27.04.2019

“Shtet i ri” si përligjje e shtetit tribal, gazetaexpress, fjala e lire


Për të përligjur ndërtimin e shtetit tribal të ndërtuar nga idiokratët, ose për të përligjur marrjen e rrogave, duke dëmtuar interesin nacional,  ose duke përligjur punësimin e nipave, mbesave, të rejave dhe kushërinjve, të bijve dhe bijave, shpesh herë përsëritet konstatimi i njëjtë : “jemi shtet i ri!” Kjo domethënë: kini durim me injorancën tonë! Me atë pohim, ata mendojnë të shëlbohen nga të gjitha mëkatet, të rehabilitohen nga të gjitha abuzimet dhe nga të gjitha shpërdorimet, që i bëjnë për interesa të  veta, por në vazhdimësi, duke dëmtuar shteti dhe duke defaktorizuar atë.
E vërtetë se Kosova është shtet i ri; pak më i ri se Maqedonia, pak më i ri se Mali i Zi, se Kroacia e Sllovenia, por shtetin e ri nuk e udhëheqin fëmijët. E vërtetë se Kosova është njëmbëdhjetëvjeçare, por jo politikanët e saj!  E vërtetë se shteti nuk ka arritur moshën e pjekurisë, mirëpo Kosova nuk është një fëmijë. Nëse marrim vitet e shteti si arsyetim të keqpërdorimeve, atëherë krejt elita politike duhet të jetë nën moshën tetëmbëdhjetëvjeçare, çfarë nuk janë! Edhe ky është fakt! E pastaj, mosha e shteti nuk është tregues kryesor për suksesin. Shtete me traditë të madhe janë shembur, kur janë kapur nga kriminelët! Shteti nuk shembet vetëm nga një sulm i jashtëm, por realizohet në mënyrë më efektive, edhe pse më ngadalë, kur njerëzit që udhëheqin, nuk njohin vlera morale, kurse prokuroritë dhe gjykatat, janë plebenjtë e tyre.

E si është e mundur që shteti paska moshë miturie, kurse politikanët, që e udhëheqin, të gjithë janë të moshës madhore!? Ose, pse ata kërkojnë të trajtohen si të mitur dhe përvetësojnë për vete moshën e shtetit, kur vetë janë disa herë më të moshuar se shteti?! Sepse u nevojitet koha! Koha për t’i përmbushur planet e veta.

Në epokën e Jugosllavisë nuk ishim fare shtet, por që nga Kopshti i Fëmijëve, nëpër Universitete, deri në Akademi, kishim institucione dhe administratë më funksionale, më serioze, më të përgatitur profesionalisht dhe jo gati tërësisht fisnore, si sot, ku rol vendimtar, nuk luan aftësimi profesional, por afria fisnore!

Në qoftë se pranojmë si të saktë, si të drejtë pohimin e tyre të shumë përsëritur, atëherë theksojmë se para shpalljes së pavarësisë, nuk njihnim institucione shtetërore, nuk kishim pasur kurrë administratë dhe nuk kishim asnjë përvojë. Domethënë, ishim një tufë njerëzish, që sapo kishte zbritur nga malet, i kishte shkrepur në mendje ndërtimi i një shteti!

Në fakt, arsyetimi "shtet i ri" shërben për të përligjur arbitraritetin, shtetin fisnor, inaptokracinë, kleptokracinë, nepotizmin, padijen e madhe, oportunizmin dhe natyrisht për të fituar kohë për karrierë, për pasurim dhe për të këndellur fisin.

Ata që udhëheqin paguhen për të përmirësuar mirëqenien e popullit, jo për ta keqësuar atë! Ata deri tani kanë korrigjuar standardin e jetës së vet dhe të të afërmeve, por jo të njerëzve jashtë klaneve të veta! Sukses më të madh ata do të llogarisnin heqjen e vizave dhe mundësimin e zbrazjes së vendit! Këtë e ndjekin me zjarrmi në përgatitje e sipër për të sekuestruar meritat!

Shkurt e qartë, edhe pse jemi shtet i ri, kemi shumë njerëz të aftë, por jo aty ku duhet.  Kosova me shpalljen e pavarësisë, nuk ktheu popullin kolektivisht në gjendje miturie. Gjersa ata me vetëdije, ose dije të të miturve udhëheqin shtetin, atëherë arsyetimi se jemi shtet i ri, qëndron! Në aspektin intelektual, shumë prej atyre, që udhëheqin sot shtetin, janë në gjendje miturie dhe vazhdimisht ndjejnë nevojë për tutorë, ose për një mori këshilltarësh!

Ata mund t’u shkruajnë fjalime, mund të përgjigjen në vend të tyre nëpër intervista me shkrim, por kur ata shfaqen para publikut, shndërrohen në personazhe për gazmore, si dikur Iljaz Kurtesh, e Ali Shukria! Aty edhe njëmijë këshilltarë, nuk mund të ndihmojnë!

Pse ndodhi kjo? Dikur në Jugosllavi shqiptarët ndaheshin në të ndershëm dhe në nacionalistë irredentistë. Shqiptarët e ndershëm ishin të përshtatshëm për pozita të rëndësishme. Pikërisht në këtë mënyrë është vepruar edhe pas çlirimit: LDK ka marrë parasysh përshtatshmërinë partiake, PDK gjithashtu, tani i ka ardhur në kuti një zogorie partish. Një koalicion kope, që nuk besohej se mund të mbijetojë disa javë, por që me rritjen e pagave, u përforcua! Asnjë nga qindra ministra e zëvendës, nuk do të prishin këtë maskaradë politike.

Fakti se kanë pasur ftyrë të marrin ato poste duke ditur se po krijojnë qeverinë më të madhe në planetin Tokë, tregon pa keqkuptime synimet e tyre, por edhe për integritetin moral, që për fat të keq, nuk e kanë. Çfarë duhet bërë Kosova në këtë gjendje? Duhet t’ i jepet mundësia Albin Kurtit, përndryshe Serbia do ta rifitojë Kosovën të zbrazët nga shqiptarët!

Aty ku nuk ka shtet të së drejtës, njerëzit as nuk janë të lumtur, as nuk duan të mbeten aty!

PS.: Lexues i nderuar, nëse të pëlqejnë shkrimet në këtë faqe, atëherë mirënjohjen Tënde mund ta tregosh duke blerë librat e mëposhtme, si libra fizikë, apo elektronikë dhe duke e shpërndarë artikullin që të pëlqen në mënyrë që ta mësojnë edhe të tjerët. 

  Ribotime, plotësime dhe redaktime si libra elektronikë


Keine Kommentare: