19.11.2016

Agjitpropi i Kryetarit, zeri

Thaçi paska propozuar formimin e një kodi për dekriminalizimi e politikës. Shtetit që ka Kod Penal, nuk i duhen kode tjera, por vetëm nëpunës që zbatojnë ligjin. Kur kërkohet kod, synohet fitim i kohës, sepse njerëzit që ka punësuar elita politike e kriminalizuar, nuk do ta zbatojnë as kodin e ri. Kosova ka ministër të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë vetëm si improvizim administrativ. Si edhe qeverinë.

Kryetari din mirë se gjykatësit dhe prokurorët nuk janë punësuar për shkak të aftësive profesionale, por për shkak të lidhjeve fisnore: thjesht për të pamundësuar ndjekjen e kriminelëve në politikë. Në një vend ku njeriu për të vrarë veten ngul thikën 15 herë në trupin e vet dhe me këtë vetëmasakrim pajtohet edhe gjykata, nuk mund të thuhet se ka sistem gjyqësor dhe prokurori. Një sistem gjyqësor, që nuk ndjek shumë vrasës dhe shumë të korruptuar tash e shumë vite, kodin e ri do ta shpërfillte mu si edhe Kodin Penal.

Kosova nuk ka nevojë për paragrafë me iluzione dhe nene manipuluese. Kosova duhet të arrestojë ata që paguhen për zbatimin e ligjit, por që nuk e bëjnë. Arrestimet duhet nisur nga presidenca dhe qeveria. Edhe aty paguhen njerëzit, që vështrojnë dramën administrative.

Kryetari nuk propozon rishqyrtimin e të punësuarve në administratë, parapërgatitjen e tyre profesionale dhe zëvendësimin e atyre që kanë blerë vendin e punës, ose që iu është dhuruar për mos të mos ndjekur punëdhënësin, por ai propozon skicimin e shpresave. Gjoja qenka e mundur me mendime të reja, të luftohet krimi i vjetër. Thua se gjyqtari i korruptuar lufton vetveten si askund në botë, e thua se politika e kriminalizuar kërkon zbatimi e ligjit kundër vetvetes. Pse nuk kërkon të zbardhen shitjet e ndërmarrjeve publike dhe çmime banale?

Si mund të funksionojë një kod i ri nga një administratë themeluar nga komandantët, ku në kohë të luftës nuk kishin më shumë se 10.000 ushtarë, kurse sot kanë 46.000 veteranë të luftës? Sa u shitën dhe sa kushtonte statusi i veteranit, që do t'i kushtojë Kosovës më shumë se ushtria. Ajo armatë prej 46.000 ushtarëve, do të duhej të kishte pasur në Kosovën e vogël këtë shpërndarje: 10.000 ushtarë të UÇK-ës në Prishtinë, 10.000 në Mitrovicë, 10.000 në Gjakovë, 5.000 në Gjilan, 5.000 në Ferizaj dhe në gjashtë qyteza tjera nga 1.000.

Ke pasur kryetar këta ushtarë të ushtrisë i së cilës ishte drejtor politik, nëse po, si mund të arsyetohet se ajo armatë e madhe, nuk arriti të çlirojë asnjë qytet? Çfarë bënin 46.000 ushtarë në kohë lufte dhe në cilat kazerma ishin stacionuar? A nuk keni turp kur lexoni numrin e asaj armate kolosale?

E din kryetar se asnjë shtet në botë nuk është i drejtë, ku kriminelët merren me politikë? Nëse po, pse shpërfill rekomandimet e BE-së për të arrestuar kriminelët e mëdhenj, por angazhohesh për të shkruar përralla të bukura dhe akuzon Europën?

Keni parë kryetar si azilant i Zvicrës, si funksionon administrata në një shtet të së drejtës, nëse po, pse ndërtoni shtet me një administratë tribale? Pse kryetar mediat dhe populli njeh kriminelët dhe të korruptuarit, por vetëm ju politikanët nuk i njihni dhe nuk i përmendni kurrë? Dini kryetar se për të fituar një vend pune në administratën gjermane intervistimi bëhet nga pesë veta dhe për të punuar në një shkollë, nga një komision me tre veta, por shkolla vetëm rekomandon, kurse vendimi përfundimtar merret nga Drejtoria e Arsimit?
Kryetar, Kosovës i duhet vetëm një ligj dhe nëpunës me vetëdije shtetërore, që respektojnë ligjin. Ja si do të dukej ky kod: “Çdo nëpunës në vend drejtues, çdo politikanë, çdo deputet dhe personalitet publik, obligohet të dëshmojë prejardhjen e pasurisë!” Kaq! Pas këtij kodi, duhet ripërtërirë gjykatat dhe prokuroritë.

A do ta aprovonit një ligj të tillë? Nuk mund të besohet! Ju me kodin e ri përpiqeni të tregoni se ju jeni i pastër, por jeni i bindur se me ato përkufizime, do të konsumohej vetëm ngjyrë dhe letër, por nuk do të ndryshonte asgjë. Kryetar, imazhi i UÇK-ës nuk është rrënuar nga brenda dhe nuk mund të mbrohet nga jashtë. Me poshtërimin e saj jeni marrë Ju pas luftës, edhe atë, duke mbajtur fjalime dhe duke u krenuar me shokët e vdekur të luftës, duke u fotografuar pranë sakrificës së tyre. Ata nuk kishin ideal karrierën. Ata u flijuan për liri dhe shtet, jo për pasurim.

Kryetar, cili prokuror do të merrte guximin të ngre një akuzë kundër atij që i ka shitur vendin e punës? Cili gjykatës do të dënonte atë që i ka dhuruar vendin e punës? Kryetar, komunizmi dështoi si rend sepse ndalonte zëvendësimin e partizanëve me njerëz të dijshëm. Pse mendoni se Ju do të keni sukses, kur dështuan të gjitha ato shtete që kishin atë rend dhe kur me metoda komuniste, përpiqeni të mbani pushtetin deri në vdekje?



Keine Kommentare: