14.05.2018

Zoti dhe hajdutët shqiptarë, botasot,flasshqip,perqasje, dritare


Perëndia, si autoritet sipëror dhe absolut, i pakonkurrencë, i pasfidueshëm, i  patundueshëm, krijues i vetvetes dhe ndërsyes i evolucionit dhe universeve, thirri Engjëllin Kryekëshilltar dhe urdhëroi atë të marrë kontakt me Ministrin për Administrimin e Jetës dhe Fateve Njerëzore në galaktikën Rruga e Qumështit, saktësisht, diku në cep të saj; në yllin e quajtur Tokë. Pas një sekonde, Engjëlli u shfaq në zyrën numër NJË dhe sapo mori formë të dukshme, hoqi plisin e bardhë duke u përkulur para dhe foli:
- Urdhëroni Zot i qiejve dhe universeve, krijues i dinozaurëve dhe baktereve, i kafshëve dhe i homo budallis, hajdutis dhe homo pafytyris, krijues i bimëve dhe i ujërave, patriark i çdo qenie të gjallë dhe gjykatës i çdo krijese të vdekur, qysh nga vetëvrasja e Djallit!
Zoti dëgjoi Kryekëshilltarin me vëmendje dhe në fund foli si dikur me Abrahamin:
- Për periferinë e Mbretërisë Qiellore na nevojitet një hajdut i mirë, që do të jetë në gjendje të qetësojë trazirat, që atje nuk pushojnë!, jehoi zëri i tij.
- Hajdut për të administruar një hapësire, ku janë ekstraduar vetëm hajnat?, pyeti Engjëlli, i cili nuk arriti të fshehë habinë.
- Po! Vetëm hajduti i mirë do të jetë në gjendje t‘ i riedukojë hajnat. Nëse dërgojmë një njeri të mirë, ata indoktrinojnë atë dhe pastaj kemi një hajn më shumë. Nëse vendosim në krye të tyre një superhajdut, atëherë ai nuk mund të mashtrohet! Kupton arsyen?
- Në rregull, tha Engjëlli dhe u nis.
- Pse nxiton?, pyeti Zoti.
- Të urdhëroj Ministrin e Jetës dhe Fateve Njerëzore për t’i marrë shpirtin hajnit më të madh...
- Cilin? Nga cili vend?
- Një italian! Nga Italia... Ose një grek! Këta kanë vjedhur bukur shumë Greqinë  viteve të fundit, tha ai me plot druajtje.
- Një italiani!?, ngriti zërin. Një grek! Jo! Assesi! Ata nuk kanë më ato shkathtësi, që kishin. Hajnat më të mirë sot gjenden në Prishtinë!
- Në Prishtinë Zoti Zot?! Nëpër burgje?, pyeti Kryekëshilltar i hutuar.
- Jo! Në Qeveri! Përgjithësisht në politikë!
- Si urdhëroni, në rregull, do të përcjellë urdhrin... Po cili është kriteri orientues, si të bëj zgjedhjen?
- Urdhëro transferimin e atij që ka vjedhur më së shumti. Shuma e parave të vjedhura, është dëftesë për aftësi të mëdha të dëshmuara!
- Nga Tirana jo?
- Dëgjo! Në Tiranë nuk dihet saktësisht kush është hajn, kush jo. Në Prishtinë dihet mirë se kush janë hajnat, por nuk dihet kush janë tradhtarë, e kush jo! Kuptove tani?
- Po! Kur duhet të vdesë, sot apo nesër?
- Sot! Menjëherë!
- Duhet autorizuar një tjetër njeri për ta vrarë ?
- Jo! Nga pika në zemër! Këtë vit kemi mbushur normën me vrasës! Nuk mund t’i përdorim ata gjithmonë për të tërhequr njerëz në Qiell!
- Në rregull!, tha Engjëlli duke u përkulur dhe vuri përsëri plisin dhe u zhduk.
- Me të hyrë në zyrën numër PESË, u ngrit Ministri i Jetës në këmbë dhe e përshëndeti me përulje.
- Zoti dëshiron të tërhiqet nga Galaktika e Qumështit, nga ylli Tokë, hajduti më i madh nga skena politike e Kosovës, tha ai gjersa vështronte në një monitor afrimin e galaktikës tonë.

Ministri u kthye në vendin e vet dhe shkroi në unigoogle: “Lekët e vjedhur nga politikanët kosovarë” dhe shtypi enter. Në ekranin e kompjuterit rrotullohej një simbol i vogël gjersa analizonte ngjarjet, dollarët, eurot, që hidheshin përpjetë, kurse më poshtë, pas çdo tenderi, pas çdo asfaltimi, pas çdo ndërmarrje të tjetërsuar, shfaqeshin edhe shumat me numra të mëdhenj, që ndriçoheshin dhe shkruheshin me germa të trasha, të kuqe. Lart, dilnin fotografitë e hajnave, bankat ku ishin deponuar paratë dhe vazhdimisht ndryshoheshin pozitat. Pasi u krijuan shtatë faqe A4, Ministri kaloi me gisht mbi monitor dhe faqet e shtypura kaluan në duart e Kryekëshilltarit. Ai u hodhi një sy dhe kërkoi Ministrit një gotë rasoj për të ardhur në vete. Pasi e piu atë, nisi të flasë vet me vete dhe dukej vet i katërqindi! Pas pak, braktisi zyrën e tij duke vazhduar me dërdëllitjen dhe disa çaste më vonë, u krijua në Zyrën numër NJË.
- Zoti Zot, nuk mund të veçohet kryehajduti me aftësi më të theksuar, me specializim të posaçëm, siç kërkuat! Çdo vjedhje është ndarë në sasi të barabartë, me të drejtë për të sharë njëri tjetrin si hajdut! Në bazë të të Dhënave Qendrore Hjynore, në yllin e përdalë, shumë politikanë me pozita të rëndësishme, vjedhin, por në Kosovë çdo grabitje, është ndarë në mënyrë të barabartë mes tyre, si binjak!
- Domethënë iu paska ngulë Kosovës!?, pyeti zoti.
- Po, e ka hangër Shkëlqesi!
Zoti u mendua ca dhe në fund shtoi: Atëherë urdhëro transferimin e të gjithë politikanëve nga Qeveria dhe Presidenca.  
- E kush administron atje vilajetin?
Burdushi, Hetemi dhe Kallashi! Janë njerëz të sinqertë!
- Edhe kryetarin Thaçi?
- Jo! Thaçi duhet të mbetet edhe pak sepse ai amniston kriminelë, që ua kanë marrë shpirtin njerëzve sipas urdhrit tonë! Nuk bën! Pastaj duhet të nënshkruajë librin, që i ka kushtuar një djall e gjysmë...
- Po në Rregulloren e fundit ju shkruat se personat e akuzuar nuk do të vdisen, sepse duhet të vuajnë edhe në Tokë...
- Natyrisht dhe qiellisht, nuk do të merren!
- Po atje përgatiten akuza për 58 veta, disa janë edhe politikanë...
- Obobo! Ububu! Kuku për neve!, psherëtiu Zoti.  Atëherë merre Berishën!, foli ai prerazi dhe ca i acaruar, pa u menduar gjatë!
- Sali Berishën nga Viçidolli?
- Po!
- Eu, oho, bubu, po shumë kokëngjeshur është ai! Nuk besoj se vjen! E pastaj, ai është doktor i zemrës, nuk vdes nga pika në zemër!
- E nga pika në tru?
- Pika në tru i është dërguar tash e disa vite, por i ka rezistuar dhe është çakërdisur ca, por nuk po vjen... Thuhet se ka frikë nga Enver Hoxha! Ministri i Jetës dhe Fateve Njerëzore më pat thënë vitin e kaluar se do ta marrë, por dëshiron të presë derisa Saliu të gjejë një zgjidhje, një pretekst se si do të arsyetohet para Xhaxhit... Ai i dridhet si thupër para tij! E dini sa zavrak dhe hakmarrës është Enveri!

Heshtje në Zyrën numër NJË! Rezignim! As gëk, as mëk! Engjëlli qëndroi një copë herë pa u lëvizur nga vendi duke pritur vendimin e ri. Zëri i Zotit nuk dëgjohej. Ai priste ashtu me një qëndrim respektplot dhe sapo deshi të flasë, u dëgjua Zoti përsëri:
- Meqenëse është puna ashtu pa rrugëdalje, atëherë dërgo Dekret-Mallkim mbi kokat e tyre me urdhrin që të gjithë politikanët hajna të Kosovës dhe Shqipërisë, t’ i konsumojnë paratë e vjedhura për avokatë dhe nëpër burgje!
Kryekëshilltari u falënderua dhe la pas vete Zyrën. Ai urdhëroi  Ministrin e Jetës dhe Fateve Njerëzore për të shpallur Dekret- Mallkimin menjëherë në fletoren Zyrtare Hyjnore, çfarë ai e bëri me buzë në gaz dhe tap, shtypi enter. Dekreti  u nis drejt Tokës, por meqë largësia është e madhe, pritet të aterrojë në Tokë aty nga vjeshta apo në pranverën e ardhshme! E mundur se vjen edhe më herët, sepse varet shumë nga dendësia e materies së zezë, që mund të pengojnë në vrull Dekretin Hyjnor, që noton me shpejtësi të dritës.

Kryekëshilltari u kthye në Zyrën e vet dhe ia plasi vajit! Zoti u pendoftë dhe i ndihmoftë!, tha vet me vete. Njeriu nuk do të ketë më fuqi!, Ose, së paku i ndihmoftë t’ i gjejnë me google se në cilin burg dirgjen!, tha ai duke mbushur një gotë me rasoj dhe mori një pitalkë.

------------------------
 Lis Bukuroca - amazon
Nëse dëshironi të lexoni më shumë nga Lis Bukuroca, atëherë këtu mund të porosisni: Letër burrave, tregime dhe sprova,  Letër burrave 2 romanin, Ngjyrat e dashurisë  me Kanunin erotik, (vetëm për të rritur) ose përmbledhjen me poezi: Hijedritat e jetës.

Keine Kommentare: