"Ju
z. Kryeministër a nuk e dini se Turqia është vendi i dytë menjëherë pas
Amerikës që e ka njohur pavarësinë e Kosovës." Erdogani
Ti që na ke njohur i dyti, po sillesh sikur Kosova të jetë e jotja. Sikur të mos na kishe njohur fare, Kosova sot do t' ishte shumë më mirë se sa është sot. Ndoshta edhe pa viza. Në Bundestagun gjerman foli edhe zonja Merkel e brengosur për rritjen e ndikimit turk në Ballkan dhe të Rusisë. Edhe pse jeni aleatë! Ata e çliruan Kosovën për të falur ty, si sallamdi livadh dhe ke bërë në Kosovë çfarë ke dashur vet.
Jo
vetëm ke njohur i dyti Kosovën, por edhe keni bombarduar Serbinë nën komandën e NATO-s, çfarë kanë bërë edhe
shtetet tjera, që nuk na e përmendin kurrë. Madje edhe para tyre, deklarojmë se
e çliruam vendin vet! E vërtetë se keni qenë pjesë e atij sulmi, por e vërtetë
se keni nxjerrë përfitime nga Kosova, si asnjë ndihmues tjetër.
Në
fakt në vitin 1999 ishit në burg për shkak të “simpatisë me xhihadin dhe
përpjekjen për ngritjen e sheriatit në ligj.” Ky ishte citat nga arsyetimi i gjykatës
për shkak të poezisë, që ke recituar: "Minaret janë bajonetat tona,
kupolat janë helmetat tona, xhamitë, kazermat tona." Dhe, nga xhamitë tona, u rekrutuan qindra veta
në varret e Sirisë.
Çfarë duhet të bëjë SHBA, që na ka njohur e para? Të ndërtojë edhe ajo vetëm kisha? Ti nuk ke njohur Kosovën për interesa shqiptare, por i shtyrë nga nostalgjia osmane. E ke treguar në vepër, e ke dëshmuar me miliarda investime në Serbi. E dëshmon me miqësinë me Rusinë dhe me përplasjet e vazhdueshme me Gjermaninë, me Austrinë, me SHBA, me Francën, vende të cilat ndihmojnë mbijetesën tonë me punësim, me arsim dhe ku dëshirojmë ne të integrohemi.
Vëllezërit
tu në Kosovë janë pakicë periferikë. Ke vëlla Hashimin dhe disa asqerë, që
mburren me pushtimin pesëshekullor. Neve nuk na duhen vëllezërit, që na marrin
ndërmarrjet publike me çmime banale, që na komandojnë. Neve vëllezërit na i
prodhojnë prindërit. Ju konsideroni vëlla njeriun me besim të njëjtë fetar. Ne,
jo! Vëllazëria te ne është lidhje gjaku, jo bindjeje fetare. Ato janë aleanca
mesjetare. Ne kemi vëllezër myslimanë, katolikë, ortodoksë, bektashi, ateistë, gnostikë
e oportunistë.
Për
pesë shekuj pushtim nga Kalifati Osman, Kosova nuk ka pasur aq shumë xhami, sa
ka sot kur ti ke fjalën kryesore në Kosovë. Xhamitë dhe kishat kudo janë
faltore normale, te ne ke ndërtuar aty, ku edhe nuk ka banorë. Me ty, u kthye pushteti
i imamëve si në Iran, por te ne, imamë që duan fenë, por që urrejnë kombin e
vet, gjuhën e vet, origjinën e vet, historinë e vet, ardhmërinë e vet.
Natyrisht se këta janë pakicë, por pa praninë tënde, nuk do të kishim pasur aq
shumë veta, që luftojnë stërgjyshërit e vet, që luftojnë vetveten! Ju po
dëshironi të korrigjoni vendimin e zotit që besoni. Zoti nuk ka dashur të jemi
turq dhe na ka krijuar shqiptarë dhe me gjuhë shqipe! Për një besimtar, kjo
është dëshirë dhe vendim i zotit! Zoti nuk gabon!
Ju
nuk njihni mirë shqiptarët. Ne bëhemi fetarë vetëm për interes, por tepër
rrallë seriozisht! Shumë prej tyre që sot janë të devotshëm, dje ishin
komunistë të rrastë dhe jini i bindur, se nëse dikush u jep lekë, nesër do t’i shohësh
ata në kishë!
Vëllai
nuk fton në protesta kundër kryeministrit tonë. Ju acaroheni dhe pikëlloheni,
pse ai paska marrë një vendim dhe pyesni, kush ju udhëzoi. Ju nuk mund të
pranoni që Kosova është e pavarur edhe prej jush. Kosova ka nevojë për miq, për
aleatë, jo për tutorë. Ti ke shndërruar Thaçin në evlat, i cili pa të
telefonuar, nuk guxon të marrë vendime. Ti ke ndikuar që Kosova të humbë simpati dhe t’ i shkatërrohet imazhi në Perëndim. Je
duke e shndërruar në Anadoll dhe për fat të keq, ke përkrahje edhe nga Thaçi,
edhe nga Rexhep Qosja.
Për
të parin dimë se ka interes dhe se nuk ka një mik tjetër në botë, por i dyti, i
cili ishte edhe udhëheqësi jonë shpirtëror, nuk e kuptojmë më, nuk e marrim
vesh më, pse ai pajtohet pa asnjë vërejtje që Kosova të osmanizohet.
Ai
quan veten ateist, por një ateist, një humanist i atij niveli, nuk përligj
kurrë rritjen e ndikimit fetar, ky i joni është përfshirë dhe dalldisur aq
shumë, sa miqësinë e përligj edhe me rritjen ekonomisë turke. Kudo në botë një
humanist i atij kalibri, brengoset, kur rritet ndikimi i klerikëve. Ky, jo! Ky
rikthimin e obskurantizmit konsideron si shfaqje normale.
Ky
ishte krenaria jonë. Ishte mbikëqyrës i moralit dhe i dinjitetit shqiptar, i
patriotizmit shqiptar. Ishte Voltairei shqiptar, ishte iluminist, por edhe adhurues
i stainistit Enver, që kishte rrënuar
kisha e xhami, mirëpo sot, sot nuk ka guxim të shprehë asnjë fjalë, edhe kur ti
arreston shkrimtarë e gazetarë, edhe kur quan Gjermaninë fashiste, edhe kur në
Tiranë lexon poezi me apele për Xhihad, edhe kur i kërcënon kryeministrin.
Madje edhe kur tha se Kosova dhe Shqipëria nuk duhet të bashkohen, Qosja nuk hapi
gojën, por mbeti i ngurosur si një përmendore e Budës: Ulur galuc dhe shtirej
se nuk ka dëgjuar gjë prej gjëje!
Për
të mënjanuar keqkuptimin: Sjellja jote është tipike koloniale dhe natyrisht se acarohesh,
kur kuptoni se atyre që shpreson se ju ke kolonializuar trurin, marrin vendime
vet. Kjo të pikëllon, si një prind kur
zemërohet, pse fëmija merr vendime. Në aspektin e interesave politike, qëndrimi
jot kuptohet, por nuk kuptohen pesë miliard investime në Serbi, sepse këtë vështrojmë
si aleancë serbo-ruse-turke.
Me
investimet tua, Serbia do të ketë më shumë avion luftarak dhe do të na
kërcënojë, sa herë t’i teket, sa herë të mendojë se ne meritojmë trishtim.
Vëllai jonë, nuk ndihmon Serbinë, por e bën ai që është kundër nesh.
Nejse!
Tradita jonë, edhe pse ju nuk na konsideroni shqiptarë, por mbetje osmane,
është që miku në çast rreziku të ndihmohet, edhe kur është i huaj. Thaçi e shkeli,
zbatoi urdhrin tënd, sepse ti na ke njohur i dyti. Në Kosovë nuk ndryshon asgjë për të keq, edhe
nëse tërheq njohjen! Atë njohje nuk mund ta mbash si shpatë mbi kokë për të na disiplinuar,
për të na nënshtruar! Mjaftë më me ato pallavra se na ke njohur i dyti, se ke
sulmuar Serbinë. Me miliarda investime, me krijimin e dhjetëra mijëra vendeve
të punës, i ke kërkuar ndjesë Serbisë! Atë vend kanë sulmuar edhe diku 25 shtete
tjera dhe komanda ishte në Bruksel, jo në Stamboll.
E
çfarë duhet të bëjë Ramushi ? Ai duhet thjeshtë të të shpërfill. Duhet
shpërfillur një njeri i cili akuzon ushtarët kurdë se po nxjerrin fëmijët para
vete, çfarë thoshte edhe Millosheviqi për ne! Njeri i tillë, nuk meriton përgjigje!
Ti nuk mund të duash kombin shqiptar, gjersa vret vëllezërit tu kurdë, pse duan
lirinë!
Nëse dëshironi të lexoni
më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni Letër
burrave, romanin: Ngjyrat e dashurisë me Kanunin Erotik, ose
përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen