Shumë mendime kundër dhunës, por edhe shumë prej tyre që e përkrahin. Nëse
u besojmë statistikave, diku 60% e grave rrihen te ne. Te ne rrihen edhe
fëmijët! Domethënë shumica njohim poshtërimin dhe rrënimin e dinjitetit të
njeriut, jo nga televizori dhe filmat, por nga shtëpia. Ose kemi dhunuar, ose
jemi dhunuar, ose kemi pasur fat të mos përjetojmë atë akt shtazarak!
Deri sot nuk ka pasur një protestë kundër këtij aktiviteti gati të rregullt
nacional. Dhe, është e natyrshme që njerëzit të ndahen në grupe siç jemi ndarë
tani: në ata që përbuzin dhunën dhe në ata që fisnikërojnë atë. Grupe sociale
heterogjene brenda vetes, por me përputhshmëri në bindje dhe veprim.
Ajo rrahje nuk ishte as diçka e re, as diçka e jashtëzakonshme. Madje nuk
ishte as rrahje siç dimë të bëjmë ne. Ata u gërvishtën si dy mace apo si dy
qenë! Ne vrasim edhe gra. Ne vrasim edhe burra dhe krimineli mund të mos
zbulohet kurrë. Tragjike është reagimi i shtetit. Ata dy duhej të arrestoheshin
në studio! Ai që provokon dhunën lirohet, mujshari mbahet brenda për një kohë.
Këta janë ata njerëz që lejuan rekrutimin e mbi 300 vetave në Siri, që
shkuan atje për të vrarë arabë, se ata nuk na qenkan myslimanë të mirë, e te ne
disa imamë, ua kanë mësuar atë burimorin, të cilin duhet t’ua imponojnë me
dhunë atyre në Lindje.
Partizanët u munduan të
ndërtojnë shtet, por e mbronin me burgje dhe me nënshtrim kolektiv. Ndryshe nuk
mundeshin, sepse më shumë nuk dinin. Madje i referoheshin një filozofi, një
sociologu aq të madh, sa pjesa dërmuese e tyre, as që kishin mundësi mendore
për ta kuptuar. Sot kemi gjendjen e njëjtë në Kosovë, por me një improvizim të
demokracisë. Ky improvizim ka krijuar
një shoqëri kaotike pa vlera nacionale, pa dinjitet nacional, pa integritet
shtetëror dhe i ngjan një teatri, ku pas tragjedisë, rebelohet kortezhi dhe nis ndërtimin e varrezave të reja, edhe
atë, mbi të vjetrit.
Ashtu si nga çdo varrim që
përfiton një klerik, politikani në Kosovë përfiton nga mjerimi i popullit!
Çfarë të thuhet në fund? Ky
është shteti i Hashimit! Pa administratë funksionale, pa sistem efektiv, me
nëpunës që kalojnë kohën në facebook, sa për një mbledhje, duhet kërkuar ata nëpër
kafenetë e qytetit për t’i tubuar së bashku!
PS.
(Më telefonon një mik, nëpunës
i një ministrie në Prishtinë, dhe më informon se më ka shkruar në facebook. I
përgjigjem se do të lajmërohem pas orës 17:00. Jam në punë. Ai më tregon se
atje gati të gjithë në orarin e punës, gjenden në media sociale. I them se unë
mund të humb vendin e punës... Në bisedë e sipër më informon se duhej të mbanin
një mbledhje, por mungonin nëpunësit dhe shefi, mezi i grumbulloi pas dy orëve.
Kishin dalë në qytet për të pirë kafe apo kryer punët e veta. E pastaj, disa që
ishin dërguar për t’i gjetur të “zhdukurit”, ishin kthyer gjysmë ore pasi
kishte nisur mbledhja...)
Në fotografi: "Korrigjon një dijetar, e bën më të dijshëm.
Korrigjon një injorant, e bën armik."
Libra nga Lis Bukuroca
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen