21.01.2019

Çnderimi i varrit të Rugovës


Nuk kam parë kurrë delegacion gjerman të shkojë te varri i Konrad Adenauerit, Ludwig Erhardit, Willy Brandtit, Helmut Schmidtit apo i Helmut Kohlit! Nuk shkojnë aty, por i përkujtojnë përvjetorët me ndonjë tubim akademik përkujtues. Te varri duhet qetësi, respekt dhe heshtje, jo marshe dhe gjunjëzime edhe nga ata, që për së gjalli, do ta kishin vrarë! Populli gjerman nuk kërkon nga politikanët të vazhdojnë rrugën e të vdekurve, por të profilizohen vet dhe me ide të reja, të përmirësojnë mirëqenien.
Nuk është e moralshme të përdhunohet i vdekuri dhe të shkojë edhe ai, që me libër jashtë, e shante dhe denigronte Rugovën. As nga ata, që i gëzohen vdekjes së tij, përndryshe këto pozita, as nuk do t‘i kishin parë në ëndërr. Varri është pushimore, ku mund dhe duhet të shkojë familja, ndonjë i huaj nëse dëshiron,  jo politikanët kokëboshë, që nuk kanë ide të veta dhe betohen, se do të vazhdojnë rrugën e tij, që ka përfunduar tok me të! Ata nuk shkojnë për respektin që ndjejnë. Ata shkojnë për të fituar ndonjë votë për vete! Këto sjellje janë relikte të diktaturave.

Respekti vetëm pas vdekjes është akt politik barbar i llogaritur deri në imtësi për përfitim vetjak!

Varri poshtërohet, kur i hurit dhe i litarit fotografohen aty, kryesisht kur janë njerëz që ai për së gjalli, as nuk do t’i kishte dashur t’i ketë disa metra pranë vetes!

Mirëqenia nuk arrihet duke u përkulur para varreve, por duke respektuar të gjallët, që punojnë për vendin! I vdekuri nuk ndien asnjë nevojë për të shërbyer si prapaskenë fotografish. Këtë e ndien vetëm i gjalli me çrregullime psikike, ose me pritshmëri makiaveliste.

Psikologët thonë se bindjen bazë, që kemi kur bëjmë diçka të mirë, ose mendojmë se po bëjmë diçka të mirë, është pritshmëria: falënderimi, ose mirënjohja! Pra, interesi personal. 

Lëreni Rugovën të qetë dhe tregoni zotësitë tuaja! Ai i takon historisë! Ai ka merituar paqe dhe respekt! Respekti e tregojnë shumë veta, nëse nuk shfaqen fare para varrit të tij. Këtu bën pjesë edhe gati krejt kryesia e LDK-ës së sotshme!

Për Rugovën duhet shkruar libra dhe ndriçohet se si arriti të krijojë aq shumë miq, sa nuk kemi pasur për pesë shekuj, qysh nga koha e Skënderbeut! Te varri i tij, vetëm ata që i ka dashur ai për së gjalli, përndryshe është çnderim, nekrofili!

-----

Keine Kommentare: