Një dokument i ish-Shtabit
të Përgjithshëm të UÇK-së, të cilin e posedon Gazeta Fjala (kjo nuk ishte tani
për tani online) dhe që e kanë cituar shumë gazeta tjera, dëshmon se UÇK kishte
trembëdhjetëmijë e katërqindepesëdhjetetetë (13.458) ushtarë. Sot gjendja është sa qesharake,
aq edhe tragjike!
Nga 13.458 pjesëtarë të UÇK-ës, sot kemi apo kanë aplikuar mbi 60.000 veta! Mbi dyzetmijë tashmë marrin rroga
mujore prej njëqindeshtatëdhjetë eurove. Nga diku njëzetmijë gra të dhunuara, katërqind
kanë bërë kërkesë për dëmshpërblim!
Shumë burra shqiptarë janë shkatërrues të moralit, të dinjitetit
dhe integritetit kolektiv. Atë dëshmon kjo lukuni, që dëshiron statusin e
veteranit! Shumica e atyre janë të pamoralshëm, pa sedër vetjake dhe pa
identitet nacional! Ata janë grabitës të shtetit dhe zhvleftësojnë gatishmërinë,
sakrificën, vlerën, guximin dhe mirënjohjen ndaj atyre, që përnjëmend u flijuan
dhe që përnjëmend e meritojnë! Sot jemi në gjendje paradoksale, ku as
komandantët, nuk dinë se kush kishte qenë ushtarë i tyre. Ata gati 50.000, që
pretendojnë të bëhen veteranë, dëmtojnë edhe fëmijët e tyre dhe i mësojnë si të
dëmtohet interesi nacional!
Një popull, që duron këtë maskarallëk korrupsioni,
merr pjesë në zhbërjen e shtetit të vet. Një komision shqyrtues, i cili frynë
numrin për pesë herë, është komision mercenar, i cili dëmton për çdo muaj
buxhetin e shtetit dhe të cilit nuk i bëhet vonë, se ato lekë, mund të përdoreshin
për shkolla, spitale, kopshte të fëmijëve, sigurim shëndetësor, ose për familje
në gjendje të rëndë ekonomike.
Një klasë politike, e cila toleron atë numër, është e
papërgjegjshme, naive, injorante, shpërfillëse ndaj interesit nacional dhe
është bashkëpjesëmarrëse në zhvatjen e taksapaguesit të Kosovës. Fundi i
fundit, dëmshpërblimin duhej ta paguante Serbia, populli serb, jo populli i
Kosovës. Shqiptarët nuk kanë vrarë njëri-tjetrin, por e ka bërë shteti serb.
Shqiptarët nuk kanë dhunuar gratë, por soldateska dhe paramilitarët serb!
Izraeli nuk ka paguar popullit të vet reparacione, por Gjermania!
Ata që kanë aplikuar, ata që marrin pagë mujore, (për
njërin raportonte Koha Ditore se kishte qenë foshnje dyjavëshe, kur ka plasur
lufta), janë armatë e njerëzve, që për disa euro më shumë, do t’i bashkoheshin Serbisë
për të destabilizuar dhe shkatërruar shtetin e Kosovës. Ata nuk duan shtetin e
Kosovës. Ata e vjedhin. Ata pengojnë ndërtimin e tij. Ata ngadalësojnë
përparimin! Ata nuk janë veteranë! Ata janë tradhtarë! Ata nuk kanë turp të
shikojnë në sy veteranin e vërtetë! Ata
janë një zogori, që mendon për vete, gjersa grabisin atdheun e vet, por e lavdërojnë
dhe mburren me pallavra, me ngjarje të stisura.
Nëse Qeveria e Kosovës, nëse komandantët, nuk zbresin
atë numër në të vërtetin, atëherë qëllimi është vetëm korruptimi i tyre dhe
blerja e votave. Nëse ata veteranë kriminel kanë ndikim në dhjetë veta, atëherë
gati gjysmë milioni vota i sigurojnë vetes pasuesit e UÇK-ës, por duke dëmtuar për
disa dekada vlerësimin e drejtë të luftës. Jo vetëm kjo, por ata do të ndihmojnë,
do të ndikojnë që kryengritja e UÇK-ës, të shndërrohet në banalitet mafioz dhe
të përbuzët kolektivisht nga populli. Ai që vërtetë ka luftuar, nuk do të
dallohet më nga numri tepër i madh i veteranëve të rrejshëm.
Si duhet vepruar? Punën e parë që duhet të bëjë Qeveria
është shpërndarja e atij Komisioni.
E dyta, duhet një ligj që sanksionon mashtrimin. Si
duhet të tingëllojë ligji:
“Personi i cili aplikon për status të veteranit, por nuk ka qenë
pjesëmarrës, dënohet me 10.000 euro për tentim vjedhjeje. Personit që i është
pranuar statusi i veteranit, edhe pse nuk ka qenë, i sekuestrohet pasuria
private, shpallet tradhtar, humb të drejtët e punësimit, ku shteti i Kosovës
është punëdhënës dhe dënohet me dhjetë vite burg!
Nën dy:
“Qeveria u jep afat prej dy javësh për tërheqjen e aplikimeve dhe në këtë
rast, do të kthejnë vetëm paratë e marra padrejtësisht!”
Me një kërcënim të tillë, me pasoja të tilla dhe të
qarta, do të rrumbullakohej numri i vërtetë, rrugaçët që kanë fituar statusin e
veteranit nuk do të paguheshin më dhe kështu, atyre që vërtetë kanë kontribuar,
u rritet paga në 400 euro. Shuma e tanishme nuk është mirënjohje, por tallje.
Në anën tjetër, ato para vazhdimisht të kërkohen nga Serbia. 13458 veta do
merrnin më pak se gjysmën me katërqind euro në muaj, se sa 60.000 me 170 në
muaj.
Nëse ata gjashtëdhjetëmijë fitojnë statusin e
veteranit, atëherë atë duhet ta fitojnë edhe një milion refugjatë. Edhe këta
kanë kontribuar në çlirimin e Kosovës me fotografitë, që shpërndaheshin në botë
dhe ngjallnin zemëratë ndaj Serbisë dhe empati ndaj Kosovës!
Dokumenti i UÇK- ës
“Shtabi i
përgjithshëm kishte 39 pjesëtarë, Zona e Drenicës 2 mijë e 611, Zona e Pashtrikut
1 mijë e 715, Zona e Dukagjinit 1 mijë e 537 dhe Zona e Shalës me 1 mijë e 253
ushtarë”, thuhet në listën e pjesëtarëve të UÇK-së, një kopje të së cilës e ka
siguruar Gazeta Fjala. Ndër zonat që kishin më së paku pjesëtar renditen
“Qendra Shkollore”, “Brigada 200 e Logjistikës” dhe “Batalioni 1/60.”
Lista e pjesëtarëve të UÇK-së
Shtabi i
Përgjithshëm , 39 pjesëtarë, Zona e Drenicës 2611, Zona e Pashtrikut 1715, Zona e Dukagjinit 1537, Zona e Shalës 1253, Zona e Llapit 4523, Zona e Nerodimes 1253 Zona e Karadakut 347, Batalioni 1/60, 110, Qendra Shkollore 30, Brigada 200 e Logjistikës 40 gjithsej UÇK 13458 pjesëtarë.
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen