20.01.2019

Ju mund të shpresoni, unë jo...Bota sot


Për merita e çlirimit të vendit, janë të denjë të nderohen me monumente, për shtetin fisnor, që kanë ndërtuar, meritojnë burg në një qeli tok me përmendoret e veta! Sikur të dorëzoheshin, do të dëshmonin inteligjencë, por meqenëse nuk e posedojnë, do të përpiqen me të gjitha mënyrat të vdesin në karrige! Ata më shumë do të parapëlqenin shembjen e shtetit, se largimin nga politika, por ajo çfarë ata nuk mund të kuptojnë, është, se shteti po qelbet edhe me ata në krye! Kjo është më e keqe se sa rrënimi tërësor. Arsyeja? Pas rrënimit nis rindërtimi, shteti i prishur brenda, pengon çdo ndryshim në strukturën e vet!

Pas njohjes nga Serbia, shqiptarët do të punojnë edhe në Beograd, sepse kjo elitë e korruptuar deri në palcë, nuk ka qenë dhe nuk do të jetë kurrë në gjendje, të krijojë vende të punës! Këta dinë të vjedhin dhe të mashtrojnë! Të arriturat e deritanishme, nuk janë rezultat i zotësisë së tyre, por e vendimeve amerikane. Aftësitë e tyre shihen në ndërtimin e administratës. Ata nuk kanë ngritur shtet, por kolibe me thupra për popullin, kështjella për vetveten!

Kjo pasojë është krejtësisht normale: njerëzit e paarsimuar dinë të ndërtojnë diktatura, idiokraci, ose kleptokraci! Më shumë nuk munden, më shumë nuk dinë. Ata trishtohen nga të dijshmit si konti i Transilvanisë Drakula nga hudhra! Ata ndoshta kanë edhe synime tjera, jo vetëm për vete, por u mungon dija themelore, prandaj mërgimi do të vazhdojë dhe deri në vitin 2050, së paku gjysma e popullsisë do të transferohet jashtë! Ata që i afrohen atyre, ata që i shërbejnë atyre, janë klasa shoqërore e pa integritet, sepse janë futur nën çadrën e injorancës, gjenden në shërbim të saj, merren me zbukurimin e saj dhe në fund do të mbeten qullë, kurse padronët e tyre nesër, do të flasin vet me vete në burg. Natyrisht, nëse derisa janë gjallë, ndërtohet shteti i së drejtës.

Ata, për t’i ikur drejtësisë, janë kujdesur qysh në fillim dhe kudo nëpër prokurori dhe gjykata, kanë punësuar të vetët apo zvarranikët. Atje mund të arrestohet një njeri pse ka vjedhur një bukë, por jo një politikan, kur dëmton ekonominë e vendit, ose interesin nacional.

Kuvendi i ngjan një klubi nokturn për njerëz apostafat pa arsim fillor. Akademia i ngjan një Shtëpie Publike. Fakultetet pazarit të xhave, kurse qeveria udhëheqjes së atij klubi, ku çdonjëri përpiqet të përfitojë në dëm të klientëve, numri i të cilëve bie vazhdimisht. Aty gjyqtarët dhe prokurorët janë zgjedhur nga drejtuesit e klubit dhe pritja e përparimit ekonomik, nga ata që shërbehen si në vetëshërbim, është e barabartë, si të pritet nga mafia ndërtimi i shtetit ligjor!

Tani jemi aty ku jemi dhe pa përmbysje të kësaj shtrese, pa largimin jo vetëm të tyre, por edhe të plebenjve, që përkrahin ata, nuk mund të ketë ndryshime pozitive! Thjeshtë është e pamundur. Shteti duhet të rindërtohet dhe të punësohen njerëzit në bazë të profesionalizmit dhe aftësive të dëshmuara, jo në bazë të lidhjes farefisnore.

Sikur të thirrej diaspora për t’u kthyer, ose sikur së paku të kishte nisur punësimi, atëherë mund të shpresohej se gjendja do të përmirësohej, por jo, nuk jemi akoma aty dhe me këta udhëheqës, nuk do të arrijmë kurrë. Injoranca grupore e ngritur në elitë, përpos angazhimit për anulimin e vizave, nuk njeh detyrë tjetër. Ajo ka sukses vetëm në eksportimin e qytetarëve të vet dhe fragmentimin e familjeve.

Një vend ku kryeministri merret praktikisht me grumbullimin e bërllokut, (jo me detyra e shtetit) dhe nuk është në gjendje të punësojë në çdo qytet së paku dhjetë veta për mirëmbajtjen, (por për rrogën e vet alarmohet qysh ditën e parë) ai vend, jo se nuk ka të tashme, por  nuk do të ketë as ardhmëri. Dhe, të ëndërrohet se aty një ditë mund të ndryshojë gjendja për të mirë, është e barabartë me ëndërrimin se ligjet e gravitacionit, do të ndryshojnë dhe se gjësendet nuk do të bien më në tokë, por do të ngrihen përpjetë, në ajër! Ju mund të shpresoni, unë jo. Nuk shoh asnjë xixë, asnjë fakt, i cili do të më mbushte mendjen se Kosova në vitin 2050, do të ketë më shumë se gjysmë milioni banorë! Urime juve që shkarraviteni dhe përgëzime juve që duroni me nerva të trasha! Përparimi ekonomik nuk vjen në pjatë si pavarësia! Ai kërkon djersë dhe drejtësi! Të parën nuk e duam, të dytën nuk e kemi!

---
Më shumë nga Lis Bukuroca:


Keine Kommentare: