22.01.2017

Trump erdhi, zoti na ndihmoftë!

Ose jam çmendur unë, ose ju! Çfarë prisni ju lutem nga një president amerikan, i cili adhuron Putinin? Çfarë prisni nga një president që dëshiron ta shpërbëjë NATO-n, rrënojë Europën, kritikon Merkelin dhe kërcënon auto industrinë gjermane?

A lexuat se kandidati për kryetar të Francës Fillon, propozon aleancë mbrojtëse me Gjermaninë? A lexuat se Merkel tha se nuk mund të shpresohet miqësi e përjetshme me SHBA- të. A lexuat se e quajtën injorant, narcisit dhe të paparashikueshëm.

Shkoni dhe shikoni vetëm tituj e gazetave kryesore të botës: Corriera della Sera dje: “Seria b po merr pushtetin.” Sot gazeta italiane amerikanëve, “Na ndihmoni ta luftojmë antiamerikanizmi!” Revista gjermane Fokus, “A do të nisë lufta tregtare.” Frankfurter Allgemeine Zeitung,Na ndihmoftë zoti!”, nëse Trump shërben si shëmbëlltyrë! Süddeutschzeitung një amerikan i fotografuar me një pankartë, “Trump është fashist.”

Mendoni se një mik i Rusisë, mund të jetë një armik i Serbisë? Në Perëndim të gjithë janë të brengosur, ne e imagjinojmë si baba-dimër shqiptar!

Edhe pse Kosova mund të jetë bira e fundit e kavallit për Trumpin, nuk ka asnjë shenjë, se ai do të vazhdojë politikën amerikane ndaj Ballkanit. Ai urren politikanët e djeshëm dhe përbuz veprat e tyre.

Ai tha hapur: le të mbrojë çdo kush veten. Domethënë strategji e bishave: nëse kemi uri, vijmë e ju hamë, nëse nuk kemi, hani njëri tjetrin!

Ose, për mbrojtje duhet paguar! Serbia nuk ka pranuar Kosovën. Nëse ajo paguan, domethënë mund t'i kthehet sovraniteti mbi Kosovën! Çdo analistë i gazetave të mëdha perëndimore sheh rrezikun për rendin botëror.
Këtë dëshmon Aleanca për Mbrojtje të Europës kërkuar nga François Fillon. Ministri i PJ të Gjermanisë në një artikull tha se mbaroi epoka e shekullit XX dhe nuk dihet se çfarë rregulli do të kemi. Gazeta Bild publikon parashikime kobzeza të Nostradamusit.

Shkurt e shqip, Kalifati arrit suksesin e madh dhe po rrezikon demokracinë perëndimore. E djathta europiane u takua në Berlin dhe ata janë trimëruar me fitoren e Trumpit. Trump nuk din të sillet politikisht, ai po i hakmerret politikës perëndimore, duke i dhuruar Putinit shpërblimin më të madh, të cilin as kishte pasur dikush guxim të marrë me mend: shpërbërjen e NATO-s dhe BE-së.

Megjithatë, ky mund të jetë çasti, kur nis rrëzimi i tij, ose shkarkimi nga detyra.

Udhëheqësit që kanë adhuruar vendin e vet në mënyrë irracionale, e kanë dëmtuar atë. Hitleri zvogëloi Gjermaninë për 100.000 km katror. Stalini traumatizoi Rusinë. Mussolini Italinë. Millosheviqi Serbinë. Castro Kubën, Kim Jong-un un, Korenë Veriore dhe telenovela do të vazhdojë me Trumpin, i cili do të detyrojë Europën, të bëhet forcë ushtarake!

T'i thuhet Europës gati 70 vjet se Rusinë kemi armike, e sot të rrotullohet pllaka befasisht dhe të shtohet, jo Rusia, ju jeni armiq, braktisni BE -në, Rusia është mike jona! Kjo risi shokuese nuk do të kalojë pa çrregullim global, prandaj Frakfurter Allgemeine ka të drejtë: Zoti na ndihmoftë, edhe pse dimë të gjithë, ai ndihmon vetëm të fortin, por të shpresojmë se zoti ndriçon Kongresin Amerikan! Projekti më i madh humanist në historinë e njerëzimit i quajtur Europë, tash e tutje do të jetë në rrezik. Këtë e dëshirojnë dy despotë, Putini, Erdogani dhe një narcist rrangallë!

Keine Kommentare: