25.11.2015

Vlerësohet opusi shkencor i profesor Ruzhdi Ushakut

Nga profesor Basri Çapriqi 
Mirënjohja me të cilën Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka dekoruar Profesor Ruzhdi Ushakun është një gjest akademik me të cilën ky institucion i lartë i shkencës shqiptare vlerëson punën shumëvjeçare e tejet me vlerë të një shkencëtari të palodhur nga fusha e filologjisë e të albanologjisë.

Unë që e kam përcjellë me vëmendje punën kërkimore shkencore të profesor Ushakut e që shpesh kam pasur privilegjin të thellohem bashkë me të në argumentime gojore që ai i bënte me shumë pasion secilit kërkim të ri e secilit rezultat të ri shkencor, kam arsye shtesë të përgëzoj këtë gjest të Akademisë si një hap intelektual e akademik me ç'gjë vlerësohet një kontribut me vlerë për shkencën shqiptare për të cilin jam shumë i sigurt se tashmë ka hyrë në fondin e artë të dijes e të shkencës kombëtare.
Shkencëtarët si prof. Ushaku nuk marrin shumë dekorata e mirënjohje për punën e vetë. Ambienti ynë kulturor e intelektual që është i prirë të vlerësojë jovlerat e të zhvlerësojë vlerat e njëmendta e ka të vështirë të vërejë e të njohë punën e një kërkuesi modest në jetë por me shumë durim e invencion të madh në punën e tij shkencore sic është rasti i profesor Ushakut.
Shkencëtarët si Ushaku nuk lejojnë me asnjë çmim që të devijojnë, tjetërsojnë, instrumentalizojnë të vërtetën shkencore e as që lejojnë t’i nënshtrohen audiencës parashkencore me pritshmëri pragmatike të momentit.
Prandaj edhe çmimet e vlerësimet për ta janë të vona por kanë peshë të madhe për intelektualin që ka durimin të presë duke kaluar këtë rrugë të vështirë pa u ndikuar nga pritshmëritë që kërkon audienca që nuk njeh argumentin shkencor por do me çdo kusht rezultate pseudoshkencore që kanë të vetmin synim kënaqjen e pritshmërisë momentale të audiencës agresive parashkencore.
Fusha ku kërkon Prof. Ushaku me decenie të tëra është një fushë e pashkelur, shumë e hershme, një terren shkencor ku argumenti do gjetur me kërkime të detajuara që shpesh kapin periudha të tëra kohore ku dominon terri i dendur mbi dijen e mbi shkrimin.
Me një kulturë të pasur e të gjerë filologjike, me njohjen e shumë gjuhëve klasike e moderne prof. Ushaku ka arritur të hedhë dritë në terrene të pandriçuara më herët nga shkenca shqiptare po edhe ajo ballkanike. Ata që duan të thellohen në terrenin filologjik e kulturor të vazhdimësisë iliro – shqiptare, opusin shkencor të këtij shkencëtari me kredo të lartë shkencore do ta kenë ndihmesë të madhe e me vlerë.
Mirënjohja tjetër që profesor Ushakut i jepet nga Kuvendi i Ulqinit është një gjest qytetarie që i jepet njeriut i cili gjithë karrierën e tij intelektuale e shkencore e ka lidhur me lashtësinë e këtij qyteti, me pasurinë kulturore e shpirtërore të tij.
Kjo mirënjohje që vjen me një vonesë 25 vjeçare do kishte mbërritur edhe më herët nëse shkencëtari i pasionuar pas të vërtetës e pas argumentit do ta instrumentalizonte punën e tij intelektuale për interesat e momentit që kërkojnë gjykime arbitrare, pseudoshkencore, për të kënaqur e rehatuar instrumente që s' kanë të bëjnë me të vërtetën shkencore por me dokrra pseudo-patriotike.
Basri Çapriqi, lindur me 1960 në Anë të Malit-Ulqin. Ka mbaruar gjimnazin në Ulqin, ka studiuar Letërsin Shqipe në Univerzitetin e Prishtinës ku edhe ka magjistruar në Shkencat Filologjike. Është profesor i stilistikës në Fakultetin Filologjik në Prishtinë dhe kryetar i PEN Qendrës së Kosovës.
Veprat letrare:
-”Ylli me dy mijë unaza” 1983
-”Në fund të verës” 1986
-”Ma qet gjuhën” 1989
-”Mikrostrukturat e tekstit” 1990
-”Aksidenti i
orës shqiptare” 1993
-”Frutat bizare” 1996
-”Përmasat e kontekstit” 1997
-”The Grass On The Window”

Keine Kommentare: