13.04.2018

Prolog nga libri "Letër burrave" (I) botasot, perqasje,dritare, flasshqip

Këto dëshmi, të cilat do të lexosh në fillim të librit, janë përkufizime, që kanë dalë në dritë si premisa nga shkrimet mbi diskriminimin në familje. Është pasqyrim i pabarazisë gjinore, i çrregullimeve, që janë shkaktarët kryesor për shpërbërjen sociale, nacionale dhe zhgradimin institucional.

Shekullin e kaluar kombi shqiptar ishte i fundit në Europë, në të gjitha fushat, por lakmon dhe synon të mbetet në fund të pusit, edhe në këtë shekull.  

Tregues për dremitje të pareshtur në bisht, është pranimi dhe ruajtja e mizogjinisë si normalitet social, sipas të cilës është zakon ose traditë, gratë të trajtohen si të mitura deri në mplakje, e pastaj, në fund të jetës, kur të bëhen gjyshe, të fitojnë lirinë, që nuk u duhet kurrë më:

Barazia e gruas arrihet me çlirimin e burrit nga paragjykimet fikse dhe primitive mbi gruan.

Kur ai fiton lirinë e vet dhe shërohet nga shtrëngesat, nga mania për të dominuar, gruaja fiton dinjitetin e anuluar.

Për ta bërë të shtypshme, asaj i hiqen tiparet njerëzore, që i ruan me krenari dhe krekosje për vetveten burri.
Me shfuqizimin e atyre tipareve, ajo mund të përbuzet, keqtrajtohet dhe mbikëqyret nga tutori!
Gruaja përjetohet si rrezik i mundshëm për nderin e tij!

Nderin përpiqet ai ta ruajë me dominimin e gruas. Jo pse gruaja apriori është e përdalë, por sepse pabesia dhe imagjinata e burrit primitiv, është e përdalë.
Shpërfillja dhe mospranimi i realitetit, është garantues i prapambetjes nacionale.

Prapambetja sigurohet dhe ngurtësohet me mosluftimin e diskriminimit të gruas.
Me kultivimin e diskriminimi, shoqëria mbahet me mendësi mesjetare.
Familja me mendësi mesjetare ka brenda tiranin, i cili përgjon, mbikëqyrë dhe cakton kufijtë e lirisë dhe shkallët e nderit.

Burri me mendje të kolonializuar nga paragjykimet, nuk është i lirë.
Është pronar, që ushtron tutori mbi skllevërit e vet.
Ai zgjedh edhe nusen për djalin, dhe burrin për bijën.
Martesa me vendim të huaj siguron seks, por në të shumtën e rasteve, jo dashuri.

Ndërhyrja në martesë, është dhunë psikike sepse zhbën vullnetin e lirë të djemve dhe bijave.
Me zhbërjen e tij, dëshmohet papjekuria e djalit, ose e bijës për martesë.
Duke iu nënshtruar vullnetit të huaj, dëshmohet paaftësia mendore, ose pezullimi i saj.

Mungesa e rebelimit, është tregues i depersonalizimit.
Personi i depersonalizuar është lodër e huaj.
Ai zbaton dëshirat e despotit, ai nuk mendon vet.
Të mosmenduarit, shndërron njeriun në vegël, pasivizon trurin e tij.
I depersonalizuari martohen pa dashuri.

Mungesa e dashurisë krijon distancë emocionale në mes të martuarve.
Distanca shndërron në normë dominimin e burrit mbi gruan.
Me dominimin e saj, seksi është nevojë trupore për burrin, shpesh detyrim dhe nënshtrim për gruan.
...
Seksi pa dashuri dhe pa vendim vetjak, është përdhunim dhe çnderim, sepse dërgohen dy veta të panjohur në krevat!

Ato akte me mungesë tërësore të empatisë, vështrohen si burrëri.
Burrëria e tij peshohet me trysninë ndaj gruas, jo me lumturimin e familjes.
Burrat që shtypin në shtëpi, jashtë janë tuca, me shumë komplekse, shpesh edhe anonim të shkrirë në masë.
Trysnia është e përhershme ose sporadike, por shoqëruar me cenim të përhershëm të dinjitetit.