1. Emrat
e grave dhe shtrëngata
Zakonisht
shtrëngatat më të tmerrshme, më shkatërruese pagëzohen me emra të grave si,
Katerina, Sabina, tani Irma. Jozefi që nxiton pas saj, duket të jetë më i
dobët. Pastaj akuzojnë të rinjtë pse nuk martohen. Cili burrë do të merrte
guximin të sjellë në shtëpi një Irmë, që po shkreton çdo vendbanim para vete?!
Madje edhe të martuarit kanë frikë të kthehen në shtëpi me përpikëri. Disa sillen
e mbështillen nëpër qytet dhe vonohen qëllimisht për të kaluar sa më pak kohë
me Stuhinë e vet. Ndoshta këto emra të grave ndikojnë edhe në rritje te
shkurorëzimeve.
Gratë duhet t'i kuptojnë burrat, edhe ato, nuk do të dëshironin një burrë
me emrin Hitler për shembull. Mund të ngjallë asociacione traumatizuese natën.
Nëse
vazhdohet kështu, burrat të trishtuar nga gratë furtuna, do të martohen vetëm
me burra. Nuk di pse një tornado nuk quajtën "VV", një hurrikan
"PDK", puhinë “LDK”, kurse “Nisma”, fillimin e murrlanit.
Sa
bukur do të tingëllonin hurrikanët me emrin: Ramush, Hashim, Kadri, Albin!
Për
shembull: Shtrëngata Ramush po lëvizë drejt Perëndimit. Luten banorët të mos
braktisin shtëpitë, por të struken në vende të sigurta!
Ose, CNN
në breaking news: "U ngrit Hashimi! Kësaj shtrëngate me shkreptima e
me bubullima, nuk i dihet “Nisma”, e as fundi. Madje edhe Shiroku Ibrahim K.,
nuk mund të japë sqarime të sakta. Luten qytetarët të braktisin vilajetin e tij pa
viza sepse rreziku është i madh të ngulfaten brenda.
Në
një rast tjetër “RTKlive” do të raportonte në këtë mënyrë:” Meteorologët bëjnë
të ditur se Shtrëngata Ramush, pas tij Hurrikani Kadri, vrullshëm dhe shoqëruar
me shi janë ngritur mbi Kosovë. Ata lëvizen me shpejtësi gjersa fryn Hashimi,
pra Murrlani me erë të stuhishme. Pritet “Puhiza Isë” të merret me qortimin e
tyre, kurse Furtuna “VV”, do të sjellë re të reja, të bardha dhe të murrme...
2.
Konsultime me aleatët
Nëse shihni rreshta të gjata me gra para ambasadave në
Prishtinë, mos mendoni se janë duke pritur për viza. Jo! Tani në shtator nuk
udhëtojnë, por presim për t'u konsultuar me aleatët tanë perëndimorë se si
shtihet turshija.
Aty ku mësojnë burrat dashurinë ndaj atdheut, dmth. ku
bëjnë kurse të natës mbi politikën si art, tani mbahen për gra mësime
plotësuese: “Turshija si art i së mundshmes në një vend shumetnik.”
Për gratë verën e ardhshme do të mbahet
kursi: "Flija me saç dhe komunikimi i drejtë me burrin politikan",
kurse për burrat do të përsëritet seminari i viteve të kaluara: "Shqipja
kos dhe zvarritja progresive si parakusht i karrierës politike." Pas
seminarit, më të përkulshmit do të zgjidhen për t'u flijuar për Kosovën në
poste të rëndësishme!"
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen