18.01.2018

Atentati dhe vazhdimësia e ekzekutimeve serbe, Bota Sot, Dritare

Kur njëri boksier fillon të luhatet, t’i dridhen këmbët, kundërshtari bën çdo gjë të mundur për t‘i dhënë goditjen përfundimtare, fatalen. Nëse ka sukses, atëherë i grushtuari shembet gjerë e gjatë në dysheme, kurse fitorja, siç dihet dhe pritet, ngadhënjyesit i sjell një fitim të madh.

Kosova me raporte të acaruara me ata që konsideron aleatë, me papunësi më të madhe në Europë, me korrupsion të madh në kontinent, me shtet të përkryer fisnor dhe me dyer të mbyllura si nga jashtë, ashtu edhe nga brenda, është në gjendje të një boksieri që trishtohet nga grushti i fundit. Këtë moment ka vënë re politika serbe. Dhe ka pasur shpresa të mëdha, se pas përpjekjes për të shfuqizuar Gjykatën e Posaçme, me një vrasje, do ta përplaste Kosovën në kaos. Atentatori nuk është zbuluar ende, por serbet janë të bindur se e ka vrarë ndonjë shqiptar! Si edhe në Jugosllavinë e dikurshme, qeveria serbe din të vërtetën para se të përfundojnë hetimet.

Dita është zgjedhur dhe atentati është urdhëruar. Qëllimi i parë ishte t‘i jepet Kosovës një goditje rrënuese, duke shpresuar se mund të besohet lehtë edhe jashtë, kur dimë se shumë veta janë në arrestim e sipër.

Vrasësi mund të jetë edhe shqiptar, por në shërbim të shteti serb. Në këtë rast origjina nuk ka shumë rëndësi, por nxitja dhe urdhri. Dhe, kur dihet se cili shtet përfiton nga ajo vrasje, atëherë nuk duhet edhe shumë mençuri për të kuptuar krejt zanafillën dhe përmbarimin e atentatit.

Nëse vrasësi nuk gjendet, atëherë domethënë se është planifikuar në mënyrë të përkryer, sepse një vrasës ordiner, vështirë të mos bëjë ndonjë gabim. Kur një plan bëhet paraprakisht, përcaktohet metoda, çasti dhe mënyra e veprimit. Vrasësi, që ka pasur pas vete njerëz të specializuar nga shërbimet sekrete, vështirë se mund të zbulohet. Po cilat mund të jenë ato shërbime? Aty mund të jetë shërbimi sekret serb dhe shërbimi sekret rus. Nëse jo ata dy, atëherë kriminelët sepse Mitrovica është zonë e lirë, duty free shop, ku veprojnë diku 2.000 mafioz, siç raportonte para disa viteve revista gjermane “Stern.”

Reagimet e Serbisë, aludimi të shqiptarët, tregon se ku ishte përgatitur vrasja e një politikani, të cilin radikalit serb, nuk e shihnin më në binarët e tyre. Ivanoviqi kishte mbetur nacionalist serb dhe kishte kuptuar rrethanat e reja. Ai nuk do të merrej më me dëbimin e shqiptarëve, por do të përpiqet të përfitojë sa më shumë brenda shtetit të ri duke u pozicionuar edhe kundër linjës se Vuçiqit.

Gazeta serbe Telegraf në dhjetor të vitit 2014 shkruante për një vazhdimësi në eliminim apo rrëzim të personaliteteve serbe. Aty dëshmohet një vazhdimësi historike në ekzekutimin e njerëzve, që braktisin nacionalizmin radikal serb. Gazeta thotë se vendet europiane i quanin serbet “vrasës të mbretërve”, dhe se në një farë mënyre kanë të drejtë.

“Nga viti 1817 deri më 1934 u vranë tre mbretër serbë dhe një jugosllav. Nga froni janë dëbuar ose kanë abdikuar Karagjorgje (1813), princ Miloshi (1839), princi Mihailo (1842), Princi Aleksandër (1858), mbreti i Milan (1889) dhe mbreti Peter II (1941).

Gjorgje Petroviq Karagjorgje, reformatori i shtetit serb, u vra në vitin 1817 në afërsi të Velika Planës, me urdhër të princit Milosh Obrenoviç. Vrasja është kryer nga Nikola Novakoviq.

Princin Mihailo Obrenoviq kanë vrarë katër vëllezërit Radovanoviq, edhe atë me iniciativën e dinastisë Karagjorgjeviq, që gjendej në mërgim. Hetimet  kishin nxjerrë në dritë se në vrasje, ishte përfshirë Aleksandar Karagjorgjeviqi.

Gazeta telegraf vazhdon: “I donin ata të mirën apo të keqen popullit të vet, liderët serbë, revolucionarët, presidentët dhe mbretërit, kanë rënë viktima. Kështu, nëse i kthehemi historisë, konstatojmë se Zoran Gjinxhiq u vra më 12 mars 2003 para ndërtesës së Qeverisë së Republikës së Serbisë, sepse ai u përpoq ta çlirojë Serbinë nga e kaluara dhe ta çonte atë drejt të ardhmes.”

Në fund gazeta  “Telegraf” bashkëngjit emrat e 27 personaliteteve serbe të vrarë nga serbet, të dëbuar, të rrëzuar apo të detyruar për t’u tërhequr:

- Çaslav Klonimiroviq - u vra
- Jovan Vladimir - u vra
- Stefan Nemanja – ka abdikuar
- Mbreti Stefan Prvovenqan – ka abdikuar
- Mbreti Radoslav - u përmbys
- Mbreti Uroshi i I - u përmbys
- Mbreti Dragutin - u përmbys
- Mbreti Stefan Deçan - u përmbys dhe e vranë
- Car Dushani – vdes befasisht
- Car Uroshi – sipas legjendave, u vra
- Princi Lazari - vdes
- Jovan Nenad - u vra
- Karagjorgje – u vra
- Princ Miloshi – u dëbua
- Princi Aleksandër Karagjorgjeviq – u dëbua
- Princi Mihailo Obrenoviq - u vra
- Princi Danilo Petroviq - u vra
- Mbreti Milan Obrenoviq – u dëbua
- Mbreti Aleksandër Obrenoviq - u vra
- Mbreti Peter Karagjorgjeviq  –  abdikoi
- Mbreti Nikola Petroviq - dëbua
- Mbreti Aleksandër Karagjorgjeviq I - u vra
- Mbreti Peter Karađorgjeviq II – u dëbua
- Gjeneral Mileni Nediq - u vra
- Kryeministri Zoran Gjingjiç - u vra
- Presidenti Sllobodan Millosheviq u rrëzua, vdiq në Hagë
- Vojisllav Koshtunica – u tërhoq
- Boris Tadiq - dha dorëheqjen / ndërpren mandatin

Më shumë nga Lis Bukuroca:

Keine Kommentare: