Në moshën time të re, merrnin
brisqe në dorë, shkopinj, copa dërrasash dhe ndërtonim lodra, kurse vajzat, prisnin veshje kukullash me gërshërë në dorë: domethënë përdornim trurin. Ti prek në
celular një lojë të menduar nga dikush tjetër, por nuk krijon vet, pra nuk
logjikon!
Në moshën time të re, bënim
për një orë katër deri në pesë kilometra në këmbë.
Ti pret një orë me një
celular në dorë ardhjen e një autobusi. Ecja jonë ishte një sport i përditshëm.
Në moshën time të re, kur ne
hanim drekë ose darkë, i ngjante një kremtimi dhe zgjaste diku gjysmë ore,
edhe pse nuk kishim aq, sa ke ti sot. Ti ha për disa minuta dhe tërhiqesh në
një qoshe në botën virtuale pa marrë vesh se çfarë hëngre.
Në moshën time të re, gjyshet
nga tregonin përralla, por edhe prindërit të kaluarën e vështirë. Ti sot ke një
celular në dorë, një ka nëna jote, një babai yt, një vëllai dhe një motra.
Ju
nuk flisni në mes vete, shfuqizoni të menduarit, të të dëgjuarit dhe të të
vështruarit.
Në moshën time të re, të gjithë
shikonim një film së bashku, pastaj e debatonim.
Ju shikoni disa filma në një
dhomë ose njëri shikon një film, tjetri në facebook, i treti lexon, i katërti
telefonon.
Në moshën time të re, kur fikej
drita, flihej dhe zgjoheshim herët në mëngjes.
Ti ke celularin pranë kokës, ku
merr mesazhe edhe pas mesnatës, por zgjohesh pak para drekës.
Në moshën time të re, dilnim çdo
ditë në qendër të hekurosur, të pispillosur, të krehur, të rruar, për të takuar
një vajzë të bukur.
Ti je me celular apo para kompjuterit, ku pispillosesh
online.
Në kohën time, vajzave u
shkruanim letra të gjata, ti i shkruan dy rreshta mesazh: kur dhe ku do të
takohemi: flm, tlm, 😍🙏...
Në moshën time të re, ne pushtonim
mendjen dhe trupin e vajzave me dashuri dhe mirësi.
Ti sheh vetëm trupin e saj.
Një minutë para seksit dhe një minutë pas seksit, ke celularin në dorë.
Ti ke disa llogari në facebook
dhe bën seks online.
Në moshën time të re, ne primitivët e bënim nëpër parqe, ara dhe
male, në ajër të pastër. Ne nuk puthin monitorin, por buzë e vashave! Ne
shtrëngonim vithet e saja, ti shtrëngon mausin dhe tastierën!
Neve na duheshin disa muaj për
ta pushtuar një vajzë, ty të duhen disa minuta për t’u zhveshur lakuriq para
kompjuterit!
Ne rrezikonim për dashuri. Ne
dhuronim dashuri dhe na dhurohej dashuri. Ne dashuronim dashurinë!
Ti dashuron veten, gjersa
vështron gjinjtë e një gruaje larg prej teje dhe masturbon shpirtin tënd.
Në kohën time, dashuria ishte
konkrete, e prekshme, e ndjeshme, e përjetueshme, te ti është e imagjinueshme.
Është fuqia e vetme mendore që po të mbijeton!
Në moshën time të re, ne
luanim disa ditë futboll brenda javës me grupe të lagjeve tjera. Ne kultivonim
kontakte sociale. Ti je në kompjuter apo me celular në dorë!
Në moshën time të re, ne
dilnim në lagje dhe flisnim për librin e fundit të lexuar. Ti je online!
Në moshën time të re, ne luanim shah para
dere, në trotuar.
Ti në trotuar je me celular në dorë!
Në kohën time ishte krenari të
mësoje sa më shumë, në tënden, të fitosh sa më shumë pa punuar fare!
Ne shkonim verës te lumi,
liqeni apo në plazh dhe aty luanim e notonim.
Ti edhe kur je aty, me kostum pishine,
fut celularin në bel.
Ne shihnim të magjepsur lulëzimin
e luleve dhe pemëve, pjekjen e frutave, ti nuk vëren as kur bien gjethet. Ti je
diku i zhytur në internet.
Ne i gëzoheshim edhe dimrit
dhe borës, edhe pse jo të veshur ngrohtë, ti nuk vëren as rënien, as shkrirjen
e saj, sepse je me celular në dorë.
Në moshën time, rrallë herë
kishim para për të shkuar në një kafene, por kur e bënim, debatonim për zotin
dhe shtetin, për engjëllin dhe dreqin, ti edhe kur pinë makiato, ose kapuçino,
ti shikon celularin dhe nuk kupton se e mbarove, e as shijen e tij.
Në moshën time të re, ne
shikonim njëri-tjetrin në sy gjatë bisedës, ti flet gjersa vështron celularin.
Në moshën time të re, vërenim
qimen e parë të bardhë në flokët e babait, ose të nënës, ti nuk ia sheh as
kokën e zbardhur. Nuk ke kohë, je duke vështruar celularin.
Ti edhe nëse i vështron, nuk i
sheh, të mungon përqendrimi, je i shpërndarë mendërisht, ti pret mesazhe.
Në moshën time të re,
gëzoheshim kur vinin miq te ne, ti dëshpërohesh nëse troket dikush në derë dhe mund të të largojë nga
celulari, madje tmerrohesh dhe ngrihesh nëse je në një shtëpi, që nuk posedon wlan.
Në kohën time, ne u ngritëm
edhe kundër Jugosllavisë komuniste dhe kërkuam drejtësi, edhe pse dihej, se
mund të na priste ujdhesa kroate Goli Otoku. Shumë përfunduan nëpër burgjet, e
u vranë, për ta vështruar ti lirinë në celular.
Ty sot të vjedhin ekonominë
nacionale, ti nuk ke kohë të rebelohesh se je në facebook.
Ty sot të gënjejnë hapur, por
ti as nuk habitesh, as nuk çuditesh, por ti duke shikuar në celular, voton dhe
rivoton një kriminel apo një hajn, pa i shikuar as emrin, as programin.
Ty të rrënohet shteti para
shputave tua, para hundës tënde, por ti nuk ke kohë, je duke lundruar nëpër
internet.
Ti pret dhe pret, që dikush të
zgjedh telashet tua, gjersa ti shikon filma pornografik, e shoqja jote shtrihet
për të fjetur me celular në dorë.
Ti kalon më shumë kohë në internet,
se me të dashuritë tu.
Ti më shum kontribuon për
Zuckerberg, se sa për familjen tënde.
Ti nuk je bërë dyfytyrësh, por
shumëfytyrësh, ne kishim vetëm një dhe kishim frikë ta humbin atë.
Në kohën time rrena
konsiderohej pafytyrësi, në tënden është normë sociale.
Në kohën time të paedukuarit
dhe të pasuksesshmit, silleshin si rrugaç, në kohën tënde krejt Kuvendi është
pasqyrë rrugaçërie; shajnë dhe ofendojnë si në kohën time maskarenjtë, gjersa ti
kënaqesh duke qeshur me injorancën që të bën varrin për së gjalli, por ti argëtohesh
me celular! Nuk ke kohë të kërkosh llogari!
Në kohën time nëna ishte nënë
dhe babai, baba. Në tënden babai është përdorues i internetit. Nëna përdoruese
e internetit. Vetëm një mendim keni të përbashkët: “Sa vonë qenka bërë!”
Ti i jep fëmijës celularin në
dorë të mashtrohet, të manipulohet, edhe pse psikologjia dëshmon se para moshës
12 vjeçare, dëmtohet truri i tij, sepse fëmija nuk mendon, por vështron vetëm
imazhe. Ti dëmton fëmijën për të fituar rehati për vete.
Ti nuk je prind! Ti që
e bën, je injorant ose injorante! Dhunues i fëmijës!
Në kohën time, ne përqafonim njeri
tjetrin dhe uronim për ditëlindje apo martesë, ti e uron në facebook nga
largësia me një kokëz gojëçaraveshur!
Në kohën time, shprehnim urime
njeriut edhe kur qethej, ti këtë nuk e vëren, je duke vështruar celularin.
Në kohën time ishte ofendim të
mos dëgjoje tjetrin me vëmendje, në tënden, është ofendim të pengohesh, gjersa
je në internet.
Në kohën time, autoritetet kryesore ishin
profesorët, shkrimtarët intelektualët, në tënden janë klerikët!
Ne bisedonim për shkencë, ju
për fe!
Ne mburreshim me Adem Demaçin ose edhe me Enver Hoxhën, ti me Erdoganin, ose Hashimin!
Ne burgoseshim për liri dhe
pavarësi, ju vetburgoseni dhe vështroni rrënimin e pavarësisë.
Ti mburresh me fjalë
patriotike, ne vetëm me ata që prodhonin vepra patriotike.
Ne ëndërronim lirinë dhe
anulimin e autoriteteve, edhe ato hyjnore dhe shtetërore.
Ti prodhon autoritet nga mediokritetet e pafytyrë!
Ti beson në jetën pas kalbjes
së trupit, ne besonim se jeta jetohet këtu.
Ne ishim realistë dhe idealistë
dhe ëndërronim lirinë për të jetuar jetën.
Ti je dualist dhe beson se pas
vdekjes jeton.
Ti beson se shpirti është
energji, si sooftwahre dhe beson se pasi kompjuteri të bëhet shkrumb e hi, software
funksionon përsëri.
Ne krekoseshim, kur prisnim
para bibliotekës në radhë për të marrë një libër për një jave.
Ti krekosesh me miqtë
e rrejshëm.
Ne mburreshim me biblioteka private, ti me likes në botën virtuale.
Në kohën time, ishte krenari
të shihesh me libër në dorë, te ti është mburrje të shihesh me iphone në dorë.
Ne çanim kokën si të shprehnim
më mirë një ngushëllimin, e thoshim me fjalë dhe përqafime, ti dërgon një kokë
të vockël me një pikë loti në sy. Ti nuk mendon!
Ne mendonim dhe krijonim, ti
kopjon dhe kopjon! Ti nuk mendon!
Ne citonim mendimin e huaj dhe
thoshim, e lexova këtë, ti kopjon të menduarit e huaj dhe thua: “Unë mendoj
kështu!” Në fakt, ti nuk mendon!
Ne përpiqeshim të rrinim të
përqendruar në klasë, ti gjatë mësimit merr mesazhe dhe dërgon.
Ne mburreshim me suksesin në
shkollë, ti mburresh me notën pa dije.
Ne mburreshim me fakultetin e
mbaruar, ti mburresh me diplomën e blerë apo të marrë pa dije.
Ne ishim në klasë, ti kur je në klasë, je
jashtë!
Ne respektonim mësuesin, ti e
shanë atë.
Ne kërkonim dije nga profesorë
e fakultetit, ti kërkon notë!
Ne kishim profesorë të mëdhenj, ti ke sot
pak profesorë, por shumë sharlatanë të mëdhenj!
Ne ëndërronim iluminizmin,
rilindjen nacionale, ti adhuron obskurantizmin, por ke dëshirë të shpërngulesh
në vendet e iluminuara.
Ne donim, dashuronim, mësonim,
gjakonim, adhuronim lirinë, ti adhuron vetburgosjen dhe shpreson se do të bëhet
mirë, se tjetri do të veprojë, gjersa ai tjetri, pret nga ai tjetri dhe kur të
tjerët, presin nga të tjerët, ti rrugëdalje nuk do të kesh dhe do të zgjohesh
me autodiktatët, me dudukët e njëjtë në politikë!
Edhe kuvendarët tu janë me celular
në Kuvend, edhe intelektualët nëpër debate televizive nuk mund të kontrollojnë
veten dhe gjatë debatit, vështrojnë celularin dhe nuk dëgjojnë me vëmendje.
Askush, askë nuk dëgjon i përqendruar! E keqja e madhe, ti ke ngelur pa shëmbëlltyra.
Ti je vetëm produkt i shoqërisë së korruptuar në shpirt dhe në mendje, deri në
palcë! Ti do të përfundosh rrënimin e shteti, që po e përgatit injoranca që ti
duron në krye!
Ti je duke punuar çdo ditë për
rritjen e mjerimit, por shpreson se dikush të zgjon një ditë dhe të jep lajmin
e mirë, se erdhi lumturia, sepse ti nuk ke kohë as të lexosh, as të vështrosh
njerëzit në sy, as të zgjohesh herët, as të kërkosh kontakt me vajza, ty
ta gjen gruan celulari.
Kur ti të zgjohesh, vitet do të kenë ikur dhe ti, sipas
zakonit, do të akuzosh të tjerët, pse nuk të zgjuan nga kllapia digjitale.
Sepse botën virtuale ose mund ta përdorësh për të mësuar më shumë, ose të
përdoresh prej saj, për të humbur sa më shumë: edhe atë, atë që nuk kthehet
kurrë, kohën! Ditët! Javë, muajt e vitet!
Zgjidhja është e jotja, si edhe
lumturia dhe rrënimi i saj! Një ditë do të vdesin ata që ke pranë, por do të
kujtohesh për refuzimin që ju ke bërë, gjersa ishin të gjallë!
Njeriu normal ka plane,
projekte dhe punon në realizimin e tyre, ti pret mrekulli të ndodhin. Në botë
nuk ndodhin ato, sepse për të ndodhura mrekullia, duhet zhbërë ligjet e
natyrës, por ti nuk ke kohë të mendosh, ti shpreson në nëndije se bëhet mirë,
edhe kur zgjohesh në mëngjes, është një ditë e re, që jetohet në mënyrën e
djeshme!
Pra, ti ke një problem të madh
dhe një garantues të mjerimit dhe me pezullimin e të të menduarit, vështron botën
nga një shkurre. Ti ke një problem shumë të madh, prandaj mjerimi është stabilizuar,
si dhe palumturia! Jeta, mirëpo, ka një afat skadimi!
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen