Mos
nënshkruani marrëveshjen! Arsye ka shumë, por kryesore është
kjo: mund të vizitojnë fëmijët e tyre shumë prindër në moshë
të shtyrë, të cilët i kanë në Perëndim dhe kjo do t'ishte
kundër bindjeve tuaja për t'i shërbyer partisë, jo interesave
nacionale. Mos nënshkruani sepse tendosja e marrëdhënieve me Malin
e Zi, mund të aktivizojë Serbinë dhe Rusinë në mbrojtje të asaj
republike. Nëse e nënshkruani, i zbythet kjo mundësi Putinit e
Vuçiqit. Mos e nënshkruani, sepse paqja në mes Kosovës dhe Malit
të Zi, nuk i konvenon Serbisë dhe Rusisë!
Ka
dhe arsye tjera, që mund të motivojnë kokat dogmatike dhe
ekstremiste: nëse firmoset ajo marrëveshje, atëherë edhe
studentët mund të dalin verës, si ata nga Serbia, që po dalin dhe
punojnë nga dy tre muaj në Perëndim dhe financojnë studimet. Mos
lejoni këtë, sepse sa më të varfër që mbani popullin, sa më të
izoluar, aq më shumë shpresa mund të shpërndani dhe përralla të
shisni dhe kështu, rrogat tuaja si deputetë, do të jenë të
rregullta.
Nëse
populli jeton në varfëri, nuk është me rëndësi, e rëndësishme
është ju të paguheni rregullisht, duke mbyllur popullin si në
kopshtin zoologjik, jo vetëm nga jashtë, por të mbyllur edhe nga
brenda. Me ndihmën tuaj tani! A nuk kishte kyçur kështu Enver
Hoxha Shqipërinë? E pse nuk lëçitni
edhe ju Kosovën si stërnip të enverizmit? Ju zotëroni
metodologjitë populiste dhe agjitpropin, si askush në Ballkan dhe
Europë.
Mjafton
të bërtisni, mjafton të çirreni dhe të thoni se Kosova po
dëmtohet, po humbet një krahinë strategjike dhe ta pengoni
zgjidhjen e çështjes, sepse ju nuk jeni aq injorantë sa duket në
diskursin tuaj! Ju keni arsye të mëdha pse silleni siç dini të
silleni. Juve ju intereson vetëm pushteti, por edhe nëse e merrni,
do ta nënshkruani këtë ravijëzim kufitar sepse kjo Qeveri, është
zotuar. E mirë apo e keqe, atë do ta nënshkruani edhe ju, sepse ju
dini shumë mirë, se mbi SHBA-të, nuk
mund të viheni, se Perëndimin, nuk mund ta detyroni, si nuk mund ta
pengoni as aderimin e Malit të Zi në NATO, por ndoshta e prisni.
Ndoshta e synoni! Ndoshta e dëshironi!
Ju
parlamentarë, kuptohet ju që shisni atdhetarizëm, ju edhe sikur ta
merrnit pushtetin, nuk do të kishit ekspertë për ta çuar Kosovën
para. Deri tani si Qeveri, si opozitë, keni dëshmuar vetëm:
mungesë dije, mungesë dinjiteti, mungesë sedre dhe injorancë
legjendare. Ju qoftë si Qeveri, qoftë si opozitë, me padijen tuaj
trishtuese, rehabilituat Serbinë dhe sa herë të zihen ngushtë,
edhe pas 18 viteve, kërcënoheni me procese kundër Serbisë. Ju as
këtë nuk e bëni, nuk do ta bëni, sepse mund të pengojë
zvarritjen tuaj drejt pushtetit. Ju nuk sollët as mbetjet e 3.000
vetave shpërndarë nëpër Serbi, e për dëmshpërblim për gratë
e dhunuara, as të mos flasim.
Ju
nuk njihni interesa nacionale, por vetëm interesa personale. Ju bëni
politikë vetëm për grazhdin tuaj. Mjerë ai popull që ka
parlamentarë të tillë, që mendojnë se mund ta gjunjëzojnë edhe
SHBA-në. Mjerë ai popull që voton ata që
pos pushtetit, nuk njohin interesa tjera. Ju do të ishit bërë të
gjithë kryeministra, të gjithë kryetarë dhe të gjithë jeni të
bindur, se jeni më të mirët, edhe pse shumica as gjuhën shqipe
nuk e flisni si një fillorist.
Keni
vetëm një Kosovë dhe nuk mjafton se çfarë i bën Serbia nga
veriu, ju do ta varfëroni edhe nga qendra, sepse ju dini ta
shpjegoni siç ju konvenon juve, sepse ju dini ta arsyetoni dhe të
garantoni varfërinë edhe për disa dekada. Ju që nuk nënshkruani,
nuk përfaqësoni popullin e Kosovës, por vetëm partinë tuaj dhe
gurun tuaj, të cilin përjetoni si profet dhe të cilin, as nuk
merrni guximin ta sfidoni edhe kur bëhen rizgjedhja e kryetarit. Ju
nuk keni parti për interesa nacionale, por klane për në dobi të
bosit që keni në krye. Ju jeni zhvatës, shushunja, shushulla dhe
të shushatur, që prisni mundësinë për t'u vet-shërbyer si ata
që i kritikoni.
Ju
që keni shpallur veten mbrojtës të integritetit territorial, kurse
Qeverinë e vendit si tradhtare, që dëshironi zgjedhje të
jashtëzakonshme, merreni me mend këtë:
Ta
zëmë se ju keni të drejtë dhe ravijëzimi kufitar, nuk do të
nënshkruhet, por do të propozohet anëshkrimi juaj. Si do të
reagonte pastaj Mali Zi? Mendoni se nuk ka Serbia atje një grup
parlamentarësh, që gjakojnë të vdesin për atë krahinë nga e
cila zyrtarisht Kosova ka hequr dorë? Ju do të keni të drejtë,
malazezët do të kenë të drejtë dhe çfarë ndodh? Kosova do të
mbetet e mbyllur dhe ju do të fajësoni Qeverinë. E mbyllur tani jo
vetëm me dëshirën tuaj, por edhe me ndikimin rus dhe pa
marrëveshje. Pa të Kosova nuk mund të hyjë as në BEE, as në
NATO!
Prandaj
mos e nënshkruani! Nesër mund të krekoseni se penguat imigrimin
jashtë vendit, se vdiqën të mjerë, por të ndershëm!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen