21.01.2020

Fjalë të urta nga tradita popullore hinduse

Nuk ka asgjë fisnike nëse bëhesh sipëror ndaj një njeriu tjetër. Fisnikëria e vërtetë qëndron në të qenit sipëror ndaj personit që ishim deri dje.
Mëso mësimin e pemës! Ajo i reziston nxehtësisë së diellit dhe u jep të tjerëve freskinë e hijes.
Në mendjet e cekëta edhe peshqit më të vegjël shkaktojnë shumë pezmatime. Në mendjet oqeanike edhe peshqit më të mëdhenj nuk shkaktojnë gërvishtje.
E vetmja gjë e nevojshme për qetësinë e botës është kur çdo fëmijë ka mundësinë të rritet i lumtur.
Lëre zemrën tënde të zgjedhë qëllimin dhe arsyeja të kërkojë rrugën.
Kush ka një zemër të pastër, ka të gjitha ujërat pastruese të Gangut në shtëpi.
Parajsa flet herë pas here përmes gojës së të çmendurve, të dehurve dhe fëmijëve.
Kush ka një mik të vërtetë, nuk ka nevojë për pasqyrë.
Jeta është si një urë: kapërceje, por mos mendo të ndërtosh shtëpinë tënde mbi të.
Mos ki frikë të përparosh ngadalë, ki frikë vetëm nga ndalja.

Kënaqësitë e botës nuk janë gjë tjetër veçse një ëndërr.
Nëse dëshiron të njohësh mendimet tua të djeshme, vëzhgo trupin tënd sot. Nëse dëshiron të dish se si do të jesh nesër, vështro mendimet tua sot.
Gjithmonë gjenden një mijë dielle përtej reve.
Ai që dashuron mbjell një gozhdë në zemrën e vet.
Ndihmo varkën e vëllait për të kaluar, pastaj edhe e jotja do të arrijë në bregun tjetër.
Ai që lejon që dita e tij të kalojë pa akte bujarie dhe pa shijuar kënaqësitë e jetës, është si gjyryku i farkëtarit: ai merr frymë, por nuk jeton.
Unë nuk e fajësoj perëndinë që krijoi tigrin, por e falënderoj që nuk i dha flatra.
Vetëm dy gjëra janë të rëndësishme në këtë botë: një djalë dhe një vajzë.
Durimi është lutja më e bukur.
Mëso të gjitha rregullat, pastaj thyeji disa prej tyre.
Çdo gjë që nuk dhurohet është e humbur.
Zemërimi është si një gur i hedhur në një fole të grerëzave.
Shpesh është e mundur të gjesh në lumenj atë që nuk mund të gjendet në oqeane.
Të mos-dashuruarit është një vdekje e gjatë.
Më mirë njëqind armiq jashtë shtëpisë se sa një brenda.

Zemra në paqe sheh një festë në çdo fshat
Nuk gjendet asnjë pemë që nuk është prekur nga era.
Në tridhjetë vitet e para të jetës ti krijon shprehitë tua; në tridhjetë vitet e dyta janë shprehitë tua që të krijojnë ty.
Nëse heq gur pas guri, do të rrafshosh edhe një kodër.
Ha zjarrin dhe goja jote do të digjet; jeto me kredi dhe krenaria jote do të digjet.
Paraja fshihet në veshin e tigrit.
Asnjëherë mos rri përpara një gjykatësi ose prapa një gomari.
Mos i kërko një xhuxhi për të matur thellësinë e ujit.
Dashurisë nuk i interesojnë shumë klasat e shoqërisë, e as gjumit a është shtrati i thyer apo jo. Unë u nisa në kërkim të dashurisë dhe u humba.
Një grua e bukur është e të gjithëve; një e shëmtuar është vetëm e jotja.
Një mace në një kafaz bëhet luan.
Një shtëpi pa grua bëhet strehimore për djallin.
Gruaja quhet një krijesë e dobët, por vetëm një qime e saj tërheq më shumë se një palë elefantë.
Një hajdut është një hajdut, qoftë kur vjedh një diamant, apo një trangull.
Një shtëpi pa fëmijë është një varrezë.
Për miqësinë e dy njerëzve, durimi i njërit është i nevojshëm.
--------
India është një republikë federale, e cila përbëhet nga 28 shtete dhe nëntë zona federale. Emri i saj në dy gjuhë zyrtare është: Bharat Ganarajya (hindu) dhe Republic of India (anglisht).

India ka mbi 1.37 miliardë banorë (Kina 1.4 miliardë) dhe është vendi i dytë me popullsi d.m.th. demokracia më e madhe në botë. Në nivelin rajonal përdoren 21 gjuhë zyrtare. Në vitin 2020 mendohet se do ta kalojë Kinën për nga numri i banorëve. India ishte e banuar qysh para 4500 vjetëve; kishte qytete të planifikuara si Harappa, me një sistem kanalizimi, porte deti dhe banja…
 Nga gjermanishtja Lis Bukuroca

.......................................

Libra nga Lis Bukuroca

Keine Kommentare: