Para luftës patëm një armik të jashtëm, të cilin e
luftuam herë në mënyrë efektive, herë jo, por meqë në fund u arrit qëllimi, atëherë
në kontekstin historik, mund të vështrohet si ndërmarrje e madhe e kurorëzuar
me sukses.
Pas luftës, në vrapim
e sipër për profilizim, për karrierë, për lekë, u shpërfill në tërësi krejt
zezona, madje edhe gratë e dhunuara, edhe të varrosurit nëpër Serbi! Përpos kërcënimeve
për nevoja të brendshme, për vota, nuk u ndërmor asgjë, madje nuk u morën as me
ndërtimin e një arkivi, ku mund të ruheshin provat, qoftë për një gjykatë, qoftë
për kujtesë nacionale.
Ne nuk merreshim më me
gjenocidin dhe deportimin serb, por me vetveten. Janë humbur vite, janë shkruar
mijëra faqe dhe janë bërë mijëra orë debate, thua se punët tjera i kishim në
rregull. U bë modë shqiptarët të shahen nëpërmjet mediave. Madje edhe të rrihen.
Në atë gjendje krejtësisht
kaotike, u krijua një diskurs i ri dhe
nisi prezantimi i gjoja ideve alternative, gjoja me baza shkencore, por që
luftonin çdo gjë shqiptare. Metoda e tyre ishte klasike: Për të ndërtuar identitet
të ri, rrëno të lashtin! Bëje në atë mënyrë sa njerëzve t’u gërditet vetvetja.
Kështu kanë vepruar edhe pushtuesit! Elita politike kosovare u shndërrua në
zvarranike absolute dhe për vota, iu nënshtrua vullnetit të turmës, rrjedhimisht
paguesve të kësaj gjendje. Kosova nuk merrej më pasojat e Serbisë, por me tema
që nuk ishin asnjë rëndësi për të ardhmen e vendit. Akoma nuk kishin krijuar administratë
si duhet, atje luftohej gjuha shqipe, historia shqiptare dhe identiteti!
Si pasojë, nisi
fabrikimi i armikut të ri. Armiku që meritonte të luftohej në substancë dhe t’i
jepej goditje fatale. Kjo gjendje i konvenonte shumë Serbisë dhe gjatë kësaj
shpërbërje, ajo arrit aq shumë suksese, sa në botë nisi të perceptohej si
viktimë. Për ta kristalizuar atë bindje, i ofruam edhe radikalizmin islamik dhe
u lejua rekrutimi gati publik. U reagua pasi u dërguan në vdekje më shumë se
300 veta. Rehabilitimi i Serbisë po bëhej me vendosmëri, me ndihmën e Kosovës.
Albanofobia serbe dhe albanofobia islamike do të përsërisin argumente të
njëllojta, kështu, në fund, mizantropia dhe kokëfortësia e shtetit serb, do të
shpërblehet me një autonomi.
Armiku i ri u vizatua:
për vahabistët ishte kombi shqiptar, historia shqiptare, personalitetet
shqiptare. Ato ishin edhe nocione dhe argumente serbe.
Armiku u prodhua dhe në
esencë ishte kombi shqiptar, me nënsistemet
e veta si historia, gjuha, kultura, alfabeti, flamuri, me një fjalë, çdo
legjendë apo ndodhi historike, që
krijonte një kohezion dhe mundësonte popullit një identitet. Të gjitha ato që kishte
luftuar Serbia te shqiptarët, tash do të luftoheshin nga shqiptarët me arsyetime
të ndryshme, gjoja për të mirën e shqiptarëve, si dikur Serbia.
Mohuesit dhe kundërshtuesit
u përjetuan si shfaqje ekzotike. Gjëra të tilla në perëndim nuk mund të merren
me mend. Shkruhet në media gjermane, serbe, në media franceze dhe në ato
angleze, shpesh edhe nga shqiptarë, të cilët deri në detaje raportojnë për
vendin, për krimin, për korrupsionin, për politikanët e inkriminuar, për
radikalizmin. Dhe ti shpreson pezullim të vizave? Dhe ti shpreson inkuadrim në
BE? Dhe ti shpreson të vijnë investitorë?
Zakonisht ato
informata që ofrojnë shkruesit shqiptarë në shtypin e jashtëm, Shërbimet Sekrete
i marrin nga spiunët e vet brenda atyre vendeve. Te ne njerëzit fitojnë honorar
duke shkatërruar imazhin e kombit. Nuk mund të imagjinohet një gjerman, një
francez, një italian apo anglez, që do të shkruante në shtypin e huaj kundër
vendit të vet.
Ne po duke iu referuar
mendimit të lirë apo lirisë intelektuale. Çdo marrinë që prodhon Kosova, të nesërmen
merret vesh në Perëndim dhe i shërbehet publikut si pretekst për ta shpërfillur
vendin akoma më shumë.
Kosova dhe Shqipëria
janë bërë poçavra jashtë nga raportues shqiptarë! Nuk duhet shumë mend për të
kuptuar se disa jetojnë duke i parahedhur lexuesit perëndimor fakte, që
vërtetojnë pikërisht paragjykimet e tyre! Ibrahim Kelmendi tha se nuk shkruante
më për një gazetë gjermane, se nuk kishte tema pozitive nga Shqipëria! Kam
refuzuar ta bëj edhe unë!
Çdo shkrim ndikon drejtpërdrejtë
në investime, në imazh, por edhe në inkuadrim në BE. Nëse Shërbimet Sekrete do
t’i merrnin ato informata nga spiun të brendshëm, demi do t’ ishte më i vogël
sepse publiku perëndimore nuk do t’i dinte. Kur plehu jonë shpërpushet në oborret
te huaja, demi është për të gjithë, kolektiv. Gjermanët thonë: “Rrobat e ndyta
lahen në shtëpi!” Ne i lajmë nëpër media perëndimore. Madje me mburrje!
Nuk mund të gjendet një
gazetar italian, që shkruan kundër Italisë në Gjermani. As gazetar zviceran, që
shkruan kundër Zvicrës, por gjeni shumë shqiptarë që shajnë Kosovën dhe
Shqipërinë jashtë, siç bën edhe Serbia.
Të shkruash dhe
kritikosh brenda vendit, domethënë të dëshmosh pasion për të ndryshuar
gjendjen, siç edhe qorton prindi fëmijën, por të shkruash jashtë vendit, në
gjuhë të huaj, domethënë të ndihmosh në rrënimin e imazhit dhe shpresës.
Thaçi përjashtoi me
vetëdije të plotë investitorët perëndimorë duke shitur ndërmarrjet përfituese
Erdoganit, i cili tani edhe ato fitime investon në Serbi. Deklarata e tij se
Kosova nuk është shtet, i shërbente përmirësimit të raporteve me Serbinë, si
mike e madhe e Rusisë. Madje, ishte edhe njëlloj pendimi publik për pranimin e
shtetit të Kosovës. Asnjë politikan kosovarë nuk pati guxim ta kundërshtojë. Tani
mund të duartrokasin se vëllai i tyre, me pesë miliardë dollarë do të ndihmojë
në faktorizimin e Serbisë. E kush e tha se Kosova nuk ishte shtet? Vendi që pa
grusht shtete nuk ka mundur të mbijetojë dhe deri tani ka pasur pesë: në vitin
1960, 1971, 1980, 1997, 2016, domethënë tjetri është në përgatitje, sepse nga
viti 1960, nuk kanë kaluar asnjëherë 20 vite pa shembje e shtetit turk.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen