata refuzonin sugjerimet dhe udhëzimet. Prandaj, ka më shumë kuptim t'u jepen përdoruesve të gjitha faktet dhe më pas të lihen për të vendosur vetë se si duan të zvogëlojnë kohën e kaluar në rrjetet sociale, thotë doktori.


Përdorimi i mediave sociale është rritur shumë vitet e fundit dhe, sipas studiuesve, shoqërohet me efekte negative për shëndetin dhe mirëqenien.


Megjithatë, rezultatet e reja tregojnë se vetëm 15 minuta më pak përdorim i mediave sociale në ditë shoqërohet me përmirësime të konsiderueshme për shëndetin e përgjithshëm dhe funksionimin e imunitetit. Në të njëjtën kohë, frika dhe depresioni i pjesëmarrësve kishin rënë dukshëm. 


Nga gjermanishtja Lis Bukuroca


Te lulu: Kuptimi i jetës  mund  të porositet nga 150 vende të botës. Libri gjendet edhe nëpër shumë librari tjera.

Te amazon Kuptimi i jetës


Keine Kommentare: