28.11.2017

Mos adhuroni më flamurin! Dritare net

E duam vërtetë flamurin dhe pavarësinë apo është shndërruar në një pritshmëri sociale dhe sillemi ashtu si besojmë se të tjerët presin prej nesh? Është ky adhurim normal dhe nëse po, si mund të shpjegohet sot? Si mund të shpjegohet? Apo e duam sepse aty gjendet shpendi grabitqar dhe simbolizon në mënyrë më të përkryer elitën politike dhe popullin, që i voton?


Shumë politikanë janë armiq kryesorë të shtetit. Cilët? Secilido që është pasuar në mënyrë kundërligjore! Nuk ka komb tjetër në Europë, që shpreh aq emocione si ne, por një fakt është i qartë dhe njihet botërisht: Asnjë popull në kontinentin tonë nuk rrënon praktikisht dhe nuk urren me vepra shtetin e vet si ne shqiptarët!

Nëse ky është fakt, gjendja jonë e dëshmon atë, a është hipokrizi dhe pallavër festimi  dhe histeria kolektive? Në një anë kemi ata që cakërrojnë gotat të financuar nga atdheu me kollare rreth qafës, në anën tjetër kemi turmën, që argëtohet pikërisht me ata që voton për të shkatërruar shtetin!

Sikur të ishte atdheu një subjekt dhe të kishte mundësi artikulimi, do të kishte piskatur deri në qiell: "O mos më doni më, se ma nxorët shpirtin me grushte!!! Si ju që po lejoni dhunimin tim, ashtu edhe ata që ma bëjnë atë punë ditë e natë!“

Por, mëmëdheu nuk ka gojë, nuk ka mundësi të revoltohet dhe të qortojë, prandaj festa do të bëhen, hajnave do t’u ndërtohen përmendore, do t’i këndohet flamurit, do të mbulohen më të, derisa të dëbohet edhe shqiptari i fundit, i cili do të arratiset me flamur në dorë!

Atdheu nuk ka nevojë për dashuri, por për respektim të ligjit. Ne nuk duam shtetin! Ne duam atdhe pa shtet! Ne kemi dashuri të zjarrtë për hipokrizinë! Në vështrim sipërfaqësor krijohet përshtypje se e adhurojmë flamurin dhe pavarësinë, por jo! Ajo që adhurohet nuk mund të dëmtohet, nuk mund të vidhet, nuk mund të përbuzet dhe nuk mund të heshtet, kur rrënohet!

Meqenëse ne i bëjmë dhe durojmë të gjitha të ligat kundër atdheut, meqenëse lejojmë ai të trajtohet si prostitutë, atëherë shihet qartë se nuk ka emocione të njëmendta, por rrena si vërshim! Nuk ka dashuri, nuk ka adhurim, por vetëm folklorizëm sa për sy e faqe dhe sapo të braktiset gostia, vidhen edhe gotat!

Kjo nuk është dashuri ndaj atdheut, as ndaj flamurit, as ndaj pavarësisë, por është manipulim psikologjik i ndërsjellë dhe do të vazhdohet kështu, derisa mëmëdheu të nxjerrë grahmën e fundit dhe të mbulohet ai sarkofag me shqiponjën duke shpresuar se vjen kortezhi nga diaspora, që adhuruesit e flamurit, i kanë gërditur vendin, dinjitetin, sedrën dhe ekzistencën!

Fjalitë e parë që fëmija duhet t'i mësojë në Kopsht dhe përsërisë çdo vit në shkollë: 

"Dashuria ndaj atdheut tregohet VETËM 
me respektimin e ligjeve dhe me kallëzimin në polici të atyre që i shkelin. 
Ose me Revoltë. 
Heshtja është pajtim! 
Atdheu nuk njeh dashuri tjetër."





Keine Kommentare: