30.11.2017

Iluminizmi dhe salafizmi, Dritare

“Nuk duhet festuar ditëlindja!” Natyrisht, kur u shkruan librat fetarë gati askush nuk dinte ditëlindjen! Askush nuk kishte kalendar.  Gati askush nuk dinte të numërojë dhe gati askush nuk dinte të lexojë.   Njerëzit besonin se zoti kishte krijuar Evën nga një brinjë e Adamit dhe kështu zoti i gjithëdijshëm, kishte urdhëruar Adamin të martohet me vetveten!

“Nuk duhet festuar pavarësia!” Natyrisht, në kohën kur u shkruan librat fetarë, nuk kishte pavarësi. Kishte vetëm skllevër dhe disa pronarë të tyre! Madje ata libra hyjnorë lejojnë shitjen dhe blerjen e njeriut. Kjo domethënë se një i pasur sot, do të kishte të drejtë hyjnore të blinte kë dëshiron! Njeriu me ligj ndaloi ligjet e zotit të mençur për shitblerjen e njeriut!
Nëse ndalohen gjëra që nuk ekzistonin në kohën e profetëve -si datëlindja-   atëherë duhet ndaluar edhe celularin, televizorin, internetin, makinat, avionët etj., etj.

“Ortodoksë hebrenj” quhen ata që janë fundamentalistë në besim dhe sipas një programi dokumentar në tv publike gjermane, në Izrael janë diku 700.000 veta. Ata nuk posedojnë as televizorë, as celularë dhe gratë e tyre nuk u japin dorën burrave të huaj dhe nuk punojnë të përzierë në një zyrë. Nuk kishte dallim mes jetës atje dhe në Iran, ose Arabi Saudite. Djemtë në ditën e tetë të jetës bëheshin synet dhe kështu dëshmohej lidhshmëria me perëndinë.

Rekomandimi për t’u sjellë njerëzit si në shekullin shtatë, do t’ishte i pranueshme sikur ata të jepnin udhëzime të tilla ulur mbi një deve, ose nga një tendë, por jo derisa vet blejnë makina, celularë, kompjuterë, këpucë, rripa për pantallona dhe sapun prodhuar nga qafirët, që nuk duhet të kopjohen! Ata edhe fluturojnë me avion të qafirëve, ose me orë të tëra kalojnë kohën në facebook të një qafiri hebre!

Pa u zgjatur shumë po sjell një përkthim jo integral, nga mungesa e kohës, por një pjesë të përgjigjes së filozofit më të madh të të gjitha kohërave Immanuel Kantit gazetës së përmuajshme berlineze. Edhe pse apelet e tilla mund të krahasohen edhe me fabulën e Platonit me njerëzit e lidhur në një shpellë, që mund të shohin vetëm hije në një mur para vete dhe që janë të bindur se hijet flasin dhe lëvizen. Klerit i duhen njerëz të lidhur dhe që beson hijet e tyre! Personazhet në atë alegori janë Sokrati dhe dy vëllezërit e Platonit...

Gazeta u kishte shtruar intelektualëve gjermanë këtë pyetje: “Çfarë është iluminizmi?“ Për ata që nuk dinë kuptimin, iluminizmi është e kundërta e obskurantizmit, pra e territ, domethënë është ndriçimi, drita dhe liria për të përdorur trurin, për t’i ikur kontrollit të mendjes nga kisha. Në dhjetor të vitit 1784 Immanuel Kant publikoi në atë revistë përgjigjen e vet të famshme: Çfarë është iluminizmi? Pra, para 233 vjetëve. Për ne është shumë aktuale sepse obskurantizmi ka mbështetje të fortë materiale dhe kërkon çdo ditë që njerëzit të besojnë dhe të mos mendojnë!

Lexoni përgjigjen e Kantit si njeriu i moshës madhore është shndërruar në të mitur, në fëmijë që i duhet tutori, kujdestari i mendjes. Radikalizmi fetar pretendon me këmbëngulje kolonializimin e trurit dhe predikon atë si dëshirë hyjnore, edhe pse zoti di se këtu, në tokën e tij, janë regjistruar 10.000 religjione, ku numërohen edhe ato që kanë së paku 50.000 besimtarë...

Kanti ka fjalën:

Iluminizëm është çlirimi, dalja e njeriut nga gjendja miturisë, që i ka shkaktuar vetes me fajin e vet. Mituri është paaftësia për t’u shërbyer me intelektin (mendjen) pa udhëheqjen e një tjetri. Dua të them se me fajin e vet shkaktohet kjo mituri, kur shkaku nuk gjendet në mungesën e intelektit, por të mungesës së vendimit dhe guximit për ta vënë në përdorim pa udhëheqje nga të tjerët. Saper aude! Ki guxim të jesh i mençur! Ki guxim të dish! Kjo është motoja e iluminizmit!

Përtacia dhe frika janë shkaktarë pse një numër kaq i madh i njerëzve, edhe pse natyra qysh moti i ka deklaruar të lirë (naturaliter majorennes) megjithatë vullnetarisht mbeten tërë jetën të mitur: pra, kjo është arsyeja pse të tjerët e kanë aq të lehtë të ngrihen në tutorë të tyre. Është shumë komode të jesh i mitur! Nëse unë kam një libër që ka intelekt për mua, një klerik, që ka për mua ndërgjegje, një mjek që gjykon për shëndetin tim, atëherë unë nuk do të duhej aspak të rropatem vet.

Unë nuk do të kem nevojë të mendojë, nëse vetëm kam mundësi për të paguar: të tjerët do të kujdesen për punët e mia të bezdisshme. Sepse numri më i madh i njerëzve (brenda tyre krejt gjinia e bukur) hapin drejt çlirimit (pjekurisë, moshës madhore) e konsiderojnë jo vetëm  jokomod, por edhe të rrezikshëm. Për ecurinë e tillë kujdesen ata tutorë, që kontrollin sipëror kanë marrë mbi vete si baballëk.

Pasi t’i kenë bërë dudukë, (të trashë nga mendja, budallenj) bagëtinë shtëpiake dhe t’i kenë ruajtur mirë, që të gjitha këto krijesa të urta të mos bëjnë një hap jashtë ecores së fëmijëve (pajisje, ku fëmija mëson ecjen), brenda së cilës ata i kanë mbyllur me dry, ata u flasin për rrezikun, që u kërcënohet nëse provojnë të ecin me këmbë të veta. Pra, ky rrezik nuk është edhe aq i madh, madje ata do të rrëzoheshin disa herë, por më në fund do të mësonin të ecnin vet; vetëm një përpjekje e tillë i bënë ata të druhen dhe tmerrohen nga çdo provë e mëvonshme.

Prandaj për çdo njeri individualisht është e vështirë dalja nga ky tutorizëm, tek i cili mituria  është bërë gati natyra e tij. Ai në fakt e ka marrë atë me dashuri dhe për momentin është në të vërtetë i paaftë për të përdorur intelektin, mendjen e tij, sepse kurrë nuk i kanë lejuar së paku të provojë. Rregullat dhe formulat, këto mjete mekanike të përdorimit racional, më shumë të  abuzimit me talentin e tij të natyrshëm, janë prangat në këmbë, që e mbajnë atë në këtë gjendje të miturisë së përhershme.”

----------------------------------------


Keine Kommentare: