Nëse
nuk shpallet Rugova kuisling apo tradhtar, si mund të sekuestrohen
meritat e çlirimit? Është logjike kjo që bëhet sepse lakmia
dëshiron krejt elozhin, krejt brohorinë e popullit për vete dhe
nuk dëshiron pranë askënd tjetër, pos bashkëmendimtarëve. Madje
as ata në tërësi!
Kështu
patën vepruar edhe komunistët pas luftës. Atë përligjje njohim
të gjithë dhe vazhdon të kultivohet dhe propagandohet si e vërtetë
absolute. Rendi ka ndryshuar, por perceptimi ynë, murkullimi ynë mugull për botën dhe rrethin, jo!
Ibrahim
Rugova dhe Ibrahim Kelmendi ndoshta janë ndër dy figurat më
fatkeqe shqiptare dhe më të përgojuara. Që të dy kanë
kontribuar për çështjen kombëtare ashtu si ditën, si besuan se
ishte më mirë dhe u gozhduan publikisht për guximin e tyre për të
qenë vetja. Ibrahim Rugova definohet nga Ibrahim Kelmendi si
kuisling. Nga Rexhep Qosja tradhtar. Ibrahim Kelmendi nga disa
akuzohet për tradhti. Për tradhti akuzohet edhe hiç më pak se
Jusuf Gërvalla. Se ekziston një dinamizëm i vënë në lëvizje
nga sigurimi sekret serb, nuk ka asnjë dyshim, por akoma nuk dimë
saktësisht shërbëtorët. Të manipuluarit ose manipuluesit i
njohim.
Ibrahim
Rugova me hyrjen e tij në politikë, hodhi në harresë LPK-në,
edhe pse ajo vet kishte përplasur veten në enklavën e kolhozëve
të stalinizmit. Rugova nuk bëri gjë kundër tyre, por populli iu
bashkëngjit atij, ose më qartë, populli që jetonte kryesisht nga
Perëndimi, zbythte një ideologji diktatoriale, marksiste-leniniste.
Si
Kelmendi, si Qosja, zhvleftësojnë dhe përçmojnë Rugovën pse nuk
ka vepruar siç kanë pritur ata prej tij. Të gjitha fajet i hidhen
atij dhe edhe pse e konsideronin të padenjë, kuisling e tradhtar,
pikërisht prej tij prisnin t'ua sillte lirinë dhe t’u thoshte:
“Kënaquni, ua solla!” Thua se çlirimi varej vetëm prej
dëshirës së Rugovës! Thua se ai nuk e dëshironte!
Rugova
nuk është marrë as me Kelmendin, as me Qosjen. Ata kur flasin për
Rugovën, bazohen në fondamentin zakonor shqiptar, ose metodologjinë
komuniste të gjykimit dhe filtrimit. Rugova nuk mund të bënte
politikë autonome. Duheshin aleatë dhe mbështetje nga jashtë.
Aleancat e reja nuk krijohen brenda ditës.
Filozofia
Rugovës mori fund me shfaqjen e UÇK-ës, por tanimë kishte
demaskuar fashizmin e qeverisë serbe dhe pritej dënimi i asaj
politike. Fati ynë ishte Rugova. Fati ynë ishte UÇK. Fati ynë ishte demokracia perëndimore. Fati ynë ishte Jelcini. Fati ynë ishte edhe 11 Shtatori, që nuk ndodhi para luftës së Kosovës. LPK
nga periferia me kryengritjen u hodh në qendër të vëmendjes dhe u
shndërrua në faktor politik. Këtë mundësi ka pasur gjithmonë
dhe Rugova nuk kishte pasur mjete tua ndalonte, as LPK-ës, as
Qosjes. Ata te Rugova shihnin profetin e gjithëfuqishëm, i cili
kishte mundësinë dhe kompetencat tua shërbejë lirinë në pjatë,
por sipas tyre ai nuk e dëshironte. Mjerimi më të madh nuk ka se
sa kur presim dikush të veprojë sipas pritshmërisë sonë, ose kur
presim që dikush ta sjellë atë që ne gjakojmë. Kjo është
rehati e shiltes, skajore, këndellëse, që i sigurohet vetes, me
besimin arrogant dhe bindje egomane për të drejt qortimi dhe
korrigjimi.
Me atë
rebelim filozofia pacifiste mori goditje mortore. Ajo filozofi kishte
dhënë rezultatin e vet dhe përfunduar misionin. Pra, në një anë
kishim lëvizjen paqësore, në anën tjetër atë ushtarake dhe këto
dy ndikuan në krijimin e shtetit të dytë shqiptar. Kjo ishte
mrekullia shqiptare.
Si
kuisling numëron Ibrahim Kelmendi edhe këta: Isa Mustafën, Bujar
Bukoshin (sot i parëndësishëm), Hashim Thaçin, Azem Sylën dhe
Xhavit Halitin. Me përjashtim të dy të parëve, këta janë
bashkëpunëtorët e tij të djeshëm. A është e vërtetë se ata
janë kuislingë? Po, të gjithë janë do të kemi edhe në të
ardhmen, sepse si myslimanë në një kontinent të krishterë, nuk
jemi të barabartë! Fakti pse jemi copëtuar është pikërisht
religjioni. Mbi troje shqiptare u krijuan Maqedonia, Mali Zi, Serbia
dhe Greqia. Si do të kishte mbijetuar një popull me fe të
krishtere në gjirin arabik? Fakti se gjuha e pesë për qind serbeve
shpallet zyrtare, por jo e më shumë se 30 për qindtëve në
Maqedoni, flet për legalizimin e diskriminimit ndaj popujve me besim
mysliman. Kështu ndodh edhe në Luginë. Edhe aderimi në BE dëshmon
për diskriminimin dhe renditjen fetare që u bëhet kombeve: ata me
besim katolik pranohen më lehtë, pasojnë ata me besim ortodoks dhe
në fund mbeten popujt me besim mysliman të cilëve u ngarkohen
detyra shtesë. Meqenëse jemi ashtu si jemi, kuislingë nuk do të
kemi vetëm nesër, por edhe pasnesër.
Meqenëse
Qosja me postet e Rugovës në kohën e Jugosllavisë përkufizon atë
si tradhtar, Ibrahim Kelmendi si kuisling, atëherë ai procedim i të
gjykuarit si metodikë komuniste e përsiatjes, shpall tradhtar apo
kuisling edhe Ismail Qemalin, Sami Frashërin, Abdyl Frashërin,
Hasan Prishtinën, Pashko Vasën e shumë të tjerë, që kishin
pasur pozita në Perandorinë Osmane. Metoda e Qosjes dhe Kelmendit
është ekstremiste, staliniste dhe përjashtuese. Shumë herë
njerëzit që kanë rrëzuar një pushtet, kanë qenë pjesë e atij
pushteti. I tillë ishte edhe idhulli i Qosjes Enver Hoxha, që në
fillim shërbeu Zogun. Adem Demaçi nuk do të kishte mundur të
bëhet drejtor i Institutit Albanologjik, por po Qosja, i cili ishte
anëtar i LKJ-ës.
Çfarë
poste kishte Ismail bej Qemali? Nga mosha 19 vjeçare, pra nga viti
1863 deri në vitin 1900 ishte nëpunës i Perandorisë Osmane dhe
ka pasur pozita të ndryshme. Kushëri tij Mehmed Ferid Pasha ishte
Vezir, më herët edhe Ministër i Punëve të Brendshme, pastaj
Ismail Qemali u bë deputet i atij Mexhlisi. Në
fillim Ismail Qemali synonte autonomi brenda Perandorisë Osmane.
Hasan
bej Prishtina ishte gjithashtu deputet në Mexhlisin, që ndalonte
shkollimin në gjuhën shqipe.
Sami
Frashëri, që ndikoi në krijimin e kombit modern shqiptar, shkroi
enciklopedinë e parë turke, romanin e parë në historinë e
letërsisë turke, ku mësohet me emrin Shemsedin Sami. Abdyl
Frasheri ishte nëpunës i Perandorisë Osmane. Djali
i Sami Frashërit, Ali Sami Yen, themelon klubin e parë të
futbollit turk, Galatasarayn. Deri në vitin 1934 kishte mbiemrin
Frashëri. Vlera e Sami Frashërit për lingustikën turke është e
pazëvendësueshme, por kjo nuk bën atë kusiling, por dijetar të
madh, edhe pse në anën tjetër Rugova nuk ka dhënë asnjë
kontribut intelektual për pushtuesin jugosllav e serb.
Pra,
në kohën kur qe shtypur Lidhja e Prizrenit, në pushtetin osman
kishte shumë shqiptarë me pozita. Pra në kohën kur në trojet
shqiptare ishte ndaluar mësimi në gjuhën shqipe, vepronin shumë
rilindës brenda pushtetit osman. Nëse pozitat e Rugovës në
Jugosllavi bëjnë Rugovën tradhtar, sipas Qosjes, kuisling sipas
Ibrahim Klemendit, atëherë ajo logjikë komuniste dhe filtruese
brendakombëtare vlen edhe për Ismail Qemalin dhe rilindësit tjerë
apo jo? Çfarë marrie kolosale, por të vazhdojmë tutje.
Për të
kuptuar metodologjinë e gabuar të të menduarit, po sjell këtë
citat. Pyetja ime ishte kjo:
“Ku e
merrni ju atë të drejtë ta konsideroni veten çlirimtarë të
Kosovës, kur nuk keni çliruar asnjë katund vet?”
Përgjigja
e Kelmendit është kjo: “Mos ndoshta
alienët ishin çlirimtarë, e jo rreth 13 mijë veta që u
martirizuan gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës? Sa keq po më
vjen për këtë mendësi Tënden kaq inatçore e rugoviste!”
Po ia
nisi nga fundi: unë nuk jam rugovist dhe asnjë “ist” nuk
pranoj. Çdo autoritet apo shëmbëlltyrë mund të shtrembërojë të
gjykuarit objektiv. Nuk kam as hyjni, as autoritetet njerëzore të
veshur me petkun hyjnor, por kam respekt ndaj veprës. Sidoqoftë
Kelmendi nuk është në gjendje të tregojë se çfarë çliruan, as
kur është dita e çlirimit të Prishtinës, Ferizajt, Gjakovës,
Pejës, etj. etj. Nga ata 13.000 të vdekur ka shumë qytetarë, por
as këtë nuk e përmend sepse do të tregonte pamundësinë e UÇK-ës
për të mbrojtur popullin. E lexuat mendimin e tij? Ai akoma beson
se UÇK ka çliruar Kosovën. Po fakti? Ibrahim Kelmendi duhet të
pranojë të vërtetën e madhe, edhe atë një herë e përgjithmonë:
Kosovën nuk ka çliruar as Rugova, as UÇK. Rrugën për çlirimin
dhe aleatët i krijoi Rugova, e konkretizoi UÇK! Kaq!
Pra ne
nuk mund të flasim për çlirimin tonë me forca tona, por ne duhet
të flasim për faktin e pakundërshtueshëm: KUSH PËRSHPEJTOI ARDHJEN E
NATO-s? UÇK dhe pikë!
Ju
mund të pohoni se u sakrifikuan 13.000 veta, por ata nuk ishin
anëtarë të LPK-ës, e as ushtarë të UÇK-ës, por pjesa dërmuese
qytetarë, ndoshta votues të Rugovës. Ti edhe pse fajëson
Hashimin, përsëri mbron shtetin e Hashimit duke pohuar se
rugovistët kanë në dorë pushtetin nëpër gjykata e prokurori,
edhe pse bashkudhëtari jot ishte kryeministër i vendit.
Nëse
ndahet populli si ndan Ti udhëheqësit, atëherë pak na mbeten të
padamkosur. Nëse Rugova ishte kusiling, kuislingë ishin edhe pjesa
dërmuese e popullit, që adhuronte kusilingun dhe e votoi pas
luftës. Masa matëse është ekstremiste, rrënuese dhe atë me një
qëllim: për të nënvizuar pronësinë mbi të vërtetën dhe
meritën e çlirimit.
Te
vazhdimi i 16 tregon se ishe nisur për të vrarë Rugovën. Nuk
dyshoj! Kishit partinë, kishit infrastrukturën, por prisnit që
Rugova të sillet siç ju pëlqente juve. Ju në fakt patët shpallur
Rugovën profet dhe kërkonit, si edhe Qosja, ta çlirojë vendin
menjëherë ose të tërhiqet. Populli nuk ju dëshironte, ai
adhuronte Rugovën. Populli kuisling adhuronte kuslingun apo jo? Pra
kishe ndërmend ta vrisje. Nuk dyshoj aspak, por askund nuk lexova se
kishe ndërmend ta vrisje Millosheviqin. Kanë qarkulluar edhe lista
për eliminimin e shqiptarëve, por kurrë jo lista për qeverinë
serbe. Natyrisht me vrasjen e Rugovës, Kosova do të kishte humbur
ata miq dhe mbetja nën Serbi, do t'ishte vulosur. Nuk është
vështirë të vritet një pacifist, qe vrarë edhe Gandi. Pse
Ibrahim Kelmendi nuk përgatitët lista për eliminimin e
Millosheviqit por të “kuislingut?”
Ke
shkruar diku 30 vazhdime për të dëshmuar se Rugova ishte kuisling.
Kur je i bindur paraprakisht, atëherë kemi të bëjmë me bindje
fikse. Unë jam i lirë dhe mund të ndryshojë bindjet, por jo Ti.
Ti përpiqesh të shkatërrosh Rugovën si personalitet duke e
quajtur kuisling, por kjo mënyrë staliniste e të menduarit, nuk do
ta mëshironte as Ismail Qemalin dhe shumë rilindës tjerë.
Rugova
internacionalizoi çështjen shqiptare. Para tij nuk kishim asnjë
aleat. Pas vitit 1998 sjellja tij nuk ishte e drejtë. Me këtë
dëmtoi veten dhe LPK e shfrytëzoi çastin me mençuri të madhe.
Ashtu si gaboi Rugova para lufte, po aq shumë gaboi LPK në vitet e
80 dhe 90. Ajo kërkonte bashkim kombëtar, hiç më pak se sa me një
ideologji që po i dilte shpirti kudo në Europë. Ata sot mund të
jenë edhe fetarë të rrastë, edhe pse dje ishim marksist leninist.
Rugova hyri në politikë si besoi se ishte më mirë dhe vdiq i
tillë. Ai ka vetëm një ftyrë dhe vetëm një karakter, e ai është
natyra paqësore e një njeriu me kulturë të lartë.
Se
Rugova parapërgatiti rrugën e çlirimit, nuk duhet të ju acarojë.
Stafetën morët ju në dorë dhe përshpejtuat procesin, por si Ti,
si unë, dimë se NATO çliroi Kosovën. Kur quan ata kusiling,
tregon se politikën ndërkombëtare shfleton akoma me metodikë
komuniste. Ti kërkon pavarësi të plotë politike, çfarë nuk e ka
as Gjermania. Ti kërkon izolim. Ti kërkon burrëri dhe trimëri
shqiptare mesjetare. Ti vlerëson vdekjen, jo jetën. Ai që ka
mbijetuar ishte i pavlerë, ai që ka rënë, ishte i mirë. Ti dhe
Qosja jeni duke rrënuar kohezionin e brendshëm shqiptar. Nga
bajraktarizmi, nga frika se po mbeteni në hijen e Rugovës.
Unë
jam i lirë. I lirë për të respektuar veprimtarinë Tënde, i
lirë për ta konsideruar Rugovën legjendë shqiptare, për ta
quajtur Gërvallën hero i popullit dhe për të çmuar veprën e
Qosjes, por edhe për ta kundërshtuar manipulimin e tij. Detyrë e
Jotja dhe e Qosjes duhej të ishte thirrja për pajtim, jo për
llogore të reja!
Ju
vepruat secili në mënyrën e vet. Ju patët sukses sepse nuk
vepruat si deshi Rugova dhe Rugova pati sukses në ngritjen e
çështjes shqiptare në çështje të Perëndimit, pse nuk veproi si
priste Qosja apo LPK. Rugova nuk ka pasur fuqi t'ua ndalojë juve
veprimin, këtë e dëshmoi kryengritja: as LPK-ës
as Qosjes, por të prisni prej tij të vepronte si dëshironit ju,
flet për mungese elementare në njohjen e njeriut dhe integritetit.
Të gjithë kundërshtarët e Rugovës nuk janë aq edhe naiv: ata me
përbaltjen e tij përpiqen të ngrenë veten. Me rrëzimin e tij,
shpresojnë të trupëzojnë vetveten. Për fitoren tonë, faktet
treguan se na duheshin dy lëvizjet: ajo paqësore dhe rebelimi.
Nëse
pseudoasnjanësi,
Qosja, ka të drejtë
me vlerësimin mbi Rugovën, atëherë ai diskurs duhet të kalojë
edhe te Ismail Qemali, por edhe t’i kthehet dhe bjerë në kokë
edhe Qosjes vet për hartimin skolastik, fillorist për Titon. Nëse
jo, atëherë konstatime nuk kanë vlerë të përgjithshme, por
kryekreje subjektive. Nëse Kelmendi ka të drejtë se Rugova ishte
kuisling, atëherë shumica shqiptarëve që kanë mendim të mirë
për të, janë kuislingë. Nëse është ashtu, Kelmendi është i
bindur, atëherë të pastër na mbeten vetëm anëtarët e LPK-ës
dhe adhuruesit e ideologjisë së gullagëve dhe kungullacëve.
Ja ku
na keni sjellë, ku na keni degdis Ti, Rexhep Qosja dhe disa të
tjerë: një grup beson se Rugova ishte tradhtar, një grup se Ti
ishe tradhtar, një grup tjetër se Qosja ishte tradhtar, një tjetër
se Jusuf Gërvalla ishte tradhtar, një tjetër se Hashim Thaçi dhe
kështu rrokullimë e sigurt deri te Gjergj Kastrioti.
Ata që
shpallin tradhtar nuk janë shërbëtor të shërbimit sekret, por të
manipuluar, të cilët përpiqen ta rrisin numrin e manipuluarave në
mesin tonë. Pas një suksesi epokal dhe krijimin e shtetit, nuk
është kohë e duhur të merremi me prodhimin e tradhtarëve, por me
shikimin para. Nesër mund të hapen arkivat dhe dëshmohet
atdhedashuria dhe tradhtia e shumë personaliteteve. Në historinë
shqiptare ka vend edhe për Ty edhe për Rugovën, për Qosjen dhe
dhe për çdo njeri. Ashtu si sot nuk gjykojmë konformizmin e
rilindësve shqiptar në Perandorinë Osmane, edhe shkarjet e kësaj
epoke nuk do të merren aq tragjike dhe nuk do ta kenë peshën që
Ti dhe Qosja ia ngarkoni.
Nëse
vazhdoni, atëherë do të rikrijoni postulate ekskomunikimi dhe
seleksionimi të natyrës komuniste, që nesër mund të shkërbehen
si modele për të rrënuar çdo vepër atdhetare; edhe Tënden dhe
të Qosjes. Atdhetarët shqiptarë ishin njerëz, jo shenjtorë!
Nuk
do ta pranoni kurrë, por ecuria ideore dhe ligjërimi është tipik
i partizanëve të dikurshëm i ndarjes së botës në komunistë dhe
tradhtarë! Në miq dhe armiq! Bardh e zi! Për këtë nuk duhet
shumë punë, jo objektivitet, por shumë urrejtje, subjektivitet dhe
egomani e theksuar!
**************************
Libra nga Lis Bukuroca
Ata që jetojnë në Gjermani mund t'i porosisin disa libra edhe te thalia.de ose në 340 libraritë e saj në Gjermani, Austri dhe Zvicër.
2 Kommentare:
Faleminderit Lis Bukuroca.
Faleminderit shoq që egziston!
Të falenderoj për leximin dhe mendimin. Njdehem i nderuar!
Kommentar veröffentlichen