06.10.2017

Dasma për shkurorëzim, Dritare

“Ne nuk kemi zgjedhur jetën, megjithatë ne duhet të mësojmë për ta jetuar si mësohet një zanat sepse ekzistenca është një fakt, të jetuarit është një art! (Enzo Bianchi)


11:30

Muzika ishte shumë e potershme. Rreth muzikantëve kishin krijuar një varg të rrumbullakët hareje dhe dasmorët vallëzonin të shfrenuar: Në një dalldi të papërmbajtur, hidheshin shamitë në ajër, thyheshin shishet përdhe, ngriheshin duart përpjetë dhe dy veta gjuanin me revole drejt qiellit. Disa çaste më vonë, u dëgjuan ty-ty-tat e makinave. Më e madhja, e zeza, e stolisur edhe me dy flamuj kombëtar, u ndal para derës së oborrit. 

Një burrë plot pushtet, diku pesëdhjetë vjeçar, i rëndë në pamje, i trashë nga trupi dhe nga mendja, zbriti i pari. Pas tij eci një zonjë kokulur me hapa të ngadalshëm, e pa pushtet, e hollë dhe e dobët nga shëndeti. Pasoi një vajzë, kryeulur edhe ajo, por duke vjedhur me nënvështrim skenat para vete. E katërta zbriti një nuse me duvakë mbi kokë. Një djalosh i veshur bukur, i skuqur në fytyrë, nxitoi duke e vështruar plot admirim dhe u ndal pranë saj për të bërë fotografi. 

Pa i buzëqeshur, pa i dëshiruar mirëseardhje, pa e përshëndetur, pa e pyetur, hodhi krahun e vet mbi supet e saja, ndërkaq, drejt tyre nxitoi një tollovi njerëzisht, të shtresave të ndryshme sociale, të lidhjeve të ndryshme fisnore, të lyer e të ngjyer, të hekurosur e pispillosur dhe të llastuar e të lazdruar. Djali ngriti kryet me mburrje, nxori gjoksin para, shtrëngoi nusen me forcë pranë vete dhe vështroi turmën nga lartë me një buzëqeshje krenare. Nusja mbajti kokën gjysmë të ngritur.

11:32

- Është ky shkurorëzim?
- Jo! Po tallesh! Shkurorëzimet nuk festohen!
- Mirë, mos u pezmato, po bisedojmë vetëm. Tmerr!
- Çfarë tmerri sheh aty? Është thjeshtë një dasmë normale!
- Pa asnjë dyshim! Shiko çiftin e ri, ata sot këtu po festojnë shkurorëzimin!
- Me aq shumë shpenzime, me muzikë, me aq hare shkurorëzimin!? Je çmendur?
- Jo, nuk jam!

- Çfarë është atëherë ky paragjykim meskin? Ata sot po martohen! E sheh atë bukuroshe me fustan të bardhë? Shiko djaloshin e gëzuar si kërcen!
- Po, po e shoh, mirëpo pse nuk sheh atë që shoh unë? Mos përdredh buzët! Pse nuk kap atë përhitje rreth tyre?
- Natyrisht se po vërej çdo gjë...
- Bukur shumë! Unë shoh atë djalë që po martohet sot, por aty shquaj dhe shkurorëzimin e asaj nuse. Këtu sot kremtohet njëvlershëm martesa dhe shkurorëzimi!

-  Ti nuk je në rregull! Pse thua atë mendim ogurzi?
-  Mos piskat! Ndarjen më tregon fytyra e saj. Shpirti nuk gënjen. Djalin shoh të lumtur, si edhe ti, por jo nusen...
- Nusen e tij mendon?
- Nuk është e tij. Burri saj i vërtetë nuk dihet ende!
- Çfarë janë këto mendime ndjellakeqe?
- Nëse acarohesh ashtu, unë nuk do të flasë më! Kuptove?
- Ok, do të përmbahem...
- Faleminderit! Sipas teje qenka normale njëri të çoroditet nga gëzimi, tjetra të sëmuret nga përjetimi dhe trishtimi?!
- Traditë, traditë është kjo!

- Traditë për t’u traumatizuar në njërën nga ditët më rëndësishme të jetës?
- Jo, nuk ndodh ajo! Më shpjego bindjen!
- Nuk është bindje, është parashikim. Dëgjo, nga makina zbriti i pari një i trashë i bytyntë, që nuk martohej. Pastaj zbriti një vjehërr e brishtë, që nuk martohej. E treta  zbriti një kunatë çapkëne, që nuk martohej. E katërta doli një nuse që martohej! Dasma nuk po bëhet për nusen! Po e bën familja për krenarinë e vet dhe për djalin! Sot i treguan nuses shkallët e diskriminimit. Ajo është e fundit në këtë hierarki parake patriarkale!

- Ah të lutem, kjo është mendësia jonë...
- E ndërtuar mbi mjerimin e gruas? Pse nuk kupton gruan? Pse nuk kupton ndjenjat e saja? A je në gjendje të kapësh me shqisa se në martesë dy veta duhet të ndjehen të lumtur? Ata dy që martohen. Këtu nusja është e hidhëruar dhe e zëmëruar. E këta, ndoshta dyqind dasmorë, po i gëzohen barbarisë! Po kremtojnë dhunimin e nuses!
- Lëri këto budallallëqe të lutem! Tani më nervozon përsëri!

- Mos u acaro, më dëgjo i qetë! Mos shtrembëro fytyrën! Sonte ajo vashë do të dhunohet në shpirt dhe në trup! Ditën e martesës! Kjo do të ndikojë në jetën e saj, në edukimin e fëmijëve nesër, natyrisht, nëse nuk pason ndarja siç paralajmërohet. Trishtimi i mbrëmjes së sotshme dhe rrënimi i dinjitetit të saj, integritetit njerëzor, nuk do të shërohet kurrë. Jo pa trajtim psikologjik!
- Pallavra! Të gjithë janë martuar kështu dhe nuk ka ndodhur gjë. Pse të dhunohet, kur ajo vjen për martesë?

- Pikërisht këtu qëndron tragjedia e këtij ahengu! Fytyra saj tregon mungesën e dëshirës.  Mungesa e dëshirimit dhe kryerja e seksit sipas urdhrit, është dhunim i dyfishtë: Një herë i trupit, pastaj edhe i shpirtit!
- Të thash se shumë martesa bëhen kështu dhe nuk ka ndodhur gjë e keqe...
- Ka ndodhur shumë! Pse nuk sheh atë që shoh unë? Nuk vëren shoqërinë? Pse nuk sheh se lidhjet edhe në familje janë dëmtuar. Rrënimi i njeriut nis aty ku nuk duhet. Në shtëpi! Nuk ke dëgjuar sa gra dhe burra grinden me prindërit pikërisht për atë imponim të dhunshëm?

- Ah, të lutem, të gjithë jemi të lumtur...
- Ti nuk je i lumtur. Ti je shumë i zhgënjyer me jetën dhe bashkëshorten. Pse gënjen veten? Është traditë kjo? Nëse ia thua vetes të vërtetën dhe të tjerëve, bën të lumtur edhe gruan! Ti nuk meriton atë!
- Ti vërtetë qenke çmendur! Mos fut hundët aty ku nuk të takon!
- Mos ulurij ashtu! Po flasim. Ti ke tradhtuar bashkëshorten disa vite pas martesës! Është ajo e lumtur apo je ti i lumtur?!

- Unë jam martuar për lumturinë time...
- Bukur shumë, si ky çuni sot! Domethënë ke blerë nusen dhe posedon atë si skllave...
- Nuk e kam blerë. Babai e ka zgjedhur për mua...
- Pse martohesh, kur nuk je i aftë të zgjedhësh nusen vet? Vendimi i atit për ty, flet për papjekurinë tënde. Babait tënd i ka zgjedhur nusen gjyshi. Ty ta ka zgjedhur ai. Nuk vëren se e kaluara merr vendime për të ardhmen? Nëse dhe ti zgjedh nesër për djalin apo bijën, tregon se epoka e normave, është ngrirë. A të duket normale njeriu të zgjedhë rrobat vet, të cilat  përdoren një kohë të shkurtër, por jo njeriun me të cilin kalohet jeta?

- Çfarë janë këto idiotizma. Ti di se rregulli është i tillë dhe është një lloj respekti!
- Respekt duke hequr dorë nga jeta? Ah, tani kuptova pse ti tradhton gruan!  I hakmerresh babait, por edhe bashkëshortes, pse ka ekzistuar dhe ti nuk ke pasur guxim të kundërshtosh vullnetin e patriarkut? Më thuaj, kam të drejtë apo jo!?
- ...!?
- Mos shtrëngo nofullat! Ti dënon bashkëshorten, pse nuk ke pasur guxim të kundërshtosh martesën me nusen, që të ka zgjedhur babai sipas shijes së vet? Kuptove, ta ka zgjedhur sipas shijes së vet!!! Mos shiko anash! E di pse ke pranuar vullnetin e tij? Sepse ke menduar qysh në fillim, se ëndrrat tua seksuale, do t’i realizosh jashtë. Nëse bën ti nesër me djalin dhe bijën tënde si babai yt me ty, atëherë nuk ke asnjë dallim nga Bato.
- Kush është tani Bato?
- Ai ishte një plebe në kohën e Jul Qesarit.
- ...!

12:50
- Pse po rrah kombin ky njeri?
- Jo, nuk po e bën, po e edukon vetëm fëmijën e vet! Për të mirën e tij!
- Ah, vërtetë, mund të rrahet njeriu për të mirë, pse nuk sheh ti atë që shoh unë? Ai këtu po shkatërron shoqërinë e nesërme! Ai këtu po shkatërron individualitetin, dinjitetin, personalitetin dhe mëvetësinë e fëmijës, pra po rrënon harmoninë nacionale!

- Ndalu he burrë, kalove tash çdo kufi!
- Qetësohu! Ky baba është më i lig se një polic i Millosheviqit! E di pse?
- Jo...
- Sepse ai polic ishte në rrugë, ky është në shtëpi. A na ka rrahur policia për të mirën tonë? Metodat e shkaktimit të dhembjeve nuk bëjnë asnjë dallim. Pse ky njeri dashuron fëmijën e vet si polici i djeshëm? Ky këtu po thyen sot kurrizin, po zhduk sedrën dhe drejtpeshimin  e fëmijës. Po dëmton profilizimin në jetë. Kjo egërsirë këtu, sot nuk po rrah fëmijë e vet, por po defaktorizon kombin!
 - Ai është i rreptë. Ai rrah edhe gruan, por është patriot...
- Po tallesh? Atdhetar një njeri që rrah gratë!
- Nuk ka lidhje njëra me tjetrën!

- Si nuk ka? Ai diskriminon gruan. Si mund të adhurojë kombin një njeri që diskriminon gratë, gjysmën e kombit!? A nuk janë gratë pjesë e kombit apo ai parapëlqen komb vetëm mashkullor?!
- ...
-Nuk ke asgjë për të shtuar? Nuk dëshiron të flasësh? Dakord, domethënë i rrah edhe ti! Kërkoju ndjesë, pendohu, kështu së paku shpëton nipat nga rrahja dhe shoqërinë nga fisnikërimi i primitivizmit mesjetar! Pa asnjë dyshim shpëton edhe kombin nesër nga dëshira për t’u bërë viktimë e jetës, jo autor i saj.

13:10
 - Është një takim gazmor ky?
- Jo, ti nuk je në vete sot! Nuk vëren se është një varrim?
- Varrim! Pse fytyrat nuk janë të ngrysura si të nuses që pamë pak më parë?
- Sepse kanë vajtuar në shtëpi, ndoshta kjo është arsyeja...
- A ka vajtuar dhe nusja që pamë?
- Po, duhet të ketë qarë, ose së paku dënesur...
- Domethënë gruaja vajton si për vdekje, ashtu edhe për  martesë? Si kur mbaron jeta e dikujt, ashtu edhe kur nis jeta familjare e saj! Emocione të njëjta, të barasvlershme? Dhembje në dasmë, dhembje në varrim!?

- Ah të lutem, po e tepron! Prindërit kanë vendosur ta martojnë. E mundur se vajza nuk ishte pajtuar...
- Domethënë, nuk ishte e gatshme për martesë. Qenka normale të dhunohet vullneti i saj?! Ndoshta dashuronte dikë tjetër! Ndoshta nuk dëshironte fare të martohej, por më thuaj të lutem, a mund të konsiderohet prind ai që dërgon bijën në një shtrat të një burri, të cilin nuk e njeh si duhet bija dhe të cilin nuk e dashuron? Madje, sipas sjelljes, shihet se as që kanë pasur seks para martesës!
- Ha ha, seks para martesës, më bën të qeshem! Detyrë e babait është të pengojë pikërisht seksin!

- Të duket normale?
- Po, përndryshe i merret fytyra familjes!
- Pse familjes? Nëse bija bën seks, dëshmon se është normale. Fytyra i merret familjes, nëse dikush ia bën atyre atë punë me zor! Madje as këtë herë jo. Do t’i merrej dhunuesit, jo viktimave!
- Morali jonë thotë se babait i merret fytyra, por kryesisht nënës. Mos u buzëqesh ashtu.  Seksi para martesës është kurvëri!
- Domethënë detyrë e nënës qenka ta bëjë bijën aseksuale?! Po djemtë, kanë përvojë seksuale djemtë para martesës?

- Po, mund të kenë!
- Si e bëjnë kur vajzave u ndalohet? Me kë?
- Nuk di unë me kë!
- Meqenëse seksi qenka kurvëri, pse vajzat të martohen me kurva mashkullore?
- Sepse burri që ka pasur shumë gra, mund të krenohet!
- Aha, domethënë ai që ndalon seksin para martesës dhe atë që cilëson te vajzat si “kurvëri”, pikërisht atë vepër përkthen për vete si vlerë, kurse vet ngrihet në ruajtës të moralit? I pamoralshmi kujdeset për ruajtjen e moralit? Apo? Domethënë e liga vendos mbi të mirën. Antivlera definon vlerën? Domethënë ne kemi gjysmë moral. Nënat fisnike, etërit kurva? Atëherë qenka fantazia vetjake e burrit, që ndikon në degradimin e gruas. Ai ka frikë nga imagjinata e vet dhe merr me mend përdaljen si të mundur edhe te gratë?

- Ndoshta, nuk di! Nuk kam menduar për këtë. I merret fytyra familjes, kështu ka qenë dhe kështu mbetet! Po më shkakton një konflikt të brendshëm.
- Më fal, nuk desha të shqetësoj ty, por më thuaj të lutem, çfarë fytyre mund të kenë ata prindër, që ndalojnë bijës dashurinë normale, që ajo zgjedh, por e dërgojnë për t’u dhunuar, me muzikë, te një burrë, që ajo nuk e dashuron? Ku sheh ti aty fytyrë? Fytyra humbet nëse vendoset për djalin apo bijën, jo kur i riu apo e reja merr vendimin vet, për jetën e vet!

- Domethënë të bëhen çikat kurva?
- Dashuria nuk bën njeriun kurvë. Ajo përgatit të riun për martesë. Gabimet që bën në dashuri para martesës, i kursen si i martuar. Si djali, ashtu edhe vajza. Për shembull, nuk i vejnë brinjë njëri tjetrit...
- Ah, po, ha ha, të bëjnë stërvitje?
- Mos u zgërdhi! Gjendja është për të qarë!

- Pse për të qarë?
- Sepse prindërit dhunojnë vajzat dhe djemtë shpirtërisht!
- Dëgjo, i ati di se çfarë  i duhet fëmijës!
- Në rregull! Të njeh prindi jot më shumë ty, se ti vetveten?
- Jo!
- Të pëlqejnë ty gjësendet, që parapëlqen babai yt?
- Jo gjithmonë!

- Pa dyshim, ti nuk je vetëm i tij, as kopje e tij, por i krijuar edhe nga nëna. Ti disa vite pas martesës je rritur. Aty ke dashur të revoltohesh kundër babait dhe si e ke bërë? Duke tradhtuar bashkëshorten për të sfiduar dhe gjykuar shijen e babait për zgjedhjen e nuses tënde. Pra normat e kaluara, kanë dhunuar normat moderne! Ai të ka anuluar mundësinë dhe kënaqësinë kryesore të jetës: Zgjedhjen e të dashurës! Ajo duzinë njerëzish që po vështrojmë, nuk po varrosin një njeri, por po lirohen nga një ndjenjë e ndrydhur dyfytyrësie...

- Po bëjnë një ceremoni varrimi krejtësisht normale, a je duke kuptuar veten se çfarë po flet?
- Mos bërtit, unë të kuptoj. Pezmatimi jot dëshmon se unë kam të drejtë! Shih ato fytyra, duken të hareshme për një kortezh. Shiko veshjet e tyre në ditë zie, lara-lara!
- E çfarë të bëjnë?
- Këtu fytyrat kanë pamje më pak të zymtë se vasha që martohej. Tani ngatërrohen konceptet e gëzimit dhe pikëllimit. E para humbte lirinë me martesën, ky këtu, ose kjo këtu, humb lirinë gjithashtu, por me vdekjen, ajo me gjallimin! Asnjëri nuk ka më vullnet të vetin! As e gjalla, as i/e vdekuri. Cili apo cila është më e rehatshme tani? Cilit apo cilës i ruhet dinjiteti nga familja, nga shoqëria?

-  Natyrisht të gjallës!
-  Nuk duket ashtu! Është një pohim sipërfaqësor, në përditshmëri përjetohet krejtësisht ndryshe. Unë shoh më shumë respekt pranë asaj kufome, se sa para nuses me një turmë të dalldisur! Këtu luajnë të gjithë një rol. Atje kishim dy gjendje shpirtërore. Këtu një shtirje, atje një mori dhe një zhgënjim me jetën!
- Si? A nuk ishte respekt gjithë ajo dasme, ku janë shpenzuar mijëra euro?

- Ule zërin të lutem! Ky, ose kjo këtu, pushon përgjithmonë, i/e, pa shqetësuar! Ajo atje ka dhembje dhe pikëllim të përditshëm, sepse nusja sot nuk ishte nuse, por vetëm me dukej si e tillë! Ishte personazhi periferik në një festë barbare.
- Pse barbare?
- Sonte ajo dhunohet! Nesër me të gdhirë, ose ca ditë më vonë, bëhet kameriere e familjes, kuzhiniere e familjes, pastruese e familjes dhe pasi të jetë rraskapitur mirë nga puna dhe nënshtrimi, shtrihet për të pushuar, por, atëherë, shfaqet burri që dëshiron seks. Ke të qartë tani? Familja është martuar ditën, djali natën! Nuse kolektive!

- Ah të lutem, janë rregulla morale, tonat...
- Nuk janë rregulla morale, por makabre, çnjerëzore, primitive.
- Nga nxjerrë ketë përfundim?
- Djali ka bërë shumë gabime, por më i madhi është, se ai, martohet në shtëpi të prindërve, pa pasur të veten. Pa shtëpi, ose banesë të veten, nuk do të ketë kurrë nuse! As gruaja burrë! Ai nuk do të rritet derisa jeton me prindërit në një shtëpi! Do të mbetet fëmijë! Nuk krijohet familja e re, në familjen e vjetër! Ashtu si nuk ndërtohet shtëpia e re mbi një kolibe! Do të shembet!

- Domethënë të braktisë prindërit...
- Patjetër, nëse dëshiron të bëhet burrë! Edhe prindërit e tij kanë braktisur të vetët. Kjo ruan dashurinë dhe respektin brenda familjes. Martesa kolektive rrënon lidhshmërinë emocionale, dëmton të gjithë. Braktisja dëshmon pjekurinë dhe kuptimin e jetës, rrjedhimisht të krijimit të familjes! Mëvetësinë!
- Po, mirëpo ndarja shumë herë nuk është as e mundur, kushtet...

- Atëherë nuk është koha për martesë...
- Të kenë pikësëpari banesën, këtë mendon?
- Po, se nisma është tragjike! Dita është shërbim njerëzve të huaj, me të drejtë qortimi! Çdonjëri duhet të zgjedhë vet, përndryshe natën e martesës, shtrihen dy të panjohur në shtrat. Ky është dhunimi i legalizuar, i moralizuar kafshërisht! Me dasmë! Ky apo kjo e vdekura, nuk do të dhunohet nga askush, madje as nuk do ta shqetësojnë me lule, por e gjalla, do të poshtërohet disa herë në ditë, me lule, mirëpo, nuk do të shqetësohet as kjo...

- Domethënë është më mirë të vdesë?
- Jo, të vdesë, por të jetojë…
- Si të jetojë? Ndoshta e kanë shitur!
- Prandaj duhet të jetojë!
- E si?
- Duke u revoltuar, si vajza, ashtu dhe djali! Për të  krijuar familje me dashuri. Jeta është e tyre. Nëse pranojnë shndërrimin në gjësende, atëherë revolta është e pamundur, si dhe jeta. Nusja sot ishte në aspektin psikologjik gati e vdekur, por jo në atë fiziologjik. Pa luftuar patriarkatin, familja e lumtur është e pamundur, rrjedhimisht kombi.

- Ah! Të lutem! Çfarë marrie!
- Jo “ah”, por kuku dhe mos më prek, kur flet. Ai djalosh bën seks gati me një kufomë psikologjike, ose me një trup të gjallë, por me shpirt në fikje e sipër. Seksi është emocion, dëshirë, kënaqësi, jo detyrim! Jo aktivitet sportiv! Jo epsh i njëanshëm, por i ndërsjellë. I njëanshëm është vetëm në Shtëpi Publike. Sepse njëri jep lekët, tjetra trupin, por barasvlera nuk duhet të përsëritet në shtëpi.

- Më mirë më mos të kisha takuar fare! Unë do të çmendem sot me ty!
- Nuk besoj, ai që do të çmendet sot, jam unë!
- Ndalu pak! Ndalu, mos ec! Një herë dasmën quan festë shkurorëzimi. Pastaj kortezhin shpall takim gazmor. Tani nusen shpall kufomë. Je në vete ti? Më bind të shkurorëzohem edhe mua? Është ky qëllimi jot?

- Mbaj mend, ka varrime që janë çast gostie. Ka dasma, që janë varrime. Dhuratën që ke në xhep për dashnoren, dhuroja bashkëshortes. Të ka duruar shumë apo dëshiron lumturi për vete mbi poshtërimin dhe vuajtjen e saj!? Nesër faturën ta paraqesin fëmijët!
- Jo nuk e bëj, ia kam premtuar asaj...
- Nëse shoqja jote do të blinte një dhuratë prej ari për një burrë tjetër, do të emociononte kjo?
- Ej, pusho të lutem! Unë jam burrë...

- E sheh se adhuron dyfytyrësinë, gënjeshtrën, amoralitetin, gjersa gruan tënde mban në arrest shtëpiak. Si mund të edukosh ti fëmijë, kur je shëmbëlltyrë e shëmtuar e moralit? Mendon se fëmijët dhe shoqja jote nuk ndjejnë  këtë tradhti me arsyetimet tua naive?
- Mjaftë më, mjaftë, tani kapërceve çdo kufi !!!
- Ok, mos u çaravesh, thamë se do të flasim qetë-qetë! Organizo dasmën e dytë dhe shkurorëzohu!
- Ah, të shkurorëzohem me dasmë?
- Po, si ata dy më parë! Tani dasmë reale dhe të sinqertë! Sepse ndarja është fundi i një mashtrimi të madh. Ke fëmijë! Ti nuk tradhton vetëm shoqen, por krejt familjen! Duhet festuar të kaluarën e lumtur sepse nuk ka qenë gjithmonë e vrazhdë, por njëkohësisht, festohet nisma e re: Jeta jote e sinqertë!

- Çfarë domethënë me këtë?
- Ndaju në emër të dashurisë, kështu dikush tjetër bën të lumtur gruan tënde që ti shpërfill dhe keqtrajton, gjersa shkarravitesh nëpër dhoma hoteli me dashnoret! Jeto, ose martohu me dashnoren!
- Mendon seriozisht?
- Po! Mos piskat! Adhuro të vërtetën, e vërteta të hapë rrugën e lumturisë. Nesër edhe fëmijëve tu, edhe shoqërisë!
- ...

14:00
- Pse po qan ai njeri në atë tryezë?
- Nuk po qan, e sheh se ai dhe ata me të, po qeshen me të madhe.
- Nuk po qeshen, pse nuk sheh atë që shoh unë?
- Çfarë të shoh të lutem?

- E sheh atë me zinxhir në qafë dhe sahatin e madh në dorë?
- Po, po e shoh! Ai është i pasur, shumë i pasur dhe ka shumë miq...
- Nuk vëren se asnjëri nuk është mik i tij! Nuk kap se si qeshja e tij është e rrejshme. E rrejshme është edhe e atij që mban barkun, por ul kokën. Edhe e atij që ven dy duart mbi fytyrë. Edhe e atij që tund kryet, por nuk e vështron në sy. Edhe e atij, që e rrah supeve...
- Ti nuk je në rregull!

- Mendon? Zotëria i pasur është i dëshpëruar, ai vuan nga ndonjë sëmundje psikike, ose duhet të jetë psikopat...
- Pse thua kështu?
- Sepse ai sillet me përdredhje. Ai përpiqet t’u pëlqejë dhe ata të tjerët bëjnë të njëjtën gjë. Po gënjejnë njëri tjetrin! Dyfytyrësi! Ky i pasuri, që përpiqet të qeshet, nuk ka miq. Pasurinë e ka fituar ilegalisht. Ai di këtë. Këtë dinë edhe këta në tryezë me të, që përpiqen të qeshen në mënyrë teatrale! Pra, këta po qajnë së bashku se nuk kanë guxim të jenë të sinqertë, prandaj refuzojnë realitetin. 

Kultivojnë shtirjen dhe dyfytyrësinë si erzac të moralit! Qeshja e tyre është vaj, që shqyrtohet çiltas pasi të shpërndahen, sepse mungojnë normat morale. Dyfytyrësia është kod, si edhe te martesa e vajzës, si edhe te varrimi, ku përpiqeshin me zor të tregojnë pikëllim, por fytyrat e tyre, tregonin çlirimin. Më kuptove tani?
- More vesh apo jo?
- Më dëgjon?
- ...
  
14:20
- Çfarë bëjnë ata derra aty?
- Janë njerëz, nuk janë derra!
- Pse nuk sheh atë që shoh unë?
- Unë shoh pastërtinë dhe elegancën. Asnjëri nuk është i ndytë!
- Nuk vëren turirin e tyre? Nuk dëgjon gjuhën e tyre! Fjalorin e tyre! E sheh se kanë frikë nga liria. Kanë dhe kravata, por shiko si vështrojnë rreth vetes?
- Është normale të vështrohet...

- Jo, në këtë mënyrë e bën njeriu, që ka ndërgjegje të ndyrë. Ka shumë krime brenda atyre veshjeve elegante. Përpiqen të mbulojnë gjurmët. Me kravatat dhe ato veshje mundohen të dërgojnë mesazhe pastrimi, dezinfektimi, pendimi apo bëjnë apel të mos brengosen të tjerët, por për të vazhduar me derrërinë...
- Nga vjen kjo?

- Nga martesa pa dashuri. Aty nis jeta! Aty dyfytyrësia është kod mbi kode. Shtirjen kanë mësuar nga i ati! Shtirjen kanë mësuar nga nëna. Ajo duhej të shtirej e lumtur, edhe kur shtypej! Duhej të gënjente, kështu fëmijës i tejpërçohej rrena si normë morale. Si ajo nuse që përpiqej të ngre kokën, por nuk mund ta bënte! Ata janë rritur pa dashuri. 

Ata nuk janë edukuar, por janë shpulpuar nga morali. Ata nuk bëjnë asgjë tjetër, pos t’i dëshmojnë të atit, se me dyfytyrësinë, piratërinë, barbarinë e mësuar në shtëpi, mund të bëhen më të aftë se sa ai. Krejt veprimtaria e tyre, nuk është punë, por revoltë ndaj babait, ndaj lirisë, prandaj edhe në konflikt me ligjin. Ata në nëndijen e tyre, dëshirojnë burgosjen, prandaj sfidojnë ligjin. Me arrestimin, u shkaktojnë dhembje vetëm prindërve. Këtë e dinë. Burgosja është një hakmarrje ndaj të atit despot, mizogjin dhe gjinofob. Ai di se ata shkelin ligjin, por babai nuk e denoncon...

- Babai të denoncojë djalin?
- Po, pa asnjë dyshim!
- E pse?
- Sepse ndikon në zvogëlimin e burgut! Kjo është dashuri! Sinqeritet! Vetëdije! Pjekuri qytetare! Qytetërim! Obligim ndaj drejtësisë, ndaj moralit!
- Nuk dua të them më asgjë. Ti qenke bërë për psikiatri...

- Dakord, ki durim të shohim se cili prej nesh meriton spitalin: Ti te shkurorëzim perceptove një dasmë normale. Te rrahja e fëmijës, gjete dashurinë e prindit! Te muhabeti gazmor, pa ceremoninë e varrimit. Te vajet në tryezë, ti pa qeshjen. Te të trishtuarit nga liria, ti konstatove argëtimin. Kjo është arsyeja pse ti gënjen veten dhe përsërit gabimet e atyre që të çedukuan! Të është dëmtuar mënyra e perceptimit! Ti ishte i mirë si fëmijë, por të ka prishur familja dhe më e keqja, nuk ke pasur kurrë guxim të jetosh si dëshiroje, por si dëshiruan ata, prandaj dënon gruan, nga mungesa e guximit për të qenë vetja.

- Duhet t’i urrejë ata?
- Jo, se dëmton veten. Jeto jetën tënde sipas aftësive dhe vendimeve tua. Është e jotja, jo e tyre. Ke akoma kohë!
- Ok, unë ika…
- Jo, ti nuk po ikën, ti po arratisesh nga epoka jote. Ti pa asnjë vështirës mund të rrokullisesh në shekullin XVIII, madje edhe në shekullin zero! Ti parapëlqen burgun e mesjetës së hershme, sepse të siguron përparësi mashkullore! E vërteta shkakton dhembje, por ndriçon rrugëtimin. Ti ke dy mundësi: Ose të instrumentalizohesh tutje, për të keqen tënde, ose të dezertosh nga burgu, ku të ka mbyllur primitivizmi, por këtë herë për të mirën tënde.

- Nuk dua të të takoj kurrë më! Mendimet tua janë degjenerim! Burri nuk ndryshon sipas motit...
- Të falënderoj, as unë nuk dua të të takojë kurrë më. Njeriu ndryshon sipas kohës. Majmuni jo. As gomari! Asnjë kafshë! Ato shpërfillin epokat dhe rendet! Nuk i kapin! Nuk janë në gjendje të mësojnë! Nuk di të lexojnë! Majmuni sillet si stërgjyshi i tij në kohën e Batos! Burrë  i mirë apo jo? Pse kopjon kafshët?
- Nuk të kuptoj! Ti vërtetë qenke prishur deri në palcë! Lamtumirë!

- Të kuptoj! Ti nuk qenke ndrequr kurrë! Çfarë fatkeqësie! Çfarë humbje për familjen, për rrethin dhe shoqërinë! Çfarë dëmi për kombin! Çfarë zhgënjimi epokal! Ndalu! Ndalu! Do të vrapoj pas teje deri në shtëpi!
- Dy minuta dhe fund…

- Faleminderit, më dëgjo: Arsyeja pse në dasmë kishim shkurorëzim, ishte dyfytyrësia! Madje kishte më shumë njerëz të ftuar, që nuk i gëzoheshin dasmës, se sa që e bënin: Dyfytyrësi dhe krenari boshe!  Ai rrihte vogëlushin, edhe pse për nga roli social dhe afria, duhej t’i falte dashuri: Paleo-edukatë, nga paleo-njeriu!  Te varrimi kishte më shumë njerëz, se sa ndjenin pikëllimin: Dyfytyrësi dhe shtirje! Në tryezën e parë qesheshin, pse qeshej i pasuri: Dyfytyrësi dhe përshtatje! Në tryezën e dytë kishte frikë nga liria: 

Revoltë ndaj babait! Ai fëmijë i rrahur,  nesër do të jetë punëtor hajn, nëpunës i korruptuar, deputet kriminel, ministër mafioz, kryetar maskara, ose vasal, ose njeri që pëlqen shtypjen dhe diskriminimin! I është zhdukur sedra! Ndaluuuu, edhe një minutë të lutem! Mos ik nga e vërteta! Mos ik nga sinqeriteti! Pse nuk sheh atë që shoh unë?!  

A nuk vëren se po prodhon elitë, që si synim kryesor ka burgun? Pse nuk kupton se kjo shoqëri e palumtur, palumturinë ndërton me shumë mund duke shtypur gratë dhe shumë familje të palumtura, prodhojnë një komb në kaos, në gazep dhe shpërbërje të përhershëm! Pse nuk kupton se mungesa e barazisë në shtëpi, prodhon shoqëri bashibozukësh!
- Ok, lamtumir...

- E di çfarë thoshte Victor Hugo, “Të vdesësh nuk është asgjë: Të mos jetosh është e tmerrshme.”  Sidoqoftë të falënderoj për bisedën inter-epokale!
- ....
Iku! Iku me fytyrën e vet të pafytyrë dhe paleo-bindjet e veta! Ai quan veten intelektual! 

Publikuar tek dritare

Më shumë me tema të tilla në librat: Letër burrave I dhe II