03.04.2018

Hej, medet, Ramush! Gazeta Express


Nuk po të drejtohem me zoti “Kryeministër” apo “ekselencë”, as me “Ju”, sepse se je vërtetë kryeministër, beson vetëm ti, për fat të keq tëndin dhe të Kosovës! Se nuk je Kryeministër dinë edhe ata më shumë se shtatëdhjetë ministra, zëvendësministra dhe zëvendës të zëvendësve. Të gjithë kanë kuptuar tashmë se nuk ke asnjë autoritet në Qeveri. Thaçi bën po ato punë, që ka kryer si Kryeministër, po ato që i ka ushtruar gjersa ishte Ministër i Punëve të jashtme. Tani si kryetar përsëri vazhdon me të njëjtat kompetenca! Prandaj, tash e tutje, respekti ndaj teje do të jetë vetëm një sjellje kurtuazie, një lajkatari, por pas shpine, do të nxjerrin ty gjuhën.

 Mënyra se si hipe në fron dhe si po mbahesh kacavjerrë, në vrapim e sipër, nëpër parkun gjerman, si të Zvicrës, më dhuroi një frymëzim, i cili përshkruan bukur, hollë e trashë aspiratën dhe maninë për t’u bërë Kryeministër me çdo kusht, pa apo me vota. Gabimi jot është se nuk ke lexuar Thaçin deri në karrige. Do ta bëj unë për ty në fund të shkrimit. Pikë së pari lexo parabolën e sotshme:

Aty nga ora nëntë Petriti braktis spitalin me diagnozën në dorë se ka tumor në atë senin. Specialisti ka caktuar takim me të nesër në orën tetë dhe duhet t’i hiqet, ose shkurtohet gati krejt hashimi. Petriti me të arritur në shtëpi, nisë të telefonojë miqtë e vet dhe në fund edhe të dashurën. Më shumë se shtatë nuk i ka. Pasdreke telefonon shefin e repartit, ku  punonte dhe lut atë të sjellë miq me vete. Ai shef rastësisht quhet Hashim dhe i premton, se do të sjellë diku gjashtëdhjetë e tre veta. E pse i duhen atij këta njerëz? Ai ka vendosur sonte të martohet dhe pikë! Organizon darkën në “Swiss Diamond” dhe e dashura e tij shfaqet nuse e teletisur. Kur e pyesin të ftuarit Petritin, pse kaq befasishëm dhe nxitueshëm, ai thotë:
“Të knaçna bile sonte, viç edhe ni herë!”

Petriti argëtohet tërë natën dhe të nesërmen, nxiton i përgjumur drejt spitalit. Pak më vonë, nis operacioni. Gjersa ai ishte akoma nën anestezi, kryemjeku urdhëron t’i hiqen edhe bolet, sepse, sipas njohurive të tija, prodhimi i testosteroneve, pa veglën kryesore, do ta përplaste në depresion dhe do të bënte nga Petriti i qetë, një njeri tejet agresiv dhe të parashikueshëm. Ndoshta do të bënte edhe vetëvrasje.  Pra, Petriti hyri në sallën e operacionit kalavesh dhe del jo vetëm pa hashim, por edhe pa bole.

Fundi i karrierës tënde politike do t’ i ngjajë asaj të daljes së Petritit dybydys nga spitali. Ke edhe ndonjë ditë kohë të dalësh faqebardhë, siç dole pas luftës!

Ti Ramush hyre në Qeveri burrë, i cili rrezatonte shpresa për një riorientim të politikës, por sapo u shfaq sfida e parë, dështove dhe pranove rolin e kajmekamit, të një administratori të kazasë, sepse shefi jot, Hashimi, kishte zaptuar vendin e guvernatorit të vilajetit dhe kishte pranuar autoritetin e despotit, Sulltan Ngucakeqit.

Ai nuk të përbuzi vetëm ty, por edhe qytetarët e vendit. Ti iu përgjigje si dasmorëve Petriti, që ka ngelur pa hashim, por që do të vazhdojë të punojë në një repart, ku shefi tij quhet Hashim. Përmendja e Skënderbeut nuk të bën të madh. Ai këtë herë është vetëm sarkazëm! Dikur rrezikove edhe jetën, sot rrezikove fytyrën, sedrën, dinjitetin nacional dhe atë të shtetit!

Çasti dhe vedni janë dy faktorë, që vendosin për udhëheqësit dhe për madhështinë e tyre. Akoma nuk është vonë të hedhesh peshqirin dhe të refuzosh pozitën e kajmekamit. Nëse nuk e bën, brenda disa muajve, do të të rrëzojë Hashimi, që shkruhet me germë të madhe, por ti pastaj do ta shkruash vetëm me të vogël! Viktimizmin tënd nesër, askush nuk do ta pranojë si qëndrim të moralshëm.

Ramush, nëse jep dorëheqje, në zgjedhjet e ardhshme, do të shpërblehesh me vota dhe do të çmohet sjellja jote burrërore. Kështu si sillesh tani, si shtiresh tani se je Kryeministër, do të kesh një vend mjeran në historinë shqiptare. Nga heroi, në babaxhan!  

Ramush, Erdogani nuk ka dashur kurrë t’i plotësojë kushtet për të hyrë në BE. Atë çfarë nuk e dëshiron për Turqinë, nuk e dëshiron as për Kosovën, për Bosnjën, Shqipërinë apo edhe për vendet tjera të Ballkanit. Ai nuk dëshiron një shtet të madh pranë vete. Interesi tij dhe i Putinit, por edhe i Trumpit, është projekti europian të dështojë dhe të shantazhojnë me shtetet kukulla në Ballkan.

Kapitullimi jot para Erdoganit, do të ndikojë që nesër në takime ndërkombëtare, të shihesh si lodër e huaj, edhe atë pa alete, si Petriti. Në kohën kur mosdurimi ndaj Erdoganit është vazhdimisht në rritje. Aq sa më shumë të rritet ndikimi i një despoti, aq më larg Bashkësisë Europiane do të jetë Kosova. Pasojat e shembjes së shtetit, do të ndjehen javëve të ardhshme. Nëse vazhdon të mbetesh në pushtet, atëherë dëshmon me vepër se nuk njeh, se nuk pranon dhe se nuk lufton për interesa nacionale, por vetëm për ato personale. Domethënë nuk mund t’i rezistosh eksitimit, përndezjes, zjarrmisë kronike për pushtet.

Ramush, mos harro dasmën dhe braktisjen e spitalit! Ke akoma kohë të dalësh kalavesh jashtë!

Leximi i Thaçit: Ramush, Hashimi të pranoi sepse të la në duar dy patate të nxehta, me të cilat ti, pa ndihmën amerikane, digjesh! Trump duket se as që interesohet për maskarallëqet e Prishtinës. Serbët dëshirojnë autonomi, që shkel Kushtetutën. Kështu u kishte premtuar Hashimi, që nuk njeh kushtetutën, përndryshe nuk do të ushtronte detyrat e njëjta në tre funksione. Autonomia serbe  do të jetë detyra e parë e rëndë, të cilën nuk do të mundesh ta administrosh! Nuk ke mjaftë mysafirë për dasmë dhe dështimi është i parashikueshëm.
E dyta: Sivjet do të nisin arrestimet. Ti me një Ministër të Punëve të Brendshme duhet të zbatosh dhe përmbarosh kërkesat, që i ka ngritur në ligj Hashimi. Ky do të jetë çasti, kur ti do të dalësh nga politika, mu si Petriti nga spitali. I pa alete!

Kaq Ramush, nga një njeri që çmon sakrificën tënde dhe burrërinë në të kaluarën dhe i cili trishtohet me gjendjen tënde mendore sot!

Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni Letër burrave, romanin: Ngjyrat e dashurisë  me Kanunin Erotik, ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.

Keine Kommentare: