02.11.2015

Neveri vetëm, Zëri

Mendimi më i çuditshëm që lexova këtë muaj. Hashim Thaçi: „Opozita po dëmton imazhin e Kosovës.“ Dhe njeriu mendon se Thaçi jeton në ndonjë planet tjetër dhe nuk paska marrë vesh se Kosova ka mbetur pa ftyrë, si në fakultete, si nëpër spitale, si nëpër gjykata, prokurori dhe në përgjithësi në administratë.

Gjykata Kushtetuese do të konstatojë këtë: Qeveria e Kosovës ka vepruar në përputhshmëri të plotë me Kushtetutën e Kosovës. Me këtë legjitimohet marrëveshja, por problemi nuk zgjidhet.

Opozita nuk do të pajtohet. Ajo ka ndërmend të qërojë një llogari edhe me Isa Mustafën.


Serbia thotë Kosova nuk është shtet dhe është e tyre, por në Kosovën e vet, që nuk është shtet, kërkon autonomi për serbet. Politikanët tanë dihet se janë zvarranikë dhe hajna, por këta të Serbisë, janë psikopatë. Dhe, kur takohen psikopatët me zvarranikët dhe hajnat, kurrë njeriu nuk din se çfarë kanë ndërmend.

Meqenëse Serbia alarmohet për dërgimin e marrëveshjes për Bashkësinë në Gjykatën Kushtetuese, atëherë nuk ka nevojë të shtohet se me atë Bashkësi, ka arritur një fitore të madhe.

Ata që piskasin se prania amerikane është pushtim, le të kërkojnë me protesta largimin e tyre dhe të mos kthehen fare në shtëpi, por le të presin në shesh me tupana dhe festojnë kthimin e ushtrisë serbe në Prishtinë.

Kosovës nuk i duhet më Hashim Thaçi, i duhet familjes së vet. Nuk i duhet Haradinaj, i duhet familjes së vet. Nuk i duhet Limaj, i duhet familjes së vet. Nuk i duhet Albini, i duhet familjes së vet. Kosovës nuk i duhet aspak Mustafa, i duhet familjes së vet. Këta kanë bërë mirë dhe keq, por kanë përfunduar misionin e tyre. Këta punojnë vetëm për vete. Kosovës i duhet brezi i ri që adhuron dhe nderon shtetin më shumë se religjionin, më shumë se zakonin, më shumë se traditën. Kosovës i duhen politikan shtetformues, jo klanformues. Kanë pasur të gjithë shansin, por kanë dëmtuar popullin ekonomikisht si edhe Jugosllavia. Koha e tyre tashmë ka perënduar. Aq sa më shpejt ta kuptojnë ata këtë, aq më mirë për shoqërinë dhe vendin.

Perëndimit nuk i hante palla pse po ndërtohej kalifati islamik, por se mund t'i rrezikohej Arabia Saudite, pompa e benzinës. Putinit nuk i intereson aspak Assadi, por i hakmerret Perëndimit për Ukrainën dhe dëshiron të shfaqet si superfuqi, pas ofendimit dhe degradimit nga SHBA si fuqi rajonale. Hashimit nuk i intereson Bashkësia Serbe, por i intereson shumë pozita e ardhshme.

Mustafës nuk i intereson shumë Kosova, por i intereson ruajtja e postit deri në fund të legjislaturës.

Albin Kurti është Tarzan. Ky ka shumë të drejtë, por Kosova është nën protektorat. Nën të, nuk mund të bëhet asgjë, kundër nuk mund të bëhet gjë, ata garantojnë mbijetesën e shtetit.

Në kohën e Fatmir Limës u zhdukën qindra milion euro. Populli e ka votuar. LDK ishte partia europiane, tani nuk merret vesh se çfarë orientimi ka, duket parti shamanësh. Ali Ahmeti është garantues se Marrëvesha e Ohrit nuk do të zbatohet kurrë. Menduh Thaçi është garantues i hegjemonisë maqedonase. Politikanët e Luginës janë garantues se barazia e shqiptarëve nuk do të arrihet. Nuk duhet të dëshpërohemi. Njerëz më të mirë nuk kemi. Këta që kemi, nuk dinë më shumë. Nuk mund të akuzohet dikush pse nuk din, por mund shumë të akuzohet ai që voton ata.

Kur e ke gjyqësorin të korruptuar, kur e ke universitetin të korruptuar, kur i ke mjekët e korruptuar, atëherë ke qeveri kriminelësh. Mos u dëshpëro, i ke votuar vet apo nuk ke votuar njeri se nuk të interesonte se kush drejton vendin.

Kosova është në gjendje tepër të rëndë psikike. Nuk mund të përkrahet një Qeveri zvarranikësh në shërbim të vetvetes dhe nuk mund të përkrahet kjo opozitë revolucionare. Zakonisht situata të tilla krijojnë mundësi për shfaqjen e liderit të ri, që nuk vjedh si qeveritarët, që nuk zvarritet si ata dhe që nuk shkatërron si opozita. Opozita tani për tani po përforcon Qeverinë ndërkombëtarisht dhe krijon viktimë nga ajo. Me injorancën tonë, rehabilituam Serbinë. Me arrogancën e opozitës, do të rehabilitohet të korruptuarit, kriminelët me pozita dhe hajdutët nëpër qeveri. A ka potencial Kosova të nxjerrë një princ të urtë tani, që tani kap për kërpeshi qeverinë kleptokrate dhe që kap për frena opozitën, nuk dihet, por i duhet. As Qeveria, as opozita nuk kanë parasysh interesin nacional, por interesat fisnore partiake.

Serbia akuzon Kosovën se ka shpallur pavarësi të njëanshme. Unë nuk njoh asnjë shtet në botë, që ka shpallur pavarësi të dyanshme. Meqenëse se Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së, atëherë Kosova nuk duhet të pranojë asnjë bashkëbisedim, pa pushuar ajo me sjelljen armiqësore.

Kosova për shkak të serbeve ndryshoi flamurin, bëri gjuhë zyrtare serbishten, krijoi himnin pa asnjë fjalë për të mos shqetësuar serbet, hoqi dorë nga bashkimi dhe u shpall shtet multietnik me diku dhjetë për qind pakica. Kujt i duhej ajo Bashkësi Serbe në shtetin gati homogjen, por me ligj multietnike? Serbia shtet nacional serb me diku 30 për qind kombe tjera, Maqedonia shtet nacional maqedonas me më shumë se 40 për qind kombe tjera. Mali Zi me 45 për qind malazez, 28 për qind serb, 8 boshnjak, 4,9 shqiptarë, 3, 31 myslimanë në kuptimin etnik, romë, kroat dhe 8 për qind pa përkatësi etnike, shtet jo multietnik, por shtet malazias. Diskriminim kanë pranuar dhe firmosur politikanët shqiptarë. Asnjë Zvarranik i joni nuk ka dhënë dorëheqje për qëndrime parimore. Më shumë se 2.000 vjet kemi qenë vasal, nëse nuk na shtypin, nënshtrohemi dhe përulemi vullnetarisht.

Kur Kosova të aprovojë në ligj se shteti sekuestron pasurinë, që nuk i njihet burimi. Kur Kosova të marrë seriozisht doktoraturat dhe të zëvendësojë plagjiatorët me profesorë të vërtetë. Kur Kosova të arrestojë gjykatësit dhe prokurorët që sillen si kadi. Kur Kosova t'i riedukojë apo arrestojë mantelbardhët fytyrë zi, që pasurohen me dhembjet e qytetarit, atëherë dhe vetëm atëherë mund të thuhet se Kosova po ndërton ardhmërinë, shtetin ligjor, e jo fisnor. Tani për tani po shtiremi se po bëjmë shtet. Shtet me ligje që nuk obligojnë njeri. Tani për tani është improvizim tragji-komik i shtetit.

Sikur të kishim respektuar ligjet e Kosovës më shumë se të Jugosllavisë apo sa të Jugosllavisë së paku. Sikur ta kishim vjedhur Kosovën së paku si në kohën e Fadil Hoxhës. Sikur gjyqtarët të ishin së paku po aq të korruptuar sa ata në kohën e Ali Shukrisë. Sikur mjekët të mos kishin vejdhur më shumë se në kohën e Sinan Hasanit, atëherë, do t'i kishim punët më mirë. Në shumë sfera po e dëmtojmë ardhmërinë e Kosovës me duart tona, siç do ta kishte bërë edhe një armik. Një njeri që adhuron Kosovën, nuk toleron as vjedhje të parasë publike, as gjykatës të korruptuar, as profesorë me doktoratura të blera (këtu rrënohet ardhmëria), e as veterinarë të njerëzve.

Ndoshta po bëjmë mëkate duke sulmuar politikanët e Kosovës. Ata janë të gjithë të traumatizuar dhe nuk besoj se ndonjëri është trajtuar apo ka bërë një terapi. Në gjendje lufte e pushtimi çnjerëzor, çdo njeri normal pëson një çrregullim shpirtëror: dikush duke përjetuar luftën, dikush duke luftuar, dikush nga burgu. Ne nuk jemi në gjendje akoma t'i kuptojmë lëndimet shpirtërore që mund të shkaktojë një gjendje jo normale, por mund vetëm të konstatojmë vendimet jo normale,me kopjimin e pushtuesit në shumë fusha dhe mënyra. Në qytetërimin normal një polic kur ka të bëjë me një të vrarë, merr pushim dhe për një kohë trajtohet nga një psikolog. Bën vetëvrasje një nxënës, trajtohet krejt shkolla nga psikologët për ta përpunuar atë ngjarje dhe tragjedi. Këto janë arsye që flasin për domosdoshmërinë dhe urgjencën e profilizimit të brezit të ri.

A është në gjendje psikike të shëndoshë Hashim Thaçi? “Më i rrezikshëm është një deputet i dehur se një shofer i dehur sepse një deputet i dehur merr në qafë një popull me veprimet e veta!”H.Thaçi.
Një shofer i dehur mund të bëjë një aksident dhe të vrasë dhjetëra veta. Çfarë mund të bëjë një deputet i dehur? Ai mund të marrë gurë me vete, mund të marrë shumë vezë me vete, ndonjë shishe me raki, shumë lotsjellës, ose mund të bërtasë në Kuvend: "ma hongsh hashimin", ose "ti je kriminel!"
Po si mund të merret në qafë një popull që nuk është në Kuvend nga një deputet pijanec, që mezi mbahet në këmbë, këtë nuk e shpjegoi, e la popullin në pasiguri të madhe, ta imagjinojë vet se si mund të merret në qafë dhe ishte një thirrje e tërthortë të ngrihen në këmbë për ta shpëtuar Kosovën nga një pijanec deputet. (një psikolog do të kishte thënë: Hashimi përpiqet tutën e vet dhe trishtimin e vet, t'ia imponojë popullit)

Sigurisht edhe Homeini ka trishtuar kështu popullin nga alkoholi dhe ka ndaluar atë duke arsyetuar se një pijanec, ka aftësi ta fundosë Iranin dhe ta bëjë një birë të madhe Azi. Sikur populli të merrej në qafë me një pijanec, atëherë Sali Berisha do t'i kishte pasur sot në qafën e vet të trashë diku tre milion shqiptarë të varur, sa nuk do të kishte mundur më të përrallisë në fb, sepse nuk do ta kishte parë as tastierën...Mendimi i Thaçit është mendim komunist në strukturë logjike dhe bindje, por i shprehur me fjalë tjera, ju kujtohen fjalitë e tipit: "Armiku gjendet brenda nesh dhe po përgatit komplote, klasa punëtore dhe avangarda duhet të jetë vigjilente..."

Albini shumë herë ka të drejtë, por pse nuk i
bashkëngjitet populli? Ku gjendet gabimi? Gabimi i madh nuk është tek shtjellimi teorik i ngjarjeve dhe diagnostifikimi i fenomeneve në shoqëri, por tek veprimi, sjellja e papranueshëm për shumicën. Kanë të drejtë por metodat janë të huliganëve. Rugova ishte viktimë dhe sillej si viktimë dhe pranohej nga bota. Ai dinte shumë mirë hallin tonë. Të kesh të drejtë, por të mos bashkëngjitet populli masovikisht dhe të refuzohesh nga bota, është dështim i madh politik.

Davutoglu nuk ka edhe aq shumë faj që na ka quajtur mbeturina osmane. Kur ka dëgjuar emra Osman, Mehmet, Murat, Orhan, Bajazit, Selim, Sulejman, Mahmut, atëherë mund edhe të mendojë ashtu, sepse ata ishin sulltanë të Perandorisë Osmane. Nuk ka faj Davutoglu. Nëse gjejmë një popull me emra Fatmir, Bardhyl, Lindita, Faton etj. edhe ne do t'i quanim mbeturina shqiptare.


Ali Ahmeti: "Mos zbatimi i marrëveshjes mban peng të ardhmën e vendit"
Ka shtatë vite që është në koalicion me partinë maqedonase, që nuk lejon zbatimin. Kjo domethënë se për moszbatimin mban fajin pikërisht Ali Ahmeti, ndryshe do të kishte dalë nga qeveria që diskriminon shqiptarët.

Ai lufton për demokraci jashtë, ai lufton për shtet ligjor, ai quan veten intelektual, por në shtëpinë e tij, nuk pranohet asnjë ligj i demokracisë. Ai shtyp gruan e vet në shtëpi. Ai nuk pranon barazinë gjinore, as lirinë e mendimit. Ai diskriminon fëmijët e vet. Ky është kryehipokriti i shoqërisë shqiptare, ky është rrënuesi i ardhmërisë sepse është model par exellence i njeriut që saboton shtetin ligjor, kushtetutën, shkurt e shqip, rendin demokratik. Ky hibrid njeri, gjoja intelektual, është kanceri i shoqërisë shqiptare.

"Krejt në fund, pa modesti dhe me realizëm. Unë jam i gatshëm të shkoj në Paris për të lobuar. Unë njoh dhe kam miqësi me shumë kryetarë shtetesh...Do preferoja të kordinoj punën time me kryeministrin, me presidenten dhe ministrin e jashtëm...dua ta shoh Kosovën të anëtarësuar në UNESCO." Bexhet Pacolli
Shko jo vetëm në Paris, por kudo që ka nevojë dhe mos i trego popullit se çfarë je në gjendje të bësh, nuk jemi para zgjedhjeve, por kryeje obligimin ndaj vendit dhe pastaj tregoi se çfarë bëre.
Çfarë nevoje paska koordinimi me Qeverinë, kur njeh president dhe kryeministra? Ti me këtë deklaratë publike, po bën si ata që i falin një familje një kg. makarona, një kg sheqer dhe pastaj fotografohen me mjerimin e tyre, për t'i fituar 10 kg sheqer dhe 10 kg makarona...

Nëse vërtetë donë Kosovën, nisu, nuk ke shumë kohë për koordinime dhe për fryrje, krekosje publike pa modesti. Serbia po punon kundër me pasion, ti po kërkon mirënjohje nga qeveria për punën që paske ndërmend ta bësh. Një këshillë me zë të ulët: lobimi nuk bëhet në Paris, sepse Franca e ka pranuar, ambasadorët që mund të takohen aty, nuk kanë atë të drejtë vendimmarrje. Pra shko e tako qeveritarët. Ata vendosin se a votohet për Kosovën apo jo. Dhe ata qeveritarë, nuk kanë rezidencat e tyre në Paris.

Keine Kommentare: