30.09.2017

Ti je lopë!

Njeriu që ka pasur kontakt, bashkëpunim, bashkëjetesë, keqkuptime me lopët, sa herë konstaton te tjetri mospajtimin, që ai duke u bazuar te inteligjenca e lopës, e shpjegon për vete si rebelim, kokëfortësi, mosbindje, instinkt. Atij në tru i shfaqen asociacione dhe imazhe me lopën që në ndonjë çast ka vepruar sipas programit instiktiv të vet e jo sipas vullnetit të atij, që i ka grahur, që e ka rrahur me shkop apo që e ka tërhequr pas vete.

Njeriu që ka pas vet një njohuri, një veprimtari me gomarë, kur i shfaqen skenat e gomarit, shan tjetrin me gomar. Ata që kanë pasur një përditshmëri me kafshët në përgjithësi, ata cilësojnë të tjerët si kafshë, sepse njohin mirë gjendjen e vet kur bien në nivelin e kafshës.
Ai që është edukuar me dhunë në shtëpi dhe që i është sharë nga i ati, e bën këtë me të tjerët, ose, nëse ka vetëdije më të lartë, nuk e bën duke refuzuar të bëhet kopje primitive e tij. Dhuna mësohet ose në shtëpi, ose në shoqëri. Arbana Xharra kërcënohet dhe atij kërcënimi i bashkëngjitet edhe një pushkë automatike me të cilin, ai që synon të anulojë liritë dhe të drejtat e njeriut, do t’i mbushte barkun me barut.

Prokuroria nuk ka reaguar. Për rrahjen “live” u shprehën edhe politikanët dhe kërkuan pasoja. Jo pse ndodhi si vepër, por se ishte publike. Ata dinë shumë mirë se nuk kanë prokurori dhe gjykata që zbatojnë ligjin. Prokurorit për nga detyra dhe zyra, nuk i duhen rekomandime të tilla. Ata sipas ligjit dhe rrogës që marrin, janë të detyruar të veprojnë në përputhje me Kodin Penal.

Psikologjia konstaton se njeriu shan tjetrin me idiot, pikërisht në çastin kur sharësi ndien veten idiot dhe percepton imazhin e tjetrit sipas asaj që ai ndihet. Idiotësinë ai përpunon dhe interpreton sipas aftësive idioteske, që posedon. Këshilla e një psikologe gjatë një seminari për përjetime të tilla, ishte mosreagimi dhe mosrënia në pozitën e tij. Me një fjalë, shpërfillja.

Shprehur thjesht truri ndahet në tri pjesë kryesore: i zvarrranikëve, sistemi limbik, ose kimik dhe ai që i është shtuar njeriut më vonë, i quajtur neocortex. Quhet i zvarranikëve sepse edhe sot ngjan shumë me trurin e krokodilit. Me atë tru njeriu ka vetëm dy mundësi, sulmin, ose arratisjen. Ai tru ka për detyrë mbrojtjen dhe mbijetesën. Ai tru është i rëndësishëm për aktivitetet jetësore si, rrahja e zemrës, frymëmarrja, uria, seksi, etj. etj. Me një fjalë reagime instiktive që ndodhin jashtë vullnetit të njeriut. Kur njeriu bie në komë, është ai tru që ruan aktivitetin dhe siguron mbijetesën. Aty njeriu mendon se ëdnërron, sepse ai tru nuk fle kurrë, por pjesa tjetër, racionalja, neocortexi. Aty gjendet besimi i fuqishëm fetar, bindja e pakompromis, urrejtja, agresiviteti dhe diku 30 veti tjera që janë thjesht reagime instinktive, si edhe te zvarranikët tjerë.

Në situatë frike njeriu nuk është më në gjendje të mendojë, por vepron sipas programit që gjendet në trurin e zvarranikut, kafshës. Në atë tru gjendet sulmi, ose arratisja. Ai nuk njeh mundësi tjetër. Është program. Lajmi që syri transmeton dhe që përkthehet në një gjuhë të kuptueshme për trurin në një pjesë krejtësisht të vogël kalon në qendrën emocionale, amygdala, e cila me një shpejtësi 3.000 herë më të madhe se një sekondë, i tërheq energjinë trurit, prefrontal, që gjendet pas ballit dhe është ai i cili mendon, planifikon, analizon dhe njeriut i errësohen edhe sytë, apo nuk është në gjendje të shpjegojë reagimin e vet.

Pjesa e neocortexit që gjendet pas ballit, quhet truri prefrontal. Aty bëhen analizat, projektet domethënë aty gjendet të menduarit logjik, racional. Amygdala, nga greqishtja bajame, sepse ka formën e saj, ndryshe edhe qendra e alarmit, e emocioneve dhe frikës, dërgon një mesazh te truri i bishës, i cili siç pamë më larët, bën punë shumë të mira, por përzihet edhe aty ku nuk duhet. Në atë gjendje njeriu është në gjendje të vrasë, por kur të kalojnë skenat në trurin prefrontal, atëherë lind konflikti me vetveten, te njeriu i shëndoshë psikik , pendimi, te psikopati, jo.

Agresiviteti është pasojë e mungesës së Inteligjencës Emocionale. Për suksesin e njeriut kjo inteligjencë luan rol më të madh se sa koeficienti i inteligjencës. Për jetë të suksesshme 20 % varet nga kjo e fundit, kurse Inteligjenca Emocionale ndikon 58 %, pjesa tjetër varet nga rrethanat. Daniel Goleman në librin e tij, bestseller në botë, Inteligjenca Emocionale konstaton se shumë veta me një koeficient të inteligjencës prej 160, punojnë për njerëz me inteligjencë prej 100. Arsyeja? Mungesa e Inteligjencës Emocionale. Kjo inteligjencë u mungon kryesisht burrave, sepse gjatë rritjes, bëhet çdo gjë e mundur të mos jetë emocional dhe kështu i shkatërrohet empatia. Empati domethënë aftësi për të ndjerë atë që ndien tjetri! Autori numëron pesë faktorë kryesor që përcaktojnë Inteligjencën Emocionale:

  1. Njohja e emocioneve vetjake. Kuptimi i një ndjenjë në lindje e sipër. Vetvlerësimi.
  2. Vetperceptimi, pra aftësia për të qetësuar veten nga zemërimi, pikëllimi, frika, brenga
  3. Vënie e emocioneve në veprim në shërbim të një qëllimi: për përqëdnrim për vetmotivim dhe për kreativitet. Vetkrontrollim i emocionove dhe pengimi i shpërthimeve.
  4. Epmatia dhe të kuptuarit se çfarë ndien tjetri. Të kuptuarit e sinjaleve sociale. Shtyrja dhe mospranimi i menjëhershëm i shpërblimeve.
  5. Sjellja me njerëz tjerë dhe sjella korrekte me emocionet e tjerëve.
Se jemi me plot defekte e dëshmojnë kërcënimet dhe rrahjet që ndodhin brenda familjes. Rrahja  dhe kërcënimet janë mësime të marra në shtëpi. Të gjitha ato që bën krokodili, i bën edhe njeriu, kur funksionon me trurin e zvarranikut, të bishës. Krokodili i mungon amygdala, qendra emocionale dhe prandaj i hanë të vegjlit e vet sapo të linden, nëse nuk ikin menjëherë. Njerëzit agresiv, kërcënuesit, vrasësit veprojnë kryesisht me trurin e zvarranikëve. Kalimi i pushteti nga ky tru, në neocortex, është i mundur dhe mund të arrihet me meditim, vetëpërmbajtja dhe përpjekja e vazhdueshme për të kontrolluar veten.

Kjo ishte shkurtimisht për të shpjeguar kafshërinë e njeriut, gatishmërinë për agresivitet, paaftësinë për të kontrolluar veten, ose ndërsimi nga ai që vepron me tru bishe. Lexuesit që lexon këtë artikull i rekomandohet të lexojë patjetër librin e Daniel Golemanit, nga janë marrë ato njohuri. Nga ai mund të mësohet suksesi, drejtpeshimi dhe pranueshmëria e madhe në shoqëri. Sot për sot është libri kryesor për njeriun që dëshiron të bëhet jo vetëm i suksesshëm, por njeri në kuptimin e plotë të fjalës, pra edhe baba, koleg dhe shok i mirë.

Rrahjet dhe kërcënimet janë pasojë e mungesës absolute të Inteligjencës Emocionale. Daniel Goleman zbulon në librin e tij, në më shumë se 400 faqe, me plot shembuj, se njeriu ka dy shpirte, jo një: Shpirtin racional dhe atë emocional. Pra e kemi edhe atë emocional, por jo aktiv, prandaj jemi në gjendje të rrahim edhe ata që duam, si krokodili që han të vegjlit e vet. Ai e bën se i mungon amygdala, ne e kemi! 

Publikuar te Bota Sot, bletashqiptare, gazeta Dita, dritare.net

Libra nga Lis Bukuroca


Kuptimi i jetës  te amazon *, Kuptimi  jetës te lulu **, Letër burrave (I ) te amazon

Letër burrave (I) te lulu, Letër burrave (II) te amazon, Letër burrave (II) te lulu



Keine Kommentare: