18.01.2017

Po vjen Donald Trump

Bashkësinë Europiane do ta braktisin edhe vendet tjera. Brexit ishte i mirë. BE është krijuar për të dëmtuar SHBA-të. Pranimi refugjatëve nga Gjermania ishte një katastrofë dhe gabim i Merkelit. Duhej krijuar zona të sigurisë pranë vendit të tyre. Autoindustria gjermane duhet të paguajë doganë për tregun amerikan. Nëse BMW prodhon makinat në Meksikë dhe dëshiron t'i shesë në SHBA, do të doganohen me 35 %. NATO është e panevojshme. I ka kaluar koha. Anëtarët nuk kanë paguar për mbrojtjen e ofruar amerikane. Jam me origjinë gjermane, por Merkel ka bërë gabim të madh. Nëse Putini na ndihmon ta zhdukim terrorizmin islamik, është mirë për ne.

Këto ishin disa mendime të parafrazuara nga intervista e tij dhënë gazetës së përditshme Bild. Në një raport te televizioni WDR gazetarja e quajti egoman, narcist dhe një përzierje e diktatorit romak Neronit dhe Donald Duckit dhe se ai po merret me depolitizimin e politikës.

Në fakt projektet e tija shprehen në twiter me dy fjali. E qartë deri tani është se do të miqësohet me Putinin dhe duket se Rusia ka kandidatin e vet brenda. U përfol se Shërbimi Sekret rus posedon një video nga viti 2013, ku është regjistruar ai në seks e sipër me prostituta ruse. Putini ironizoi me atë mendim duke e kundërshtuar dhe duke pohuar se Turmp, nuk ka nevojë për gra të tilla, kur ai çdo vit organizon garat për mis botërorin dhe ka takuar gjithmonë ato.

Ne po qeshemi akoma, po tallemi dhe po tregojmë gazmore, por çfarë do të ndodh me botën ose me Trupin pas tre muajve, nuk din askush. Ai është biznesmen dhe reagon dhe flet dhe bën shou si në të kaluarën e tij. Mediat amerikane si dhe politikanë kundërshtuan ashpër pohimet e tij të sipërpërmendur duke sulmuar barazimin e Merkelit me Putinin dhe duke konsideruar Putinin kundërshtar dhe Merkelin aleate.

Gjermania është e shqetësuar. Të shqetësuar janë edhe politikanët amerikanë, kryesisht demokratët. Është e shqetësuar demokracia liberale dhe mendimet e tij, ndikojnë në fitoren e së djathtës, që dëshiron ta zhbëjë Europën dhe rikthejë sovranitetin nacional. Europën mund ta shpëtojë vetëm një afrim akoma më i madh i Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Spanjës. Nëse shpërbëhet Europa, do t'ishte fitore e madhe për Rusinë. Nëse shpërbën NATO-n, atëherë fituesi e këtij shekulli do të jetë Putini. Nga qëndrimin e tij, mund të derivojë edhe revoltë e madhe në SHBA, çfarë përsëri do të nxirrte Putinin si fitues. Dikur na argëtonte me budallallëqe Berlusconi, dje miku i tij, populist, u zgjodh kryetari i Parlamentit Europian. Duket se po vjen koha e idiokratëve dhe një përplasje globale. Ajo që nuk dihet akoma është, a do të jetë vetëm ekonomike apo ushtarake!!

Amerika duke u ankuar nga intervenimi rus në zgjedhje, për herë të parë ndaj Rusisë u dëshmua si inferiore dhe e pafuqishme. Tani kemi tre despot, apo tri alfa kafshë që janë kundër Europës dhe do të përforcoheshin akoma më shumë, vetëm nëse arrijnë ta zhbëjnë atë: Putini, Erdogani dhe Trumpi.

Nëse ia arrijnë qëllimit atëherë Europa do të ndahet në sfera të ndikimit rus, turk dhe amerikanë. Ky do t'ishte kthim prapa për një shekull. Për Kosovën as që marrë guximin të mendoj se çfarë do të ndodhë. Një Trump si mik i ngushtë i Rusisë, sa centimetra mund të jetë larg miqësisë me Serbinë?

Serbia ka vite që punon për ta përfituar Perëndimin. Ne ka vite që bëjmë propagandë kundër Perëndimit. Treni nacionalist serb me ikona fetare, nuk ka qenë një budallallëk siç dukej dhe fitorja jonë, nuk është fitore si e interpretojmë, por i nevojitej Serbisë dhe Rusisë dhe radikalizmit të djathtë në Europë, ndoshta u duhej edhe një mesazh në rolin e viktimës për Trumpin.

Ndërmarrjet e mëdha amerikane premtojnë vende pune, të trishtuara nga Trumpi dhe tërhiqen nga investimet e jashtme. Deri tani, nuk kam hasur asnjë mendim të tij, i cili do të krijonte një optimizëm se bota do të bëhet nesër më e mirë, por vetëm mendime, se do ta shpërbëjë atë që ne njohim sot. Të besohet se nuk do të ndryshojë asgjë, është auto sugjestionim dhe shpërfillje e gjendjes faktike.

Meqenëse që të tre janë despot ( Putin, Erdoan, Trump) dhe tërthorazi janë futur në politikë, kryesisht Putini dhe Trump, mund të shpresohet se në natyrën e Alfa kafshës, nuk është të tolerojë pranë vete një bishë tjetër që tërheq pas zogorinë dhe mund të vijë deri te qartësimi i Trumpit. Është e mundur të ndodh, por mundësia, nuk është aq e madhe.

Qysh nga konstatimi i shërbimeve amerikane se janë përzier rusët në zgjedhje, duket se Putini ka Trumpin në dorë, përndryshe një patriot amerikan, nuk do të pranonte fitoren, e cila supozohet të jetë ndihmuar nga rusët!


Keine Kommentare: