Republika
e Re "Zvicra e Ballkanit", së shpejti do të mbajë
zgjedhje të lira, të drejta dhe shumë interesante, ku nuk do të
vidhet asnjë votë!
Një
burim anonim thotë se Hashimi Thaçi dhe Kadri Veseli, kanë ndaluar
rreptësisht vjedhjen e votës së qytetarit. Ata paskan arsyetuar në
këtë mënyrë: "Nuk do të lejojmë që në Zvicrën e
Ballkani të veprohet si në Zvicrën e Alpeve, ku shumë hajdutët
respektohen dhe ku kanë deponuar paratë e vjedhura! Në asnjë
mënyrë nuk do të lejojmë të dëmtohet imazhi i Republikës së
Re, që shkurtimisht dhe zyrtarisht tani e tutje, do të quhet
ndryshe!
Pasi
curroi ky lajm, opozita u nervozua shumë. Isa Mustafa, Fatmir Limaj,
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Behxhet Pacolli, u shprehën me një
deklaratë me shkrim në facebook, por edhe me një video-lajm, të
cilën e vodhi youtube dhe nga klikimet e shumta, u bllokuan për
disa orë. Trump urdhëroi të fshihet ai lajm si “fakenews”.
Tani dy faqet funksionojnë përsëri.
Opozita
e bashkuar rreth flamurit dardan dhe pellazg, doli para gazetarëve
dhe tha: "Ne nuk e njohim dhe nuk pranojmë Zvicrën e
Ballkanit, madje as nuk na tregojnë si do të quhet saktësisht!
Arsyetimi jonë: Mund të vijnë 1 milion auslandera për të punuar
te ne dhe na e bëjnë helaç strukturën e kombit kosovar!"
Pasojnë nënshkrimet e liderëve të ndritur.
Pasi
morën vesh reagimin e opozitës së bashkuar, Thaçi dhe Veseli,
mbajtën një konferencë për shtyp, ku u përpoqën ta qetësojnë
popullin e shqetësuar se pas zgjedhjeve, duhet të zgjohen të
gjithë herët për të shkuar në punë. U shqetësua shumë edhe
Zuckerberg.
“I
dashur komb atdhetar dhe patriotik! Zonja të bukura dhe zonja të
zonja! Zotërinj trima dhe të pathyeshëm të Zvicrës së
Ballkanit! Republika e Re do të quhet ZVIBAK, pra duke marrë disa
shkronja nga emri i ri i republikës. Nuk do të quhen më
kosovarë, por vetëm duke u bazuar në emërtimin e ri të
republikës. Gjuhëtarët tanë kanë zgjidhur këtë çështje dhe
pasi të fitojmë zgjedhjet e sinqerta dhe të sakta, emërtimi i
banorëve do të jetë: 'ZVIBAR' Shkronja nismëtare nga “Zvicra
Ballkanike”, por, edhe duke shtuar mbaresën patriotike, atdhetare
'AR', si ari, si simbol i mirëqenies, që do të vijë pasi të
numërohen votat e fitores sonë.
Përveç
kësaj, panikun që ngre opozita, nuk qëndron. Ne kemi vendosur që
punëtorët që vijnë për të punuar te ne, pas fitores tonë
madhështore në Zvibak, do të quhen MËRGIPUFIZ, që dmth.
“mërgimtarë për punë fizike”, kurse zvibarët, do të
punësohen të gjithë vetëm nëpër zyra të Zvibakut. Me një ligj
të posaçëm do të ndalojmë që banorët tanë të shumëvuajtur,
të merren me punë të rënda. Mijëra mërgipufiza do të punësohen
edhe si hamall, që do të barin gjësendet që ju do të blini në
pazar, por do të keni edhe nga një shërbëtore në çdo shtëpi,
sepse ju duke punuar të gjithë, nuk do të keni kohë të merreni
me cikërrima, si përgatitja e darkës, lustrimi i këpucëve apo
hekurosja.
Mërgipufizët
në fillim do të kenë një leje qëndrimi vetëm për nëntë muaj.
Ata që nuk punojnë mirë si ne, zvibarët, do të ekstradohen
menjëherë! Do të dëbohen nga Zvibaku edhe ata që korruptohen apo
vjedhin shtetin dhe le të thyejnë qafën në Zvicrën e Alpeve, që
është shqepur keq me kantone, kurse ne, kemi lejuar vetëm një në
veri, me kryeqytet katundin Leposaviq.” Në fund nënshkrimet:
Kryetari H. Th dhe K.V. Kryeministër në pritje.
Me
të dëgjuar këtë lajm, opozita njëzëri pohoi se nuk do të luajë
më politikë dhe nuk do të shfaqet fare në zgjedhje. Madje
kundërshtuan edhe shërbëtore në shtëpi duke thënë se mund të
rrënojnë bashkëshortësitë e dardanëve. Isa dha dorëheqje dhe
kërcënoi me ndërsimin e Lutfi Hazirit. Luta u shfaq
vetëm disa sekonda në RTK dhe tha: “ Hashim, mos më nguc se ...,
ti e din kush është Luta!”
Gjendja
është shumë e tensionuar dhe plot ankth, po pritet mendimi i
Rexhep Qosjes për Zvibakun dhe për kombin e ri, zvibarët.
Shpresohet se profesor doktor Berat Buzhala do të aderojë në ndonjë parti, ose do ta ndreqë një për vete.
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë mund të porosisni romanin: Ngjyrat e dashurisë, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen