1. Halil Matoshi thotë se pasi të
aprovohet marrëveshja për kufirin, ku Kosova humb territor, do t‘i kthehen ato
troje, që i ka falur Thaçi! Pra, do të gjenden përsëri nën sovranitetin e
Kosovës vetëm pasi Kuvendi me shumicë të pajtohet se i takojnë dhe se janë të Malit
të Zi! Kësaj procedure i thonë, bëhu sonte nuse e Hashimit, pastaj ta kthejnë fqinjët virgjinitetin, se ata
ta kanë marrë me qira vetëm për një kohë të caktuar! E si mund të anulohet ai
virgjinitet i humbur, duhet pyetur Kuvendin e Malit të Zi!
Tregoni popullit se jeni të
detyruar të nënshkruani për të shpëtuar injorancën e hazreti Hashimit dhe të Ramushit. Kryetari i Malit të Zi nuk
mund të premtojë kthimin e territoreve të fituara në tryezë, sepse edhe ai ka
Kuvend dhe opozitë! Nëse një dit kthehet Ulqini me krahinat tjera shqiptare,
mund të kthehen edhe këto 8.000 hektarë!
2. Matoshi thotë Ramushi urdhëroi
kthimin e flamurit shqiptar te Rrethi sepse nuk dëshiruaka të dëshpërojë
qytetarët! Sipas shpjegimit të tij, Rrethi nuk është institucion, kurse flamuri
multientik, valon në godinat e shtetit! Domethënë vetëm pas festës, Ramushi
kuptoi mashtrimin e Matoshit dhe mori vesh se Rrethi nuk është institucion.
Ramushi ka adhuruar atë flamur,
por që kur ka Matoshin pranë, ai flet dhe gjykon me po atë arrogancë dhe
ekskomunikim, që bënte Matoshi në përpjekjet e tija për të imponuar pikëpamje
antishqitare: Në vitet e 90 me këmbëngulje për komb islamik dhe federatë
islame, si i konvenonte Serbisë, tani me komb kosovar me një etnonim nga gjuha
serbe, si i konvenon përsëri Serbisë! Mendimet e Matoshit lexohen në
intervistat dhe vendimet të Ramushit! Matoshi fitoi dy herë deri tani. Në
Tagesspeigel Ramushi pohoi se ndërtimi i kombit të ri, nuk është i lehtë dhe me
heqjen e flamurit shqiptar në ditën festive.
Me flamurin shqiptar u sollën më keq se me flamurin serb.
Halil Matoshi drejton Kosovën
drejt kaosit dhe implozionit. Ramushi është vetëm ekzekutues i ideve të tij. Ju
kujtohet si Matoshi përligji dyfishimin e rrogës së kryeministrit: Nuk është
për Ramushin, por për institucionin e kryeministrit. Përsiatje komuniste e
përkryer!
3. Nuk është
çudi nëse në zgjedhjet e ardhshme populli voton listën serbe! Ata e duan
Kosovën dhe nuk e braktisin. Ne presim një mundësi për të ikur sa më lehtë, sa
më larg, pa kthyer kokën prapë, edhe pse kemi kryetarin më të mençur në botë, natyrisht
sipas konstatimeve të dy anglezëve!
4. Nuk mbet një rrugaç, një
hajdut, një mafioz dhe një kriminel, që nuk u bë politikan!
5. Njerëz nuk jemi vetëm pse kemi
dy këmbë. Dy i ka edhe majmuni. Njerëz
jemi, kur bëjmë vepra njerëzore, humane. Majmuni merr vetëm, sepse ndryshe nuk
di. Përveç barkut të vet, të tjerët nuk i ndien, nuk i kupton, sepse trurin e
ka shumë më të vogël se qeniet njerëzore! Të jesh majmun në Xhungël nuk është
turp, por të sillesh me inteligjencë majmuni në politikë, është tragjedi për
ata që votojnë ata kushërinj të majmunëve!
6. Ai që i lutet zotit për vete,
shkon në ferr, nëse ka njerëz, që jetojnë më keq se lutësi!
Nëse zoti është i mençur, ai nuk
mund të çmojë egoistët kronikë (as ne nuk i duam)!
Lumturia dhe paqja nuk arrihet
duke u lutur për veten, por duke u lutur dhe ndihmuar të mjerin! Mjerimi nuk
është profesion, as komb, as fat, por ai ndërtohet dhe kultivohet nga njerëzit
egoistë, që luten të kenë më shumë dhe të varfrit i japin, në dita festive
fetare, sepse aty presin përfitime më të mëdha: T‘u paguhet dhjetëfish, atë që
falin nja dy herë në vit!
7. Nëse shkon Hashimi në Hagë për
disa ditë, në librin e ri, do të krahasohet me Adem Demaçin dhe Nelson
Mandelën. Nëse del, do të krahasohet me Makiavelin dhe Tartufin! Nëse
shokët i dërgon, por vet mbetet në Prishtinë, do të krahasohet me Rrahman
Morinën! Nëse shikohet mirë e mirë, nuk i konvenon as të burgoset, as të mos
burgoset!
8. Shtetet normale
konsiderojnë sukses shtetin ligjor dhe hyrjen në BE. Në Republikën e
Injorantëve sukses konsiderohet anulimi i vizave! Nëse bazohemi në aftësitë
mendore për të zgjidhur një çështje kufitare, për të zbatuar kërkesat tjera të
BE-së na duhet 400 vite!
9. Mërgimtar nuk bëhet askush nga
dëshira, por vetëm kur i rrëmbehen të gjitha shpresat, të gjitha ëndrrat për të
jetuar me dinjitet në atdhe! Si mërgimtar shpirti të mbetet diku varë në atdhe,
por politikanët e vendit, ta gërditin me atë intensitet, sa e ka bërë edhe
armiku! Armiku e bënte për ta rrëmbyer vendin, politikanët injorantë të heqin
dheun nën këmbë duke u tallur me fatin tënd! Dhe, ne mburremi akoma me ata
maskarenj të pasuruar, që varfëruan popullin duke vjedhur shtetin e vet!
Shtetin e vet!!! Politikanët tanë veprojnë si qelizat kanceroze!
10. Duket se kemi më shumë
doktorë të shkencave, se sa lopë! Lopët janë fisnike dhe të dobishme tërë
jetën, në fund, si mirënjohje, ua hamë edhe mishin. Plagjiatorët janë kafshë
grabitqare dhe të dëmshme tërë jetën. Në fund i hanë shpirtin dhe ardhmërinë
një populli të tërë duke lënë pas vete vetëm viça!!!
11. Dashuria e tepruar ndaj gruas
bën burrin xheloz, burgos gruan dhe i shkakton sëmundje! Nuk është problemi te
gruaja, por te burri që ka frikë se ia merr dikush nga bindja se ai nuk ka
vlerë, nga mungesa e sedrës: Kompleksi i vogëlsisë, i të qenit pa vlerë reale! Dashuria
e tepruar e politikanit ndaj atdheut, shkatërron vendin! E ka bërë Hitleri,
Musolini, Millosheviqi e shumë diktatorë tjerë! Ata janë të bindur se janë të
paaftë dhe atë që kanë futur në dorë, nuk e lëshojnë deri në shkatërrim të
vendit! Arsyeja? Kompleksi i vogëlsisë, i të qenit pa vlera të përnjëmendta:
Mungesa e sedrës dhe vetvlerësimit të drejtë! Atdheun e dashurojnë me xhelozi
edhe Thaçi, Berisha, Haradinaj dhe Basha!
12. E kritikojnë Rita Orën pse
nuk flet shqipen mirë duke jetuar jashtë
vendit dhe harrojnë ta rrahin veten me shpulla gojës, se edhe duke jetuar në
atdhe, dy fjali nuk dinë t‘i shkruajnë apo t‘i shqiptojnë fonetikisht pa
gabime, edhe atë, nga nxënësi, deri te profesori i fakultetit! Jashtë vendit
nuk flitet shqipja, shqipja ruhet brenda, jashtë përfundon me asimilim. Çdo i
pesti amerikan ka origjinë gjermane. Me ditën kur braktiset vendi, nisë
asimilimi, por si të arsyetohet mungesa e dashurisë ndaj gjuhës e atyre që
jetojnë në atdhe duke mbaruar shkolla shqiptare? Ky është problem që duhet
zgjidhur! Rita Ora ndikon pozitivisht në botë për imazhin më shumë se krejt
universitetet tona! Bill Clintoni nuk është shqiptar dhe nuk flet shqip, por
askush nuk ka mundur të bëjë, sa ai për lirinë e Kosovës! Gjuhën shqipe e flet
edhe Pronto, edhe njerëzit si Rrahman Morina...
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen