Ky shkrim nuk ka për qëllim të zbukurojë gjendjen politike
dhe vendin e fundit të shqiptarëve në Europë, por vetëm të shquajë shkaktarët
historikë të shpërfillur në artikullin e profesorit Spahiu, (“Cubat e vitit
2050”), pa u ndalur në pjesën e fajit tonë, që e kemi sot.
Ai nisë ligjërimin e tij me stereotipat për kombet. Ato janë
bindje për një komb, të përhapura në masën kryesisht të arsimuar pak, të
arsimuar përgjysmë, ose te ekstremistët e të të gjitha llojeve. Ata, për ta
bërë një popull të urrejtshëm, të përbuzshëm dhe të mirë për zhdukje,
çnjerëzojnë atë në tërësi. Urrejtja që pason si vijim logjik, pranohet nga individi
i pushtuar me bindje negative, sa besohet, se të gjithë, janë të ligë. Kjo
është ajo periudha e parapërgatitjes teorike, psikologjike, ku nisë shkatërrimi
i një identiteti social dhe gjakimi për të krijuar një tjetër, sepse krijimi i
bindjeve të reja, nuk është i mundur, nëse nuk shpartallohen ato që
ekzistojnë.
Kështu veprojnë edhe partitë radikale politike, edhe ato
fetare. Pasi të kenë arritur suksesin dhe masa të jetë bindur, atëherë edhe
vrasja e një grupi të caktuar etnik, është përgjithësisht i pranueshëm në popull.
Sepse, pas djallëzimit të tyre, (ata nuk konsiderohen më njerëz me dinjitet), empatia, respekti dhe pranimi i
tyre, anulohet. Pa ato parakushte, nuk mund të niset asnjë luftë! Në doktrinën militariste
është traditë, përndryshe nuk do të mund të mobilizohej një popull, një armatë, për të vrarë, ose
dëbuar njerëz të mirë!
Një njeri me bindje radikale apo një grup, shkëputet nga
normat e përgjithshme sociale, krijon të vetat dhe paragjykon me bindjet e veta
fikse. Ai ose ata, nuk pranojnë shpjegime tjera, sepse racionaliteti, do të asgjësonte
paragjykimet e tyre.
Profesori ligjëron këtë herë për një takim të vitit 92 në një
lokal të Tiranës, ku ai dhe disa anonimë, paskan debatuar për klishetë mbi kombet.
Aty paskan konstatuar ”se shqiptari nuk është mjeshtër, ai vetëm aktron
mjeshtrin. Shqiptari nuk është mësues, ai vetëm aktron mësuesin. Shqiptari nuk
është luftëtar, ai vetëm aktron luftëtarin. Shqiptari nuk është mjek, ai vetëm
aktron mjekun”, por njëri nga të pranishmit, qenka revoltuar dhe paska
kundërshtuar nxirjen kolektive dhe paska shtruar këtë pyetje:”... si mund të ishte aktori më i mirë jugosllav i
të gjitha kohërave, shqiptari Bekim Fehmiu?”
Kësaj pyetje do t’i japë përgjigje profesor Spahiu duke
pohuar me bindje të plotë se, “Aktorët
shqiptarë kanë për publikë aktorët. Dhe këtu nuk dihet nëse aktorët më të zotë
janë ata që janë në skenë apo ata që janë të ulur në sallë si publikë.”
E
lexove? Profesori pa u tunduar aspak nga dyshimi, që është parim kryesor në
botën intelektuale, përkufizon se “aktorët shqiptarë kanë për publikë aktorët”, dhe tani mbetet vetëm të zëvendësohen:
publiku të futet në skenë, aktorët në sallë. Nuk thotë disa shqiptarë në publik,
por përdor njëjësin gjithëpërfshirës: shqiptari, që nënkupton krejt spektatorët
dhe krejt shqiptarët. Kjo mënyrë rezonimi përdoret për të rrënuar një tërësi,
një popull nga ekstremistët e të gjitha llojeve. Kur pranohet diferencimi dhe
trajtimi individual, mund të shembë bindjet, prandaj ajo duhet përforcuar sa më
shumë, duke shpërfillur mundësinë e ekzistimit edhe të një personi në sallë, që
nuk është aktor.
Edhe pse e thotë për të përbuzur, në fakt ai mendim flet për
cilësi të mëdha intelektuale, sepse diku tjetër në botë, ajo zhvendosje
masovike, do të ishte e pamundur, por te ne, sipas profesorit, të gjithë janë,
ose të nivelit të aktorëve, ndoshta edhe më të mirë. Pra, ai është i bindur se
publiku shqiptar është aktor dhe sipas atij gjykimi, spektatorët e një ndeshjeje
futbolli, janë të gjithë lojtarë. Edhe më të mirë se ata në fushë! Këtë
shembull ai nuk e merr, sepse praktikisht, do të shfuqizonte një paragjykim,
por atij i duhet për të prodhuar përbuzje dhe mosdurim ndaj kombit si tërësi,
jo ndaj disa vetave dhe për të krijuar bindje për moralin e dyfishtë, qëndrimin
e pasinqertë te shqiptari (si pasojë
e patriarkalizmit) dhe sipas tij, të gjithë
shqiptarët, shtiren dhe ai që nuk e bën, është vetëm profesor Spahiu. Dyshimin
ai përdor vetëm kur i nevojitet për të përforcuar qëndrimin negativ dhe arrin
në përfundim, se në publik, mund të ketë “njerëz
më të zotë se sa vet aktorët.”
Cilat
qenkan tiparet, që na karakterizojnë? “Shqiptarit i mungon
durimi (me përjashtime, kuptohet). Shqiptarit i mungon pasioni për punë (me
përjashtime, kuptohet). Prandaj, shqiptari nuk mbjell se kjo do punë dhe nuk
pret që fryti të piqet se kjo do durim. Shqiptarit i pëlqen që të grabisë
frytin e tjetrit, ashtu të gatshëm.”
Tani
mund të thuhet se u këndell dhe nuk i përfshin të gjithë si në teatër, por shquan
edhe përjashtime, megjithatë, të gjitha ato karakteristika, janë të pranishme
në Ballkan, edhe te shumë popuj të shtypur dhe nuk janë veçori shqiptare, por
të shohim arsyetimin në vijim: “Shih në
anën tjetër vëllezërit e tyre. Shqipëria nuk u bë shtet tamam as edhe për më
shumë 100 vite qëkur Fuqitë e Mëdha e njohën për shtet.”
Shtetet
e Ballkanit janë në një derexhe pak a shumë të njëjtë. Për të kuptuar pse disa janë një hap para
nesh, duhet parë kur u çliruan ata nga obskurantizmi osman. Ky është faktori i
parë. I dyti është viti i hapjes së shkollës së parë fillore, pastaj i universitetit
dhe i treti, pozita e gruas, e nënës, e motrës. Këto tri fakte janë përcaktuese
për të ligjëruar drejt, objektivisht dhe pa synuar stigmatizimin kolektiv.
Greqia
fiton autonomi në vitin 1828. Në Serbi
gjimnazi i parë u themelua në vitin 1791. Në vitin 1867 largohet nga Serbia ushtari
i fundit osman. Sipas historisë zyrtare osmane, Kalifati Osman ekziston që nga pushtimi i Egjyptit, pra që
nga viti 1517, por në Kushtetutë, është shkruar në vitin 1876. Në vitin 1924, asambleja
turke e shfuqizon dhe shpërbën Kalifatin.
Nuk
është vetëm pavarësia, që mësoi njerëzit të ndërtojnë administratë, shtet
ligjor, por tregues i madh është edhe liria për t’u arsimuar: si e burrave,
ashtu edhe e grave! Në të gjitha trojet shqiptare, deri në vitin 1912, ishin të
ndaluara shkollat shqipe!
Kadare
shkruan: “Asnjë gjuhë tjetër dhe asnjë shkollim në Europë nuk kanë pasur një
martirizim të tillë: pesë shekuj dënim. Për të mos u zgjatur, mjafton një
statistikë tmerruese nxjerrë nga “Historia e shqiptarëve”, e francezit Serge
Metais, botuar në vitin 2006, Paris. Tabloja e shkollimit është e pabesueshme.
Më 1887, në Shqipëri kishte tre mijë shkolla. Prej të cilave një mijë e dyqind
shkolla publike turke, po aq shkolla private greke, treqind shkolla bullgare,
serbe dhe vllahe, shkollë shqipe vetëm një, me drejtor Pandeli Sotirin!”
Universiteti
i parë grek themelohet në vitin 1837.
Shkolla e lartë në Beograd u themelua në vitin 1808. U shndërrua në
Universitetin në vitin 1908, katër vite para pavarësisë shqiptare. Universiteti
i parë shqiptarë hapet në Tiranë në vitin 1957. Në vitin 1958 hapet Shkolla e
Lartë Pedagogjike në Prishtinë, kurse Universiteti i parë shqiptar në
Jugosllavi, themelohet në vitin 1969. Pra 137 vjet pas atij grek dhe 61 pas
atij serb.
Pse
nuk ndërtuan shqiptarët shtet? Ja
ligjërimi dhe përligjja e profesorit: “Shqiptarët
nuk ndërtuan shtet, se nuk u shquan në ndërtime, por në grabitje. Këtë
profesion e shpurën deri në përsosmëri.” Këtu profesori ligjëron për kohën
e pushtimit, kur ballkanasit nuk kishin shtete, por në fjalinë tjetër në
vazhdim pohon: “Kulmi i këtij profesioni ishte kur shqiptarët ua grabitën sulltanëve
Perandorinë Osmane.” Kulmi i profesionit, sic!!?
E
kuptuat mirë profesorin? Kulmin e profesionit e paskemi dëshmuar, kur sulltanëve
u paskemi grabitur pushtetin! Tani i kthehet përsëri diskursit
gjithëpërfshirës, sepse i konvenon në ngritjen e përçmimit. Ai flet përsëri në
shumës, edhe pse ishin disa veta apo një, që kishte rrëmbyer pushtetin, ai
thotë, shqiptarët, pra të gjithë. Edhe pse ai rrëmbim nuk ishte i huaj, nuk
ishte jonormal, sepse Qypërlinjët, ishin nënshtetas të asaj perandorie.
Sipas
asaj logjike sipërfaqësore, meqenëse Trumpi është me origjinë gjermane, atëherë
gjermanët, ua kanë grabitur shtetin amerikanëve, hungarezët me Nicolas Sarközy francezëve, pakistanezët
me Sadiq Khanin Londrën e kështu
me radhë.
Më
lartë profesori tha se shqiptarët edhe pas 100 viteve nuk bënë “shtet tamam.” Po Turqia, a di Turqia
të ndërtojë shtet tamam ligjor?
Nga viti 1960 deri sot kanë ndodhur gjashtë grusht shtete!
Ajo
edhe pse me përvojë shekullore shtetërore, nuk ka arritur kurrë me sukses të
ankorojë demokracinë, por vetëm diktaturat! Meqenëse mentaliteti osman është
akoma i pranishëm në Ballkan, asnjë shtet i Ballkanit, nuk ka ngjashmëri
minimale, me shtetin ligjor të Perëndimit, por janë vetëm surrogate të tyre. Si
në Turqi, edhe në Ballkan, demokracia nuk funksionon. Vendet perëndimore kanë
përjetuar iluminizmin, lirinë, prosperitetin, por në gjendjen e Ballkanit apo
më të rëndë, kanë qenë para nesh. Ne nuk kemi dëmtuar njerëzimin sa Gjermania,
që ka sot shtet ligjor, as si Franca, si Spanja, si Anglia, si Turqia dhe
Portugalia me koloni. Ne kemi dinjitetin nacional pothuaj të pa damkosur! Ne
jemi viktimë nga mungesa e miqve, çfarë i kishin popujt ortodoks dhe katolik në
Ballkan. Shtetet e Ballkanit, u krijuan sipas fuqisë së katolikëve dhe
ortodoksëve. Stagnimi jonë nuk është vetëm pasojë e jona, por shpesh edhe i
imponuar nga jashtë.
Shpresoj
se nuk të ka ikur nga vëmendja ai fakt, kur profesori thotë se shqiptarët
grabitën pushtetin dhe atë rrëmbim, vlerëson si “koha më e lavdishme e shqiptarëve” edhe pse ajo ndodhi, dëshmon se Qypi
dhe shpura me Qypa të tjerë, kishin identitet kulturor osman, e jo shqiptar. Mu
ashtu siç e ka Trupmi identitetin kulturor amerikan, ose Sadiku pakistanez, atë
anglez, edhe ata Qypërlinj, nuk ishin më shqiptarë. Edhe në kohën e
Jugosllavisë kishim grabitur pushtetin dhe i fundit ishte Rrahman Morina. Derisa
të mos provohet kontributi i tyre për kombin e vet, ata mund të pranohen si me
origjinë shqiptare, por me identitet të tjetërsuar. Ata thjesht ishin osmanë,
si shumë njerëz me origjinë gjermane në SHBA, por që kanë luftuar kundër
Gjermanisë në kohën e fashizmit.
Profesori
që quan kombin shqiptar si më aktor se aktori, fisnikëron dezertimin nacional, asimilimin,
mercenarizmin, veturrejtjen, sepse marrjen e pushtetit, vlerëson si “epokë më të lavdishme.” Ai duke dashur të
mos shfaqet vet si aktor, demaskon vetveten. Lexojeni me vëmendje: “...në shkrimin paraprak tek revista “Shenja”
kam shpjeguar se si Qypërlinjtë shqiptarë e grabitën pushtetin perandorak...”
Bukur
shumë! Të lexojmë tani çfarë paska ligjëruar herën e kaluar:“ Në 5 vitet e sundimit të Mehmet Pashë
Qypërliut, Perandoria Osmane e rimori vetën për herë të parë pas rënies që
kishte pësuar me vdekjen e Sulltan Sulejmanit I, që pat sunduar 46 vite
(1520-1566).”
E
lexove? Për pesë vite sundimi Qypërliu, ringrit Perandoria Osmane, por më lartë
e konsideronte “epokë më të lavdishme
shqiptare!”, edhe pse aty flet për ringritjen, rimëkëmbjen e perandorisë,
që kishte pushtuar atdheun e Qypave! Ku ka vendin tani profesori? Në skenë apo në publik? Pra, atë marrje pushteti, të cilën e quan
si grabitje, tani e çmon si të mirë për Perandorinë! Si grabitje pozitive të shqiptarëve,
që nuk dinë të ndërtojnë, por që ngrenë nga gërmadhat një Perandori. Suksesi në
stabilizimin e Perandorisë tregon se
Qyperlinjët në aspektin social dhe kulturor, ishin të asimiluar dhe
kontribuonin në shtetin, që e konsideronin të vetin, pra ishin më osmanë se
osmanët apo po aq osmanë, sa edhe ata!
Profesori
nuk flet vetëm për të kaluarën, por ai parashikon edhe ardhmërinë: “Shansi
i shqiptarëve do të paraqitet në Bashkimin Evropian. Livadhet e gjëra të kësaj
perandorie moderne do të jenë pre të lehta për cubat shqiptarë.”
Europa
është hapësirë multi etnike, multi kulturore, kontinent i vlerave, që
ekzaltohet nga suksesi dhe nuk merr për bazë origjinën, gjuhën, kombin,
religjionin, por aftësitë! Për të ndërlidhur me Qypërlinjët dhe për të përçmuar
ai këtë sukses, thotë “faza e parë, ajo
kulturore, veçse po vegjeton: Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi…
Majlinda Kelmendi e sportistë të tjerë në klubet anë e mbanë Evropës...” Këtu arrijmë te faktori i tretë, se
mungesa e barazisë ligjore të gruas, pamundëson ndërtimin e shtetit ligjor. Në
epokën e lavdishme osmane, të gjitha gratë shqiptare, një qind për qind, ishin
anonime dhe analfabete, por periudhë e lavdishme sipas profesorit!
Cilët
cuba amerikanë me origjinë italiane, kanë lënë gjurmë në SHBA? Do të përmenden
vetëm disa, që për popullin, që është më aktor se Bekim Fehmiu, janë të njohur:
Madonna, Robert De Niro, Francis Ford Coppola, Nancy
Pelosi, Frank Sinatra, Rudy Giuliani, Martin Scorsese, Enio
Morricone dhe qindra dhe mijëra të tjerë në fusha tjera.
Çfarë
bëjnë delet shqiptare në livadhin europian? Ata “veçse dëshmojnë
energjinë e ndrydhur të prindërve të tyre, me ëndrrat e lëna përgjysmë...”,
pra, jo pse ata janë të mirë, jo pse ata kanë talente, jo pse janë të
përkushtuar dhe plot pasion, jo pse u respektohet dinjiteti dhe barazia, por me
arritjet e tyre, ata do shpalosin vetëm energjinë e ndrydhur dhe ëndrrat e
braktisura të prindërve të tyre! Domethënë, nëse shqiptarët nuk arrijnë suksese,
atëherë ajo mungesë, do të dëshmojë për prindër me ekuilibër të shëndoshë!
E
çfarë do të bëhet pastaj? „Sepse pas
fazës kulturore e sportive vjen faza e ambicieve më të mëdha, ambicieve
politike... Livadhet e mëdha të Bashkimit Evropian do të jenë kafshatë e lehtë
për këta fëmijë të prindërve me ëndrra të thyera.”
Do
të përmenden vetëm disa cuba me origjinë gjermane, që kanë arritur sukses në
livadhin amerikan: Hans Nicolaus Eisenhauer, parardhsë i Dwight D. Eisenhower, Friedrich List, Hayum
Lehman, bashkëthemelues i bankës Lehman Brothers, Levi Strauss, tekstil, Wilhelm Böing, i ati i William Edward Boeing,
themelues i ndërmarrjes së avionëve, Marlene Dietrich, Herbert Marcuse, Henry
Kissinger, Heidi Klum. Nuk do të vazhdohet tutje sepse gjenden qindra dhe
mijëra personalitete në filozofi, letërsi, art, politikë dhe në industri.
Dhe,
profesori, me plot seriozitet, vazhdon: „... brezi i këtyre që
tani janë 10-20 vjeç, e që më 2050 do të jenë në kulmin e karrierës së tyre
politike, nuk është duke u edukuar aspak me frymë patriotike.”
Meqenëse
epoka e Qypërlinjëve konsiderohet e lavdishme, ku u edukuan ata në frymë
patriotike, sa karrierizmi i tyre të cilësohet si epokë e suksesshme shqiptare?
Cili italoamerikan, ose cili gjermanoamerikan, është edukuar në vend të huaj në
frymën e vendit, ku nuk jeton? Kur të lexojë profesori për tri socializimet e
njeriut në jetë, do të kuptojë motivet!
Ai
atë Europë, që konsideron livadh dhe për të cilën parashikon grabitjen e
pushtetit nga shqiptarët, (sepse
ne kemi përsosur grabitjen), tani predikon rekomandime, si ta rrëmbejmë Europën
dhe si ta përparojmë këtë livadh të prapambetur. Lexoje: “Nëse tani do të bënim reforma rrënjësore në edukimin tonë patriotik,
nëse tani nxënësit tanë do të mësonin nga abetaret e viteve 1941-1944 dhe
frymën patriotike që mbartin ato tekste shkollore, në vitin 2050 Evropa jo
vetëm që do të ishte në dorë të shqiptarëve, por edhe do të përjetonte lulëzim.”
Pra,
për ta lulëzuar këtë livadh djerrinë, ne duhet të ndryshojmë vetëm parimet
atdhetare, tek ata popuj, që jeton në fazën post-nacionaliste dhe post-patriotike, por edhe na duhen edhe abetaret
e vitit 1941-1944. Jo abetare që bazohen
në pedagogjinë moderne, por abetaret e epokës fashiste, kur ne ishim të
pushtuar, sepse fashizmi, dëshironte që ne të bëhemi atdhetarë shembullorë! Pse
pikërisht ajo abetare, nuk tregon profesori,
as cila qenka fuqia didaktike, pedagogjike dhe psikologjike e saj! E çfarë do të ndodhë nëse ne nuk përdorim atë
abetare? Edhe këtë e din profesori, edhe pse e din se Qypërlinjët, pa abetare,
grabitën pushtetin e Perandorisë! Madje bashkatdhetarët e tyre, pasardhësit, edhe
me abetare shqipe të ndaluar!
“Në të kundërtën, nëse vazhdojmë kështu, Evropa më 2050 do të
jetë në duar të shqiptarëve, por nga ky fakt nuk do të kenë dobi as shqiptarët
e as evropianët e tjerë.” Ky mendim i duhet për të përkëdhelur
sedrën, që ia rrënon shqiptarit dhe për të krijuar përshtypje, se dëshiron të
jetë i drejtë! Sipas tij fati i Europës ashtu-ashtu do të jetë në duar tona,
shpëtim nuk do të ketë, por pa atë abetare, Europa nuk do të përfitojë nga
cubat shqiptarë. E çfarë bëjmë ne jashtë? Ata “presin të bëhen pjesë e një
Perandorie..., t’i kapin majat e saj si dikur që i kapën Perandorinë Osmane.”
Përfundim
Sa më i pranishëm patriarkalizmi
dhe religjioni në një shoqëri, aq më e pamundur demokracia.
Patriarkalizmi
pamundëson shtetin ligjor, sepse në shtëpi mësohen shpërfillja e ligjeve.
Kuota e
inteligjencës nëpër popuj është rezultat i jetëgjatësisë së arsimit në vendet e
tyre.
Në Ballkan nuk
funksionon demokracia. Nuk ka shtet ligjore! As në Turqi jo. E dëshmojnë puçet ushtarake të vitit 1960,
1971, 1980, 1997 dhe 2016.
Ballkani
ka bakshish-mentalitet!
Arsimi është
rezultat i mëvetësisë dhe sovranitetit.
Mosrespektimi i
barazisë ligjore të grave, krijon shoqëri jodemokratike dhe shtete të padrejta.
Krahasimi i
popujve të lirë, me popujt e robëruar disa shekuj, është tendencioz dhe
qëllimkeq.
Nuk ka popuj të
mirë dhe të keq, por ka individë të ligë, që rrëmbejnë pushtetin dhe krijojnë
imazh të gabuar për një vend.
Sukseset shqiptare
jashtë, nuk janë pasojë e ëndrrave të thyera të prindërve, por të mundura,
sepse respektohet dinjiteti i njeriut, çmohet aftësia, jo përkatësia etnike, fetare apo fisnore.
Ne kemi dy shtete
e gjysmë me paterica, por është sukses që i kemi! Për të krahasuar shtetet në
mes vete, duhet të jenë çliruar nga robëria në kohë të njëjtë, nëse jo, atëherë
për studim komparative, duhet të merren 10 vitet e Kosovës, me 10 vitet e para
të Greqisë, ose Serbisë pas çlirimit nga osmanët!
Ne
duhet të mësojmë një herë e përgjithmonë, se mburrja me personalitete, që patën
origjinë shqiptare biologjike, por që bënë karrierë sepse ndryshuan identitetin
e tyre kulturor dhe u asimiluan, që nuk kanë dhënë asnjë kontribut për vendin e
vet, qoftë pse kanë mohuar origjinën e vet, qoftë pse kanë e kanë heshtur me
vetëdije të plotë, nuk janë shfaqje për krenari, as shëmbëlltyra për mburrje,
por për keqardhje dhe të huaj për ne, siç ishte veprimtaria dhe kontributi i tyre!
Pema që shkulet nga Ballkani dhe mbillet në Gjermani, nuk prodhon frute për
ballkanasit, por për gjermanët! Pemët tona në Romë dhe Stamboll, janë frute të
atyre vendeve! Ata kanë të drejtë të krenohen me ta, jo ne!
Është
naivitet mburrja me qesarët e Romës, kur ata mbanin të pushtuar edhe atdheun e
tyre, siç e kishte bërë një Qesar romak para tij. Është naivitet krenaria me
pashallarët dhe vezirët, sepse ata zbatonin vetëm politikën dhe interesat e Perandorisë,
që i shërbenin dhe nuk ndërtohej, nuk pasurohej, nuk arsimohej vendi i tyre,
por ata për të fituar besimin, përpiqeshin të duken më romak se romakët, më
osmanë se osmanët. Madje asnjëri prej këtyre të fundit, nuk kishte marrë mundimin
të anulojë ligjin, që kishte ndaluar gjuhën e tyre amtare.
Rrahagjoksja
me aftësitë dhe zotësitë e një karrieristi, nuk është normale, por dëshmues i
një boshësie, i një dezorientimi, i një injorance, i një mjegullnaje, i
depersonalizimit dhe i mungesës së shëmbëlltyrave brenda shoqërisë në kohën e
tashme.
Nëse përdoret një metodë krahasimtare, e cila do të bazohej
në fakte empirike, atëherë nuk mund të lihen anash faktet kryesore si liria dhe
mëvetësia. Për profesorin duhet të jetë i njohur John Stuart Mill me
konkordancat dhe metodat diferencuese.
u publikua te gazetaexpress, fjalaelire, respublika, perqasjse, flasshqip
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen