18.11.2017

Këtë duhet ta lexojë Edi Rama

Kurrë në historinë shqiptare nuk kanë qenë më mirë të organizuar karaktere aq të ndryshëm në mes vete! Interesi dhe gjendja ekonomike ka thyer dhe bashkuar ata që për nga edukata, arsimimi dhe profesionalizmi, as që do të kishin folur në mes vete.
Janë tepër të ndryshëm, por sot të bashkuar në parti politike për mbijetesë. Aty gjenden së bashku dhe bashkëveprojnë në harmoni të plotë:

Mashtruesit me zaptuesit
Gënjeshtarët me mercenarët
Mafiozët debilë me akademikët servilë
Dudukët me hajdutët
Kriminelët me teveqelët
Atdhetarët me tradhtarët
Shamanët me hajvanët
Ekstremistët me idealistët
Radikalët me intelektualët
Analfabeti dhe mediokriteti
I ndershmi dhe horri
Maskarai dhe doktori
Spiuni dhe tutkuni
Të vetshiturit dhe të blerët
Mizogjinët dhe homofobët
Anarkistët dhe komunistët
Stalinistët dhe demokratët
Majtistë dhe liberlatë
Derri dhe terri!

Ato personazhe të bashkuara, të papërputhshëm në mes vete, rrënojnë çdo shtet, çdo perandori dhe dëmtojnë për disa dekada çdo shoqëri!
Gjendja shqiptare është rezultat i qëndrimit kolektiv shqiptar, ku individi ven interesat e veta mbi ato të shoqërisë. Ai qëndrim nuk përbuzet nga shoqëria, por merret si normalitet.

Kur shumë njerëz në një popull veprojnë në atë mënyrë, atëherë domosdoshmërish do të kemi gjykatës që mund të blihet si lopa, prokurorë që shiten si dema, mjek që blihen si dhi, profesor që korruptohen si derra, nëpunës dhe policë që blihen si kope dhe krejt ajo gjendje faktike është pasojë e një lukunie mediokre politike, e cila duron për vota krejt atë mjedis në përpjekje të vazhdueshme për të shitur veten si kalë fisnik!

Meqenëse se rrjeti është i ndërthurur deri edhe te pastruesit nëpër administratë shtetërore, ata njihen mirë në mes vete dhe nuk mund të përjashtohen nga puna, sepse, ose kanë blerë vendin e punës, ose kanë një politikan pas vete që i ka punësuar. Nëse jo një politikan, atëherë një drejtor, që ka pas vete një tutor nga politika.

Në Gjermani për t’u punësuar njeriu, ku punëdhënëse është bashkia, ajo ose ai intervistohet nga pesë veta nga departamenti për personel dhe ata që kalojnë atë shqyrtim, i rekomandohen kryetarit të bashkisë, i cili në fund merr vendimin.

Kandidati për punësim në shkollë propozohet nga shkolla, por vendimin për punësim merr departamenti i arsimit në komunë. Krejt kjo, për të zgjedhur kandidatin më të mirë për dobinë e shoqërisë. Krejt ajo për të mënjanuar mundësinë e korrupsionit apo punësimin e sharlatanit. Duket se imperativi kategorik i Kantit është aq shumë i familjarizuar, sepse pjesa dërmuese e popullit vepron në atë mënyrë, edhe pse nuk dinë të gjithë se ajo paradigmë është e njërit nga filozoft më të mëdhenjë në botë, Immanuel Kantit: "Vepro vetëm sipas atij parimi që në të njëjtën kohë, do të dëshiroje që ai të bëhet ligj universal!“

Për të funksionuar një shtet, duhet zgjedhur njerëzit më të përgatitur dhe më të mirë moralisht dhe profesionalisht. Te ne rrënimi i shtet nis me punësimin e nëpunësve, që nuk kanë as dije, as nuk njohin gjuhën amtare si duhet, sepse ata kanë blerë vendin e punës dhe nuk ndjehen të detyruar të punojnë si duhet.

Për të punuar një administratë, pikë së pari nëpunësit duhet paguar mirë, e dyta, zbatimi i rregulloreve të punës, ligjit dhe e treta, mbikëqyrja e tyre e rregullt, dhe e katërta, mësimi plotësues çdo vit.
Në Gjermani shpesh kam lexuar për mandarinët, administratën e Kinës të Ming Dinastisë 1368-1644 dhe Dinastisë King 1644-1911. Fjala duhet të ketë origjinën nga mandarim nga gjuha portugeze, që domethënë këshilltar, administrator, ose ministër.

Gjatë asaj administrate, me të cilën administrata gjerman ka shumë ngjashmëri, çdo departament administrativ kishte tri shkallë: të lartën, në kryeqytet, të mesmen në provincë  dhe të ulëtën në prefekturë.

Vendet e lira të punës i dërgoheshin Ministrisë për Personel dhe kur kandidatët i nënshtroheshin provimit, ndërtesa ishte e mbyllur dhe ruhej nga ushtarë, në mënyrë që të mos ndikohet nga jashtë apo të kontaktohej dikush. Aty ata kishin provimin me shkrim dhe nuk shënonin emrin e tyre, por një kod, (parimi i anonimitetit) në mënyrë që të mos ndikohet me origjinë apo prejardhje aristokratike. Provimet mbaheshin nga nëpunës të dëshmuar, që dërgoheshin nga Ministria.

Kalimi në një pozitë më të lartë ishte i mundur pas disa viteve dhe vetëm nëse i kishte rënë në sy eprorit të tij për angazhim të shkëlqyeshëm. Asnjë mandarin nuk mund të kërcente dy pozita dhe kalojë në një shkallë tjetër. Mosha normale për pensionim ishte 70 vjeçare, sot 67.

Provimet për punësim mbaheshin nga qeveria qendrore. Ata që kishin kaluar provimin, publikoheshin në bazë të rezultateve të treguara dhe mbahej një kremtim.

Ajo që është me rëndësi, çdo vit, në çdo shkallë të administratës, shkruhej nga eprori për nëpunësin e administratës një vlerësim dhe çdo tre vite, një gjykim se a është mbi mesataren, mesatar apo nën mesataren, ku pasonte edhe ngritja, ose degradimi. Gjykimet trevjeçare i dërgoheshin Ministrisë për Personel Administrativ.

Gjatë tërë jetës njerëzit kishin 20 apo 30 e më shumë vlerësim, provime për kompetencën e tyre. Meqenëse shteti kinez ekziston tash e 4.000 vite, atëherë mund të thuhet se edhe para mandarinëve, kishin pasur një administratë shembullore.
Tek ne ndodh e kundërta. Pozitat kryesore kanë të paaftit, por intelektualët janë në shërbim të tyre dhe detyra e tyre kryesore është të përligjin krimet e bosave të vet. Kur inteligjencia i nënshtrohet shtresës së injorantëve, atëherë shembja dhe falimentimi i shteti është çështje kohe. Idiokracia ruan pushtetin derisa intelektualët të jenë në shërbim të saj. Kur e braktisin ata, ajo dhe kleptokracia shemben brenda vetes, si edhe komunizmi!

Armiqtë më të mëdhenj të një shteti nuk janë të jashtmit, por të brendshmit. Armiku më i madh i kombit është injoranca, e ngarkuar me detyra zyrtare dhe intelktualtë në shërbim të tyre. Shumë të punësuar nëpër komuna dhe vende tjera publike, nuk do t ‘ishin në gjendjen të ruajnë as një kope si duhet, por mu atyre, u është besuar detyra të ruajnë dinjitetin dhe integritetin e shtetit/atdheut!  
Ajo armatë e padijshme do të ketë vetëm një sukses: Dëbimin dhe përgjysmimin e kombit!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga LB, atëherë mund të porosisni: