"Mendimi për mosekzistencën e zotit kurrë nuk ka frikësuar askënd, përkundrazi është e tmerrshme të mendohet se ekziston një zot si ai që m’a kanë përshkruar."
"Unë njoh një zonjë, që lind dy fëmijë përnjëherë, në mënyrë që secili baba të ketë të vetin."
"Nëse mendja na është dhënë nga zoti, ashtu si dhe besimi, atëherë zoti na ka ofruar dy dhurata të papajtueshme në mes vete dhe kundërthënëse."
"Me virtyt bëhen vetëm piktura të qeta dhe të ftohta; pasioni dhe vesi janë ato që gjallërojnë kompozimet e piktorit, poetit, muzikantit.”
"Filozofët kurrë nuk kanë vrarë asnjë prift, por këta të fundit kanë dënuar dhe vrarë shumë filozofë të mëdhenj."
"Njeriu nuk do të jetë kurrë i lirë derisa mbreti i fundit të mos furet me zorrët e priftit të fundit."
"Prifti (kleriku) i parë ishte mashtruesi i parë, që takoi budallain e parë."
"Poezia duhet të ketë brenda vetes diçka që është barbare, e madhërishme dhe e egër."
"Në përgjithësi, sa më i qytetëruar dhe më i arsimuar të jetë një popull, aq më pak poetike janë zakonet e tij.”
"Një ballo është një poezi."
"Thuhet se dëshira është produkt i vullnetit, por në realitet e kundërta është e vërtetë: vullneti është produkt i dëshirës".
"Kënaqësitë e dhunshme janë si vuajtjet e thella: ato janë memece."
"Për të gjykuar saktë një vepër artistike, nuk duhet t'i qasemi një vepre tjetër artistike."
"Vetëm pasionet, pasionet e mëdha, mund ta arsimojnë shpirtin për gjëra të mëdha."
"Shkohet në shtrat çdo ditë me gra që nuk duhen dhe kurrë jo me ato që duhen."
"Distanca është një nxitës i shkëlqyer i admirimit!"
"Kushdo që pretendon të drejtën për të mos respektuar ligjin e gabuar, autorizon të tjerët për të mos respektuar ligjet e vlefshme."
"Bota ka bukur një moshë: nuk ndryshon! Ndoshta individi përsoset, por shumica e njerëzimit nuk bëhet as më e mirë dhe as më e keqe."
"Me kalimin e shekujve, numri i librave do të rritet, deri në atë pikë, sa të mund të parashikohet një kohë kur të mësuarit nga librat, do të jetë aq i vështirë, sa studimi i universit."
"Nëse i hiqni një të krishteri frikën nga ferri do t‘ i hiqni edhe religjionin."
"Ne gëlltisim me padurim çdo gënjeshtër që na lajkaton, por pimë vetëm me gllënjka të vogla të vërtetën që e gjykojmë si të hidhur."
"Për të qenë një i krishterë i përsosur, duhet të jesh i paditur, të besosh verbërisht, të heqësh dorë nga të gjitha kënaqësitë, nderimet dhe pasuritë."
"Nëse dëgjoni një grua duke folur keq për dashurinë dhe një autor për famën, jini të sigurt se gruaja është duke u mplakur dhe se talenti i autorit është në rënie."
"Nuk ka një baba të mirë, që dëshiron t'i ngjasojë atit tonë në qiell."
"Në politikë sistemet janë më të rrezikshme sesa në filozofi. Kur imagjinata e një filozofi merr drejtimin e gabuar, gabimet e tij dëmtojnë vetëm atë; kur imagjinata e një politikani devijon, gabimet e tij janë një fatkeqësi për shumë veta."
"Por, për ç’arsye qenka aq i zemëruar ai zot? Vallë mund të thuhet se unë mund të bëj diçka për ose kundër lavdisë së tij, për ose kundër paqes së tij, për ose kundër lumturisë së tij?"
Denis Diderot (1713 - 1784) abat(i pari i murgjve në një abaci; titull kishtar i afërt me atë të ipeshkvit) filozof, enciklopedist, përkthyes, shkrimtar dhe kritik i artit. Ai ishte një nga përfaqësuesit më të mëdhenj të Iluminizmit dhe një nga intelektualët më të mëdhenj të shekullit të tetëmbëdhjetë; mik dhe bashkëpunëtor i Volterit dhe i Baron d'Holbach, me të cilin ai shkroi shumë vepra anonime antifetare dhe antiklerikale.
Diderot qe promovues, drejtues redaktor dhe botues i Enciklopedisë. Do të jetë Diderot, ai që do të shkruajë rreth 1500 zëra në Enciklopedi, shpesh anonime dhe do të vazhdojë pothuajse i vetmuar falë financimeve të ndryshme, derisa u publikuan vëllimet e fundit (1772).
Përveç punës kolosale me enciklopedinë dhe botimeve anonime, për të anashkaluar censurën, Diderot shkroi shumë vepra filozofike dhe teatri, romane, artikuj dhe ese mbi tema të ndryshme, duke u marrë me art, histori, politikë dhe shoqëri.
U burgos në kështjellën e Vincennes për „Letër mbi të verbëtit për përdorimin nga ata që shohin“, që ishte një manifest i vërtetë i ateizmit, ku Diderot, ndër të tjera, kishte disa pasazhe nga shkrimet e priftit ateistit Jean Meslier (1664-1729). Diderot kaloi njëqind e tri ditë në burg. Letra iu dërgua edhe Volterit, i cili do ta vlerësojë atë, edhe pse nuk pajtohej me tendencën materialiste të Diderot-së. Ai u lirua nga burgu, pasi nënshkroi një "Letër nënshtrimi" por edhe pas ndërhyrjeve të disa miqve (ndoshta edhe me ndikimin e të preferuarës së mbretit Louigjit XV, Madame de Pompadour, që ishte mike personale e Diderot-së dhe Voltaire-it.
Në fillim u përpoq t' ia atribuojë Mendimet mikes së tij, Madame de Puisieux, por në fund pranoi se ai i kishte shkruar ato dhe premtoi se nuk do të shkruante më "kundër fesë dhe moralit" por argumentet më të rrezikshme i publikoi fshehtas ose sipërfaqësisht, apo duke i futur në shënimet më pak të dyshimta të Enciklopedisë. Më pas, do të botojë artikujt më të pakëndshëm vetëm në mënyrë anonime ose me pseudonime.
P.S.
Ishte epoka kur njerëzit që kishin lexuar dhe mësuar një libër dhe që besonin vetëm atë si saktësi absolute, burgoste ose vriste dijetarët, që kishin lexuar jo vetëm librin e akuzuesve dhe ekzekutorëve, por edhe qindra tjerë, apo mijëra. Mirënjohjet - për lirinë që kemi ne sot, për zhvillimin industrial dhe të gjitha të arriturat tjera shkencore,- u takojnë pikërisht atyre filozofëve para dhe pas Revolucionit Francez. Diderot duhet të ketë pasur mllef të madh kur ka shkruar se mbreti duhet të mbytet me zorrët e priftit, por në shpirt, nuk dëshironte të vepronte si ata, sepse ai luftonte pikërisht atë barbari. Dija ka fituar mbi religjionin, ka emancipuar popuj, pikërisht pse nuk vepron si ai. Madje, ka emancipuar edhe klerin perëndimor.