26.12.2016

Merreni me mend, Bota Sot

I. Presidenti gjerman Joachim Gauck i uroi popullit krishtlindjen nga zyra e vetë, ku e ka veshur me pushtet populli dhe kërkoi zemërimi të shndërrohet në forcë për të ecur para dhe të mos akuzohen të gjithë refugjatët. Politikanët shqiptarë, si zvarranik, shkojnë tek kleri me krejt pushtetin që u ka falur populli dhe urojnë klerikë, që nuk i ka votuar askush duke kaluar kredibilitetin, nga i votuari, tek i pavotuari. Ata vizitojnë ata që për nga detyra dhe besimi luftojnë për përçarjen e popujve, e politikani për nga detyra, duhet të punojë në mirëkuptimin në mes popujve. Politikanët tanë premtojnë lumturi për së gjalli, por lumturojnë veten; klerikët premtojnë lumturi pas vdekjes dhe lumturojnë veten për së gjalli. Përdorin njëri tjetrin për të fituar pushtet më të madh dhe duke mashtruar popullin, pasurohen vet. Të dy kanë kuptuar vetëm nga një libër: politikani princin e Makiavelit, kurse kleriku beson një libër të cilin zoti nuk ka ditur ta shkruajë, por për të e ka shkruar njeriu!

II. Kisha gjermane kërkoi të tregohet humanizëm ndaj refugjatëve dhe të respektohet të drejtat dhe liritë e njeriut. Kjo është përgjigje hyjnore atyre që vrasin njerëz pse nuk janë si ata. Një homoseksual në Gjermani mund të jetë njeri i respektuar për punën apo intelektualizmin e tij. Diku tjetër, ai vritet. Këtu mund të ndërrohet religjioni disa herë në ditë dhe askujt nuk i intereson, diku tjetër vritet. Pa liri njeriu nuk mund të ketë kurrë lumturi, madje as që guxon ta imagjinojë atë.
III. Serbia nuk ndërton një spital në Luginë, por ndërtoi për vete një Autonomi serbe në Kosovë. Kjo është dashuri ndaj kombit të vet dhe interesave nacionale. Tartufi i LDK-së, Lutfi Haziri, që përshëndeste me simbole të kalifatit për të zgjidhur problemin e Bashkësisë serbe, pat propozuar neo-rugovizëm. Rugova parashikonte Kosovën e hapur ndaj Serbisë dhe Shqipërisë, por jo Autonomi për një qytet dhe nëntë katunde serbe. LDK duke mos pasur njeri të gjallë me të cilin mund të krenohet, në çdo tubim,mburret me Rugovën e vdekur. Njerëzit e vdekur nuk kanë shpëtuar kurrë një parti, por ai fakt, vetëm tregon varfërinë intelektuale dhe duke iu qasur Rugovës, sillen si humoristët pa fantazi, që orë e çast, përmendin Hasën dhe Husën. Kjo LDK nuk është e Rugovës, kjo LDK është bërë degë e PDK-së. Ku janë ata burrat të LDK-së që deri dje akuzonin Hashimin për vrasje të veprimtarëve të LDK-së?

IV. Merreni me mend ju lutem: Një profesoreshë e biologjisë, e cila ka mbaruar studimet në Prishtinë, thoshte: "Për të mbetur gruaja shtatzënë me binjak, burri duhet të bëjë seks dy herë pa ndërprerje!"
Merreni me mend tjetrën, që ka mbaruar fakultetin në Prishtinë:" Të krishterët fëmijët e vet deri në moshën shtatë vjeçare, i konsiderojnë myslimanë dhe prandaj i varrosin në vende të fshehta, jo te varret normale...!" , shkroi ajo.
E para mund ta ketë korrigjuar gabimin, sepse punon në një gjimnaz në Prishtinë dhe sigurisht ka mësuar të vërtetën. Nëse jo, si biologe, mund ta ketë shndërruar burrin në impotent duke kërkuar bineq nga ai!
E dyta, e cila jeton në Gjermani, pas gati dy orëve shkëmbim mendimesh, mbeti tek versioni i saj, duke shtuar, se atë fakt që ajo e besonte, ia kishte thënë një fqinj serb! Edhe pse i dërgova fotografi të varreve, përsëri nuk ndryshoi qëndrimin!

E pastaj çuditemi me PISA -n për shkollat fillore...

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca
Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë

Keine Kommentare: