Shteti serb të ka copëtuar si komb, si
atdhe dhe të ka zvogëluar dhe defaktorizuar në Ballkan. Ai të ka dëbuar, të ka
internuar, të ka vrarë, të ka dhunuar gra dhe bija dhe të ka zhbërë dinjitetin.
Akoma pa harruar plagën e shkaktuar prej saj me eksodin drejt Turqisë, ai shtet,
u hodh me tanke dhe ushtri barbare mbi ty. E ti? Ti menjëherë pas luftës, nise të
kontribuosh në ekonominë e atij shteti duke blerë mallrat e tij dhe duke
ndihmuar përdhunuesit tënd dhe ndoshta, duke i garantuar vendin e punës një
ushtari të djeshëm apo djalit të tij. Ti ndihmon në standardin e tyre jetësor,
rënien e papunësisë dhe forcimin e atij shteti, që ty të urren.
(Nuk është
vlerë urrejtja e popullit serb, por mosshpërblimi i një shteti fashist, që të
traumatizoi kolektivisht më shumë se një shekull dhe që sot akoma përpiqet të
pushtojë krejt vendin apo pjesë të tij.)
Nuk është Perëndimi apo pro serbët në
Europë, që trajtojnë Serbinë me respekt dhe pendesë, por ti ishe i pari, i cili
i fali shtetit serb të gjitha krimet: Ti kurrë nuk kërkove llogari për mijëra të
vrarë. Ti kurrë nuk kërkove llogari për njëzetmijë gra të dhunuara. Ti kurrë
nuk kërkove llogari për njëqindmijë shtëpi të shkatërruara. Ti kurrë nuk
kërkove llogari për gati gjysmën e popullit të dëbuar dhe kurrë as për fëmijët e masakruar! Ti nuk kërkove
llogari për mijëra kufoma të sekuestruara dhe zhdukura nëpër Serbi! Ti nuk
kërkove llogari dhe dëmshpërblim zyrtarisht, siç të çrrënjosi dhe sakatoi
shteti serb me urdhër zyrtar, shtetëror.
Ti ke hequr dorë nga shteti i Kosovës, nga kombi, nga historia, nga gjuha, nga
morali, nga dinjiteti, nga identiteti dhe gjoja pezmatohesh, kur të shajnë të
kaluarën dhe kur të rrënojnë të tashmen, rrjedhimisht të ardhmen!
Ti je i trashë nga mendja dhe veprimi; i
lehtë për mashtrim, naiv, babaxhan, që voton e rivoton hajna, kriminelë dhe
makiavelistë, por je i bindur se je qendra e dijes dhe qytetërimit.
Ti je i korruptuar në shpirt! Ti nuk di as
kush je, as ku dëshiron të jesh! Në vend se të shfrytëzosh lirinë për t’u
ndrequr, e përdore për t’ u prishur, për t’u nënshtruar më shumë dhe për ta
rrënuar shtetin! Për ta rehabilituar shtetin serb! Për t’u prishur me
Perëndimin!
Ti nuk kupton fuqinë e votës dhe
domosdoshmërinë e respektimit të ligjit, të interesit nacional.
Ti nuk i beson veprave të tradhtarëve, që
i prodhojnë çdo ditë, por pret nga shërbimi sekret, që i ka rekrutuar, të të
tregoj emrat e tyre, edhe kur ta luftojnë substancën kombëtare dhe vlerat
nacionale!
Ti argëtohesh dhe pyet pse i lejojnë, pse
i ftojnë, por idiotizmat e tyre, i shikon ose i shpërndan nëpër media, d.m.th.
je propagandues, shpërndarës, ndihmues dhe shërbëtor i tyre!
Ty, nëse një tregtar shqiptar të shikon
vëngër në treg, nuk blen gjësend prej tij, por ti je aq i pambamendje, sa financon tash e tetëmbëdhjetë
vite, ekonominë e vendit, që mezi pret mundësinë për t’ u kthyer aty ku ishte!
Ti ke humbur karakterin, virtytin, vlerat
morale dhe kombëtare!
Ti me shqiptarin rrahesh jashtë dhe në
kuvend, por ushqehesh dhe mbahesh gjallë me mallrat e atij, që të ka dhunuar
nënën, babain dhe motrën! Ti ke humbur dinjitetin! Ose, ti ke vetëm dhjetë për
qind dinjitet.
Ti edhe ke ftyrë të buzëqeshësh, të
mbushësh shportën me mallra e atij, i cili pret se ndryshon gjendja, për të
dëbuar ty përsëri në Kukës e Bllacë, në Perëndim apo në Turqi. Ti ke humbur
vetëdijen! Ti ke vetëm dhjetë për qind vetëdije! Nëntëdhjetë për qind je i
vdekur! Kufomë psikike e pandikim, e paide, e pafuqi në argëtim e sipër!
Ti, për nder vret një shqiptar, por për
nderin e nëpërkëmbur nga shteti serb, e shpërblen dhe i garanton mijëra vende
të punës. Ti je dhjetë për qind i sinqertë! Nëntëdhjetë për qind je iluzioni,
je rrena, je gjeni i vetëmashtrimit!
Ti çaravesh dhe tmerrohesh, pse Turqia
investon pesë miliardë në Serbi. Ti, i rrjepur nga shteti serb, ke investuar
gati pesë miliard në vendin, që në të gjitha mënyrat e mundshme, lufton shtetin
tënd. Ti ke humbur sedrën! Ti nuk je objektiv. Nëntëdhjetë për qind je i
padrejtë! Ti je rrena vet! Poshtërsia!
Ti ndjehesh trim dhe krekosesh, kërcënon
shqiptarë, pse nuk mendojnë si ti, gjersa në veri valon flamuri serb, paguhet
me monedhë serbe dhe ku ti apo vëllai yt, nuk mund të kthehesh!
Ti nuk ke guxim, sepse po të kishe, nuk do
të duroje një klasë kleptokratësh, por ti je mburravec i keq, i cili mendon se
bëhet guximtar pse urren, pse shan dhe pse fryhet si gjel deti! Ti je nëntëdhjetë
për qind pallavra! Nga Akademia, deri te Kopshti i Fëmijëve! Ti je dyfytyrësia!
Ti nuk je i poshtër pse harron, as pse fal
edhe pa të kërkuar ndjesë, por je i ulët nga morali e nga karakteri, e zeza e
vetvetes, pse ndihmon ish pushtuesin tënd, pa u penduar ai për tragjedinë që të
ka shkaktuar dhe i cili edhe sot, përgatit të rejën!
Ti je i pakujtesë, i pamoralshëm, i
padije! Ti je turpi dhe mjerimi. Ti je shëmbëlltyrë tipike e menefregistit dhe
dudukut oportunist!
Ti për një metër tokë, vret një shqiptar,
por nëse vendit tënd i shkëputen mijëra kilometra katrorë dhe nëse nga ajo të
premtohen përfitime, e pranon si të drejtë!
Ti nuk ke karakter, d.m.th. nuk ke më
tipare morale të vlefshme për shoqërinë, por nuk pushon duke sharë të tjerët si
të pakarakterë.
Ti nuk ke virtyt, d.m.th. je pa cilësi
morale, por te të tjerët i kërkon ato.
Ti nuk ke sedër, d.m.th. ti nuk ke respekt
dhe dashuri ndaj vetes, por pret të tjerët të të duan më shumë se ti donë
veten.
Ti ke vendin e fundit në Europë në të
gjitha fushat, edhe në arsim, ku fundoset ardhmëria jote e mjerë. Megjithatë,
ti dërgon fëmijën aty ku prishet, jo ku mësohet! Dhe ti lejon të paguhen ata!
Dhe ti çuditesh vetëm!
Ti pret pezullimin e vizave, por je
lodhur, je këputur dhe je bindur se më e lehtë është arratisja, se sa rrëzimi i
maskarenjve.
Ti përpiqesh të gjesh thellë në histori personalitet
me origjinë shqiptare, që kanë kontribuar për shtetet e huaja, por duron politikë
nga shqiptarë, që punojnë për dobi të shteteve të huaja.
Si mund te
flesh i qete, kur fëmija yt shkon në shkollë, ku nuk arsimohet?
Si mund te
flesh i qete, kur shkon në spital për shërim dhe e braktis me një infektim?
Si mund të
flesh, kur di se me ndërtimin e shteti, merren dudukët, të cekëtit, të
paditurit, të pagdhendurit, kurse të mirët janë përjashtuar nga jeta publike?
Si mund të
flesh, kur ke qeveri me njëqind veta dhe treqind këshilltarë?
A nuk kupton
se ky është krim i organizuar?
Si mund të
flesh i patrazuar të lutem, kur kryeministri yt, kur Kuvendi yt nuk di se
çfarë do të flasë kryetari me kryetarin serb?
Miq të
Serbisë nuk janë disa politikanë në Perëndim, por je ti mik më i madh i Serbisë,
sepse gati në të gjitha vendet udhëheqëse në Kosovë, ke njerëz që i konvenojnë
vetëm Serbisë. Edhe Qeveria mbahet vertikalisht me mëshirën e shtetit serb!
Gjersa
Serbia lufton pavarësinë dhe shtetin, gjersa kërcënon me mobilizim të armatës dhe
kërkon mbështetje për ta marrë krejt Kosovën dhe i qaset rezolutës 1244, gjersa
ajo paguan agjentët shqiptarë për të shkatërruar çdo gjë shqiptare, ti shpreson
t’ia marrësh edhe një copë, Luginën, ose të krijosh një komb kosovar, siç i
konvenon asaj. Sipas direktivave të saja! Ti je renegat!
Dhjetë për
qind taksa tregojnë se ti ke dhjetë për qind dinjitet dhe sedër! Ndalimi i çdo
produkti serb, është ruajtje e dinjitetit, sepse nuk duhet ndihmuar, atë që në
çdo mënyrë të përbuzë dhe tallet, që të lufton brenda dhe jashtë. Bashkëpunimi
ekonomik nis pas pajtimit politik, jo e kundërta!
Ti po
shpërblen nxënësit e Millosheviqit, që po përpiqen të fitojnë nga ajo që ka
humbur mësuesi i tyre fashist! Ne që jemi jashtë, nuk jemi pse deshëm, por
pse na dëboi Serbia, ku dëshironi të vini edhe ju, tani të dëbuar nga
idiokracia dhe kleptokracia kosovare, që ju e doni dhe votoni! Që ju nuk e
rrëzoni! Ne që jemi jashtë dimë kush ishit, por sot, nuk ju kuptojmë kush jeni!
Me taksa
dhjetë për qind, ti dëshmon se ke dhjetë për qind dije, dhjetë për qind kujtesë,
dhjetë për qind dinjitet, dhjetë për qind mëvetësi dhe moral! Asnjë shtet në
botë nuk lejon tregtinë me shtetin, që i përgatit rrënimin! Ti je mercenar!
Sidoqoftë, ty të falet poshtërsia, të falet mungesa e
dinjitetit, të falet mungesa e moralit, të falet mungesa e sedrës, të falet
mungesa e dashurisë ndaj kombit, të falet edhe ndihma që i jep Serbisë, mu
ashtu siç duhet t’i falet fëmijës konsumimi i ushqimit, që prindi ka futur në
frigorifer: produktet serbe t’i ka sjellë para turirit elita politike
shqiptare! Edhe ata, që sot që shtiren se janë kundër!
Megjithatë,
ti je bashkëfajtor i pafytyrë, që nuk skuqet dhe nuk zverdhet!
u publikua te bota sot, fjalaelire, perqasjse, flasshqip
----------------------------------------------------
Keine Kommentare:
Kommentar veröffentlichen