14.05.2017

Enverizmi dhe osmanizmi

Ngrita me një status disa paralele dhe krahasova dy robëritë: atë osmane me atë staliniste. Aty nënvizohej se me 45 vite diktaturë absolute, ishte arritur megjithatë më shumë se pesë shekuj Perandori Osmane. I krahasova në kontekstin historik, jo aktual, pra nga perspektiva dhe përfundova me një parashikim se ajo epokë, nga historianët e nesërm, do të quhet iluministe dhe po e përsëris edhe një herë këtë, jo pse kam respekt për diktatorët brutalë siç ishte Enveri, por historianët e nesërm, nuk do të merren me emocionet e djeshme, por kryesisht me faktet që ata regjistrojnë dhe do të numërojnë: arsimimin, akademinë, universitetet, teatrot, spitalet, rrugët, fabrikat, administratën, ushtrinë shqiptare, policinë shqiptare, flamurin shqiptar, arkeologjinë, artin, kulturën dhe shumë arritje tjera.

Natyrisht ata do të përmendin 6.000 të vrarë, qindra mijëra bunkerë, por diktaturën nuk do ta veçojnë vetëm si specialitet shqiptar. Stalini kishte bërë kërdi më të madhe dhe vrarë miliona veta. Diktaturën kanë lënë pas vete shumë popuj, por edhe urrejtjen prapa, nga dashuria për të ardhmen! E kishte Gjermania, Italia, monarkinë absolutiste Franca etj.

U zhgënjeva shumë me disa reagime me e-mail dhe disa komente, nga njerëz që i konsideroj të ngritur dhe të kultivuar. Kundërshtimet e tyre ishin pasojë emocionale, urrejtje ndaj asaj epoke, çfarë e kuptoj, por faktet, që numërova, nuk merreshin në konsiderim. Aty artikulohej në një anë pësimi, në anën tjetër zhgënjimi. (Blokova tri veta, që më ofenduan, jo vetëm si enverist, por edhe ndryshe siç dinë rrugaçët. Një herë mund ta bëjë çdo njeri, por jo dy...)

Ja se si nis letrën e saj një intelektuale e arsimuar në Perëndim: ”Për mendimin tim, ky krahasim tregon një mungesë të etikës intelektuale dhe i afrohet diskursit populist. Me këtë, dua të them se është një rezonim tepër i thjeshtë për të qenë i saktë.“

E kuptuat? Krahasimi dëshmuaka “mungesë të etikës intelektuale” dhe i afrohet “diskursit populist”, thua se unë jam politikanë dhe merrem me manipulimin e popullit. Ai mendim, nga një shkrim me disa faqe, qysh në fillim më pezullonte lirinë e të menduarit, të shkruarit dhe të krahasuarit. Dhe, nuk mund të jetë i saktë sipas saj, sepse paska qenë tepër i thjeshtë. E në të vërtetë, saktësia gjendet, si edhe e vërteta, mu te rezonimi dhe te artikulimi i thjeshtë, si te veja e Kolombos për shembull! Ajo zonjë e ngritur dhe e ndritur, dinë barbarinë dhe kontributin e Enverit, por kërkon të mos përmenden, duke u bazuar në dëmin. Domethënë kërkesë për ta zhbërë etikën intelektuale dhe të shprehem ashtu siç pret shumica! E drejtë është të përmenden të gjitha, jo vetëm të ligat.

Qortimi tjetër që nuk ishte i drejtë sipas meje, ishte krahasimi i diktatorit shqiptar me Hitlerin e Musolinin. Diktatura e Hitlerit shkaktoi ndarjen e Gjermanisë dhe humbjen e 100.000 kilometrave katrorë. A mund të krahasohet një diktator i vogël me një diktator aq të madh? Mundet, por nuk i qëndron shqyrtimit dhe krahasimit serioz! Po ku ishte mëkati im? Ndoshta mungesë takti, se për të shkruar, duhet të jem populist dhe të mendojë konform pritshmërisë së popullit. Duhej të thosha, thjeshtë ajo epokë ishte diktaturë e tmerrshme dhe çdo të arritur aty, duhet ta satanizojmë, ose së paku të gënjejmë njëri tjetrin dhe të mos e përmendim. Pra, kërkohet shpërfillje dhe injorancë duke flijuar sinqeritetin! Pra kërkohet të shprehem si populist, sepse sot shumica ka bindje negative, por dje kishte shumica bindje pozitive. Nuk dua të jem as me shumicën, as me pakicën, por me faktet që ka prodhuar ai rend i trishtueshëm.

Pas dy shekujve historianët nuk do të merren me emocionet e sotshme, por me faktet e djeshme. Kjo ishte arsyeja pse e quajta atë epokë iluministe, jo pse dua diktaturën!
Statusi im ishte përpjekje për të parë si do të shkruanin nesër historianët për atë epokë, reagimet ishin, murkullime të ndrydhura, formulime të heshtura, të djeshme.

Po pse unë kam të drejtë kur them se ajo epokë diktatoriale do të konsiderohet iluministe? Sepse populli shqiptar gati në tërësi ishte i paarsimuar. Qytetaria nuk ekzistonte. Ishim si në mesjetë dhe nuk kishim as kanalizim, e as shkolla fillore! Nëse nuk pranoni argumentet që do të pasojnë, atëherë unë ju kuptoj. Është përbuzje ndaj asaj epoke me motive vetjake. Kjo është e drejtë, por jo të urrehet, sepse ka përfunduar. Nuk është më! Urrejtja zapton dhe dëmton të menduarit racional, rezonim e qartë dhe diagnostikimin e saktë. Nga ajo derivojnë mendime populiste, por jo të vërteta e dëshmueshme.

Ja tani arsyet që më shpijnë te përkufizimi i asaj epoke si iluministe: para, gjatë dhe pas Revolucionit Francez u vranë 2 milion qytetarë dhe mijëra vetave iu prenë kokat me gijotinë. Në vitin 1794 edhe Robespierrit, që u përpoq të zbatonte atë çfarë shkruante Rousseau. Këto janë fakte, që përmenden, por më shumë përkujtohet ai revolucion për të arriturat, sesa për masakrat. Kujtohet për rolin iluminist që pati, për shkëputjen nga obskurantizmi, për dinjitetin, për Liritë dhe të Drejtat e Njeriut, kundër edukatës autoritare, largimin e religjionit nga shteti, madje Rousseua ishte edhe kundër bashkëshortësisë. Pra në atë epokë u vranë aq shumë njerëz, mirëpo ajo iluminoi jo vetëm Francën, por ushtroi ndikim edhe jashtë kufijve të saj. Meqenëse mjerimi ishte aq i madh, aq kolektiv, a duhet t'i hedhim gjitha të arriturat e asaj epoke dhe të kthehemi në monarki absolutiste? Ta kthejmë pasqyrën para vete: a duhet të shndërrohemi në analfabetë, sepse diktatori Enver ndërtoi shkolla? A duhet ta ndryshojmën gjuhën pse Enveri ndikoi në standardizimin e saj?

Francezët nuk tmerrohen kur përmenden të mirat nga ai Revolucion. E pse? Sepse i takon së kaluarës, por as nuk acarohen nëse përmendet masakrat dhe prerja e kokave me gijotinë!

Po pse krahasova osmanizmin me enverizmin? Sepse ishin dy rende sunduese. Nuk qeverisnin, por sundonin. Sepse njerëzit mburren me 32 vezirë shqiptarë, gjersa gjuha e atyre vezirëve, ishte e ndaluar me ligj dhe nuk kishte asnjë shkollë shqipe. Po të konsiderohen ata vezirë atdhetarë, atë titull do të meritonte edhe Rrahman Morina!

Një pyetje krejt diskrete dhe me zë të ulët: Mendoni vërtetë se në vitet e 50 ishim gati për demokraci? Nëse po, atëherë kjo mund të hidhet poshtë si vetëmashtrim! Ne edhe sot nuk jemi gati. Neve para çdo zgjedhjeje, duhet të vijnë nga bota të na pajtojnë apo të na mbushin mendjen për koalicioni. Ne jemi edhe sot shoqëri patriarkale dhe armiku më i madh i demokracisë, është pikërisht ajo, sepse në patriarkalizëm jetohet në mënyrë tribale, ku edhe shkelja e ligjit, konsiderohet normale. Në patriarkalizmi nuk lejohet depërtimi i Kushtetutës në familje!

Qytetërimi i sotshëm në demokracitë e ankoruara bazohet në dinjitetin e njeriut, në tolerancë (ne oportunizmin, ose menefregizmin quajmë tolerancë), në sinqeritet dhe në përgjegjësinë për shoqërinë. Kjo garanton paqe, stabilitet dhe përparim.

Në një artikulli tek gazeta shekulli para disa viteve pata shkruar se Enveri duhej dënuar me burg të përjetshëm tri herë. Edhe sot jam i atij mendimi, por edhe nëse them një mendim populist se periudha e tij ishte vetëm barbare, vetëm tragjike, vetëm çnjerëzore, përsëri gjuha letrare, nuk do të zhduket!

Natyrisht se ndjej keqardhje për ata të vrarë, të internuar dhe të zhdukur, por nëse duhet të ecim para, nga pasojat duhet të mësojmë, jo të vegjetojnë të traumatizuar brenda saj, sepse kështu shkatërrojmë edhe ardhmërinë!

Mendimi më interesant që kam lexuar para disa viteve në internet është ky: "Për të mirat që i ka bërë vendit Enver Hoxha, i duhej ndërtuar një përmendore sa Kulla Ajfelit, por për të ligat që ia ka shkaktuar, duhej varur ai në maje të saj." Dhe, ai shekull ku u masakruan qindra mijëra veta në Francë, hyri në histori si Shekulli i Dritave, Siècle des Lumières!

Libra nga Lis Bukuroca:


Kuptimi i jetës  te amazon *

Kuptimi  jetës te lulu **


Letër burrave (I )te amazon

Letër burrave (I) te lulu


Letër burrave (II) te amazon

Letër burrave (II) te lulu


Ngjyrat e dashurisë te amazon, roman vetëm për lexues të moshës madhore

Ngjyrat e dashurisë te lulu, roman vetëm për lexues të moshës madhore


Shtatë parimet e dashurisë

Hijedritat e jetës

Die Asylbewerber, komedi gjermanisht


* Te amazon tash e tutje mund të porositen edhe nga Australia.

** Te lulu mund të porositen nga 150 vende të botës. Shikoni çmimin se ku ju konvenon më shumë.

Keine Kommentare: