21.07.2019

Nuk më dhimben politikanët, botatsot, kosovasot


Nuk më dhimben politikanët milionerë, por më dhimben të varfëritë që vuajnë për milionerët! Nuk më dhimbet asnjë politikan, që rrëzohet, ose vetërrëzohet, por më vjen keq dhe më dhimben shumë gra dhe burra të dijshëm, që politika injorante, i ka mënjanuar, i ka hedhur në mosqenie! Mungesa e tyre ndihet në çdo fushë!

Kopesë i duhet çoban i mirë, shtetit të së drejtës, njeri me dije, integritet dhe moral! Më e rëndësishme se pasioni dhe dëshira, është dija! Ajo injorancë duke vrapuar pas bajraktarizmit, rehabilitoi shtetin fashist serb, që masakroi ku mundi nëpër ish-Jugosllavi!
Se sa kuptojnë ata peshën dhe rrjedhën historike, treguan edhe me delegacionin e krijuar me kalamaj, nga fisi, për të vazhduar bisedimet me Serbinë!

Kush mund të dojë një popull, që nuk e donë vetveten
? Nga mbarimi i luftës nuk jemi marrë me grumbullimin, me arkivimin e krimeve serbe, por bëmë krime kundër gjuhës shqipe, kundër historisë shqiptare, kundër identitetit shqiptar, kundër kombit, kundër letërsisë, kundër simboleve dhe kundër çdo shëmbëlltyre shqiptare!

Rezultati është ky: as ne nuk njohim më veten, as ne nuk dimë kush jemi, as çfarë dëshirojmë! Synonim edhe komb të ri! Në këtë gjendje nuk na rinjohin më as ata që na çliruan,  e as nuk na kuptojnë. Aty këtu janë penduar me intervenimin ushtarak, ose nuk kanë më dëshirë të na ndihmojnë! Tani, pas çdo akuze që ngrihet, dëmtohet imazhi i Kosovës! Konsumuan miliarda për t’ na çliruar, tash na e kanë mbyllur derën nga jashtë! Me fajin tonë! Ata tani e 20 vjet takojnë surrate të njëjta te ne. Ky është despotizëm me demokraci të improvizuar!

Ata besonin se ndërtojmë shtet demokratik, jo shtet fisnor, ku nuk punësohen të dijshmit, por vetëm të afërmit. Dhe, meqenëse ashtu vazhdoi pas luftës, sot nuk kemi as akademi serioze, as universitete, as shkolla, as kopshte të fëmijëve, që bëjnë detyrat e veta si duhet! Kosova nuk është e madhe. Ajo për t’i bërë dhjetëra veta milionerë, duhet ekonomikisht të fundoset! Sukses i madh u dëshmua në dy skaje ekstreme: në rritjen e milionerëve dhe rritjen e varfërisë. Kësaj të fundit si pasojë logjike, iu shtua emigrimi.

Turpi i madh, dështim dëshpërues dhe zhgënjyes. Në kohën e Mahmut Bakallit ka funksionuar çdo gjë më mirë, se sa sot! Tmerr! Marri!

Ti, politikan, nëse ke punësuar vetëm një njeri sepse e ke të afërm, ti nuk je as atdhetar, as njeri me dinjitet, as nuk meriton votë dhe as nuk e donë vendin, por vetëm vetveten dhe fisin! Pasojat e punësimeve fisnore, por përjetohet çdo ditë! Me punësimin e anëtarëve të familjes, ke dëshmuar se adhuron vetëm rrethin tënd. Me mosluftimin e korrupsionit, krimit dhe nepotizmit, ti ke dëshmuar jo se nuk je atdhetar, por se me fakte je mik i tyre, armik i popullit dhe armik i Kosovës!

Po çfarë thotë karma? „Çdo shkak ka një pasojë – çdo pasojë ka një shkak. Çdo veprim krijon një energji të caktuar, e cila kthehet me të njëjtin intensitet tek pikënisja, tek prodhuesi. Pasoja kthehet në cilësi dhe sasi të njëjtë. E njëjta prodhon të njëjtën: Aksion-Reaksion...” 

Pra, vepër e mirë apo e ligë, kthehet një ditë! Është në pyetje vetëm koha! Vetëm dita!
Megjithatë ndiej keqardhje për vajin e të mjerëve, që pikëllohen për politikanët milionerë! Ata paguhen për punë të drejta dhe përparim, jo për të lejuar shkeljen e ligjeve në të gjitha fushat!

Kur ata vejnë veten mbi ligjin, aty përfundon shteti i së drejtës dhe nisë shembja! Tani është koha kur populli duhet të vetëdijesohet dhe të dënojë, apo shpërblejë me votën e vetë. Duhet zgjedhur duke u bazuar në veprat e tyre, jo në fjalët e tyre. Ata për pozita dhe vende pune, do gënjejnë shumë më shumë se Tartufi i Molierit!




Keine Kommentare: