Sot në orën 16:00 u ndërprenë emetimet e programeve,
ku teleshikuesve iu kërkohej ndjesë sepse kancelarja gjermane kishte një lajm
urgjent për popullin. Gjersa teksti poshtë rrëshqiste djathtas për të hyrë
përsëri brenda nga e majta, dëgjohej me zë të ultë kënga “O moj e mira nëpër
therra!” Pas diku gjysmë minute, u shfaq zonja Merkel. Edhe ajo kërkoi ndjesë,
që ashtu befasisht një ditë para zgjedhjeve po i drejtohet popullit, por lajmi
ishte tepër i rëndësishëm për ardhmërinë e vendit, Europës dhe paqes në botë
dhe prandaj duhej ta thoshte.
“Zonja dhe zotërinj”, tha zonja Merkel me lot në sy. “
Sapo mora përkrahje dhe mbështetje të nxehtë nga ish Kryeministri i Kosovës Isa
Mustafa. Dua të rikujtoj popullin gjerman, se pa votat e shqiptarëve të
Gjermanisë, unë para katër viteve, nuk do t’isha bërë kancelare. Zoti Isa ka
një kuptim të veçantë për mua dhe do t’ju tregoj tani. Kur unë isha qytetare e
DDR-it, ai ishte ministër në Kosovën e Jugosllavisë dhe kishte më shumë liri se
unë. Atëherë e kisha zili.
Më vonë aftësitë e tija të jashtëzakonshme më motivuan
t’i ngjitem karrierës politike. Ai i printe LDK-ës historike, që nxori një
president historik, kurse unë mora CDU- në dorë. Unë u bëra në Gjermaninë
demokratike kancelare, ai u bë Kryeministër në Kosovën demokratike dhe
multientnike. Tani ai është vetëm kryetar
partie, por u angazhua me mish e shpirt, që unë të fitoj përsëri. Ai sot u bëri
apel shqiptarëve të Gjermanisë ( nëse dikush nuk i njeh, ata janë pellazgët
legjendarë) që të më votojnë edhe një herë.
Sot dua të falënderoj edhe Bekset Pakollin. Me
Pakollin kemi miqësi të thellë qysh kur ndërtoi pallatin e Jelcinit, por
njiheshim më herët. Edhe ky, zonja dhe zotërinj, bëri apelin e njëjtë me
Mustafën dhe urdhëroi shqiptarët e trullaftë, dmth. ata debilët që nuk dinë se
kush duhet votuar, të më votojnë vetëm mua. Tani dua vetëm t’i drejtohem kundërkandidatit
nga SPD, se nesër mbahen zgjedhjet, por është thjeshte një formalitet, sepse
vendimi është marrë tashmë në Prishtinë.
Votues të dashur, dua këtu të falënderoj përkulshëm
edhe Albin Kurtin, që kërkoi të votohet SPD. Filozofia e tij, esenca, thellësia,
duket në fillim ogurzeze, por në fakt, më mirë të fitojë disa vota edhe partia
që shkon në opozitë, sepse kërkesat tjera, si e Mustafës, Pacollit dhe sapo më
telefonoi Haradinaj, mund të ndikojnë që të fitojë si në Koren e Veriut me
100%. Kjo nuk do t’ishte e shëndetshme për demokracinë.
Pra qytetarë të dashur, pas zgjedhjeve kabineti im do
të shqyrtojë disa propozime si ta ndihmojmë Kosovën për këtë ndihmë falas duke sakrifikuar
dhe harruar obligimet e veta, por me një synim fisnik për të ndihmuar popullin
tonë. Prej tyre ne mund të mësojmë shumë”, dhe fshiu lotët që i rridhnin faqeve
dhe i ndaleshin te një rrudhë në mjekër.
“Ne kemi shumë pak ministra dhe nëse krahasohen
popujt, atëherë shihet se na duhen edhe disa mijëra deputet dhe disa mijëra
ministra. Si normë reciprocitet për ndihmën e marrë, në tryezë, pata një
propozim që qytetarët e Kosovës, që vizitojnë të afërmit, t’u mundësohet fjetja
në një hotel pesë yjshe. Shpenzimet i merr për sipër Qeveria jonë. Ka edhe një propozim shumë serioz, i cili thotë që çdo kosovari t'i jepet një pension prej 200 eurove si veteran i luftës për fitoren time, por të rrijnë në shtëpi dhe të rrisin raportet sociale në facebook. Ky program duhet të zgjasë katër vitet e ardhshme. Këtë
e meritojnë dardanët, bijtë e pellazgëve. Edhe një: Hedhim poshtë të gjitha
akuzat e bëra kundër politikanëve kosovarë. Nuk është e vërtetë se ata nuk kanë
dallim. Ajo që thuhet se e majta vjedh me dorën e majtë, e djathta me dorën e djathtë, nuk është e vërtetë. Janë vetëm insinuata dhe lajme të rrejshme të
prodhuara në kuzhinën e Beogradit dhe Moskës.”
Zonja Merkel fshiu edhe një herë lotët, u përkul deri
në dysheme për të falënderuar Kosovën dhe u tërhoq gërmuq plot mirënjohje. Gjersa ajo largohej, në prapaskenë dëgjohej kënga"Çou more Rexho dil te talla"
Sapo dola jashtë fqinji im zoti Müller, i cili banon
në katin përdhesë, m'u lut të falënderoj Albinin në emër të popullit gjerman
për mbështetjen fisnike! “Nuk është e drejtë të mos rriten pensionet për 20%”.
I thash se mburrem me Albinin dhe se është ylli jonë polar. Pasi u largua ai, m’u
afrua fqinji tjetër Berger, që banon në katin e pestë.
“Sapo pash Merkelin në televizor dhe duke qarë dola
jashtë. Dëshiroja të falënderohem ty, meqë nuk mund t’i drejtohem popullit
kosovar. Ndjeja një obligim të madh të falënderohem se Kosova e dashur angazhohet
aq shumë për stabilitetin e Gjermanisë. Përcillni ju lutem falënderimet më të
vokëta dhe të puhishme në emër të familjes time Berger: Haradinajt, Mustafës dhe Pacollit, por jo
Albinit.”
I thash se ishte një gjest krejtësisht normal, sepse
miku i mirë shihet në ditë të vështirë. Pastaj
shtova se ne kemi ndihmuar edhe Perandorinë Romake, edhe Bizantin, edhe Perandorinë
Osmane dhe do ta ndihmojmë dhe nxjerrim nga gazepi edhe Europën, por ju duhet vetëm të
punoni dhe të keni durim. Po punojmë edhe në Shqipëri dhe do të bëjmë çdo gjë
të mundur që kanabisi jonë të jetë biologjik, i cilësisë së lartë dhe të qetësoheni mirë duke fjetur këndshëm. Empatia jonë është e pafund, zoti Berger. Kemi ndihmuar edhe Indinë. Ai me lot në
sy më shtriu dorën duke ma shtrënguar gjashtë herë, duke numëruar yjet e flamurit
dhe desh ma bëri dorën mavi dhe u largua.
Vendosa të dalë në qytet me krejt krenarinë shqiptare
duke menduar, o sa mirë me qenë shqiptar dhe thash me vete: sa do të kisha
dashur të ishte me mua Mustafa Nanon dhe të shihte se si ka pasur shumë të drejtë
që librin ka titulluar me atë titull.
Në qytet pash gjermanë që nuk ishin më ashtu në gazep
elektoral dhe më falënderoheshin. Ata më shquanin menjëherë sepse makinës i
vura një flamur të vogël të Kosovës, si ambasadorët dhe qëndroja i mbështetur
pranë saj duke luajtur me çelësat në dorë. Pas gjysmë ore falënderimi i tyre u bë aq neveritës, sa sot shqiptari në Gjermani me flamur Kosove, nuk është në
gjendje t’i bëjë dy hapa, pa gjetur disa gjermanë para këmbëve të veta, që falënderohen.
Në
fotografi zonja Merkel duke përshëndetur Kosovën. Ngjyra blu në prapaskenë u
spërkat pas këmbënguljes së saj. Gjashtë yjet nuk patën kohë t'i ngjisin,
por i ka në xhep. Kështu raportoi agjencia DPA.
Nëse dëshironi të lexoni
më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni Letër
burrave, romanin: Ngjyrat e dashurisë me Kanunin Erotik, ose
përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen